Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

Pornografia—E padëmshme apo helmuese?

Pornografia—E padëmshme apo helmuese?

Bota sot është e stërmbushur me pornografi. a Mund të gjendet në reklama, në fushën e modës, filma, muzikë, revista, televizion, videolojëra, celularë smartphone, pajisje të tjera elektronike, internet dhe tani në shërbime online ku postohen fotografi. Me sa duket, pornografia pranohet gjerësisht në shoqërinë e sotme. Kurrë më shumë se sot s’ka qenë kaq e përhapur në kaq shumë vende.​—Shih kutinë  «Fakte për pornografinë».

Edhe natyra e pornografisë po ndryshon. Profesoreshë Geil Dajnsi shkruan: «Pamjet sot janë bërë kaq ekstreme sa, ajo që më parë konsiderohej pornografi e rëndë (hard-core), tani është bërë e zakonshme.»

Po ti, çfarë mendon për këto tendenca? A është pornografia zbavitje e padëmshme, helm vdekjeprurës apo diçka e ndërmjetme? Jezui tha: «Çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë, kurse çdo pemë e kalbur prodhon fryt të keq.» (Mateu 7:17) Çfarë fryti prodhon pornografia? Që të marrim përgjigjet, le të shqyrtojmë disa pyetje themelore për pornografinë.

Si ndikon pornografia te vetë personi?

ÇFARË THONË EKSPERTËT: Pornografia krijon varësi tepër të madhe, madje disa studiues dhe terapistë e krahasojnë me kokainën krak.

Brajani, b i cili ishte i varur ndaj pornografisë në Internet, tregon: «Asgjë s’më ndalte. Ndihesha si i hipnotizuar. Dridhesha i tëri dhe kisha dhembje koke. Bëra çmos ta lija këtë ves, por nuk ia arrita për vite të tëra.»

Shpesh, ata që jepen pas pornografisë, e fshehin këtë zakon. E mbajnë sekret dhe gënjejnë. Nuk habitemi pse shumë prej tyre vuajnë nga ndjenjat e veçimit, turpit, ankthit, dëshpërimit dhe zemërimit. Në disa raste, mendojnë edhe për vetëvrasje. «Isha mbyllur në vetvete dhe kisha rënë në dëshpërim,—thotë Sergei, i cili shkarkonte pornografi në celular thuajse çdo ditë.—Ndihesha i pavlerë, në faj, i vetmuar dhe si në grackë. Kisha shumë turp dhe frikë të kërkoja ndihmë.»

Edhe një shikim kalimthi e pa dashje i pornografisë mund të ketë ndikim negativ. Në dëshminë që dha para komitetit të Senatit të SHBA-së, dr. Xhudit Raismani, një studiuese e shquar në fushën e pornografisë, tha: «Pamjet pornografike skaliten në tru dhe e ndryshojnë atë, duke lënë menjëherë në kujtesë gjurmë biokimike të pavullnetshme, por afatgjata, që është e vështirë ose e pamundur t’i fshish.» Suzana 19-vjeçare, e cila hynte në site pornografike në Internet, thotë: «Pamjet më janë ngulitur në mendje. Më shfaqen krejt papritur. Duket sikur s’do të arrij kurrë t’i fshij.»

PËRFUNDIMI: Pornografia i skllavëron dhe i rrënon ata që bien pre e saj.​—2 Pjetrit 2:19.

Si ndikon pornografia te familja?

ÇFARË THONË EKSPERTËT: «Çiftet dhe familjet ndahen për shkak të pornografisë.»​—Gracka e pornografisë (anglisht), nga Uendi dhe Leri Maltsi.

Pornografia dëmton martesat dhe familjet sepse:

  • minon besimin, intimitetin dhe dashurinë në martesë.​—Proverbat 2:12-17.

  • nxit egoizëm, ftohtësi emocionale dhe pakënaqësi ndaj bashkëshortit.​—Efesianëve 5:28, 29.

  • ushqen fantazi dhe dëshira të forta seksuale të papërshtatshme.​—2 Pjetrit 2:14.

  • i tundon shikuesit ta detyrojnë bashkëshortin të kryejë praktika seksuale të pahijshme.​—Efesianëve 5:3, 4.

  • nxit tradhtinë në zemër dhe tradhtinë fizike.​—Mateu 5:28.

Bibla u thotë të martuarve ‘të mos veprojnë pabesisht’ me njëri-tjetrin. (Malakia 2:16) Pabesia është një lloj tradhtie që mund ta shkatërrojë martesën dhe të çojë në ndarje e divorc. Nga ana tjetër, këto ndarje dëmtojnë edhe fëmijët.

