Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

1 Korintasve 14:1-40

14  Ndiqni dashurinë, e megjithatë vazhdoni të kërkoni me zell dhuratat frymore,+ por më mirë që të profetizoni.+  Sepse ai që flet një gjuhë të huaj, nuk u flet njerëzve, por Perëndisë, pasi askush nuk dëgjon,+ por ai thotë sekrete të shenjta+ me anë të frymës.  Megjithatë, ai që profetizon, i ndërton,+ u jep zemër dhe i ngushëllon njerëzit me anë të fjalëve të veta.  Ai që flet një gjuhë të huaj, ndërton veten, por ai që profetizon, ndërton kongregacionin.  Unë do të desha që të gjithë ju të flitnit gjuhë të huaja,+ por parapëlqej të profetizoni.+ Në të vërtetë, ai që profetizon është më i madh se ai që flet gjuhë të huaja,+ veç në përktheftë, që të ndërtohet edhe kongregacioni.  Por tani, vëllezër, sikur të vija e t’ju flisja në gjuhë të huaja, ç’të mirë do t’ju bëja, po të mos ju flisja me zbulesë,+ me njohuri,+ me profeci apo me një mësim?  Ja, gjërat pa shpirt nxjerrin tingull,+ qoftë fyell, qoftë harpë. Mirëpo, po të mos kishin një interval ndërmjet toneve, si do të dallohej se çfarë po luhet në fyell e çfarë në harpë?  Në të vërtetë, sikur trumbeta të nxirrte si sinjal një tingull të paqartë, kush do të bëhej gati për betejë?+  Po ashtu edhe ju, po të mos thoni me anë të gjuhës fjalë që kuptohen lehtësisht,+ si do të merret vesh se çfarë po thuhet? Do të ishit, në fakt, duke folur në erë.+ 10  Ka të ngjarë që në botë të ketë shumë e shumë lloje tinguj gjuhësh, por asnjë nuk është pa kuptim. 11  Nëse unë nuk e kuptoj forcën e tingullit të gjuhës, do të jem një i huaj+ për atë që flet, dhe ai që flet, do të jetë një i huaj për mua. 12  Edhe ju, meqë dëshironi me zell dhuratat e frymës,+ kërkoni t’i keni me bollëk për ndërtimin e kongregacionit.+ 13  Prandaj, kush flet një gjuhë të huaj, le të lutet edhe që të përkthejë.+ 14  Sepse, nëse unë lutem në gjuhë të huaj, është dhurata ime e frymës që po lutet,+ por mendja ime është e pafrytshme. 15  Ç’duhet bërë, pra? Do të lutem me dhuratën e frymës, por do të lutem edhe me mendjen time. Do të këndoj lavde+ me dhuratën e frymës, por do të këndoj lavde edhe me mendjen time.+ 16  Përndryshe, nëse ti thur lavde me një dhuratë të frymës, si do të thotë «amin»+ për falënderimet që jep ti, ai që është njeri i thjeshtë, kur nuk e di se ç’po thua? 17  Vërtet, ti jep falënderime në mënyrë të shkëlqyer, por tjetri nuk po ndërtohet.+ 18  Falënderoj Perëndinë që flas më shumë gjuhë se të gjithë ju.+ 19  Gjithsesi, në kongregacion më mirë të flisja pesë fjalë me mendjen time, që të mësoja gojarisht edhe të tjerë, sesa dhjetë mijë fjalë në gjuhë të huaj.+ 20  Vëllezër, mos u bëni si fëmijë të vegjël në aftësitë për të kuptuar.+ Jini foshnja për sa i përket së keqes,+ por bëhuni tërësisht të rritur në aftësitë për të kuptuar.+ 21  Në Ligj është shkruar: «Do t’i flas këtij populli+ me gjuhën e të huajve dhe me buzët e të panjohurve,+ mirëpo edhe atëherë ata nuk do të ma vënë veshin,—thotë Jehovai.»+ 22  Prandaj, gjuhët janë si shenjë+ për jobesimtarët,+ jo për besimtarët, ndërsa profetizimi nuk është për jobesimtarët, por për besimtarët.+ 23  Kështu, sikur tërë kongregacioni të mblidhej në një vend të vetëm e të gjithë të flitnin në gjuhë të huaja,+ mirëpo të hynin edhe njerëz të thjeshtë ose jobesimtarë, a nuk do të thoshin se ju jeni të çmendur? 24  Por, sikur ju të gjithë të jeni duke profetizuar dhe të hyjë ndonjë jobesimtar ose njeri i thjeshtë, ky qortohet nga të gjithë+ dhe nga të gjithë shqyrtohet me kujdes. 25  Të fshehtat e zemrës së tij dalin qartë,+ dhe ai do të bjerë me fytyrë përtokë, do të adhurojë Perëndinë dhe do të thotë: «Perëndia është vërtet mes jush.»+ 26  Ç’duhet bërë pra, o vëllezër? Kur mblidheni bashkë, dikush ka një psalm, një tjetër ka një mësim për të dhënë, tjetri ka një zbulesë, dikush tjetër ka një gjuhë, një tjetër ka një interpretim.+ Çdo gjë le të bëhet për ndërtim.+ 27  Nëse disa flasin gjuhë të huaja, kjo gjë të kufizohet në dy ose e shumta tre veta, dhe njëri pas tjetrit, kurse dikush të përkthejë.+ 28  Por, nëse nuk ka përkthyes, ai le të heshtë në kongregacion dhe t’i flasë vetes+ dhe Perëndisë. 29  Veç kësaj, le të flasin dy ose tre profetë,+ ndërsa të tjerët le të dallojnë kuptimin.+ 30  Por, nëse dikush tjetër ka një zbulesë+ kur rri ulur atje, i pari le të heshtë. 31  Sepse, ju të gjithë mund të profetizoni+ njëri pas tjetrit, që të gjithë të mësojnë e të marrin zemër.+ 32  Dhuratat e frymës për të profetizuar duhet të jenë nën kontrollin e profetëve. 33  Sepse Perëndia nuk është një Perëndi i çrregullimit,+ por i paqes.+Ashtu si në të gjitha kongregacionet e të shenjtëve, 34  gratë le të heshtin+ në kongregacione, sepse atyre nuk u lejohet të flasin, por le të jenë të nënshtruara,+ ashtu siç thotë Ligji.+ 35  Pra, nëse duan të mësojnë diçka, të pyesin burrat në shtëpi, sepse për një grua është e turpshme+ të flasë në kongregacion. 36  Çfarë? Mos doli nga ju fjala e Perëndisë?+ Apo vetëm arriti deri te ju? 37  Nëse dikush mendon se është profet ose se ka dhuratën e frymës, le t’i pranojë gjërat që po ju shkruaj, sepse janë urdhërimet e Zotërisë.+ 38  Por, nëse dikush dëshiron të mbetet në padije, në padije le të mbetet. 39  Prandaj, vëllezërit e mi, vazhdoni të kërkoni me zell profetizimin,+ e megjithatë mos ndaloni të flitet në gjuhë të huaja.+ 40  Por çdo gjë le të ndodhë si ka hije dhe me rregull.+

Shënime në fund të faqes