Ezekieli 17:1-24

17  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma:  «Bir njeriu, trego një gjëegjëzë+ dhe thuaj një shprehje proverbiale për shtëpinë e Izraelit.+  Thuaj: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Një shqiponjë e madhe+ me krahë të mëdhenj,+ me pendë të gjata e me pupla ngjyra-ngjyra, shkoi në Liban+ dhe mori majën+ e një peme cedri.+  Këputi majën e një bisku të njomë, dhe e çoi në një qytet tregtarësh në vendin e Kanaanit.+  Pastaj, mori pak nga fara e vendit+ dhe e hodhi në arë. E mbolli atë si një shelg pranë ujërave të bollshme,+ po, tamam si një pemë shelgu.  Ajo mbiu, e pak nga pak u bë hardhi e ulët dhe e harlisur,+ degët e së cilës ishin të kthyera nga brenda, kurse rrënjët u shtrinë dalëngadalë poshtë. Kështu, u bë hardhi dhe lëshoi bisqe e pastaj degë.+  Por ishte edhe një shqiponjë tjetër e madhe,+ me krahë e pendë të mëdha,+ dhe hardhia i shtriu rrënjët plot uri drejt saj.+ Zgjati edhe degët drejt saj, që ta vadiste. Ajo i zgjati degët matanë leheve ku ishte mbjellë.+  Ajo ishte mbjellë tashmë në një tokë të mirë, afër ujërave të bollshme,+ që të lëshonte degë, të jepte fryt e të bëhej një hardhi madhështore.’”  Thuaj: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘A thua do t’ia dalë mbanë?+ A nuk do t’ia shkulin rrënjët+ dhe a nuk do t’ia prishin frytin? Filizat e njomë e të porsakëputur të saj, a nuk do të thahen?+ Po, hardhia do të thahet. Nuk do të duhet as një krah i fortë dhe as një mori njerëzish për ta shkulur me rrënjë. 10  E pra, edhe sikur ta mbëltonin, a do t’ia dilte mbanë? A nuk do të thahej fare, njësoj sikur ta kishte prekur era e lindjes?+ Po, hardhia do të thahej në lehet ku i mbinë filizat.’”»+ 11  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 12  «Të lutem, thuaji kësaj shtëpie rebele:+ ‘Vërtet nuk e kuptoni se ç’do të thotë kjo?’ Thuaj: ‘Ja, mbreti i Babilonisë erdhi në Jerusalem, zuri mbretin+ dhe princat, e i mori me vete në Babiloni.+ 13  Madje ai mori një nga fara mbretërore,+ bëri një besëlidhje me të dhe e vuri të betohej.+ Gjithashtu, mori edhe të parët e vendit,+ 14  që mbretëria të dobësohej+ e të mos ishte në gjendje të ngrihej më, dhe që ajo të qëndronte duke mbajtur besëlidhjen me të.+ 15  Por ai ngriti krye+ kundër mbretit të Babilonisë dhe dërgoi lajmëtarë në Egjipt, që t’i jepte kuaj+ dhe shumë njerëz. A do t’ia dalë mbanë? A do të shpëtojë ai që bën gjëra të tilla dhe që ka shkelur një besëlidhje? A do të shpëtojë, vallë?+ 16  Siç është e vërtetë që unë rroj,+—thotë Zotëria Sovran Jehova,—ai do të vdesë në mes të Babilonisë,+ në vendin e atij mbreti që vuri në fron atë që përbuzi betimin e tij+ dhe që prishi besëlidhjen me të. 17  Me gjithë ushtrinë e tij të madhe e me gjithë atë turmë të madhe, faraoni nuk do ta bëjë që t’ia dalë në këtë luftë,+ duke ngritur ledhe e mure rrethuese për të shfarosur shumë shpirtra.+ 18  Ai ka përbuzur një betim,+ ka prishur besëlidhjen dhe ja, pasi ka dhënë dorën në shenjë bese,+ ka bërë tërë këto gjëra. Nuk do të shpëtojë dot.’+ 19  Prandaj, kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Siç është e vërtetë që unë rroj, unë do të bëj që mbi kokën e tij të bjerë betimi im që ka përbuzur+ dhe besëlidhja ime që ka prishur. 20  Unë do të hedh mbi të rrjetën time, dhe ai do të kapet në rrjetën time të gjuetisë.+ Pastaj do ta çoj në Babiloni, ku do ta gjykoj për pabesinë me të cilën veproi kundër meje.+ 21  Të gjithë të arratisurit që bëjnë pjesë në trupat e tij, do të bien nga shpata, dhe ata që mbeten do të shpërndahen në të katër anët.*+ Kështu, keni për ta marrë vesh se unë, Jehovai, kam folur.’+ 22  Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Edhe unë do të marr një degëz nga maja e cedrit të lartë+ dhe do ta mbjell. Nga maja e degëve të tij do të këpus një degëz të njomë+ dhe do ta mbëltoj në një mal të lartë e madhështor.+ 23  Do ta mbëltoj+ në malin e lartë të Izraelit, dhe ajo do të lëshojë degë, do të japë fryt+ e do të bëhet një cedër madhështor.+ Nën të do të pushojnë zogj me lloj-lloj krahësh. Po, do të pushojnë nën hijen e degëve të tij.+ 24  Të gjithë drurët e fushës kanë për ta marrë vesh se unë, Jehovai,+ kam ulur pemën e lartë+ dhe kam ngritur pemën e ulët,+ kam tharë pemën e njomë+ dhe kam bërë të lulëzojë sërish atë që është tharë. Unë, Jehovai, kam folur dhe ashtu kam bërë.’»+

Shënime në fund të faqes

Shih shënimin tek Ezk 5:10.