Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 ARTIKULLI I STUDIMIT 10

T’i ndihmojmë së bashku studentët të përparojnë drejt pagëzimit

T’i ndihmojmë së bashku studentët të përparojnë drejt pagëzimit

«Kur çdo gjymtyrë funksionon siç duhet, trupi rritet.»—EFES. 4:16.

KËNGA 85 I mbajmë krahët hapur për njëri-tjetrin

PËRMBLEDHJE *

1-2. Cilët mund të ndihmojnë që një student të përparojë drejt pagëzimit?

«MA KËNAQTE zemrën ajo që po mësoja në studimin e Biblës,—thotë Ami, që jeton në Fixhi.—E dija se ishte e vërteta. Por vetëm pasi fillova të shoqërohesha me vëllezërit e motrat, bëra ndryshimet e nevojshme dhe përparova drejt pagëzimit.» Rasti i Amit nxjerr në pah këtë të vërtetë të rëndësishme: një student i Biblës ka më shumë të ngjarë të përparojë drejt pagëzimit kur e ndihmojnë të gjithë në kongregacion.

2 Çdo lajmëtar mund të japë një dorë në rritjen e kongregacionit. (Efes. 4:16) Ja ç’thotë Lejlani, një pioniere që jeton në Vanuatu: «Një proverb thotë se duhet një fshat i tërë për të rritur një fëmijë. Mendoj se kjo është e vërtetë edhe kur bëjmë dishepuj; zakonisht duhet një kongregacion i tërë që dikush të përqafojë të vërtetën.» Familjarët, miqtë dhe mësuesit luajnë të gjithë rolin e tyre që fëmija të bëhet një i rritur i pjekur. Këtë e bëjnë duke e inkurajuar e duke i dhënë mësime të rëndësishme. Po njësoj, lajmëtarët mund t’u japin këshilla, t’i inkurajojnë dhe t’u lënë një shembull të mirë studentëve, duke i ndihmuar kështu të përparojnë drejt pagëzimit.—Prov. 15:22.

3. Çfarë mëson nga komentet e Anës, Dorinit dhe Lejlanit?

3 Pse ai që drejton studimin duhet ta mirëpresë ndihmën që mund t’i japin studentit lajmëtarët e tjerë? Ja ç’thotë Ana, një pioniere speciale në Moldavi: «Është goxha e vështirë që një njeri i vetëm t’i përmbushë të gjitha  nevojat që ka studenti kur fillon të përparojë.» Dorini, një pionier special në të njëjtin vend, thotë: «Shpesh lajmëtarët e tjerë thonë diçka që i prek zemrën studentit, diçka që mua s’do të më kishte shkuar kurrë në mendje.» Lejlani përmend një arsye tjetër: «Falë dashurisë dhe ngrohtësisë që i tregojnë vëllezërit e motrat, studenti mund të dallojë cilët janë të krishterët e vërtetë.»—Gjoni 13:35.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Por ndoshta vret mendjen: «Përderisa nuk e drejtoj unë studimin, si mund ta ndihmoj studentin të përparojë?» Le të shqyrtojmë çfarë mund të bëjmë kur dikush na fton ta shoqërojmë në një studim, si edhe kur studenti fillon të ndjekë mbledhjet. Do të shohim edhe si mund t’i ndihmojnë pleqtë studentët që të përparojnë drejt pagëzimit.

KUR SHOQËRON DIKË NË NJË STUDIM

Kur të ftojnë në një studim, përgatite materialin që do të shqyrtohet (Shih paragrafët 5-7)

5. Cili është roli yt kur dikush të fton në një studim?

5 Gjatë studimit, përgjegjësinë kryesore për ta ndihmuar studentin të kuptojë Fjalën e Perëndisë e ka mësuesi. Nëse ai të fton ta shoqërosh në studim, duhet ta shohësh veten si bashkëpunëtorin e tij dhe duhet ta mbështetësh. (Ekl. 4:9, 10) Por, çfarë mund të bësh konkretisht që ta ndihmosh gjatë studimit?

