Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shtatë hapa se si të nxjerrësh dobi nga leximi i Biblës

Shtatë hapa se si të nxjerrësh dobi nga leximi i Biblës

Shtatë hapa se si të nxjerrësh dobi nga leximi i Biblës

«Bibla nuk është vetëm libri më i shitur i të gjithë kohëve, por është edhe libri më i shitur çdo vit.»​—REVISTA TIME.

«E lexoj ndonjëherë Biblën, por më duket jashtëzakonisht e mërzitshme.»​—KITH, MUZIKANT I NJOHUR NGA ANGLIA.

PËR ironi, shumë njerëz kanë një Bibël, megjithatë duket se nuk nxjerrin ndonjë dobi duke e lexuar. Mirëpo, të tjerë e çmojnë shumë atë që lexojnë në të. Për shembull, një grua e quajtur Nensi thotë: «Që kur kam filluar të lexoj Biblën e të meditoj rreth saj çdo mëngjes herët, ndihem e përgatitur të përballoj çfarëdo gjëje që mund të më dalë gjatë ditës. Kjo më ka ndihmuar më shumë se çdo gjë tjetër që kam provuar 35 vitet e kaluara, për të gjetur prehje nga periudhat e depresionit.»

Edhe nëse nuk e ke lexuar kurrë Biblën, a të tërheq ideja që disa kanë marrë ndihmë prej saj? Nëse tashmë e lexon Biblën, a dëshiron të nxjerrësh më shumë dobi nga leximi i saj? Në qoftë se po, provo shtatë hapat që përshkruhen në këtë artikull.

HAPI 1​—Lexo me motivin e duhur

▪ Mund ta lexosh Biblën thjesht si një libër të bukur ose nga ndjenja e detyrës apo me idenë se mund të gjesh drejtim në këtë botë me telashe. Por, do të nxjerrësh mjaft dobi nëse ke si synim të mësosh të vërtetën për Perëndinë. Përveç kësaj, do të marrësh shumë bekime nëse ke si motiv të kuptosh se si mund të ndikojë mesazhi i Biblës në jetën tënde.

Shkrimet theksojnë rëndësinë e leximit me motivin e duhur duke e krahasuar Biblën me një pasqyrë: «Nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo zbatues, ai është si një njeri që shikon fytyrën e vet në pasqyrë, dhe, pasi shihet, ikën dhe harron menjëherë se ç’lloj njeriu ishte. Por ai që ndalet e shikon në ligjin e përsosur që sjell liri dhe ngulmon në të, është i lumtur ngaqë bëhet zbatues i fjalës dhe jo dëgjues harraq.»​—Jakovi 1:23-25.

Njeriu në këtë shembull pa fytyrën e vet në pasqyrë, por nuk u rregullua. Ndoshta vetëm sa i hodhi një sy të shpejtë vetes a mbase s’kishte qejf të bënte ndonjë rregullim. Po kështu, ne nuk do të nxjerrim shumë dobi në rast se e lexojmë Biblën në mënyrë të shkujdesur ose nuk e zbatojmë atë që lexojmë. Përkundrazi, mund të jemi vërtet të lumtur nëse e shqyrtojmë Biblën me idenë që të bëhemi «zbatues» të saj, duke i lejuar mendimet e Perëndisë të modelojnë mendimet dhe veprimet tona.

HAPI 2​—Zgjidh një përkthim të besueshëm

▪ Ndoshta ka shumë përkthime të Biblës në gjuhën tënde. Edhe pse çdo përkthim i Fjalës së Perëndisë mund të të sjellë dobi, disa përdorin një gjuhë të vjetër ose të ngritur që mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar. (Veprat 4:13) Madje disa përkthime e ndryshojnë mesazhin e pastër të Biblës duke u bazuar në tradita. Për shembull, siç thuhet në artikujt e parë të kësaj reviste, disa e kanë zëvendësuar emrin e Perëndisë, Jehova, me tituj të tillë, si «Perëndi» ose «Zot». Prandaj, kur zgjedh një përkthim, zgjidh një të tillë që e përkthen saktë Biblën me një gjuhë që kuptohet lehtë dhe të nxit ta lexosh.

Miliona lexues anembanë botës kanë parë se Përkthimi Bota e Re është pikërisht i tillë. * Të marrim rastin e një të moshuari në Bullgari. Ai ndoqi një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait dhe atje i dhanë një kopje të Përkthimit Bota e Re. Më pas ai tha: «Kam vite që e lexoj Biblën, por asnjëherë nuk kam lexuar një përkthim kaq të kuptueshëm dhe që shkon drejt e në zemër.»

HAPI 3​—Lutu

▪ Mund ta kuptosh më mirë Biblën nëse i kërkon Autorit ndihmë, siç bëri psalmisti i cili tha: «Hapmi sytë, që të shoh mrekullitë e ligjit tënd.» (Psalmi 119:18) Lutju Perëndisë çdo herë që lexon Shkrimet, duke i kërkuar ndihmë që t’i kuptosh ato. Gjithashtu, mund ta falënderosh për Biblën, sepse pa të nuk do ta njihnim Perëndinë.​—Psalmi 119:62.

A i dëgjon Perëndia lutje të tilla për ndihmë? Të shohim se ç’ndodhi me dy motra adoleshente në Uruguai. Ato nuk arrinin të kuptonin atë që thotë Bibla te Danieli 2:44 dhe iu lutën Perëndisë që t’u dërgonte dikë për t’i ndihmuar. Ndërsa vajzat e kishin ende hapur Biblën, në derën e tyre trokitën dy Dëshmitarë të Jehovait. Ata i lexuan pikërisht vargun për të cilin vajzat ishin lutur dhe shpjeguan se ai tregon që qeveritë njerëzore do të zëvendësohen nga Mbretëria e Perëndisë. * Dy motrat adoleshente ishin të bindura se Perëndia u ishte përgjigjur lutjes së tyre për ndihmë.