Pornografia mund t’i dëmtojë fëmijët edhe drejtpërdrejt. Brajani, që e përmendëm më sipër, shpjegon: «Kur isha afro dhjetë vjeç, teksa po luaja symbyllazi, gjeta rastësisht revistat pornografike të babait. Nisa t’i shikoja në fshehtësi, pa e kuptuar tamam pse më tërhiqnin pamje të tilla. Kjo më çoi në një ves shkatërrimtar që s’e hoqa dot edhe kur u rrita.» Studimet tregojnë se pornografia mund t’i nxitë adoleshentët të bëhen aktivë seksualisht që në moshë të vogël, të bëhen të shthurur, të shfaqin dhunë seksuale dhe të bëhen të paqëndrueshëm nga ana emocionale dhe psikologjike.

PËRFUNDIMI: Pornografia helmon lidhjet me njerëzit e dashur, thyen zemra e shkakton dhembje.​—Proverbat 6:27.

Cila është pikëpamja e Perëndisë për pornografinë?

FJALA E PERËNDISË THOTË: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj . . . në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.»​—Kolosianëve 3:5.

E thënë thjesht, Perëndia Jehova c e urren pornografinë. Jo se mendon se seksi është diçka e turpshme. Në fakt, ishte ai që na krijoi me aftësi seksuale dhe kishte si qëllim që të martuarit t’i përdornin për të kënaqur njëri-tjetrin, për t’u afruar emocionalisht dhe për të përjetuar së bashku mrekullinë e sjelljes në jetë të një fëmije.​—Jakovi 1:17.

Atëherë, pse themi që Jehovai ka mendim kaq të prerë për pornografinë? Shqyrto vetëm disa arsye:

  • Ai e di se pornografia mund të rrënojë jetë.​—Efesianëve 4:17-19.

  • Ai na do dhe dëshiron të na mbrojë nga çdo e keqe.​—Isaia 48:17, 18.

  • Jehovai dëshiron t’i mbrojë martesat dhe familjet.​—Mateu 19:4-6.

  • Ai dëshiron që të jemi të pastër moralisht dhe t’i respektojmë të drejtat e të tjerëve.​—1 Selanikasve 4:3-6.

  • Ai dëshiron që t’i respektojmë aftësitë tona riprodhuese dhe t’i përdorim në një mënyrë të nderuar.​—Hebrenjve 13:4.

  • Jehovai e di se pornografia pasqyron një pikëpamje të shtrembëruar, egoiste dhe satanike për seksin.​—Zanafilla 6:2; Juda 6, 7.

PËRFUNDIMI: Pornografia dëmton marrëdhënien me Perëndinë.​—Romakëve 1:24.

Gjithsesi, Jehovai ndien shumë dhembshuri për ata që duan të çlirohen nga kthetrat e pornografisë. Bibla thotë: «Jehovai është i mëshirshëm dhe hirmadh, nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashamirësi. Sepse ai e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur.» (Psalmi 103:8, 14) Ai i fton të përulurit të kthehen tek ai ‘që të marrin mëshirë e të gjejnë dashamirësi të pamerituar, për ndihmë në kohën e duhur’.​—Hebrenjve 4:16; shih kutinë  «Si të çlirohesh nga pornografia?»

Një numër i madh njerëzish e kanë pranuar ndihmën e Perëndisë. A është e efektshme kjo ndihmë? Vër re çfarë thotë Bibla për disa që i kapërcyen zakonet e këqija: «Jeni larë, jeni shenjtëruar, jeni shpallur të drejtë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht dhe me frymën e Perëndisë tonë.» (1 Korintasve 6:11) Ashtu si apostulli Pavël, edhe këta mund të thonë: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»​—Filipianëve 4:13.

Suzana, e cila e mposhti vesin e pornografisë, thotë: «Jehovai është i vetmi që mund të të ndihmojë të vish në vijë. Nëse i kërkon ndihmë dhe drejtim, mund të fitosh një qëndrim të pastër para tij. Ai nuk do të të lërë në baltë.»

a Termi «pornografi» u referohet materialeve me përmbajtje të qartë seksuale, që kanë si qëllim të eksitojnë shikuesin, lexuesin ose dëgjuesin. Këtu përfshihen si pamjet, ashtu edhe materialet e shkruara ose audio.

b Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

c Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.