6. Si mund ta zbatosh parimin e Proverbave 20:18 kur shoqëron dikë në një studim?

6 Përgatitu për studimin. Në fillim kërkoji mësuesit të të thotë ndonjë gjë për studentin. (Lexo Proverbat 20:18.) Mund ta pyesësh: «A më tregon diçka për studentin? Cilin mësim po studioni? Çfarë ke dëshirë t’i theksosh në këtë mësim? A ka diçka që nuk duhet të bëj ose të them gjatë studimit? Si mund ta inkurajoj studentin të përparojë?» Kuptohet, mësuesi nuk do të të tregojë informacione konfidenciale për studentin, por ato që do të të thotë, mund të të ndihmojnë ta mbështetësh. Një misionare që quhet Xhoi, bisedon për gjëra të tilla me lajmëtarët që e shoqërojnë në studime. Ajo thotë: «Këto biseda e ndihmojnë shoqen ose shokun e shërbimit të interesohet sinqerisht për studentin dhe të dijë si të më mbështetë gjatë studimit.»

7. Pse duhet të përgatitesh kur shoqëron dikë në një studim?

7 Nëse të ftojnë në një studim, është mirë ta përgatitësh materialin që do të diskutohet. (Ezd. 7:10) Dorini, vëllai që u përmend më sipër, thotë: «E vlerësoj kur shoku im i shërbimit përgatitet për  studimin. Kështu ka mundësi të japë një ndihmë domethënëse.» Veç kësaj, studenti do ta vërejë se të dy jeni të përgatitur mirë, dhe ky do të jetë një shembull i bukur për të. Nëse nuk ke mundësi të përgatitesh mirë për materialin, të paktën lër kohë që t’i fiksosh në mendje pikat kryesore.

8. Çfarë mund të bësh që lutja jote në një studim të jetë domethënëse?

8 Lutja është pjesë e rëndësishme e studimit. Prandaj mendo që më parë se ç’do të thuash nëse mësuesi të kërkon të bësh një lutje. Kështu ka shumë të ngjarë që lutja jote të jetë më domethënëse. (Psal. 141:2) Hana, që jeton në Japoni, i kujton akoma lutjet e një motre që shoqëronte mësuesen e saj të Biblës. Ajo tregon: «Vëreja sa e fortë ishte miqësia e saj me Jehovain dhe doja të isha si ajo. Ndieja edhe se më kishte për zemër, ngaqë përdorte emrin tim në lutje.»

9. Sipas Jakovit 1:19, si mund të jesh një shok a shoqe e mirë shërbimi gjatë studimit?

9 Mbështete mësuesin gjatë studimit. Një pioniere speciale në Nigeri thotë: «Një shoqe e mirë shërbimi është e vëmendshme gjatë studimit. Bën komente të menduara mirë, por nuk flet tepër, sepse mban parasysh se ai që drejton, është mësuesi.» Si ta kuptosh kur të flasësh dhe çfarë të thuash gjatë studimit? (Prov. 25:11) Dëgjo me vëmendje ndërsa mësuesi bisedon me studentin. (Lexo Jakovin 1:19.) Vetëm atëherë do të jesh gati ta ndihmosh nëse lind nevoja. S’do mend, duhet të përdorësh gjykim të mirë. Për shembull, nuk duhet të flasësh tepër, as ta ndërpresësh mësuesin kur shpjegon diçka e as të kalosh në një temë tjetër. Megjithatë, me një koment të shkurtër, ilustrim a pyetje mund të ndihmosh që studenti ta ketë më të qartë një pikë. Ndonjëherë mund të ndihesh sikur nuk ke çfarë të shtosh për atë argument. Por nëse e lavdëron studentin dhe interesohesh për të, do ta ndihmosh shumë të përparojë.

10. Si mund ta ndihmosh studentin duke i treguar diçka për veten?

10 Trego diçka për veten. Nëse është e përshtatshme, mund t’i tregosh shkurtimisht studentit si e njohe të vërtetën, si përballove një sfidë ose si e ke parë dorën e Jehovait në jetën tënde. (Psal. 78:4, 7) Kjo mund të jetë fiks ajo që ka nevojë të dëgjojë studenti. Mund t’ia forcojë besimin ose mund ta inkurajojë të përparojë drejt pagëzimit. Mbase mund ta ndihmojë të dijë si të përballojë një problem që po has. (1 Pjet. 5:9) Gabrieli, që jeton në Brazil dhe që tani  shërben si pionier, kujton çfarë e ndihmoi gjatë kohës që studionte. Ai thotë: «Ndërsa dëgjoja historitë e vëllezërve, kuptova se Jehovai e di mirë çfarë vështirësish heqim. E nëse ata ia kishin dalë t’i kapërcenin problemet, edhe unë mund t’ia dilja.»

KUR STUDENTI NDJEK MBLEDHJET

Të gjithë ne mund ta inkurajojmë studentin të vazhdojë t’i ndjekë mbledhjet (Shih paragrafin 11)

11-12. Pse duhet ta mirëpresim me ngrohtësi një student që ndjek mbledhjet?

