Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE | SI TA PËRBALLOSH ANKTHIN?

Botë plot ankth

Botë plot ankth

«Shkova për të psonisur, por gjeta vetëm biskota, dhe ato kushtonin 10.000 herë më shumë se normalisht. Të nesërmen nuk gjeje asgjë nëpër dyqane.»—Poli, Zimbabve.

«Burri më kërkoi të ulesha dhe më tha se kishte vendosur të më linte. Nuk mund ta kapërdija dot këtë tradhti. Si do t’u vente halli fëmijëve?»—Zhaneta, Shtetet e Bashkuara.

«Sa herë bien sirenat e alarmit, turrem për të gjetur strehë dhe rri shtrirë gjatë bombardimit. Pas kësaj më dridhen duart për orë të tëra.»—Alona, Izrael.

Jetojmë në kohë ankthi, në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Shumë njerëz heqin keq nga krizat financiare e familjare, nga luftërat, nga sëmundjet epidemike vdekjeprurëse, nga katastrofat natyrore ose nga dora e njeriut. Sikur të mos mjaftonin këto, kemi edhe ankthe për gjërat personale, si: «A është kanceroze gjëndra që më ka dalë? Në çfarë bote do të rriten mbesat e nipërit e mi?»

Por jo çdo ankth është i keq. Është normale të kemi stres para një provimi, një shfaqjeje ose një interviste pune. Për më tepër, frika e arsyeshme nga rreziku është mbrojtje. Kurse ankthi ekstrem ose i vazhdueshëm është shkatërrimtar. Kohët e fundit një sërë studimesh me më tepër se 68.000 të rritur treguan se edhe ankthi i lehtë i rrit gjasat për vdekje të parakohshme. Prandaj është me vend pyetja e Jezuit: «Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund ta zgjatë sadopak jetën e vet?» Ja pse Jezui këshilloi: «Mos jini më në ankth.» (Mateu 6:25, 27) A është e mundur kjo?

Po, nëse tregojmë mençuri praktike, zhvillojmë besim të vërtetë te Zoti dhe fitojmë një shpresë të fortë për të ardhmen. Edhe nëse tani për tani nuk kemi vështirësi ekstreme, mbase do të kemi në të ardhmen. Ndaj le të shohim si janë çliruar nga ankthi Poli, Zhaneta dhe Alona kur kanë vepruar kështu.