Si t’i mësojmë fëmijët për Perëndinë?—Ç’metoda janë më të mirat?
Si t’i mësojmë fëmijët për Perëndinë?—Ç’metoda janë më të mirat?
«Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Ngulitua ato bijve të tu dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.»—LIGJI I PËRTËRIRË 6:6, 7.
NDONJËHERË prindërit mund të ndihen sikur po i mbyt përgjegjësia për të stërvitur fëmijët. Megjithatë, kur kërkojnë këshilla, mund të pështjellohen edhe më tepër nga vëllimet e bollshme me këshilla. Të afërmit dhe miqtë shpesh janë të shpejtë të japin sugjerimet e tyre. Përveç kësaj, librat, artikujt e revistave dhe sitet e Internetit u ofrojnë prindërve një lumë të vazhdueshëm me këshilla që ndonjëherë janë kontradiktore.
Nga ana tjetër, Bibla u siguron prindërve jo vetëm këshilla të besueshme se çfarë t’u mësojnë fëmijëve, por edhe drejtim praktik se si t’i mësojnë. Siç tregojnë vargjet biblike të përmendura më sipër, prindërit duhet të gjejnë çdo ditë ndonjë mënyrë që t’u flasin fëmijëve për Perëndinë. Më poshtë shqyrtohen vetëm katër sugjerime të bazuara në Bibël të cilat kanë ndihmuar mijëra prindër t’u mësojnë fëmijëve për Perëndinë.
1. Nxirrni mësime nga krijimi. Apostulli Pavël shkroi: «Cilësitë e padukshme të [Perëndisë], madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, prandaj ata nuk kanë asnjë justifikim.» (Romakëve 1:20) Prindërit mund të bëjnë shumë që t’i ndihmojnë fëmijët ta shohin Perëndinë si Person real duke ua tërhequr vëmendjen drejt veprave të krijimit të Perëndisë, dhe më pas duke i ndihmuar të dallojnë në to cilësitë e tij.
Jezui e përdori këtë metodë kur mësoi dishepujt. Për shembull, ai tha: «Vështroni me kujdes zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në depo, e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë se ata?» (Mateu 6:26) Këtu Jezui theksoi cilësitë e dashurisë dhe të dhembshurisë që ka Jehovai. Por bëri më tepër se kaq. I ndihmoi dishepujt të arsyetonin se si i ka shfaqur Perëndia këto cilësi me fëmijët e tij.
Mbreti i mençur Solomon foli për mençurinë instinktive që Perëndia u dha milingonave dhe i përdori këto krijesa të vogla që të theksonte një mësim të çmuar. Ai shkroi: «Shko te milingona, o përtac; shihi udhët e saj dhe bëhu i mençur. Edhe pse nuk ka komandant, të parë a sundimtar, ajo e përgatit Proverbat 6:6-8) Ç’mënyrë e fuqishme për të mësuar sa rëndësi ka të vëmë synime me vlerë, dhe më pas të përdorim forcat tona për t’i arritur!
ushqimin e vet gjatë verës, i ka mbledhur zahiretë e veta gjatë të korrave.» (Prindërit mund të imitojnë mësimdhënien e efektshme të Jezuit e të Solomonit nëse bëjnë sa më poshtë: (1) t’i pyesin fëmijët cilat bimë e kafshë u pëlqejnë. (2) Të mësojnë më shumë për këto bimë a kafshë. (3) Të nxjerrin mësime për Perëndinë nga krijime të tilla.
2. Imitoni qëndrimin e Jezuit ndaj atyre që mësonte. Nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar, Jezui kishte gjërat më të rëndësishme për të thënë. Gjithsesi, një pjesë të mirë të kohës e kaloi duke bërë pyetje. Atij i interesonin jashtë mase mendimet e ndjenjat e atyre që mësonte. (Mateu 17:24, 25; Marku 8:27-29) Po ashtu, prindërit kanë shumë mësime të rëndësishme për t’ua përcjellë fëmijëve. Por, që të jenë të efektshëm, duhet të imitojnë Jezuin e t’i nxitin fëmijët të thonë hapur si ndihen.
