Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund ta gjejmë vërtet Perëndinë?

A mund ta gjejmë vërtet Perëndinë?

«Zoti është i pakonceptueshëm.»—Filoja i Aleksandrisë, filozof i shekullit të parë.

«[Perëndia] nuk është larg nga secili prej nesh.»—Sauli nga Tarsi, duke iu drejtuar filozofëve të shekullit të parë në Athinë.

ME CILËN nga këto dy pikëpamje je dakord? Shumë veta i pëlqejnë e marrin zemër nga fjalët e Saulit nga Tarsi, i quajtur edhe apostulli Pavël. (Veprat 17:26, 27) Por Bibla ka edhe shprehje të tjera që na sigurojnë për të njëjtën gjë. Për shembull, Jezui bëri një lutje që na ngroh zemrën sepse na siguron që shërbëtorët e Perëndisë mund ta njohin e të kenë bekimin e tij.Gjoni 17:3.

Sidoqoftë, filozofë si Filoja mendonin ndryshe. Ata linin të kuptohej se nuk mund ta njohim kurrë Zotin, ngaqë është i pakonceptueshëm. Cila është e vërteta?

Bibla e pranon hapur se njerëzit e kanë të vështirë t’i kuptojnë disa gjëra për Perëndinë. Për shembull, shtrirja kohore e ekzistencës së Krijuesit, mendjemprehtësia dhe thellësia e mençurisë së tij nuk mund të maten, të përcaktohen a të perceptohen. Këto gjëra thjesht shkojnë përtej kuptueshmërisë njerëzore. Megjithatë kjo nuk na pengon ta njohim Zotin. Në fakt, meditimi pikërisht për këto aspekte na ndihmon ‘t’i afrohemi Perëndisë’. (Jakovi 4:8) Le të shohim disa prej gjërave që s’i kuptojmë dot. Pastaj do të shqyrtojmë ato aspekte të Perëndisë që mund t’i kuptojmë.

 Gjëra të pakonceptueshme

EKZISTENCA E PËRJETSHME E PERËNDISË: Bibla mëson se Zoti ekziston nga «mot e jetë». (Psalmi 90:2) Me fjalë të tjera, ai nuk ka fillim e nuk do të ketë as fund. Nga këndvështrimi njerëzor «vitet e tij as që mund të numërohen».Jobi 36:26.

Si nxjerr dobi ti: Perëndia të premton jetë të përhershme nëse e njeh vërtet. (Gjoni 17:3) A do të ishte i besueshëm ky premtim nëse vetë Zoti nuk do të jetonte përgjithmonë? Vetëm ‘Mbreti i përjetësisë’ mund ta përmbushë këtë premtim.1 Timoteut 1:17.

MENDJA E PERËNDISË: Bibla mëson se «kuptueshmëria e tij është e pahetueshme», sepse mendimet e tij janë shumë më të larta se tonat. (Isaia 40:28; 55:9) Jo më kot Bibla bën pyetjen retorike: «Kush ka arritur të njohë mendjen e Jehovait, që ta mësojë [Atë]?»1 Korintasve 2:16.

Si nxjerr dobi ti: Zoti mund të dëgjojë në të njëjtën kohë miliona lutje. (Psalmi 65:2) Madje ai sheh çdo harabel që bie përtokë. A do të jetë ndonjëherë mendja e Zotit aq e mbingarkuar sa të mos të të kushtojë vëmendje ty dhe lutjeve të tua? Jo, pasi mendja e tij nuk është e kufizuar. Përveç kësaj, në sytë e tij ‘ti vlen më tepër se shumë harabela’.Mateu 10:29, 31.

UDHËT E PERËNDISË: Bibla mëson se njeriu nuk mund ‘ta zbulojë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë’. (Eklisiastiu 3:11) Ja pse nuk do të dimë kurrë gjithçka për Zotin. Mençuria që qëndron pas udhëve të tij është ‘e pagjurmueshme’. (Romakëve 11:33) Prapëseprapë, ai është gati t’ua zbulojë udhët e tij atyre që duan t’i pëlqejnë.Amosi 3:7.

Shtrirja kohore e ekzistencës së Krijuesit, mendjemprehtësia dhe thellësia e mençurisë së tij nuk mund të maten, të përcaktohen a të perceptohen

Si nxjerr dobi ti: Nëse e lexon dhe e studion Biblën, nuk do të reshtësh kurrë së mësuari për Perëndinë dhe udhët e tij. Kjo do të thotë se mund t’i afrohemi gjithnjë e më shumë Atit tonë qiellor, gjatë gjithë përjetësisë.

