2 Samuelit 18:1-33

18  Pastaj Davidi numëroi njerëzit që ishin me të dhe vuri mbi ta krerë të mijësheve e të qindësheve.+  Pas kësaj Davidi e dërgoi një të tretën+ e popullit nën komandën e Joabit,+ një të tretën nën komandën e Abishait,+ birit të Zerujasë, vëllait të Joabit,+ dhe një të tretën nën komandën e gititit Itai.+ Pastaj mbreti i tha popullit: «Edhe unë do të dal patjetër me ju.»  Por populli tha: «Ti nuk duhet të dalësh,+ sepse edhe po t’ia mbathim ne, edhe po të vdesë gjysma jonë, atyre s’do t’u bjerë ndër mend për ne,+ kurse ti vlen sa dhjetë mijë nga ne.+ Ti do të na bëje punë më mirë nëse na ndihmon+ nga qyteti.»  Atëherë mbreti u tha: «Do të bëj gjithçka që do ta shihni të udhës.»+ Kështu, mbreti qëndroi në anë të portës,+ kurse tërë populli doli sipas qindësheve e sipas mijësheve.+  Më pas mbreti e urdhëroi Joabin, Abishain dhe Itain: «Për hirin tim, silluni ëmbël+ me të riun Absalom.» Tërë populli e dëgjoi urdhrin që u dha mbreti gjithë krerëve për Absalomin.  Kështu populli vazhdoi rrugën drejt fushës për t’i dalë kundër Izraelit. Beteja u bë në pyllin e Efraimit.+  Në fund populli i Izraelit+ u mund+ atje para shërbëtorëve të Davidit. Atë ditë masakra qe e madhe: njëzet mijë burra.  Beteja u shtri në mbarë vendin. Atë ditë më shumë njerëz i përpiu pylli se shpata.  Në fund Absalomi u gjend para shërbëtorëve të Davidit. Absalomi i kishte hipur një mushke dhe ajo kaloi nën degët e pleksura të një peme shumë të madhe, kështu që atij i ngeci keq koka te kjo pemë dhe ai mbeti i varur midis qiellit dhe tokës,+ ndërsa mushka që ishte nën të shkoi më tutje. 10  Dikush e pa dhe i tha Joabit:+ «Pashë Absalomin të varur në një pemë të madhe.» 11  Atëherë Joabi ia ktheu: «Përderisa e paske parë, pse nuk e vrave atje e ta lije të binte përtokë? Atëherë unë do ta kisha për detyrë të të jepja dhjetë monedha argjendi dhe një rrip.»+ 12  Por ai njeri i tha Joabit: «Edhe sikur të isha duke i peshuar në pëllëmbë të dorës një mijë monedha argjendi, nuk do ta kisha shtrirë dorën kundër birit të mbretit, sepse ne e dëgjuam vetë që mbreti të urdhëroi ty, Abishain dhe Itain: ‘Secili prej jush të ketë kujdes të riun Absalom.’+ 13  Përndryshe do të veproja pabesisht kundër shpirtit të tij, dhe e tërë kjo punë nuk do t’i mbahej e fshehtë mbretit,+ kurse ti vetë s’do të përziheshe në këtë çështje.» 14  Atëherë Joabi tha: «Kot që humbas kohë me ty!» Menjëherë mori tri shtiza në dorë dhe ia nguli+ tejpërtej në zemër Absalomit, ndërkohë që ai ishte ende gjallë në mes+ të pemës së madhe. 15  Pastaj, dhjetë shërbëtorë që mbanin armët e Joabit e rrethuan dhe e goditën Absalomin, që ta vritnin.+ 16  Atëherë Joabi i ra bririt+ dhe populli u kthye e nuk e ndoqi më Izraelin, sepse nuk e lejoi Joabi. 17  Në fund Absalomin e morën, e hodhën në një gropë të madhe në pyll dhe ngritën mbi të një pirg shumë të madh me gurë.