A duhet të përfshihet feja në politikë?

A duhet të përfshihet feja në politikë?

 Anekënd botës, shumë veta që pohojnë se ndjekin Jezu Krishtin, janë goxha të përfshirë në politikë. Disa përpiqen të promovojnë bindjet e tyre fetare dhe morale duke përkrahur kandidatë ose parti politike të caktuara. Nga ana tjetër, shpesh politikanët shfrytëzojnë çështjet e debatueshme morale ose sociale për të fituar mbështetjen e njerëzve fetarë. Ndodh rëndom që udhëheqës fetarë të kandidojnë për poste në politikë. Madje në disa shtete, ka raste kur një fe «e krishterë» mban një status të veçantë si feja kombëtare.

 Si mendon? A duhet të përfshihen në politikë dishepujt e Jezu Krishtit? Përgjigjen e gjen duke shqyrtuar shembullin e Jezuit. Ai tha: «Unë ju lashë modelin që, ashtu si bëra unë me ju, po njësoj të bëni edhe ju.» (Gjoni 13:15) Çfarë modeli la Jezui lidhur me politikën?

A u përfshi Jezui në politikë?

 Jo. Jezui nuk u përzie fare me politikën e kësaj bote.

 Jezui nuk kërkoi pushtet politik. Ai nuk pranoi të bëhej sundimtari i qeverive njerëzore kur Satana Djalli i ofroi «të gjitha mbretëritë e botës». (Mateu 4:8-10) a Në një rast tjetër, njerëzit që dalluan te Jezui cilësi që do ta bënin një qeveritar të mirë, u përpoqën ta nxitnin që të përfshihej në politikë. Bibla tregon çfarë ndodhi: «Duke e ditur se pas pak do të vinin ta kapnin për ta bërë mbret, Jezui u largua përsëri vetëm në mal.» (Gjoni 6:15) Jezui nuk veproi sipas dëshirave të njerëzve. Në fakt, ai refuzoi të përfshihej në politikë.

 Jezui nuk mbajti anë në çështjet politike. Për shembull, në kohën e tij, judenjtë e urrenin faktin që duhej t’i paguanin taksa qeverisë romake dhe e shihnin këtë çështje si një barrë e si një padrejtësi të madhe. Kur u orvatën ta shtynin Jezuin që të mbështeste njërën palë në këtë çështje, ai nuk u përfshi në këtë debat politik e nuk diskutoi nëse taksat ishin të drejta apo jo. Ai u tha: «Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» (Marku 12:13-17) Jezui qëndroi asnjanës në këtë çështje politike, ama shpjegoi se duheshin paguar ato taksa që kërkonin autoritetet civile romake, të cilat përfaqësonin Cezarin. Nga ana tjetër sqaroi se bindja ndaj autoriteteve njerëzore kishte kufij. Një njeri nuk duhet t’i japë shtetit atë që i takon Perëndisë, ku përfshihen përkushtimi dhe adhurimi.—Mateu 4:10; 22:37, 38.

 Jezui përkrahte një qeveri qiellore, Mbretërinë e Perëndisë, dhe i nxiste edhe të tjerët ta përkrahnin. (Luka 4:43) Ai nuk u përfshi në politikë, sepse e dinte që vetëm Mbretëria e Perëndisë do të plotësonte qëllimin e Perëndisë për tokën, e jo qeveritë njerëzore. (Mateu 6:10) E kuptoi se Mbretëria e Perëndisë nuk do të qeveriste nëpërmjet qeverive njerëzore, por do t’i zëvendësonte ato.—Danieli 2:44.

A u përfshinë në politikë të krishterët e shekullit të parë?

 Jo. Dishepujt e Jezuit i bindeshin urdhrit të tij që të mos ishin «pjesë e botës». (Gjoni 15:19) Ata imituan shembullin e tij dhe qëndruan të ndarë nga politika e botës. (Gjoni 17:16; 18:36) Në vend që të përfshiheshin në çështje politike, u angazhuan në veprën që i urdhëroi Jezui—predikonin dhe i mësonin njerëzit për Mbretërinë e Perëndisë.—Mateu 28:18-20; Veprat 10:42.

 Për të krishterët e hershëm, bindja ndaj Perëndisë zinte vendin e parë në jetë. Megjithatë e kishin të qartë se duhej t’u bindeshin edhe autoriteteve njerëzore. (Veprat 5:29; 1 Pjetrit 2:13, 17) Ata u bindeshin ligjeve dhe paguanin taksat. (Romakëve 13:1, 7) Edhe pse nuk përziheshin me politikën, nxirrnin dobi nga ligjet që siguronin mbrojtje dhe nga shërbimet që ofronin qeveritë.—Veprat 25:10, 11; Filipianëve 1:7.

Asnjanësia e krishterë sot

 Bibla e tregon qartë që as Jezui, as dishepujt e tij të hershëm nuk përfshiheshin në politikë. Për këtë arsye, si të krishterë, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën qëndrojnë plotësisht asnjanës. Ashtu si të krishterët e shekullit të parë, ata kryejnë veprën që i ka urdhëruar Jezui—predikojnë ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’.—Mateu 24:14.

a Kur hodhi poshtë kërkesën e Satanait, Jezui nuk tha se Satanai s’e kishte autoritetin për ta bërë këtë ofertë. Më vonë ai tha se Satanai është «sundimtari i kësaj bote».—Gjoni 14:30