HAPI 4​—Lexoje përditë

▪ Shumë i drejtohen Fjalës së Perëndisë vetëm në kohë të vështira. Për shembull, një botues tha se pas sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001, «pati një bum në shitjen e Biblave». Por Bibla na nxit ta lexojmë çdo ditë, pasi ajo thotë: «Ky libër i ligjit të mos ndahet nga goja jote. Lexoje nën zë ditë e natë, që të veprosh me kujdes në përputhje me atë që është shkruar aty, sepse atëherë do të kesh sukses në udhën tënde, atëherë do të veprosh me mençuri.»​—Josiu 1:8.

Rëndësia e leximit të Biblës rregullisht mund të ilustrohet nga një njeri që ka pësuar infarkt dhe vendos të hajë gjëra më të ushqyeshme. A do ta ndihmojë një regjim i tillë nëse do ta ndjekë vetëm kur ndien dhembje therëse në kraharor? Jo. Për të nxjerrë sa më shumë dobi, ai duhet t’i përmbahet vazhdimisht një diete të shëndetshme. Po kështu, leximi i përditshëm i Biblës do të të ndihmojë ‘të kesh sukses në udhën tënde’.

HAPI 5​—Përdor metoda të ndryshme

▪ Mund të jetë mirë ta lexosh Biblën nga Zanafilla deri te Zbulesa, megjithatë mund të zbulosh edhe metoda të tjera të këndshme. Më poshtë jepen disa sugjerime:

Përqendrohu te një personazh. Lexo të gjithë kapitujt ose librat që flasin për një adhurues të veçantë të Perëndisë si për shembull:

Jozefi: Zanafilla 37–50.

Rutha: Rutha 1-3.

Jezui: Mateu 1–28; Marku 1–16; Luka 1–24; Gjoni 1–21. *

Përqendrohu te një argument. Lexo shkrimet që lidhen me të. Për shembull, bëj kërkime rreth temës së lutjes dhe më pas lexo këshillat biblike për të, si edhe disa nga lutjet e shumta të dokumentuara në Bibël. *

Lexo me zë. Mund të nxjerrësh shumë dobi duke e lexuar Biblën me zë. (Zbulesa 1:3) Madje mund të lexoni me zë si familje, duke lexuar me radhë paragrafë ose duke i caktuar çdo pjesëtari të familjes një personazh. Disave u pëlqen të dëgjojnë regjistrimet audio të Biblës. Një grua tha: «E kisha të vështirë të filloja të lexoja Biblën, prandaj e nisa duke dëgjuar regjistrimet audio të saj. Tani Bibla më emocionon më tepër se një roman i mirë.»

HAPI 6​—Medito

▪ Ritmi dhe shpërqendrimet e kohëve të sotme nuk të ndihmojnë të meditosh. Por, ashtu si për të marrë lëndë ushqyese duhet ta tretim ushqimin, po kështu për të nxjerrë dobi, duhet të meditojmë rreth asaj që lexojmë në Bibël. E bëjmë këtë kur rishikojmë mendërisht atë që lexojmë dhe kur i bëjmë vetes pyetje si: «Çfarë kam mësuar për Perëndinë Jehova? Si zbatohet për mua? Si mund ta përdor për të ndihmuar të tjerët?»

Arsyetime të tilla bëjnë që mesazhi i Biblës të na prekë zemrën dhe të na e shtojë gëzimin që provojmë duke e lexuar Fjalën e Perëndisë. Psalmi 119:97 thotë: «Oh, sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e mbaj mendjen atje.» Nëpërmjet meditimit, psalmisti e mbante mendjen gjithë ditën te Shkrimet. Kjo e ndihmonte të zhvillonte një dashuri të thellë për atë që mësonte.

HAPI 7​—Kërko ndihmë për ta kuptuar

▪ Perëndia nuk pret që ta kuptojmë plotësisht Fjalën e tij pa pasur ndihmë. Edhe Bibla pranon se përmban «disa gjëra të vështira për t’u kuptuar». (2 Pjetrit 3:16) Libri i Veprave përshkruan një zyrtar etiopas që nuk arrinte të kuptonte një pjesë të Biblës që po lexonte. Perëndia dërgoi një nga shërbëtorët e Tij që ta ndihmonte dhe si rrjedhim, etiopasi «vazhdoi udhën i gëzuar».​—Veprat 8:26-39.

Edhe ti mund të nxjerrësh më shumë dobi nga leximi i Biblës duke kërkuar ndihmë për të kuptuar atë që lexon. Për një studim falas të Biblës në shtëpi, kontakto Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde ose shkruaj në një nga adresat në faqen 4 të kësaj reviste.

[Shënimet]

^ par. 12 Përkthimi Bota e Re, i botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, është shtypur i gjithi ose pjesërisht në 83 gjuhë dhe mund të gjendet edhe në Internet në 11 gjuhë në adresën www.watchtower.org.

^ par. 15 Për më shumë informacione rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe se çfarë do të bëjë ajo, shih kapitullin 8 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 24 Nëse nuk e ke lexuar më parë Biblën, përpiqu të fillosh duke lexuar tregimin për shërbimin e Jezuit në librin e Markut, që përshkruhet me një ritëm të shpejtë.

^ par. 25 Libri Çfarë mëson vërtet Bibla? i ka ndihmuar shumë veta për një studim të Biblës sipas argumenteve. Për shembull, kapitulli 17 shqyrton se çfarë thonë Shkrimet për argumentin e lutjes.