Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të qëndrojë toka përgjithmonë?

A do të qëndrojë toka përgjithmonë?

Lexuesit pyesin

A do të qëndrojë toka përgjithmonë?

Toka, planeti ynë, nuk do të shkatërrohet nga ndonjë katastrofë. Pse jemi të sigurt për këtë? Sepse Perëndia ka premtuar se toka «nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës». (Psalmi 104:5) Edhe pse «një brez shkon dhe një brez tjetër vjen», Bibla thotë se «toka qëndron përjetë».—Eklisiastiu 1:4.

Te Psalmi 104:5 theksohet se toka do të qëndrojë përgjithmonë. Kjo duket nga dy fjalë të hebraishtes origjinale që përdoren në këtë varg: ʽohlám, që është përkthyer «asnjëherë» dhe ʽadh, që është përkthyer «kurrën e kurrës». Fjala ʽohlám mund të përkthehet «shumë vjet» ose «i përjetshëm». Sipas një fjalori të Harkavit (Students’ Hebrew and Chaldee Dictionary), fjala ʽadh do të thotë «vazhdimësi, përjetësi, përgjithmonë». Këto dy fjalë hebraike e theksojnë edhe më shumë se toka do të qëndrojë përgjithmonë. Të shqyrtojmë tri arsye të tjera të bazuara në Bibël që na bindin se toka do të qëndrojë përgjithmonë.

Së pari, Perëndia e bëri tokën që të banonin njerëzit—të ishte një parajsë e lulëzuar dhe e këndshme, e jo një vend i shkretë. Tek Isaia 45:18 Jehovai përshkruhet si «Krijuesi i qiejve, Ai që është Perëndia i vërtetë, Formuesi i tokës dhe Bërësi i saj, Ai që e ka bërë të patundshme, që nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej».

Së dyti, Perëndia ka premtuar prej kohësh se njerëzit që zgjedhin t’i binden do të banojnë në tokë përgjithmonë e në paqe. Te Mikea 4:4 bëhet ky premtim: «Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë, sepse Jehovai i ushtrive ka folur me gojën e tij.» Pra, sipas premtimit të Perëndisë, toka duhet të qëndrojë përgjithmonë si shtëpia e njerëzimit, përndryshe premtimet e tij do të ishin pa vlerë.—Psalmi 119:90; Isaia 55:11; 1 Gjonit 2:17.

Së treti, Perëndia i ka besuar njeriut përgjegjësinë që të kujdeset për tokën. Fjala e Perëndisë thotë: «Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.» (Psalmi 115:16) A mund të imagjinoni një baba të dashur që t’i japë fëmijës një dhuratë të bukur, e më pas të kthehet e t’ia shkatërrojë? Patjetër që jo! Po kështu, as Jehovai nuk do ta shkatërrojë tokën dhe ata që banojnë në të, sepse «Perëndia është dashuri».—1 Gjonit 4:8.

Jezu Krishti dha këtë siguri për gjërat që kishte thënë Ati i tij: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Dhe, Perëndia, që nuk mund të gënjejë, premton: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29; Titit 1:2.

[Burimi i figurës në faqen 31]

Rruzulli: Bazuar në një fotografi të NASA-s