1 Samuelit 9:1-27

9  Ishte një burrë nga fisi i Beniaminit që e kishte emrin Kish.+ Ky ishte biri i Abielit, biri i Zerorit, biri i Bekoratit, biri i Afiahut, beniaminit,+ njeri shumë i pasur.+  Ai kishte një djalë me emrin Saul,+ që ishte i ri e i pashëm, dhe asnjë nga bijtë e Izraelit nuk ishte më i pashëm se ai. Nga supet e lart ai ua kalonte për nga shtati të gjithëve.+  Kishit, babait të Saulit, i humbën gomaricat,+ prandaj i tha të birit, Saulit: «Të lutem, merr me vete një nga shërbëtorët dhe ngrihu e shko të kërkosh gomaricat.»  Ky përshkoi rajonin malor të Efraimit+ dhe vendin e Shalishës,+ por nuk i gjeti. Më pas përshkoi vendin e Shalimit, por as atje nuk ishin. Përshkoi edhe vendin e beniaminitëve, por nuk i gjeti.  Arritën pastaj në vendin e Zufit. Sauli i tha shërbëtorit që kishte me vete: «Eja të kthehemi, se mos im atë e heq mendjen nga gomaricat dhe e zë ankthi për ne.»+  Por ai i tha: «Shiko, të lutem! Në këtë qytet gjendet një njeri i Perëndisë,+ dhe është njeri i nderuar. Çdo gjë që thotë ai, del patjetër e vërtetë.+ Le të vemi atje tani. Ndoshta mund të na e tregojë udhën nga duhet të shkojmë.»  Atëherë Sauli i tha shërbëtorit: «Nëse shkojmë, çfarë do t’i çojmë atij njeriu?+ Sepse buka e trastave tona u mbarua dhe s’kemi çfarë t’i çojmë si dhuratë+ njeriut të Perëndisë së vërtetë. Çfarë kemi me vete?»  Shërbëtori iu përgjigj Saulit: «Ja, në dorë kam një çerek sikli+ argjendi. Do t’ia jap njeriut të Perëndisë së vërtetë dhe do të na tregojë udhën.»  (Në kohët e mëparshme, në Izrael, njeriu që shkonte të kërkonte Perëndinë, thoshte: «Ejani e le të shkojmë te parashikuesi.»+ Sepse në kohët e mëparshme profeti i sotëm quhej parashikues.) 10  Atëherë Sauli i tha shërbëtorit: «Mirë e the.+ Eja të shkojmë.» Dhe shkuan në qytetin ku ndodhej njeriu i Perëndisë së vërtetë. 11  Ndërsa po ngjitnin të përpjetën për në qytet takuan disa vajza që po dilnin për të mbushur ujë+ dhe i pyetën: «Këtu është parashikuesi?»+ 12  Ato iu përgjigjën: «Po. Ja, është përpara jush. Nxitoni tani, sepse sot ka ardhur në qytet meqë bëhet një flijim+ për popullin në vendin e lartë.+ 13  Sapo të hyni në qytet do ta gjeni menjëherë, përpara se të ngjitet për të ngrënë në vendin e lartë, sepse populli nuk mund të hajë pa shkuar ai, meqë ai e bekon flijimin.+ Fill pas kësaj, ata që janë ftuar, mund të hanë. Ngjituni, sepse pikërisht tani do ta gjeni.» 14  Ata u ngjitën në qytet. Ndërsa po arrinin në mes të qytetit, ja, Samueli po dilte përpara tyre, që të ngjitej në vendin e lartë. 15  Një ditë para se të vinte Sauli, Jehovai i kishte zbuluar+ Samuelit këtë gjë: 16  «Nesër, rreth kësaj ore, do të të dërgoj një njeri nga vendi i Beniaminit+ dhe ti mirose+ si prijës të popullit tim, Izraelit. Ai do ta shpëtojë popullin tim nga dora e filistinëve,+ sepse e kam parë vuajtjen e popullit tim, dhe klithma e tyre ka arritur tek unë.»+ 17  Kur Samueli e pa Saulin, Jehovai i tha: «Ja ku është njeriu për të cilin të thashë: ‘Ky do ta mbajë në fre popullin tim.’»+ 18  Sauli iu afrua Samuelit në mes të portës dhe e pyeti: «Tregomë, të lutem, ku është shtëpia e parashikuesit?» 19  Samueli iu përgjigj: «Unë jam parashikuesi. Ngjitu përpara meje në vendin e lartë dhe sot do të hani me mua.+ Në mëngjes do të të nis dhe do të të tregoj gjithçka që ke në zemër.+ 20  Sa për gomaricat që të humbën tri ditë më parë,+ mos e mbaj mendjen aty,*+ sepse i kanë gjetur. Kujt, vallë, i përket gjithçka e dëshirueshme e Izraelit?+ A nuk të përket ty dhe gjithë shtëpisë së atit tënd?» 21  Atëherë Sauli ia ktheu: «A nuk jam unë një beniaminit nga fisi më i vogël+ i Izraelit?+ A nuk është familja ime më e parëndësishmja nga të gjitha familjet e fisit të Beniaminit?+ Pse, pra, ma thua mua një gjë të tillë?»+ 22  Atëherë Samueli mori Saulin dhe shërbëtorin e tij, i çoi në sallën e ngrënies dhe u dha një vend në krye+ të të ftuarve. Ishin rreth tridhjetë burra. 23  Më vonë Samueli i tha gjellëbërësit: «Sille pjesën që të dhashë, për të cilën të thashë: ‘Vëre mënjanë.’» 24  Atëherë gjellëbërësi mori kofshën dhe atë ç’kishte ajo, e ia vuri përpara Saulit. Pastaj Samueli i tha: «Ja çfarë është ruajtur. Vëre përpara dhe ha, sepse e kanë ruajtur për ty, për këtë rast, që ta hash me të ftuarit.» Atë ditë, pra, Sauli hëngri me Samuelin. 25  Më pas, nga vendi i lartë+ zbritën në qytet dhe ai vazhdoi të fliste me Saulin në tarracë.+ 26  Ata u ngritën herët dhe sapo agoi Samueli e thirri Saulin në tarracë dhe i tha: «Ngrihu, që të shkosh.» Kështu Sauli u ngrit e që të dy, ai dhe Samueli, dolën jashtë. 27  Ndërsa zbritnin jashtë qytetit, Samueli i tha Saulit: «Thuaji shërbëtorit+ që të kalojë përpara nesh (e ai kaloi më tutje), ndërsa ti ndalu pak që nëpërmjet meje të dëgjosh fjalën e Perëndisë.»

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «mos ia vër zemrën».