11 Që të përparojë drejt pagëzimit, një student duhet t’i ndjekë rregullisht mbledhjet dhe të nxjerrë dobi prej tyre. (Hebr. 10:24, 25) Zakonisht studenti vjen për herë të parë në mbledhje pasi e ka ftuar mësuesi. E pas kësaj, të gjithë ne mund ta inkurajojmë të vazhdojë të vijë në Sallën e Mbretërisë. Si mund ta bëjmë këtë?

12 Mirëprite me ngrohtësi studentin. (Rom. 15:7) Nëse ndihet i mirëpritur në mbledhje, studenti mund të ketë dëshirë të vijë përsëri në Sallën e Mbretërisë. Pa i zënë frymën me shprehje përzemërsie, përshëndete me ngrohtësi dhe prezantoje me të tjerët. Mos e fli mendjen se po kujdeset ndonjë tjetër për të; mësuesi i tij mund të mos ketë ardhur akoma ose mund të jetë i zënë me përgjegjësi të tjera. Dëgjoje me vëmendje dhe trego interes për të. Si mund të ndikojë te studenti mikpritja jote e ngrohtë? Mendo për shembullin e Dimitrit, i cili u pagëzua para pak vitesh e tani është shërbëtor kongregacioni. Ja ç’thotë kur kujton mbledhjen e tij të parë: «Një vëlla më pa duke pritur gjithë siklet jashtë Sallës së Mbretërisë dhe me dashamirësi më shoqëroi brenda. Shumë veta erdhën të më përshëndetnin. Kjo më bëri goxha përshtypje. U ndjeva aq mirë sa doja të kishim mbledhje çdo ditë të javës. Nuk kisha provuar kurrë, në asnjë vend, diçka të tillë.»

13. Si mund të ndikojë sjellja jote te studenti?

13 Lër një shembull të mirë. Sjellja jote mund t’ia forcojë bindjen studentit se ka gjetur të vërtetën. (Mat. 5:16) Vitali, që tani shërben si pionier në Moldavi, thotë: «Vëreja si jetonin, si silleshin dhe si mendonin vëllezërit e motrat në kongregacion. Kjo më bindi se Dëshmitarët e Jehovait janë feja e vërtetë.»

14. Si mund ta ndihmojë shembulli yt studentin të përparojë?

14 Që të kualifikohet për pagëzim, studenti duhet ta zbatojë atë që mëson. Kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Ama kur sheh si po nxjerr dobi ti nga zbatimi i parimeve të Biblës, ka shumë  të ngjarë t’i lindë dëshira të të imitojë. (1 Kor. 11:1) Të shohim si u ndie Hana, e përmendur më sipër. Ajo tregon: «Vëllezërit e motrat ishin shembuj të gjallë të asaj që po mësoja. Kuptova si të inkurajoja, të falja e të tregoja dashuri edhe unë. Ata flitnin gjithmonë mirë për të tjerët. Doja të imitoja shembullin e tyre.»

15. Sipas Proverbave 27:17, pse duhet të miqësohemi me një student që ndjek mbledhjet?

15 Miqësohu me studentin. Ndërsa studenti ndjek mbledhjet, vazhdo të tregosh interes për të. (Filip. 2:4) Pse të mos bisedosh me të? Pa futur hundët në gjëra personale, mund ta lavdërosh për ndonjë ndryshim që ka bërë ose mund ta pyesësh për studimin, familjen a punën. Këto biseda mund t’ju afrojnë me njëri-tjetrin. E kur bëhesh mik me studentin, mund ta ndihmosh të përparojë drejt pagëzimit. (Lexo Proverbat 27:17.) Hana shërben tani si pioniere e rregullt. Teksa kujton kohën kur filloi të ndiqte mbledhjet, thotë: «Ndërsa zija miqësi të reja në kongregacion, mezi i prisja mbledhjet dhe shkoja edhe kur isha e lodhur. Më pëlqente të rrija me miqtë e mi të rinj, dhe kjo më ndihmoi të ndërprisja miqësinë me ata që nuk kishin të njëjtat bindje si unë. Doja të afrohesha më shumë me Jehovain dhe me vëllezërit e motrat, prandaj vendosa të pagëzohesha.»

16. Çfarë mund të bësh tjetër që studenti të ndihet pjesë e kongregacionit?

