shqip
Majls Northoveri: Jehovai e ka shpërblyer punën e duarve të mia
https://cms-imgp.jw-cdn.org/img/p/502400116/univ/art/502400116_univ_sqr_xl.jpg
lfs artikulli 16

MAJLS NORTHOVERI | JETËSHKRIM

Jehovai e ka shpërblyer punën e duarve të mia

Jehovai e ka shpërblyer punën e duarve të mia

 Prindërit e mi e kanë mbështetur gjithmonë organizatën e Jehovait. Për shembull, kur vëllezërve në degën e Londrës u duhej qumësht për familjen Bethel, babai u dhuroi një viç nga lopa jonë e vetme. Shpesh thoshim me shaka se ai viç i vogël ishte betheliti i parë nga «familja» jonë. Shembulli i shkëlqyer i prindërve ngjalli brenda meje dëshirën për t’i dhënë gjithçka Jehovait, ndaj nuk i kam ‘lënë kurrë duart të pushojnë’. (Eklisiastiu 11:6) Ç’është e vërteta, Jehovai më dha mundësinë që t’i përdorja duart në një mënyrë të veçantë në shërbim të tij dhe i bekoi përpjekjet e mia. Më lejoni t’ju tregoj historinë e jetës sime.

 U rrita me motrën dhe vëllanë e madh në periferi të Anglisë, pranë qytezës së Bisterit, në Mbretërinë e Bashkuar. Prindërit jetonin me qira në një shtëpizë pranë një ferme. Kur isha 19 vjeç, fillova shërbimin e pionierit, duke ecur kështu në gjurmët e motrës dhe të vëllait. Më vonë, më caktuan të shërbeja si pionier special në Skoci. Ndërsa më 1970, në moshën 23-vjeçare, më ftuan të shërbeja në Bethelin e Londrës. Atje «zbulova» gjuhën e shenjave. Falë asaj përvoje, jeta ime mori një drejtim të ri tejet shpërblyes e të mrekullueshëm.

Mësoj gjuhën e shenjave

 Kur isha në Bethel, më caktuan në kongregacionin e Mill Hillit të Dëshmitarëve të Jehovait, ku takova disa Dëshmitarë që nuk dëgjonin. Nuk doja që gjuha të bëhej pengesë për miqësinë tonë, prandaj vendosa që të ulesha me ta në mbledhje.

 Në atë kohë, nuk kishte kongregacione të gjuhës së shenjave në Britani. Ata që nuk dëgjonin, i ndiqnin mbledhjet në anglisht. Që të interpretonin programin për ta, motrat e vëllezërit që dëgjonin, përdornin shenja duke ndjekur thuajse fjalë për fjalë gjuhën dhe gramatikën angleze. Megjithatë, ndërsa vëllezërit e motrat që nuk dëgjonin, më mësonin me durim shenjat, vura re se gjuha e tyre kishte gramatikën dhe rendin e vet të fjalëve. Në fakt, për ta anglishtja ishte gjuhë e huaj. Kur e kuptova këtë, m’u shtua edhe më shumë dashuria e respekti për vëllezërit e motrat që nuk dëgjonin, tek shihja me sa besnikëri i ndiqnin mbledhjet. Kjo më nxiti të bëja çmos për të mësuar gjuhën e shenjave.

 Në Britani, gjuha zyrtare e atyre që nuk dëgjojnë, është gjuha britanike e shenjave (BSL). Me kalimin e kohës, interpretuesit në mbledhjet tona mësuan të përdornin këtë gjuhë shumë të përparuar në vend të asaj që quhet anglishtja e shprehur me shenja. Si rezultat, ata që nuk dëgjonin, filluan të nxirrnin më shumë dobi nga mbledhjet. Gjithashtu u lidhën më shumë me vëllezërit e motrat që dëgjonin. Në këto pesë dekada kam parë se Jehovai e ka bekuar pa fund predikimin në gjuhën e shenjave. Po ju tregoj ngjarjet më emocionuese që kam përjetuar edhe unë falë Jehovait.

Merr hov predikimi në gjuhën e shenjave

 Më 1973, rreth një vit pasi isha emëruar plak kongregacioni, Majkëll Igërsi, një vëlla që nuk dëgjonte, sugjeroi të mbanim disa mbledhje në gjuhën britanike të shenjave (BSL). Me aprovimin e degës, unë dhe një plak tjetër morëm masa që çdo muaj të mbaheshin mbledhje në gjuhën e shenjave në Detford, në juglindje të Londrës.

 Rezultatet ishin fantastike! Në mbledhjen e parë erdhën Dëshmitarë që nuk dëgjonin nga Londra e nga vende të tjera të Anglisë juglindore. Më në fund vëllezërit, motrat dhe të interesuarit që nuk dëgjonin po mësonin për Jehovain në gjuhën e tyre! Pas programit inkurajuam njëri-tjetrin duke treguar eksperienca të ndryshme dhe hëngrëm e pimë gjëra të shijshme. Pata edhe mundësinë t’u jepja zemër disa motrave e vëllezërve që nuk dëgjonin.

