PËR TË RINJTË
10—Besueshmëria
ÇFARË DO TË THOTË
Njerëzit e besueshëm fitojnë besimin e prindërve, të miqve dhe të punëdhënësve. Ata u përmbahen rregullave, mbajnë fjalën dhe thonë gjithnjë të vërtetën.
PSE KA RËNDËSI
Pothuajse në çdo rast, besimi që ke fituar me kohë nga të tjerët, do të ndikojë drejtpërdrejt te liria që do të marrësh.
«Mënyra më e mirë për të fituar besimin e prindërve është t’u japësh prova se je i matur e i përgjegjshëm, dhe jo vetëm kur je me ta.»—Saraja.
PARIMI BIBLIK: «Vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.»—2 Korintasve 13:5.
Ç’MUND TË BËSH
Nëse dëshiron që të të besojnë më shumë ose të rifitosh besimin e humbur, hapat e mëposhtëm mund të të ndihmojnë.
Ji i ndershëm. Njerëzit do ta humbin shpejt besimin te ti, nëse thua gënjeshtra. Nga ana tjetër, kur je i hapur dhe i ndershëm, sidomos për gabimet e tua, mund të fitosh besimin e të tjerëve.
«Është e lehtë të jesh i ndershëm kur gjërat shkojnë mirë. Ama, po të jesh i ndershëm për diçka që të nxjerr keq në sytë e të tjerëve, do të fitosh më shumë besimin e tyre.»—Kajmani.
PARIMI BIBLIK: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.
Ji i besueshëm. Në një sondazh në SHBA, 78 për qind e specialistëve të burimeve njerëzore thanë se besueshmëria «është një nga tri cilësitë kryesore për të fituar një vend pune». Nëse mëson të jesh i besueshëm që tani, do të nxjerrësh dobi në të ardhmen.
«Prindërit e vënë re kur jam e përgjegjshme dhe bëj punët e shtëpisë edhe pa më ndenjur mbi kokë. Sa më tepër e marr vetë iniciativën, aq më tepër më besojnë.»—Sara.
PARIMI BIBLIK: «Me besimin se do të më dëgjosh, . . . duke e ditur se do të bësh edhe më shumë nga ç’të kam kërkuar.»—Filemonit 21.
Ji i duruar. Ndryshe nga rritja fizike, që bie në sy menjëherë, shpesh duhet më shumë kohë që të tjerët të kuptojnë rritjen tënde emocionale dhe mendore.
«Nuk e fiton dot besimin e prindërve dhe të të tjerëve thjesht me një veprim. Por mund ta fitosh gradualisht duke u treguar vazhdimisht i përgjegjshëm.»—Brendoni.
PARIMI BIBLIK: «Vishuni me . . . [durim].»—Kolosianëve 3:12.

