Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

2 Samuelit 19:1-43

19  Më vonë Joabin e njoftuan: «Mbreti po qan dhe mban zi për Absalomin.»+  Kështu, shpëtimi i asaj dite u kthye në zi për gjithë popullin, sepse atë ditë populli dëgjoi të thuhej: «Mbreti është hidhëruar për të birin.»  Atë ditë populli hyri vjedhurazi në qytet,+ ashtu si hyjnë vjedhurazi nga turpi ata që ia mbathin nga beteja.  Mbreti kishte mbuluar fytyrën dhe thërriste me zë të lartë: «Biri im Absalom! Absalom, biri im, biri im!»+  Atëherë Joabi hyri në shtëpinë e mbretit dhe i tha: «Sot ti ua ke mbuluar me turp fytyrën tërë shërbëtorëve të tu, atyre që sot shpëtuan shpirtin tënd,+ shpirtin e bijve+ të tu e të bijave+ të tua, shpirtin e grave+ dhe shpirtin e konkubinave+ të tua.  Këtë e ke bërë duke dashur ata që të urrejnë dhe duke urryer ata që të duan, sepse sot ke treguar që krerët dhe shërbëtorët s’janë asgjë për ty. Sot unë e di mirë se sikur vetëm Absalomi të ishte gjallë dhe tërë ne të tjerët të kishim vdekur, kjo do të ishte e drejtë për ty.  Çohu, pra, dil dhe foli zemrës+ së shërbëtorëve të tu, sepse të betohem për Jehovain se po nuk dole, askush s’ka për ta kaluar natën me ty sonte.+ Kjo do të jetë për ty më keq se gjithë të këqijat që të kanë rënë që nga rinia jote e deri më tani.»  Atëherë mbreti u çua dhe u ul te porta.+ Mbarë populli u njoftua: «Mbreti është ulur te porta.» Kështu, tërë populli shkoi para mbretit.Kurse ata të Izraelit ia kishin mbathur secili në shtëpinë e vet.+  Në të gjitha fiset e Izraelit, mbarë populli u përfshi në debat dhe thoshte: «Mbreti na çliroi nga dora e armiqve+ tanë, ai na shpëtoi nga dora e filistinëve; dhe tani ai ia ka mbathur nga vendi për shkak të Absalomit.+ 10  Absalomi që e mirosëm për të qenë mbi ne+ ka vdekur në betejë.+ Pse, pra, nuk po bëni asgjë për ta kthyer mbretin?»+ 11  Mbreti David dërgoi t’u thuhej priftërinjve Sadok+ dhe Abiatar:+ «Foluni pleqve të Judës+ dhe u thoni: ‘Pse të jeni ju të fundit për ta kthyer mbretin në shtëpinë e vet, kur fjala e mbarë Izraelit ka mbërritur deri te mbreti në shtëpinë e tij? 12  Ju jeni vëllezërit e mi, jeni kocka dhe mishi im.+ Pse, pra, të jeni ju të fundit për ta kthyer mbretin?’ 13  I thoni Amasës:+ ‘A nuk je kocka dhe mishi im ti? Kështu ma bëftë Perëndia, madje edhe më keq,+ po s’të bëra përgjithmonë kreun e ushtrisë në vend të Joabit!’»+ 14  Ai bëri që zemra e tërë njerëzve të Judës të prirej si të ishin një njeri i vetëm.+ Kështu ata i dërguan fjalë mbretit: «Kthehu ti dhe gjithë shërbëtorët e tu.» 15  Atëherë mbreti u nis të kthehej dhe arriti deri në Jordan. Ata të Judës vajtën në Gilgal+ që t’i dilnin para mbretit dhe ta çonin matanë Jordanit. 16  Atëherë Shimei,+ biri i beniaminitit Gerau,+ që ishte nga Bahurimi,+ nxitoi dhe zbriti bashkë me njerëzit e Judës për t’i dalë para mbretit David. 17  Me të ishin një mijë burra nga Beniamini. (Me të ishte edhe Ziba,+ shërbëtori i shtëpisë së Saulit, pesëmbëdhjetë bijtë+ e tij dhe njëzet shërbëtorët e tij. Këta ia dolën të arrinin në Jordan përpara mbretit. 18  Ziba kaloi vaun+ për të çuar matanë ata të shtëpisë së mbretit dhe për të bërë si t’i dukej atij më mirë.) Kur mbreti gati po kalonte Jordanin, Shimei, biri i Geraut, ra para tij+ 19  dhe i tha mbretit: «Të mos më bëjë me faj zotëria im dhe të mos e kujtojë të keqen që i bëri shërbëtori yt+ ditën kur zotëria im, mbreti, doli nga Jerusalemi, në mënyrë që mbreti të mos e mbajë mendjen* aty.+ 20  Sepse shërbëtori yt e di mirë se unë kam mëkatuar, prandaj sot kam ardhur i pari nga gjithë shtëpia e Jozefit,+ që të zbres e t’i dal para zotërisë tim, mbretit.» 21  Menjëherë Abishai,+ biri i Zerujasë,+ tha: «A nuk duhet të vritet Shimei për këtë, sepse ka mallkuar të mirosurin e Jehovait?»+ 22  Por Davidi u përgjigj: «Ç’ju duhet juve,+ o bij të Zerujasë, të bëheni sot kundërshtarët+ e mi? A do të vritet sot ndonjë në Izrael?