Po sikur fëmijët të reagojnë keq ose të mos e përvetësojnë menjëherë një mësim të çmuar? Shqyrtoni si vepronte Jezui me apostujt. Ndonjëherë ata debatonin ashpër midis tyre dhe nuk i mësonin menjëherë dobitë e përulësisë. Megjithatë, Jezui nuk e humbi durimin dhe u foli vazhdimisht për nevojën që të ishin të përulur. (Marku 9:33, 34; Luka 9:46-48; 22:24, 25) Prindërit që imitojnë Jezuin i ndreqin me durim fëmijët dhe, po të jetë e nevojshme, e përsëritin të njëjtin mësim derisa fëmijët t’ia kuptojnë plotësisht rëndësinë. *
3. Mësoni me anë të shembullit. Prindërit bëjnë mirë t’ia vënë veshin këshillës që apostulli Pavël u dha të krishterëve që jetonin në Romë. Ai u shkroi: «Ti pra, që mëson një tjetër, nuk mëson veten? Ti që predikon ‘mos vidh’, vjedh për vete?»—Romakëve 2:21.
Kjo këshillë është me vend, sepse fëmijëve u bën shumë më tepër përshtypje ajo që prindërit bëjnë, sesa ajo që thonë. Në fakt prindërit që veprojnë sipas asaj që thonë ka më tepër të ngjarë të rritin fëmijë që ua vënë veshin.
4. Filloni që kur janë fare të vegjël. Shoku misionar i apostullit Pavël, Timoteu, i kishte bërë emër të shkëlqyer vetes në vendin e tij. (Veprat 16:1, 2) Një arsye për këtë ishte se «shkrimet e shenjta» ia kishin mësuar «që nga foshnjëria». Nëna dhe gjyshja e Timoteut jo vetëm ia kishin lexuar Shkrimet, por edhe e kishin ndihmuar të arsyetonte rreth të vërtetave që përmbanin ato.—2 Timoteut 1:5; 3:14, 15.
Ku mund të gjeni ndihmë?
Dëshmitarët e Jehovait sigurojnë një sërë botimesh që janë bërë posaçërisht për të ndihmuar prindërit që t’u mësojnë fëmijëve të vërtetën për Perëndinë. Disa janë shkruar duke pasur në mendje fëmijët e vegjël. Libra të tjerë i ndihmojnë prindërit dhe fëmijët e tyre adoleshentë që ta mbajnë hapur komunikimin. *
Patjetër që para se prindërit t’i mësojnë fëmijët për Perëndinë, duhet të dinë përgjigjet e disa pyetjeve të vështira që mund të bëjnë fëmijët. Për shembull, si do t’u përgjigjeshit pyetjeve të mëposhtme: pse i lejon Perëndia vuajtjet? Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën? Ku janë të vdekurit? Dëshmitarët e Jehovait do t’ju ndihmojnë me kënaqësi të mësoni përgjigjet e këtyre pyetjeve e të tjerave si këto, në mënyrë që ju dhe familja juaj të afroheni me Perëndinë.—Jakovi 4:8.
[Shënimet]
^ par. 10 Fjala hebraike e përkthyer «ngulitua» te Ligji i përtërirë 6:7 mbart kuptimin e përsëritjes shpesh të një pike.
^ par. 15 Për fëmijët më të vegjël prindërit mund të përdorin librin Të mësojmë nga Mësuesi i Madh, i cili thekson mësimet e Jezu Krishtit, ose botimin Libri im i tregimeve biblike, i cili shpjegon me fjalë të thjeshta mësime të rëndësishme biblike. Për fëmijët më të rritur, prindërit mund të përdorin librat Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimet 1 dhe 2.