2 Kronikave 13:1-22

13  Vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Jeroboamit, në Judë filloi të mbretëronte Abijahu.+  Ai mbretëroi tre vjet në Jerusalem. Nëna e tij e kishte emrin Mikajah+ dhe ishte e bija e Urielit nga Gibeahu.+ Mes Abijahut dhe Jeroboamit pati luftë.+  Abijahu hyri në luftë me një ushtri prej katërqind mijë luftëtarësh të fuqishëm,+ burra të zgjedhur. Jeroboami u rreshtua në formacion beteje kundër tij me tetëqind mijë burra të zgjedhur, trima e të fuqishëm.+  Ndërsa qëndronte në malin e Zemaraimit, i cili gjendet në rajonin malor të Efraimit,+ Abijahu tha: «Dëgjomë, o Jeroboam dhe mbarë ti, o Izrael!  A nuk e dini vallë që vetë Jehovai, Perëndia i Izraelit, ia dha mbretërinë në Izrael Davidit+ dhe bijve të tij brez pas brezi+ me anë të një besëlidhjeje kripe?+  Jeroboami,+ biri i Nebatit, shërbëtori+ i Solomonit, birit të Davidit, u ngrit e u rebelua+ kundër zotërisë të tij.+  Pranë tij vazhduan të mblidheshin burra që sorollateshin kot,+ njerëz të pavlerë.+ Në fund ata dolën më të fortë se Rehoboami, biri i Solomonit, kur ai+ ishte i ri e zemërlëshuar+ dhe nuk u bëri dot ballë.  Ju mendoni se mund t’i bëni ballë mbretërisë së Jehovait, që është në dorë të bijve të Davidit,+ ngaqë jeni një turmë e madhe+ dhe keni me vete viçat prej ari që Jeroboami bëri për ju si perëndi.+  A nuk i keni dëbuar priftërinjtë e Jehovait,+ bijtë e Aaronit dhe levitët, dhe a nuk vazhdoni të vini priftërinj si bëjnë popujt e vendeve të tjera?+ Kushdo që erdhi dhe u emërua* prift duke flijuar një dem të ri dhe shtatë desh, u bë prift i atyre që nuk janë perëndi.+ 10  Sa për ne, Perëndia ynë është Jehovai,+ dhe ne nuk e kemi braktisur. Priftërinjtë, bijtë e Aaronit, po i shërbejnë Jehovait dhe levitët po kryejnë punën e tyre.+ 11  Ata i paraqitin Jehovait blatime të djegura dhe tym temjani aromatik+ çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje.+ Buka e vënë stivë është mbi tryezën prej ari të kulluar.+ Ne kemi edhe shandanin+ prej ari me llambat e tij që duhen ndezur çdo mbrëmje,+ sepse ne po përmbushim detyrimin+ ndaj Jehovait, Perëndisë tonë, kurse ju e keni braktisur atë.+ 12  Ja, ne kemi në krye Perëndinë e vërtetë+ dhe priftërinjtë+ e tij me trumbetat e sinjalit që japin kushtrimin+ për betejë kundër jush. O bij të Izraelit, mos luftoni kundër Jehovait, Perëndisë së paraardhësve+ tuaj, sepse nuk do t’ia dilni mbanë!»+ 13  Jeroboami dërgoi trupa që t’u merrnin krahët, duke ngritur një pritë nga prapa. Kështu, ai me njerëzit e tij ishin përballë Judës, kurse ata të pritës ishin pas.+ 14  Kur ata të Judës u kthyen, ja, betejën e kishin para dhe pas.+ Ata filluan t’i thërritnin Jehovait,+ ndërsa priftërinjtë u binin fort trumbetave. 15  Burrat e Judës lëshuan një britmë lufte+ dhe, kur e bënë këtë, Perëndia i vërtetë e mundi+ Jeroboamin dhe gjithë Izraelin përpara Abijahut+ dhe Judës. 16  Bijtë e Izraelit ia mbathën para Judës dhe atëherë Perëndia ua dha në dorë.+ 17  Abijahu dhe populli i tij vazhduan t’i goditnin duke bërë një masakër të madhe. Nga Izraeli ranë të vrarë pesëqind mijë burra të zgjedhur. 18  Kështu, në atë kohë, bijtë e Izraelit u poshtëruan, kurse bijtë e Judës dolën më të fortë, sepse u mbështetën+ te Jehovai, Perëndia i paraardhësve të tyre. 19  Abijahu vazhdoi ta ndiqte Jeroboamin dhe mori disa qytete prej tij: Bethelin+ me fshatrat e tij, Jeshanahun me fshatrat e tij dhe Efrainin me fshatrat e tij.+ 20  Në ditët e Abijahut, Jeroboami nuk pati më fuqi.+ Jehovai i dha një goditje,+ kështu që ai vdiq. 21  Abijahu vazhdoi të forcohej.+ Me kalimin e kohës, ai mori katërmbëdhjetë gra+ dhe u bë baba i njëzet e dy bijve+ e gjashtëmbëdhjetë bijave. 22  Pjesa tjetër e ngjarjeve lidhur me Abijahun, udhët dhe fjalët e tij, janë hedhur në shtjellimin e profetit Ido.+

Shënime në fund të faqes

Kjo shprehje hebraike fjalë për fjalë do të thotë «mbush dorën», dhe përdoret në rastet kur u jepet fuqi e plotë në dorë atyre që shërbejnë si priftërinj.