 Më vonë, filluan të mbaheshin mbledhje në gjuhën e shenjave edhe në qytetet e Birmingamit e të Shefildit. Në mbledhje vinin edhe mjaft motra e vëllezër që donin të mësonin gjuhën britanike të shenjave. Shumë prej tyre ishin të gatshëm të ndihmonin, dhe më vonë i dhanë shtysë predikimit në gjuhën e shenjave në mbarë vendin.

Gjej shoqen e jetës

Në ditën e dasmës sonë

 Në vitin 1974 takova Stela Barkerin, një motër të shkëlqyer që shërbente si pioniere speciale në një kongregacion afër Bethelit. Ramë në dashuri dhe u martuam në vitin 1976. Më pas shërbyem si pionierë specialë në një kongregacion në Hakni, në veri të Londrës. Atje, edhe Stela filloi të shërbente me mua në gjuhën e shenjave. Kur kthej kokën pas, mund të them pa pikë dyshimi se shërbimi së bashku si pionierë ishte një fillim i mbarë i martesës sonë.

 S’kaloi shumë dhe bashkë me Stelën na ftuan të shërbenim si vullnetarë të jashtëm në Bethel. Çfarë jete të vrullshme kishim! Në të njëjtën kohë isha zëvendësmbikëqyrës qarkor dhe drejtoja Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë për pleqtë. Më vonë ndihmova edhe me organizimin e interpretimit në gjuhën e shenjave për kongreset rajonale në gjuhën angleze. Edhe pse ndonjëherë lodheshim, kënaqeshim shumë në shërbim.—Mateu 11:28-30.

 Më 1979 dhe 1982, na lindën dy djemtë tanë, Sajmëni dhe Marku. Kjo na gëzoi jashtë mase, por ishte edhe një përgjegjësi e madhe. Si ia dolëm mbanë t’i bënim të gjitha? Stela dhe unë vendosëm që, sa herë të largohesha nga shtëpia për shkak të caktimeve teokratike, të shkonim të gjithë si familje e të linim kohë edhe për pak zbavitje. Donim që djemtë ta shihnin vetë se, kur i shërbejmë Jehovait, jemi të lumtur. Si ndikoi tek ata? Teksa rriteshin, jo vetëm që mësuan gjuhën e shenjave, por filluan edhe shërbimin si pionierë. Me kalimin e kohës, rreth 40 vjet pasi viçi i prindërve të mi filloi «shërbimin në Bethel», edhe Sajmëni e Marku shkuan në Bethel. Fluturuam nga gëzimi!

Me Stelën dhe dy djemtë tanë, 1995

U vijmë në ndihmë atyre që nuk dëgjojnë

 Në vitet 90, në Britani ende nuk kishte pleq që nuk dëgjonin, por vetëm disa shërbëtorë kongregacioni. Kështu që vëllezërit që dëgjonin, por që nuk e dinin gjuhën e shenjave, duhej të vendosnin nëse ndonjë nga ata vëllezër ishte «i kualifikuar për të mësuar» e për të shërbyer si mbikëqyrës. (1 Timoteut 3:2) Njëri nga shërbëtorët e kongregacionit që nuk dëgjonte, ishte Bernard Ostini, i cili shërbente në një kongregacion të gjuhës angleze. Ai merakosej vërtet për delet e Jehovait dhe gëzonte respektin e të tjerëve. Sa u gëzova kur mora vesh se ishte emëruar të shërbente si plak! Në fakt, ai ishte plaku i parë që nuk dëgjonte në Britani.

 Në vitin 1996, ndodhi diçka historike—zyra e degës miratoi formimin e kongregacionit të parë në gjuhën e shenjave në Britani! Ndodhej në Iling, në perëndim të Londrës. E rritja nuk ndaloi aty.

Nxjerrin dobi nga të gjitha mbledhjet

 Në vitet 80 dhe 90, punoja nga shtëpia për Departamentin e Shërbimit në Bethel, ku merresha me çështjet e shërbimit në gjuhën e shenjave. Ndonjëherë vëllezërit pyesnin degën se si t’i ndihmonin ata që nuk dëgjonin, të kuptonin fjalimet në mbledhjet, asambletë e kongreset që mbaheshin në anglisht. Në fillim nuk interpretohej në gjuhën e shenjave në mbledhje dhe asamble, e as kishte botime për ata që nuk dëgjonin. Ja pse shpesh më duhej t’i inkurajoja si vëllezërit që dëgjonin, edhe ata që nuk dëgjonin, të pritnin me durim që Jehovai të vepronte në kohën e duhur.

 E durimi ynë u shpërblye! S’kaloi shumë dhe dega mori masa që të organizohej interpretimi në gjuhën e shenjave në mbledhjet e asambletë që mbaheshin në anglisht. Për më tepër, ata që nuk dëgjonin, uleshin në fillim që të shihnin qartë si oratorin, edhe interpretuesin. Më në fund, vëllezërit e motrat që nuk dëgjonin, e ndienin se Jehovai i donte vërtet dhe se ishin pjesë e çmuar e familjes së besimit.