16 Ndërsa studenti bën ndryshime dhe përparon, ndihmoje të ndihet pjesë e kongregacionit. Mund ta bësh këtë duke treguar mikpritje. (Hebr. 13:2) Denisi, që shërben në Moldavi, kujton kohën kur studionte Biblën. Ai thotë: «Herë pas here, vëllezërit më ftonin bashkë me gruan që të kalonim ca kohë me ta. Na tregonin si i kishte ndihmuar Jehovai dhe kjo na jepte zemër. Ato raste na forcuan dëshirën për t’i shërbyer Jehovait dhe na siguruan se na priste një jetë fantastike në shërbimin e tij.» Pasi studenti të kualifikohet si lajmëtar, mund ta ftosh edhe të dilni bashkë në shërbim. Diego, një lajmëtar nga Brazili, thotë: «Shumë vëllezër më ftonin të dilja me ta në shërbim. Kjo ishte mënyra më e mirë për t’i njohur nga afër. E ndërsa i njihja më mirë, mësova shumë dhe ndihesha më afër Jehovait e Jezuit.»

SI MUND TË NDIHMOJNË PLEQTË?

Pleq, dashuria dhe interesimi juaj mund ta ndihmojë studentin të përparojë (Shih paragrafin 17)

17. Si mund t’i ndihmojnë pleqtë studentët?

17 Gjej kohë për studentët. Dashuria dhe meraku yt si plak mund t’i ndihmojë studentët të përparojnë drejt pagëzimit. A  mund ta bësh zakon të bisedosh me ta në mbledhje? Studentët do ta ndiejnë se interesohesh për ta nëse u kujton emrin, sidomos kur fillojnë të bëjnë komente. A mund të gjesh kohë herë pas here në programin tënd që të shoqërosh një lajmëtar kur drejton një studim? Kjo mund ta ndihmojë studentin shumë më tepër nga ç’mund të imagjinosh. Xheki, një pioniere që jeton në Nigeri, thotë: «Shumë studentë mbeten gojëhapur kur marrin vesh se vëllai që më shoqëronte në studim, është plak kongregacioni. Një student tha: ‘Pastori im nuk do ta bënte kurrë këtë. Ai viziton vetëm të pasurit, e madje vetëm nëse e paguajnë!’» Ky student tani ndjek mbledhjet.

18. Si mund ta përmbushin pleqtë përgjegjësinë që u është besuar? (Veprat 20:28)

18 Stërvit dhe inkurajo mësuesit. Si plak, ke përgjegjësinë e madhe që t’i ndihmosh lajmëtarët të jenë të efektshëm kur predikojnë e mësojnë të tjerët. (Lexo Veprat 20:28.) Nëse dikush ka siklet ta drejtojë studimin në praninë tënde, tregohu i gatshëm ta drejtosh ti. Xheki, që u përmend më sipër, thotë: «Pleqtë më pyesin shpesh për studentët e mi. Kur has vështirësi ndërsa drejtoj një studim, ata më ofrojnë këshilla praktike.» Pleqtë mund të bëjnë shumë për t’i inkurajuar mësuesit e për t’i nxitur të ngulmojnë. (1 Sel. 5:11) Xheki shton: «Kënaqem kur pleqtë më japin zemër dhe më thonë se i çmojnë përpjekjet e mia. Fjalë të tilla më freskojnë si një gotë me ujë të ftohtë në një ditë të nxehtë vere. Lavdërimet e tyre më bëjnë me krahë dhe më japin më shumë siguri ndërsa drejtoj studime.»—Prov. 25:25.

19. Çfarë gëzimi mund të provojmë të gjithë ne?

19 Edhe nëse për momentin nuk po drejtojmë një studim, prapë mund ta ndihmojmë dikë të përparojë drejt pagëzimit. Pa folur tepër, gjatë studimit mund ta mbështetim mësuesin me komentet tona të përgatitura mirë. Kur studentët vijnë në Sallën e Mbretërisë, mund të miqësohemi me ta dhe mund t’u lëmë një shembull të mirë. Pleqtë mund t’i inkurajojnë studentët duke gjetur kohë për ta; mund t’u japin zemër edhe mësuesve duke i stërvitur e duke i lavdëruar. Vërtet, s’ka gëzim më të madh se të ndihmojmë sadopak dikë që të dojë Atin tonë, Jehovain, dhe t’i shërbejë!

KËNGA 79 Ndihmoji të jenë të pathyeshëm

^ par. 5 Jo të gjithë ne po drejtojmë një studim për momentin. Ama të gjithë mund ta ndihmojmë një student të përparojë drejt pagëzimit. Në këtë artikull do të shohim si mund të ndihmojë secili nga ne që studenti ta arrijë këtë synim.