Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Dalja 25:1-40

25  Jehovai nisi t’i thoshte Moisiut:+  «Thuaju bijve të Izraelit që të më sjellin një kontribut: do ta merrni kontributin nga çdo njeri që nxitet ta japë nga zemra.+  Nga ata do të merrni këtë kontribut: ar,+ argjend,+ bakër,+  fill blu, lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt, fill ngjyrë kërmëzi, li të hollë, lesh dhie,+  lëkurë dashi të ngjyera në të kuqe, lëkurë foke, dru akacieje,+  vaj për ndriçuesit,+ vaj balsami+ për vajin e mirosjes+ dhe për temjanin aromatik,+  gurë oniksi dhe gurë për t’i vënë tek efodi*+ e te copa që vendoset para kraharorit.+  Të më bëjnë një shenjtërore, që të banoj mes tyre.+  Do ta bësh sipas gjithë modelit që do të të tregoj për tabernakullin dhe për tërë pajimet e tij.+ 10  Të bëjnë një Arkë me dru akacieje,+ të gjatë dy kute e gjysmë, të gjerë një kut e gjysmë dhe të lartë një kut e gjysmë. 11  Vishe me ar të kulluar.+ Praroje jashtë e brenda, dhe sipër bëji një bordurë prej ari rreth e qark.+ 12  Derdh katër unaza ari dhe vendosi mbi katër këmbët e arkës, dy në njërën anë dhe dy në anën tjetër.+ 13  Bëj edhe shufra me dru akacieje dhe vishi me ar.+ 14  Shufrat kaloji nëpër unazat në krah të Arkës, që ta mbartni. 15  Shufrat do të qëndrojnë tek unazat e Arkës. Ato s’kanë për t’u hequr që andej.+ 16  Brenda Arkës vendos dëshminë që do të të jap.+ 17  Bëj një kapak me ar të kulluar, të gjatë dy kute e gjysmë dhe të gjerë një kut e gjysmë.+ 18  Bëj edhe dy kerubinë prej ari në të dyja anët e kapakut.+ Punoji me çekan. 19  Bëj një kerubin në njërën anë dhe një kerubin në anën tjetër.+ Kerubinët do t’i bësh mbi kapak, në të dyja anët e tij. 20  Kerubinët do t’i kenë krahët të shtrirë përsipër, duke e mbuluar kapakun me krahët e tyre.+ Ata do të jenë kundrejt njëri-tjetrit, me fytyrë nga kapaku. 21  Kapakun+ vendose mbi Arkë, dhe brenda Arkës vendos dëshminë që do të të jap. 22  Atje do të të shfaqem dhe, nga lart kapakut,+ mes dy kerubinëve që ndodhen mbi arkën e dëshmisë, do të flas me ty dhe do të të them të gjitha urdhërimet për bijtë e Izraelit.+ 23  Bëj një tryezë+ me dru akacieje, të gjatë dy kute, të gjerë një kut dhe të lartë një kut e gjysmë. 24  Vishe me ar të kulluar dhe rreth e qark bëji një bordurë prej ari.+ 25  Bëji rreth e qark edhe një buzë katër gisht të lartë, dhe kësaj bëji rreth e qark një bordurë prej ari.+ 26  Bëji katër unaza ari dhe vendosi në katër qoshet, ku janë katër këmbët.+ 27  Unazat duhet të jenë pranë buzës, dhe në to do të futen shufrat për të mbartur tryezën.+ 28  Shufrat bëji me dru akacieje dhe vishi me ar. Me to duhet të mbartin tryezën.+ 29  Bëj pjatat e kupat e saj, si dhe brokat e taset, me të cilat do të derdhin libacione. Bëji me ar të kulluar.+ 30  Vër në tryezë bukët e paraqitjes, dhe ato do të qëndrojnë vazhdimisht para meje.+ 31  Bëj edhe një shandan me ar të kulluar. Shandanin do ta punosh me çekan.+ Baza, krahët, kupat, koklat e lulet e tij do të dalin nga trungu i tij. 32  Gjashtë krahë dalin nga trungu i tij: tre krahë nga njëra anë dhe tre nga ana tjetër.+ 33  Në çdo krah të njërës anë ka tri kupëza në formën e lules së bajames, bashkë me kokla e lule, që këmbehen me njëra-tjetrën. Po kështu edhe në anën tjetër, në çdo krah ka tri kupëza në formën e lules së bajames, bashkë me kokla e lule, që këmbehen me njëra-tjetrën.+ Kështu do të jenë gjashtë krahët që dalin nga shandani. 34  Në trungun e shandanit ka katër kupëza në formën e lules së bajames, me koklat e lulet e tyre, që këmbehen me njëra-tjetrën.+ 35  Një kokël do të jetë nën dy krahët e parë që dalin nga trungu, një kokël nën dy krahët e tjerë që dalin nga trungu dhe një kokël tjetër nën dy krahët e fundit që dalin nga ai, për gjashtë krahët që dalin nga shandani.+ 36  Koklat dhe krahët do të dalin nga trungu i tij. Ai është një trup i tërë, i punuar me çekan dhe i bërë me ar të kulluar.+ 37  Bëji shtatë llamba, që do të ndizen e do të ndriçojnë zonën përballë tij.+ 38  Edhe mashat, edhe mbajtëset e zjarrit do të jenë prej ari të kulluar.+ 39  Shandani dhe gjithë pajisjet e tij do të peshojnë një talentë ari të kulluar. 40  Ki kujdes që t’i bësh sipas modelit që t’u tregua në mal.+

Shënime në fund të faqes

Me sa duket ishte një veshje si përparëse, me dy pjesë, para dhe prapa.