 Më 1 prill 1995, u mbajt asambleja speciale njëditore në gjuhën e shenjave në Dadli, Uest-Midlends. I dhashë një dorë me organizimin e asamblesë vëlla Dejvid Merit, një ish-mbikëqyrës qarkor. Për të ndjekur programin, disa Dëshmitarë që nuk dëgjonin, udhëtuan qindra kilometra nga Skocia e largët në veri dhe Kornuelli në jugperëndim. E kujtoj ende sa të lumtur ishim kur pamë se në atë asamble historike erdhën mbi 1.000 veta.

Me vëlla Dejvid Merin në asamblenë e parë në gjuhën britanike të shenjave, 1995

 Në vitin 2001, zyra e degës na kërkoi vëlla Merit dhe mua që vitin e ardhshëm të organizonim një kongres rajonal në gjuhën britanike të shenjave. Kjo do të thoshte t’i përvisheshim punës! Por Jehovai i bekoi përpjekjet e vullnetarëve të shumtë, ndaj gjithçka shkoi për bukuri. Ishte kongres i paharrueshëm! Për vite me radhë pata privilegjin të mbikëqyrja asambletë e kongreset në gjuhën e shenjave derisa Jehovai u kujdes që këtë përgjegjësi ta mbajnë vëllezër të kualifikuar më të rinj.

Video për ata që nuk dëgjojnë

 Në vitin 1998, na gëzoi zemra kur organizata e Jehovait nxori botimin e parë në gjuhën britanike të shenjave—broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?—Në videokasetë. Me anë të saj drejtuam mjaft studime të Biblës. Më pas dolën edhe botime të tjera.

 Në kongresin e vitit 2002, interpretuam për herë të parë këngët e Mbretërisë në gjuhën britanike të shenjave. Vëllezërit e motrat që nuk dëgjonin, si të thuash, tani mund «t’i këndonin» fjalët e bukura bashkë me interpretuesin, si edhe të ndienin ritmin emocionues të muzikës. E kujtoj me dashuri se si një plak që nuk dëgjonte, qante nga gëzimi teksa «këndonte» me shenja për herë të parë!

 Në atë kongres ndodhi edhe diçka tjetër për herë të parë. Kongregacionin e gjuhës së shenjave të Londrës e ftuan të filmonte një dramë. Por si do t’ia dilnim të bënim diçka të tillë? Nuk kishim fare përvojë në atë fushë! Jehovai na u bë sërish krah—këtë herë na ndihmoi të gjenim vëllezër që dinin si të filmonin e të përpunonin filmimet. Rezultatet ishin të mrekullueshme! Për më tepër, ajo përvojë na hyri në punë sidomos nga viti 2003 deri më 2008, kur në Bethel pata privilegjin të mbikëqyrja prodhimin e videodramave për kongreset e ardhshme në gjuhën britanike të shenjave.

 Stelës dhe mua na pëlqente shumë të shërbenim në Bethel me djemtë. Por kishte një mal me punë! Pas javësh të tëra me prova e filmime, aktorët dhe skuadra e prodhimit të videove ishin të sfilitur fizikisht e mendërisht. Megjithatë, ia vlejtën përpjekjet. Ishim shumë të lumtur të shihnim sa reale u bënë historitë e Biblës për vëllezërit e motrat që nuk dëgjonin, shumë prej të cilëve derdhën lot gëzimi.

 Por dhuratat e Jehovait nuk mbaruan me aq. Në vitin 2015, doli botimi për studim i Kullës së Rojës në formatin video në gjuhën britanike të shenjave. Më vonë, në vitin 2019, doli libri i Mateut në të njëjtin format. Tani kemi të plotë Shkrimet e Krishtere Greke—ndërkohë që po bëhen gati edhe Shkrimet Hebraike. Vëllezërit dhe motrat që nuk dëgjojnë, i janë pa fund mirënjohës Jehovait!

 Si populli i Jehovait, jemi pjesë e një familjeje që imiton dashurinë e paanshme të Atit tonë qiellor. (Veprat 10:34, 35) Familja ime dhe unë ende mrekullohemi kur shohim sa kohë, energji e të mira harxhon organizata jonë për të gjithë njerëzit—përfshirë ata që nuk dëgjojnë dhe ata që nuk shikojnë. a

 Këto përpjekje janë shpërblyer tej mase, pasi tani në Britani ka disa kongregacione në gjuhën britanike të shenjave. Sa gëzim e kënaqësi të thellë kam provuar tek shihja si mori hov predikimi në gjuhën e shenjave që nga ‘fillimet e tij të vogla’! (Zakaria 4:10) Pa diskutim, merita për këtë i takon me të drejtë Jehovait. Ai e drejton organizatën e tij. Ai u jep shërbëtorëve të tij gjithçka u nevojitet që t’ua predikojnë lajmin e mirë të gjithë njerëzve. Falë tij, fara e së vërtetës rritet dhe jep fryt në zemrat e sinqerta.

Me Stelën, 2023