2 Mbretërve 21:1-26

21  Manaseu ishte dymbëdhjetë vjeç+ kur filloi të mbretëronte, dhe mbretëroi pesëdhjetë e pesë vjet në Jerusalem. Nëna e tij e kishte emrin Hefziba.  Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait,+ sipas gjërave të pështira të kombeve+ që Jehovai kishte dëbuar para bijve të Izraelit.  Ndërtoi përsëri vendet e larta që Hezekia, i ati, i kishte shkatërruar,+ ngriti altarë për Baalin dhe bëri një shtyllë të shenjtë, ashtu si kishte bërë Akabi,+ mbreti i Izraelit. Manaseu nisi të përkulej+ para gjithë ushtrisë së qiejve+ dhe t’u shërbente atyre.+  Ai ndërtoi altarë në shtëpinë e Jehovait,+ për të cilën Jehovai kishte thënë: «Në Jerusalem do ta vë emrin tim.»+  Në dy oborret e shtëpisë së Jehovait+ ndërtoi altarë për gjithë ushtrinë e qiejve.+  Ai e kaloi të birin në zjarr,+ u mor me magji,+ kërkoi ogure, vendosi mediume*+ dhe njerëz që kishin si zanat parathënien+ e ngjarjeve. Ai bëri në një masë të madhe atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, për ta fyer atë.  Veç kësaj, shëmbëlltyrën e gdhendur+ që kishte bërë, atë të shtyllës së shenjtë, e vuri në shtëpinë+ për të cilën Jehovai i kishte thënë Davidit dhe Solomonit, birit të tij: «Në këtë shtëpi dhe në Jerusalem, të cilin e kam zgjedhur nga tërë fiset e Izraelit, do ta vë emrin tim brez pas brezi.+  Unë nuk do të lë përsëri që këmba e Izraelit të endet larg tokës që u dhashë paraardhësve+ të tyre, por vetëm nëse do të kenë kujdes të veprojnë në përputhje me ato që u urdhërova,+ domethënë me gjithë ligjin që u urdhëroi Moisiu, shërbëtori im.»  Por ata nuk dëgjuan+ dhe Manaseu i joshte që të bënin atë që ishte e keqe,+ madje më shumë se kombet+ që Jehovai kishte shfarosur para bijve të Izraelit. 10  Dhe Jehovai u thoshte me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve:+ 11  «Meqë Manaseu,+ mbreti i Judës, ka bërë këto gjëra të pështira,+ ai ka vepruar më me ligësi se gjithë amoritët+ që ishin para tij. Ka bërë që edhe Juda të mëkatojë+ me idhujt e vet të pështirë.* 12  Prandaj kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Ja, unë po sjell një gjëmë mbi Jerusalemin+ e Judën, dhe, kushdo që do ta dëgjojë, do të tronditet.*+ 13  Unë kam për të shtrirë mbi Jerusalem litarin për matje+ që është përdorur për Samarinë+ dhe do të përdor nivelin që kam përdorur për shtëpinë e Akabit.+ Do ta pastroj mirë e mirë+ Jerusalemin, ashtu si pastrohet një tas, e pastaj e kthen përmbys.+ 14  Unë kam për t’i braktisur ata që kanë mbetur+ nga trashëgimia ime+ e do t’i dorëzoj në duar të armiqve. Ata do të bëhen pre e plaçkë për gjithë armiqtë e tyre,+ 15  sepse kanë bërë atë që ishte e keqe në sytë e mi dhe më kanë fyer pareshtur qysh prej ditës që paraardhësit e tyre dolën nga Egjipti e deri më sot.’»+ 16  Përveç mëkatit me të cilin shtyu edhe Judën të mëkatonte e të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait,+ Manaseu derdhi edhe shumë gjak të pafaj,+ derisa e mbushi Jerusalemin nga njëri cep në tjetrin. 17  Pjesa tjetër e ngjarjeve lidhur me Manaseun, gjithçka bëri dhe mëkati që kreu, a nuk janë shkruar në librin+ e ngjarjeve të mbretërve të Judës? 18  Në fund Manaseu u preh me paraardhësit e tij+ dhe e varrosën në kopshtin e shtëpisë së vet, në kopshtin e Uzës.+ Në vend të tij filloi të mbretëronte i biri, Amoni. 19  Amoni+ ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretëronte, dhe mbretëroi dy vjet+ në Jerusalem. Nëna e tij e kishte emrin Meshulemeta dhe ishte bija e Haruzit nga Jotbahu. 20  Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, ashtu si kishte bërë i ati, Manaseu.+ 21  Eci plotësisht në gjurmët e të atit+ dhe u shërbeu idhujve të pështirë,+ të cilëve u kishte shërbyer i ati, si dhe u përkul para tyre. 22  Kështu ai e la Jehovain,+ Perëndinë e paraardhësve të tij, dhe nuk eci në udhën e Jehovait.+ 23  Në fund shërbëtorët e mbretit Amon komplotuan kundër tij dhe e vranë+ në shtëpinë e vet. 24  Por populli i vendit i vrau të gjithë ata që kishin komplotuar+ kundër mbretit Amon, dhe më pas në vend të tij bëri mbret të birin, Josinë.+ 25  Sa për pjesën tjetër të ngjarjeve lidhur me Amonin, ato që bëri, a nuk janë shkruar në librin+ e ngjarjeve të mbretërve të Judës? 26  Atë e varrosën në varrin e vet, në kopshtin e Uzës,+ dhe në vend të tij filloi të mbretëronte i biri, Josia.+

Shënime në fund të faqes

Persona që ndërmjetësojnë komunikimin me demonët e fallit. LXX: «ventrilok»; Lat.: magos, (astrologë). Shih Ve 16:16.
Shih shënimin te 2Mb 17:12; njësoj edhe vargu 21.
Fjalë për fjalë «do t’i dridhen veshët».