Gjëra të konceptueshme

Fakti që nuk i konceptojmë dot plotësisht disa gjëra për Zotin s’do të thotë se nuk mund ta njohim fare. Bibla ka plot informacione që na ndihmojnë ta njohim më mirë. Le të shohim disa prej tyre:

EMRI I PERËNDISË: Bibla mëson se Perëndia i ka vënë një emër vetes. Ai thotë: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im.» Emri i tij gjendet rreth 7.000 herë në Bibël, më tepër se çdo emër tjetër. *Isaia 42:8.

Si nxjerr dobi ti: Jezui tha në lutjen model: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) A mund ta përdorësh edhe ti emrin e Zotit në lutjet e tua? Jehovai dëshiron të shpëtojë këdo që tregon respektin e duhur për emrin e tij.Romakëve 10:13.

VENDBANIMI I PERËNDISË: Bibla mëson se ekzistojnë dy «botë»: bota frymore, ku jetojnë krijesa frymore me trupa frymorë dhe bota fizike, që përbëhet nga Toka e universi. (Gjoni 8:23; 1 Korintasve 15:44) Në Bibël, fjala ‘qiej’ shpesh i referohet botës frymore. «Vendbanimi» i Krijuesit ndodhet në këta ‘qiej’.1 Mbretërve 8:43.

 Si nxjerr dobi ti: Krijon një ide më të qartë për Perëndinë. Krijuesi nuk është një forcë misterioze që ndodhet kudo e në gjithçka. Jehovai është një qenie reale dhe jeton në një vend real. E megjithatë «nuk ka krijesë që të mos jetë e dukshme përpara tij».Hebrenjve 4:13.

PERSONALITETI I PERËNDISË: Bibla mëson se Jehovai ka cilësi të bukura. «Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Ai nuk gënjen kurrë. (Titit 1:2) Është i paanshëm, i mëshirshëm, hirmadh dhe i ngadalshëm në zemërim. (Dalja 34:6; Veprat 10:34) Madje ajo që i habit mjaft veta është se Krijuesi do që të ketë «miqësi të ngushtë» me ata që e respektojnë.Psalmi 25:14.

Si nxjerr dobi ti: Mund të bëhesh mik me Jehovain. (Jakovi 2:23) Kështu, teksa njeh personalitetin e Jehovait, mund t’i kuptosh më mirë tregimet biblike.

‘KËRKOJE’

Bibla e portretizon qartë Perëndinë Jehova. Ai nuk është aspak i pakonceptueshëm. Madje Krijuesi do që ta njohësh. Fjala e tij, Bibla, premton: «Nëse e kërkon, ai do të të lërë që ta gjesh.» (1 Kronikave 28:9) Pse të mos e njohësh Zotin duke lexuar e duke medituar për historitë biblike? Nëse e bën këtë, Bibla premton se ai ‘do të të afrohet’.Jakovi 4:8.

Nëse e lexon dhe e studion Biblën, nuk do të reshtësh kurrë së mësuari për Perëndinë dhe udhët e tij

Por ndoshta pyet veten: «Si mund të jem mik me Krijuesin nëse nuk kuptoj çdo gjë rreth tij?» Mendo pak: a është e nevojshme që miku i ngushtë i një kirurgu të ketë diplomë në mjekësi? Aspak! Miku i kirurgut mund të ketë një profesion krejt ndryshe. E prapëseprapë, mund të jenë miq të ngushtë bashkë. Ajo që ka vërtet rëndësi është se miku e njeh personalitetin e kirurgut, si edhe çfarë pëlqen e çfarë jo. Edhe ti mund të mësosh nga Bibla çfarë personi është Jehovai—pikërisht atë që duhet të dish për të lidhur miqësi me të.

Bibla përmban ato informacione që na duhen për ta njohur Zotin dhe nuk bën thjesht një përshkrim të vakët të Krijuesit. A dëshiron të mësosh më shumë për Perëndinë Jehova? Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë kurse falas në shtëpi për studimin e Biblës. Të ftojmë të kontaktosh Dëshmitarët në zonën tënde ose të hysh në sitin tonë www.jw.org.

^ par. 16 Disa Bibla përdorin titullin «Zot» në vend të emrit të Perëndisë, Jehova. Arsyet për këtë mund t’i gjesh në faqen 195 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Disponohet edhe në jw.org.