+ Kështu tërë Izraeli ia mbathi, gjithsekush në shtëpinë e vet. 18  Kur ishte ende gjallë, Absalomi kishte marrë një shtyllë+ dhe e kishte ngritur në Ultësirën e Mbretit,+ sepse thoshte: «Unë s’kam bir që ta ruajë kujtimin e emrit tim.»+ Kështu, ai i vuri shtyllës emrin e vet+ dhe ajo vazhdon të quhet Përmendorja e Absalomit deri sot e kësaj dite. 19  Tani Ahimaazi,+ biri i Sadokut, tha: «Të lutem, më lër të vrapoj e t’ia çoj lajmin mbretit, sepse Jehovai e ka gjykuar, me qëllim që ta çlirojë nga dora e armiqve të vet.»+ 20  Por Joabi i tha: «Ti nuk do të çosh lajme sot. Një ditë tjetër po, por sot nuk do të çosh lajme, për vetë faktin se ka vdekur biri i mbretit.»+ 21  Atëherë Joabi i tha kushitit:+ «Shko, tregoja mbretit atë që ke parë.» Me të dëgjuar këtë, kushiti u përkul para Joabit dhe mori vrapin. 22  Ahimaazi, biri i Sadokut, i tha përsëri Joabit: «Le të ndodhë ç’të ndodhë! Të lutem, lërmë të vrapoj edhe unë pas kushitit.» Por Joabi tha: «Pse të vraposh, biri im, përderisa s’ka asnjë lajm për ty?» 23  Prapëseprapë ai tha: «Le të ndodhë ç’të ndodhë, lërmë të vrapoj.» Atëherë ai ia ktheu: «Vrapo, pra!» Kështu Ahimaazi filloi të vraponte nëpër udhën e Krahinës+ dhe më në fund ia kaloi kushitit. 24  Davidi po rrinte ulur mes dy portave.+ Ndërkohë roja+ shkoi në tarracën e portës pranë murit. Ai ngriti sytë dhe pa një burrë që po vraponte i vetëm. 25  Atëherë roja thirri dhe i tregoi mbretit. Mbreti ia ktheu: «Në qoftë vetëm, në gojën e tij ka lajme.» Ndërkaq ai po afrohej gjithnjë e më shumë. 26  Mirëpo roja pa një burrë tjetër që po vraponte. Prandaj i thirri derëtarit: «Ja, edhe një burrë tjetër po vrapon i vetëm!» Mbreti ia ktheu: «Edhe ky sjell lajme.» 27  Roja vazhdoi: «Mënyra+ si vrapon i pari ngjan me atë të Ahimaazit,+ birit të Sadokut.» Mbreti i tha: «Ky është burrë i mirë+ dhe duhet të vijë me lajme të mira.»+ 28  Më në fund Ahimaazi thirri dhe i tha mbretit: «Gjithçka mirë!» Pastaj u përkul me fytyrë përdhe para mbretit dhe tha: «Bekuar+ qoftë Jehovai, Perëndia yt, që i ka dorëzuar+ njerëzit që ngritën dorë kundër zotërisë tim, mbretit!» 29  Por mbreti e pyeti: «A është mirë i riu Absalom?» Ahimaazi u përgjigj: «Kur Joabi dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe shërbëtorin tënd pashë një pështjellim të madh, por nuk e mora vesh ç’ishte.»+ 30  Atëherë mbreti tha: «Hiqu mënjanë dhe zër vend këtu.» Ai u hoq menjëherë mënjanë dhe ndenji pa lëvizur. 31  Dhe ja tek po vinte kushiti,+ që nisi të thoshte: «E pranoftë lajmin zotëria im, mbreti, sepse sot Jehovai të ka gjykuar për të të çliruar nga dora e të gjithë atyre që ishin ngritur kundër teje!»+ 32  Por mbreti e pyeti kushitin: «A është mirë i riu Absalom?» Kushiti iu përgjigj: «Si ai i ri u bëfshin armiqtë e zotërisë tim, mbretit, dhe të gjithë ata që u ngritën kundër teje për të të bërë keq!»+ 33  Atëherë mbreti u trondit, u ngjit në dhomën që gjendej në tarracën+ e portës dhe shpërtheu në lot. Ndërsa ecte thoshte: «Biri im Absalom, biri im, biri im+ Absalom! Ah, sikur të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!»+

Shënime në fund të faqes