+ A nuk e di mirë unë se sot jam mbret i Izraelit?» 23  Atëherë mbreti i tha Shimeit: «Ti nuk do të vdesësh.» Pastaj mbreti iu betua.+ 24  Mefibosheti,+ nipi i Saulit, zbriti për t’i dalë përpara mbretit. Ai nuk ishte kujdesur as për këmbët,+ as për mustaqet+ dhe as nuk i kishte larë rrobat që nga dita kur iku mbreti e deri ditën kur ai erdhi në paqe. 25  Kur erdhi në Jerusalem për të takuar mbretin, mbreti e pyeti: «Pse nuk erdhe me mua, Mefiboshet?» 26  Ai iu përgjigj: «Ma punoi shërbëtori+ im, o zotëria im, o mbret. Në të vërtetë shërbëtori yt kishte thënë: ‘Po i vë samarin gomaricës që t’i hipi dhe të shkoj me mbretin’, sepse shërbëtori yt është i çalë.+ 27  Ai, pra, shpifi+ para zotërisë tim, mbretit, kundër shërbëtorit tënd. Por zotëria im, mbreti, është si një engjëll+ i Perëndisë së vërtetë, prandaj bëj si të të duket më mirë. 28  Sepse për zotërinë tim, mbretin, gjithë shtëpia e atit tim do të ishte e dënuar me vdekje, e megjithatë ti e vure shërbëtorin tënd mes atyre që hanë në tryezën+ tënde. Ç’e drejtë më mbetet, pra, për t’i thirrur+ ende mbretit?» 29  Megjithatë mbreti i tha: «Pse flet akoma? Unë po të them: ti dhe Ziba duhet ta ndani me njëri-tjetrin arën.»+ 30  Menjëherë Mefibosheti i tha mbretit: «Tani që zotëria im, mbreti, ka ardhur në paqe në shtëpinë e vet, le ta marrë të tërën ai.»+ 31  Edhe galaditi Barzilai+ zbriti nga Rogelimi për të shkuar në Jordan bashkë me mbretin, që ta përcillte atë deri në Jordan. 32  Barzilai ishte shumë i moshuar, tetëdhjetë vjeç.+ Ai e furnizoi me ushqim mbretin ndërkohë që banonte në Mahanaim,+ sepse ishte njeri shumë i madh.+ 33  Mbreti i tha Barzilait: «Hajde matanë me mua dhe unë do të të siguroj ushqim pranë meje në Jerusalem.»+ 34  Por Barzilai i tha mbretit: «Po edhe sa ditë jetë kam unë, që të ngjitem me mbretin në Jerusalem? 35  Sot jam tetëdhjetë vjeç.+ A mund ta dalloj unë të mirën nga e keqja? A mund ta shijojë shërbëtori yt atë që ha dhe pi?+ A mund ta dëgjoj+ ende zërin e këngëtarëve e të këngëtareve?+ Pse, pra, t’i bëhet ende barrë+ shërbëtori yt zotërisë tim, mbretit? 36  Shërbëtori yt mund ta shoqërojë mbretin vetëm për pak rrugë deri në Jordan. Pse të ma shpërblejë mbreti në këtë mënyrë?+ 37  Të lutem, lëre shërbëtorin tënd të kthehet dhe lërmë të vdes+ në qytetin tim, pranë varrit të atit dhe të nënës sime.+ Ja ku është shërbëtori yt, Kimhami.+ Le të kalojë ai me zotërinë tim, mbretin, dhe bëj me të si të të duket më mirë.» 38  Atëherë mbreti tha: «Kimhami do të kalojë matanë me mua dhe unë do të bëj me të si të të duket më mirë ty. Unë do të bëj për ty çfarëdo që të më kërkosh.» 39  Pastaj gjithë populli nisi të kalonte Jordanin. Edhe mbreti e kaloi, kurse Barzilain mbreti e puthi+ dhe e bekoi,+ e pas kësaj ky u kthye në vendin e tij. 40  Kur mbreti kaloi matanë në Gilgal,+ me të kaloi edhe Kimhami. Bashkë me ta, për ta çuar mbretin matanë, ishin edhe gjithë njerëzit e Judës dhe gjysma e popullit të Izraelit. 41  Gjithë njerëzit e Izraelit vajtën te mbreti dhe e pyetën: «Pse+ vëllezërit tanë, burrat e Judës, të morën vjedhurazi që të të çonin matanë Jordanit+ ty, o mbret, bashkë me ata të shtëpisë sate dhe me gjithë njerëzit që ishin me Davidin?» 42  Atëherë gjithë burrat e Judës iu përgjigjën burrave të Izraelit: «Sepse mbreti është i afërmi ynë i ngushtë.+ Pse jeni zemëruar për këtë? Mos kemi ngrënë gjë me shpenzimet e mbretit, apo mos na është sjellë ndonjë dhuratë?» 43  Por burrat e Izraelit u thanë burrave të Judës: «Mbreti na takon neve dhjetë herë më shumë+ se juve, kështu që edhe Davidi na takon neve më shumë se juve. Pse, pra, na keni trajtuar me përçmim? Pse të mos ishim ne të parët+ për ta kthyer mbretin?» Por fjala e burrave të Judës ishte më e rëndë se fjala e burrave të Izraelit.

Shënime në fund të faqes

Shih shënim te 2Sa 13:33.