Ezekieli 12:1-28

12  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma:  «Bir njeriu, ti banon mes një shtëpie rebele,+ njerëzit e së cilës kanë sy për të parë, por nuk shohin,+ kanë veshë për të dëgjuar, por nuk dëgjojnë,+ sepse janë shtëpi rebele.+  Prandaj, o bir njeriu, bëj gati plaçkat për mërgim, dhe ditën bëj sikur shkon në mërgim. Para syve të tyre nisu për mërgim nga aty ku je, në një vend tjetër. Mbase e kuptojnë se çfarë do të thotë kjo, ndonëse janë shtëpi rebele.+  Ditën, para syve të tyre, nxirri plaçkat si një njeri që shkon në mërgim, kurse në mbrëmje dil jashtë para syve të tyre si ata që i nxjerrin jashtë për mërgim.+  Çaje murin para syve të tyre dhe nxirri plaçkat jashtë nga e çara.+  Mbaji plaçkat mbi sup para syve të tyre dhe nxirri jashtë kur të jetë errur. Mbuloje fytyrën që të mos shohësh tokën, sepse unë të kam bërë si një shenjë+ për shtëpinë e Izraelit.»+  Unë bëra si më urdhëroi ai.+ Ditën i nxora plaçkat siç i nxjerr ai që shkon në mërgim, kurse në mbrëmje çava murin me dorë. Kur u err, i nxora plaçkat jashtë dhe i mbajta mbi sup para syve të tyre.  Në mëngjes, fjala e Jehovait m’u drejtua akoma:  «Bir njeriu, a nuk të tha shtëpia e Izraelit, kjo shtëpi rebele:+ ‘Çfarë po bën, kështu?’ 10  U thuaj atyre: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Kjo është shpallja për prijësin,+ shpallja kundër Jerusalemit dhe kundër tërë shtëpisë së Izraelit që është atje.’” 11  Thuaju: ‘Unë jam një shenjë+ për ju. Me ju do të bëhet ashtu si kam bërë unë. Ju do të shkoni në mërgim, do të shkoni në robëri.+ 12  Prijësi juaj do t’i mbajë plaçkat mbi sup kur të erret dhe do të dalë. Do të çani murin, që të nxirrni plaçkat nëpër të.+ Princi do ta mbulojë fytyrën që të mos e shohë tokën me sytë e tij.’ 13  Unë do ta hedh rrjetën time mbi të, dhe ai do të ngecë në rrjetën time të gjuetisë.+ Do ta çoj në Babiloni, në vendin e kaldeasve,+ por ai nuk do ta shohë dhe do të vdesë atje.+ 14  Të gjithë ata që i rrinë rrotull për ta ndihmuar dhe tërë njësitë e tij ushtarake do t’i shpërndaj në të katër anët*+ dhe do të nxjerr pas tyre një shpatë.+ 15  Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, kur t’i shpërndaj nëpër kombe dhe t’i hallakat nëpër vende të ndryshme.+ 16  Por pak nga ata do t’i lë të shpëtojnë nga shpata,+ nga zia e bukës dhe nga murtaja, që të gjitha gjërat e pështira+ që kanë bërë, t’ua tregojnë kombeve ku do të shkojnë.+ Atëherë kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» 17  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 18  «Bir njeriu, do ta hash bukën me dridhma dhe do ta pish ujin me shqetësim e me ankth.+ 19  Pastaj thuaji popullit: “Kështu u thotë Zotëria Sovran Jehova banorëve të Jerusalemit në tokën e Izraelit:+ ‘Do ta hanë bukën me ankth e do ta pinë ujin të llahtarisur. Vendi do të shkretohet e nuk do të ketë më asgjë.+ Të gjitha këto do të ndodhin, për shkak të dhunës së atyre që banojnë në të.+ 20  Qytetet e banuara do të kthehen në gërmadha+ dhe vendi do të mbetet i shkretë.+ Atëherë keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’”»+ 21  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 22  «Bir njeriu, ç’është ajo shprehje proverbiale që keni në Izrael+ e që thotë: ‘Ditët po kalojnë,+ por s’po përmbushet asnjë vegim.’+ 23  Prandaj u thuaj atyre: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë do të bëj të mos dëgjohet më kjo shprehje proverbiale. Ajo s’do të thuhet më si proverb në Izrael.’”+ Përkundrazi, thuaju: ‘Po afrohen ditët,+ si edhe përmbushja e të gjitha vegimeve.’ 24  Nuk do të ketë më asnjë vegim të kotë+ dhe as fall të gënjeshtërt mes shtëpisë së Izraelit.+ 25  ‘Sepse unë Jehovai do të flas dhe fjala që do të them, do të plotësohet,+ nuk do të shtyhet më.+ Në ditët tuaja,+ o shtëpi rebele, unë do ta them një fjalë dhe do ta plotësoj’,—thotë Zotëria Sovran Jehova.» 26  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 27  «Bir njeriu, ja, ata të shtëpisë së Izraelit po thonë: ‘Ai po sheh një vegim që është për ditë të largëta dhe profetizon për kohë të largëta.’+ 28  Prandaj, u thuaj atyre: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Asnjë nga fjalët e mia nuk do të shtyhet më.+ Ajo që do të them, do të bëhet’,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.”»+

Shënime në fund të faqes

Shih shënimin tek Ezk 5:10.