1 Samuelit 20:1-42

20  Davidi ia mbathi+ nga Najothi i Ramahut dhe vajti te Jonatani e i tha: «Ç’kam bërë?+ Cili është faji im dhe çfarë mëkati kam kryer para atit tënd që të kërkojë shpirtin tim?»  Ai ia ktheu: «Kjo të mos të shkojë kurrë ndër mend!+ Ti nuk do të vdesësh. Im atë nuk do të bëjë asgjë, e madhe a e vogël qoftë, pa ma thënë mua.+ Për ç’arsye do të ma fshihte këtë gjë im atë?+ Kjo nuk do të ndodhë kurrë.»  Megjithatë Davidi u betua:+ «Me siguri yt atë duhet ta dijë se kam gjetur pëlqim në sytë e tu,+ kështu që do të ketë thënë: ‘Të mos e marrë vesh Jonatani, se mos hidhërohet.’ Por siç është e vërtetë që rron Jehovai+ dhe siç është e vërtetë që rron shpirti yt,+ mua s’më ndan veçse një hap nga vdekja!»+  Jonatani i tha Davidit: «Do të bëj çdo gjë që të më thuash.»  Atëherë Davidi i tha: «Nesër është hënë e re+ dhe unë duhet të ulem patjetër me mbretin për të ngrënë. Më lër të shkoj e të fshihem+ në arë gjer në mbrëmjen e ditës së tretë.  Nëse atit tënd do t’i bjerë në sy mungesa ime thuaji: ‘Davidi më kërkoi leje me ngulm që të vraponte për në Betlehem,+ në qytetin e tij, sepse atje ka një flijim vjetor për gjithë familjen.’+  Nëse thotë: ‘Mirë’, kjo do të thotë paqe për shërbëtorin tënd. Por nëse zemërohet ndopak, dije se ka vendosur të bëjë atë që është e keqe.+  Tregoji dashamirësi shërbëtorit tënd,+ sepse këtë shërbëtor ti e ke futur në një besëlidhje+ që është bërë para Jehovait. Por nëse kam faj,+ vritmë me dorën tënde. Pse të më çosh tek yt atë?»  Atëherë Jonatani tha: «As mos e ço nëpër mend! Sikur ta merrja vesh se im atë ka vendosur që mbi ty të bjerë e keqja, a nuk do të ta tregoja?!»+ 10  Pastaj Davidi i tha Jonatanit: «Kush do të ma tregojë nëse yt atë të përgjigjet ashpër?» 11  Jonatani ia ktheu Davidit: «Eja të dalim në arë.» Kështu, dolën që të dy në arë. 12  Jonatani i tha Davidit: «Jehovai, Perëndia i Izraelit,+ qoftë dëshmitar+ që nesër rreth kësaj ore, ose ditën e tretë, unë do t’ia blej mendjen tim eti. Nëse ai e ka me sy të mirë Davidin, unë do të dërgoj dikë dhe ai do të ta tregojë. 13  Kështu ia bëftë Jehovai Jonatanit, madje edhe më keq,+ po qe se tim eti i pëlqen të të bëjë keq ty dhe unë nuk do të ta them e nuk do të të lë të ikësh në paqe! Jehovai qoftë me ty,+ ashtu si qe me tim atë!+ 14  Dhe ti, në qofsha ende gjallë,+ a nuk do të më trajtosh me dashamirësinë e Jehovait, që të mos vdes?+ 15  Ti nuk do ta heqësh kurrë dashamirësinë tënde nga shtëpia ime.+ Edhe kur Jehovai t’i heqë armiqtë e Davidit nga faqja e dheut, që të gjithë, 16  emri i Jonatanit nuk do të hiqet nga shtëpia e Davidit.+ Jehovai do ta kërkojë shpagimin nga dora e armiqve të Davidit.» 17  Kështu, Jonatani iu betua përsëri Davidit nga dashuria që kishte për të, sepse e donte si shpirtin e vet.+ 18  Pastaj Jonatani i tha: «Nesër është hënë e re+ dhe mungesa jote do të bjerë patjetër në sy, sepse vendi yt do të jetë bosh. 19  Ditën e tretë mungesa jote do të bjerë shumë në sy, prandaj eja në vendin ku u fshehe+ herën tjetër* dhe qëndro pranë këtij guri këtu. 20  Unë do të qëlloj me tri shigjeta në njërën anë të tij, në një shenjë, ku të dua unë. 21  Pastaj do të dërgoj shërbëtorin e do t’i them: ‘Shko e gjeji shigjetat.’ Nëse shërbëtorit do t’i them fjalë për fjalë kështu: ‘Shigjetat janë nga ana jote, merri’, atëherë eja, sepse siç është e vërtetë që rron Jehovai,+ kjo do të thotë paqe për ty dhe s’ka problem fare. 22  Por nëse i them djaloshit: ‘Shigjetat janë matanë teje’, ik, sepse Jehovai të ka larguar që këtej. 23  Sa për ato që i kemi thënë njëri-tjetrit,+ Jehovai qoftë përjetë mes meje dhe teje.»+ 24  Kështu Davidi u fsheh në arë.+ Erdhi hëna e re dhe mbreti u ul në vendin e vet për të ngrënë bukë.+ 25  Ashtu si herët e tjera mbreti rrinte ulur në ndenjësen e vet, në ndenjësen pranë murit. Jonatani ishte përballë tij, kurse Abneri+ rrinte ulur përbri Saulit. Kurse vendi i Davidit ishte bosh. 26  Atë ditë Sauli nuk foli fare, sepse tha me vete: «I ka ndodhur ndonjë gjë dhe nuk është i pastër+ e s’është pastruar.» 27  Por të nesërmen e hënës së re, ditën e dytë, vendi i Davidit ishte përsëri bosh. Atëherë Sauli e pyeti të birin, Jonatanin: «Pse nuk ka ardhur të hajë as dje, as sot biri i Jeseut?»+ 28  Jonatani iu përgjigj: «Davidi më kërkoi leje me ngulm që të shkonte në Betlehem.+ 29  Ai më tha: ‘Të lutem, lërmë të shkoj, sepse kemi një flijim familjar në qytet dhe im vëlla më urdhëroi të jem atje. Tani, nëse kam gjetur pëlqim në sytë e tu, lërmë, të lutem, të iki pa rënë në sy, që të shoh vëllezërit e mi.’ Ja pse nuk ka ardhur në tryezën e mbretit.» 30  Atëherë Sauli u nxeh+ me Jonatanin dhe i tha: «O djalë rebel!*+ Sikur s’e di unë që ke zgjedhur të bashkohesh me birin e Jeseut për turpin tënd dhe për turpin e nënës sate!+ 31  Sa të jetë gjallë mbi dhé biri i Jeseut, ti dhe mbretëria jote nuk do të jeni të patundur.+ Tani dërgo njerëz që të shkojnë ta marrin, sepse ai duhet të vdesë.»+ 32  Por Jonatani iu përgjigj të atit, Saulit: «Pse të vdesë?+ Ç’ka bërë?»+ 33  Atëherë Sauli vërviti heshtën drejt tij për ta goditur.+ Kështu Jonatani e mori vesh se i ati kishte vendosur ta vriste Davidin.+ 34  Menjëherë Jonatani u ngrit nga tryeza në kulm të zemërimit+ dhe nuk hëngri bukë ditën e dytë pas hënës së re ngaqë ishte hidhëruar për Davidin,+ sepse i ati e kishte poshtëruar.+ 35  Në mëngjes Jonatani doli drejt arës ku gjendej vendi+ që kishte caktuar me Davidin. Bashkë me të ishte një shërbëtor i ri. 36  Ai i tha shërbëtorit: «Vrapo, të lutem, gjeji shigjetat me të cilat po qëlloj.»+ Dhe shërbëtori vrapoi, ndërsa ai e hodhi shigjetën në një mënyrë që ajo të shkonte përtej tij. 37  Kur shërbëtori mbërriti te vendi i shigjetës që kishte hedhur Jonatani, ky zuri të thërriste nga prapa shërbëtorit e të thoshte: «Shigjeta është matanë teje.»+ 38  Jonatani vazhdoi të thërriste prapa shërbëtorit: «Nxito! Vepro shpejt! Mos rri!» Shërbëtori i Jonatanit i mblodhi shigjetat dhe erdhi te zotëria i vet. 39  Por shërbëtori nuk dinte asgjë, vetëm Jonatani dhe Davidi e dinin si ishte puna. 40  Pas kësaj Jonatani ia dha armët shërbëtorit dhe i tha: «Shko e çoji në qytet.» 41  Kur shërbëtori iku, Davidi, që ishte aty afër, më në jug, u ngrit. Pastaj u përkul tri herë me fytyrë përdhe.+ Ata filluan ta puthnin+ njëri-tjetrin e të qanin për njëri-tjetrin, derisa Davidi qau më shumë.+ 42  Jonatani i tha Davidit: «Shko në paqe,+ sepse ne jemi betuar+ që të dy në emër të Jehovait: ‘Jehovai qoftë përjetë mes meje e teje dhe mes pasardhësve të mi e pasardhësve të tu.’»+Kështu Davidi u ngrit e iku, kurse Jonatani hyri në qytet.

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «ditën e punës».
Ose «djalë i shërbyeses rebele». Janë fjalë fyese kundër Jonatanit.