Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Dalja 9:1-35

9  Prandaj, Jehovai i tha Moisiut: «Shko te faraoni dhe thuaji:+ “Kështu thotë Jehovai, Perëndia i hebrenjve: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë.  Por nëse vazhdon të mos pranosh dhe i mban ende,+  dora+ e Jehovait do të bjerë mbi bagëtinë+ tënde në fushë. Kuajt, gomarët, devetë, tufat e kopetë do t’i godasë një murtajë shumë e rëndë.+  Por Jehovai do të bëjë dallim mes bagëtisë së Izraelit dhe bagëtisë së Egjiptit, dhe nuk do të ngordhë asgjë nga ato që u përkasin bijve të Izraelit.’”»+  Jehovai caktoi edhe një kohë për këtë, dhe tha: «Jehovai do ta bëjë këtë gjë nesër.»+  Kështu, Jehovai e bëri këtë gjë të nesërmen, dhe çdo lloj bagëtie e Egjiptit nisi të ngordhte,+ por asnjë nga bagëtia e bijve të Izraelit nuk ngordhi.  Atëherë faraoni dërgoi njerëz të shihnin dhe ja, asnjë nga bagëtia e Izraelit nuk kishte ngordhur. Prapëseprapë, zemra e faraonit mbeti e pandjeshme,+ dhe ai nuk e la popullin të ikte.  Pas kësaj, Jehovai i tha Moisiut dhe Aaronit: «Mbushini duart plot me blozë nga një furrë tullash,+ dhe Moisiu ta hedhë drejt qiellit në sy të faraonit.  Ajo do të kthehet në pluhur mbi gjithë vendin e Egjiptit dhe, mbi njerëzit e kafshët, në gjithë Egjiptin do të shpërthejnë çibanë të këqinj.»+ 10  Kështu, ata morën blozë nga një furrë dhe qëndruan para faraonit. Moisiu e hodhi drejt qiellit, dhe ajo u kthye në çibanë të këqinj,+ që shpërthenin mbi njerëz e kafshë. 11  Priftërinjtë që merreshin me magji, nuk qëndruan dot para Moisiut, sepse çibanët shpërthyen mbi ta dhe mbi gjithë egjiptianët.+ 12  Por Jehovai lejoi që zemra e faraonit të bëhej kryeneçe, dhe ai nuk i dëgjoi, pikërisht ashtu si i kishte thënë Jehovai Moisiut.+ 13  Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Çohu herët në mëngjes, dili para faraonit+ dhe thuaji: “Kështu thotë Jehovai, Perëndia i hebrenjve: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë.+ 14  Sepse kësaj here po dërgoj gjithë plagët e mia kundër zemrës sate, mbi shërbëtorët e tu dhe mbi popullin tënd, që ta marrësh vesh se s’ka tjetër si unë në mbarë tokën.+ 15  Sepse tashmë mund ta kisha shtrirë dorën, që të të goditja ty dhe popullin tënd me murtajë, e të ishe zhdukur nga faqja e dheut.+ 16  Por, për këtë shkak të kam lënë gjallë:+ që të të tregoj fuqinë time dhe që emri im të shpallet në gjithë tokën.*+ 17  Ende sillesh me fodullëk me popullin tim, duke mos i lënë të ikin?+ 18  Ja, nesër si në këtë kohë, do të hedh një breshër shumë të madh, të tillë që s’ka rënë kurrë në Egjipt, që nga koha kur është themeluar e deri më sot.+ 19  Tani, dërgo njerëz që të futin nën strehë gjithë bagëtinë tënde dhe gjithçka që ke në fushë. Sepse breshri+ do të bjerë mbi njerëzit e kafshët që do të jenë në fushë dhe që s’janë futur në shtëpi, e kanë për të vdekur.’”» 20  Shërbëtorët e faraonit që i frikësoheshin fjalës së Jehovait, i çuan në shtëpi shërbëtorët dhe bagëtitë e veta,+ 21  por ata që nuk e morën seriozisht* fjalën e Jehovait, i lanë në fushë shërbëtorët dhe bagëtitë.+ 22  Jehovai i tha Moisiut: «Shtrije dorën+ drejt qiellit, që të bjerë breshër+ në gjithë vendin e Egjiptit, mbi njerëzit e kafshët dhe mbi gjithë bimësinë e fushës në vendin e Egjiptit.» 23  Atëherë, Moisiu e shtriu shkopin drejt qiellit. Jehovai dërgoi bubullima e breshër,+ dhe mbi tokë binte zjarr. Kështu, Jehovai hidhte breshër mbi vendin e Egjiptit. 24  Ra breshër, dhe zjarri flakëronte mes breshrit. Ishte aq i fortë sa nuk kishte rënë një i tillë në gjithë vendin e Egjiptit, që nga koha kur u bë komb.+ 25  Breshri goditi gjithë vendin e Egjiptit. Goditi gjithçka që ndodhej në fushë, njerëz e kafshë, dhe gjithfarëlloj bimësie të fushës. Ai theu edhe gjithfarësoj pemësh të fushës.+ 26  Vetëm në vendin e Goshenit, ku ishin bijtë e Izraelit, nuk ra breshër.+ 27  Së fundi, faraoni dërgoi e thirri Moisiun dhe Aaronin, e u tha: «Këtë herë kam mëkatuar.+ Jehovai është i drejtë,+ kurse unë dhe populli im e kemi gabim. 28  Përgjërojuni Jehovait, që të pushojnë bubullimat e breshri nga Perëndia.+ Atëherë do t’ju lë të ikni dhe s’keni për të qëndruar më.» 29  Atëherë, Moisiu ia ktheu: «Sapo të dal nga qyteti, do t’i shtrij duart drejt Jehovait, që t’i lutem.+ Bubullimat e breshri do të pushojnë, që ta marrësh vesh se toka i përket Jehovait.+ 30  Por tashmë unë e di se ti dhe shërbëtorët e tu, as atëherë nuk do të keni frikë nga Perëndia Jehova.»+ 31  Ndërkaq, liri dhe elbi ishin goditur, sepse elbi ishte në kalli, ndërsa liri kishte çelur lule.+ 32  Por gruri dhe spelta*+ nuk ishin goditur, sepse ishin të vonshëm. 33  Moisiu iku nga faraoni e doli nga qyteti, dhe shtriu duart drejt Jehovait, që t’i lutej. Bubullimat e breshri nisën të pushonin dhe mbi tokë nuk ra më shi.+ 34  Kur pa se shiu, breshri e bubullimat kishin pushuar, faraoni nisi të mëkatonte sërish dhe ta bënte zemrën të pandjeshme,+ ai dhe shërbëtorët e tij. 35  Zemra e faraonit mbeti kryeneçe, dhe ai nuk i la bijtë e Izraelit të iknin, pikërisht ashtu si kishte thënë Jehovai me anë të Moisiut.+

Shënime në fund të faqes

«Për këtë qëllim të kam ruajtur, që në rastin tënd të tregoj forcën time, dhe emri im të shpallet në mbarë tokën»,—Septuaginta. Krahaso Ro 9:17.
Fjalë për fjalë «që nuk e vunë zemrën».
Një lloj gruri jocilësor, që kultivohej në Egjiptin e lashtë.