Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë duhet të dish për kursimin e energjisë

Çfarë duhet të dish për kursimin e energjisë

ENERGJIA është e domosdoshme për të ngrohur e për të freskuar shtëpinë, për automjetet e për shumë aktivitete të përditshme. Prapëseprapë, njerëzit përreth botës po përballen me sfida serioze për sa i përket energjisë.

Për Gerin, nga Afrika e Jugut, «rritja e kostos së karburantit» është një problem i madh. Xheniferi që jeton në Filipine, thotë se «ndërprerja e energjisë është problem i zakonshëm», ndaj është e shqetësuar për furnizimin e vazhdueshëm me energji. Fernando nga Salvadori thotë se «është i merakosur për ndikimin ekologjik». Në shumë vende të botës, burimet energjitike ndotin mjedisin.

Natyrshëm, lind pyetja: «Po unë, si mund t’i kapërcej këto sfida që lidhen me energjinë?»

Të gjithë mund të zgjedhim ta përdorim me mençuri energjinë. Si kursimi, edhe përdorimi i mirë i saj, sjellin dobi. Duke konsumuar më pak, paguajmë më pak. Mbrojmë edhe mjedisin, pasi nuk e shtojmë pa qenë nevoja kërkesën gjithnjë e në rritje për energji.

Le të shqyrtojmë tri fusha ku mund ta përdorim më me mençuri energjinë: shtëpia, transporti dhe aktivitetet e përditshme.

SHTËPIA

Përdore me kursim energjinë për ngrohje dhe freskim. Sipas një studimi në Britaninë e Madhe, gradimi i termostatit me vetëm dy gradë më pak gjatë dimrit, ishte metoda më e mirë për të kursyer energji gjatë vitit. Edhe Dereku, që jeton në Kanada, mendon kështu. Ai thotë: «Që të kursejmë energji si familje, veshim pulovra në dimër, në vend që ta mbajmë kaldajën ndezur gjatë gjithë kohës.»

I njëjti parim vlen edhe për freskimin në vende më të ngrohta. Rodolfo nga Filipinet, e gradon gjithmonë termostatin e kondicionerit që temperatura të mos jetë shumë e ulët. Pse? Ai thotë: «Kursejmë edhe para, edhe energji.»

Mbaji mbyllur dyert e dritaret kur ngroh ose kur freskon shtëpinë. * Kur nuk e lëmë ajrin e ngrohtë ose të ftohtë të dalë përjashta, nuk e shpërdorojmë energjinë. Për shembull, kur lëmë derën hapur në mot të ftohtë, rritet ndjeshëm sasia e energjisë së nevojshme për të ngrohur ambientin.

Për të zvogëluar më tepër humbjen e energjisë, disa jo vetëm mbyllin dyert e dritaret, por edhe e kanë izoluar më mirë shtëpinë dhe kanë vënë dritare termoizoluese.

Përdor llamba ekonomike. «Në vend të llambave të zakonshme inkandeshente, nisëm të përdornim llamba ekonomike»,​—thotë Xheniferi, që e përmendëm më lart. Edhe pse në përgjithësi llambat ekonomike kushtojnë më tepër, ato konsumojnë shumë më pak energji, e kështu do të kursesh pará derisa të bëhen për t’u ndërruar.

TRANSPORTI

Përdor transportin publik, nëse është e mundur. «Sa herë që kam mundësi, shkoj në punë me tren ose me biçikletë»,​—thotë Andrea nga Britania e Madhe. Libri Energjia: Çfarë duhet të dijë çdo njeri (anglisht) na kujton se «makinat harxhojnë të paktën tri herë më tepër energji për pasagjer se autobusët dhe trenat për distanca të shkurtra».

Planifikoji udhëtimet. Duke u organizuar më përpara, mund ta pakësosh numrin e udhëtimeve që duhet të bësh. Si rezultat, do të konsumosh më pak karburant dhe do të kursesh kohë e para.

Jetro nga Filipinet përcakton një limit mujor për karburantin e makinës. «Kjo më ndihmon t’i planifikoj më mirë udhëtimet.»

AKTIVITETET E PËRDITSHME

Përdor më pak ujë të ngrohtë. Sipas një studimi në Australi, «për ngrohjen e ujit në banesa shpenzohet mesatarisht 1,3% e energjisë totale që përdoret në qytete . . . ose 27% e energjisë totale që harxhohet në shtëpi».

Meqë ngrohja e ujit konsumon energji, kur përdor më pak ujë të ngrohtë, kursen energji. Prandaj, Viktori nga Afrika e Jugut ka arsye kur thotë: «Kur bëjmë dush, përpiqemi të harxhojmë sa më pak ujë të ngrohtë.» Sipas shkencëtarit Stivën Kenuej, «kursimi i ujit të ngrohtë sjell tri dobi. Kursehet ujë dhe energji, kursejnë vetë firmat që sigurojnë ujë dhe energji, ndërsa familjet . . . kursejnë para».

Fike. Këtu përfshihen dritat, elektroshtëpiaket dhe pajisjet elektronike, siç janë televizorët dhe kompjuterët. Edhe kur i fikim, shumë nga këto pajisje konsumojnë ende energji kur janë në prizë ose në gjendje standby. Disa ekspertë sugjerojnë t’i heqim nga priza ose të përdorim një prizë zgjatuese me çelës për të kursyer energji. Fernando, që e përmendëm më lart, ka përvetësuar këtë zakon. Ai thotë: «I fik dritat dhe i heq nga priza pajisjet që nuk i përdor.»

Ndonëse kostoja e energjisë ose dëmi që i sjell mjedisit prodhimi i saj, mund të mos varen shumë nga ne, e kemi në dorë ta përdorim me mençuri energjinë. Në mbarë botën, njerëzit përpiqen të gjejnë mënyra si ta bëjnë këtë. Është e vërtetë se kursimi i energjisë mund të kërkojë më shumë përpjekje dhe planifikim, megjithatë mendo për dobitë. Valeria nga Meksika, thotë: «Edhe kursej para, edhe mbroj mjedisin.»

^ par. 10 Ndiq me kujdes udhëzimet e prodhuesit për një përdorim të sigurt të pajisjeve për ngrohje e për ftohje. Për shembull, për disa pajisje ka udhëzime specifike për furnizimin me ajër të pastër dhe për ventilimin, të cilat kërkojnë që të mbash hapur derën ose dritaren.