Kush duhet t’i mësojë fëmijët për Perëndinë?
Kush duhet t’i mësojë fëmijët për Perëndinë?
«Nxënësi nuk është më i madh se mësuesi, por, kushdo që mësohet në mënyrë të përsosur, do të bëhet si mësuesi.»—LUKA 6:40.
DISA prindër nuk ndihen të aftë që t’i mësojnë fëmijët për Perëndinë. Mund të mendojnë që nuk kanë arsimim të mjaftueshëm ose që nuk dinë për fenë, aq sa të jenë mësues të mirë. Si rrjedhojë, mund të priren t’ia lënë këtë detyrë jetësore një të afërmi ose një kleriku.
Megjithatë, kush mund t’ua mësojë më mirë fëmijëve të vërtetat fetare dhe parimet morale? Shqyrtoni ç’thotë Bibla për këtë temë dhe krahasojini pohimet e saj me atë që kanë zbuluar studiuesit.
Cili është roli i babait?
Çfarë mëson Bibla? «Etër, mos provokoni për zemërim fëmijët tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.»—Efesianëve 6:4, «Diodati i Ri».
Çfarë kanë zbuluar studiuesit? Si nxjerrin dobi etërit nëse zhvillojnë bindje të forta fetare? Një artikull i botuar në vitin 2009 thoshte: «Përfshirja në një komunitet fetar mund t’i ndihmojë burrat të bëhen baballarë më të mirë. Feja u siguron individëve mbështetje dhe ndikim shoqëror, si edhe një sërë mësimesh
e udhëzimesh se si të jetojnë.»—Fathers’ Religious Involvement and Early Childhood Behavior.Bibla e thekson mjaft rëndësinë që ka roli i babait në rritjen dhe stërvitjen e fëmijëve. (Proverbat 4:1; Kolosianëve 3:21; Hebrenjve 12:9) Por, a është praktike kjo këshillë sot? Në vitin 2009 Universiteti i Floridës botoi një artikull që trajtonte ndikimin e etërve te fëmijët. Studiuesit zbuluan se fëmijët me baballarë mjaft të përfshirë në rritjen e tyre, ishin më të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve dhe e vlerësonin më tepër veten. Djemtë kishin të ngjarë të bëheshin më të mbarë, kurse vajzat të kishin shëndet mendor më të mirë. Pa dyshim, këshillat e Biblës janë ende praktike.
Sa rëndësi ka roli i nënës?
Çfarë mëson Bibla? «Mos e braktis ligjin e nënës sate.»—Proverbat 1:8.
Çfarë kanë zbuluar studiuesit? Në vitin 2006 një botim thoshte: «Mesatarisht nënat kalojnë me fëmijët e vegjël 65 deri në 80 për qind më tepër kohë se baballarët dhe këto shifra vlejnë për shumë vende.» (Handbook of Child Psychology) Kjo kohë që kalojnë së bashku, bën që fjalët, veprimet dhe qëndrimet e nënës të ndikojnë thellë në zhvillimin e fëmijës.
Kur nëna dhe babai punojnë së bashku që t’u mësojnë fëmijëve të vërtetën për Perëndinë, u japin të paktën dy dhurata të çmuara. Së pari, fëmijëve u krijohet mundësia që të zhvillojnë një miqësi me Atin e tyre qiellor, miqësi që mund t’u sjellë dobi gjatë gjithë jetës. Së dyti, ata e shohin vetë se si një burrë e një grua duhet të bashkëpunojnë që të arrijnë synime të rëndësishme. (Kolosianëve 3:18-20) Edhe pse të tjerët mund t’i ndihmojnë nënën e babanë, prapëseprapë janë prindërit ata që kanë përgjegjësinë t’i mësojnë fëmijët për Perëndinë dhe si Ai do që të funksionojë familja.
Gjithsesi, si duhet t’i mësojnë prindërit fëmijët? Ç’metoda duket se janë më të mirat?