Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 ARTIKULLI I STUDIMIT 13

Si të mbron Jehovai?

Si të mbron Jehovai?

«Zotëria është besnik dhe do t’ju forcojë e do t’ju mbrojë nga i Ligu.»—2 SEL. 3:3.

KËNGA 124 Përherë besnik

PËRMBLEDHJE *

1. Pse i kërkoi Jezui Jehovait t’i mbronte dishepujt e tij?

NATËN e fundit të jetës në tokë, Jezui po mendonte për vështirësitë që do të hasnin dishepujt. I shtyrë nga dashuria për miqtë e tij, Jezui i kërkoi Atit ‘t’i mbronte nga i Ligu’. (Gjoni 17:14, 15) Jezui e dinte se pasi të kthehej në qiell, Satana Djalli do të vazhdonte të luftonte këdo që donte t’i shërbente Jehovait. Prandaj, shërbëtorët e Jehovait do të kishin nevojë për mbrojtje.

2. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona?

2 Jehovai iu përgjigj lutjes së Jezuit nga dashuria për Birin e Tij. Nëse përpiqemi me gjithë shpirt ta kënaqim Jehovain, ai do të na dojë edhe ne e do t’u kushtojë vëmendje lutjeve tona për ndihmë e mbrojtje. Si një Kryefamiljar i dhembshur, Jehovai do të vazhdojë të kujdeset me dashuri për fëmijët e tij. Po të mos e bënte këtë, do të njollosej vetë emri ose reputacioni i tij!

3. Pse kemi nevojë për mbrojtjen e Jehovait sot?

3 Kemi nevojë për mbrojtjen e Jehovait si kurrë më parë. Satanai është flakur nga qielli dhe ka «zemërim të madh». (Zbul. 12:12) Ai ka arritur t’ua mbushë mendjen disave që na përndjekin se po i bëjnë «shërbim të shenjtë Perëndisë». (Gjoni 16:2) Të tjerë, që nuk besojnë te Perëndia, na përndjekin ngaqë nuk modelohemi sipas kallëpit të botës. Cilido qoftë shkaku, ne e kemi zemrën të qetë dhe nuk frikësohemi. Pse? Sepse Fjala e Perëndisë thotë: «Zotëria është besnik dhe do t’ju forcojë e do t’ju mbrojë nga i Ligu.» (2 Sel. 3:3) Si na mbron Jehovai? Le të ndalemi te dy mënyra.

JEHOVAI TË JEP NJË ARMATURË

4. Sipas Efesianëve 6:13-17, çfarë na ka dhënë Jehovai për të na mbrojtur?

4 Jehovai na ka pajisur me një armaturë që mund të na  mbrojë nga sulmet e Satanait. (Lexo Efesianëve 6:13-17.) Kjo armaturë është e fortë dhe siguron mbrojtje të plotë. Ama ajo do të na mbrojë vetëm nëse veshim çdo pjesë të saj—dhe e mbajmë veshur. Çfarë përfaqëson secila pjesë e armaturës? Le t’i shohim një nga një.

5. Çfarë është brezi i së vërtetës, dhe pse duhet ta veshim?

5 Brezi i së vërtetës përfaqëson të vërtetat që përmban Fjala e Perëndisë, Bibla. Pse duhet ta veshim këtë brez? Sepse Satanai është «ati i gënjeshtrës». (Gjoni 8:44) Ai ka mijëra vjet që praktikon gënjeshtrën dhe ka mashtruar «gjithë tokën e banuar»! (Zbul. 12:9) Por të vërtetat që përmban Bibla, na mbrojnë që të mos mashtrohemi prej tij. Si e veshim këtë brez simbolik? Duke mësuar të vërtetën për Jehovain, duke e adhuruar «me frymë dhe të vërtetë» e duke u sjellë me ndershmëri në çdo gjë.—Gjoni 4:24; Efes. 4:25; Hebr. 13:18.

Brezi: Të vërtetat që përmban Fjala e Perëndisë

6. Çfarë është parzmorja e drejtësisë, dhe pse duhet ta veshim?

6 Parzmorja e drejtësisë përfaqëson standardet e drejta të Jehovait. Pse duhet ta veshim këtë parzmore? Ashtu si një parzmore që i mbron zemrën ushtarit, parzmorja e drejtësisë mbron zemrën tonë të figurshme nga ndikimet korruptuese të kësaj bote. (Prov. 4:23) Jehovai pret ta duam dhe t’i shërbejmë me gjithë zemër. (Mat. 22:36, 37) Por Satanai nuk e do këtë, prandaj, që të na përçajë zemrën, na nxit të duam gjërat që ofron bota dhe që Jehovai i urren. (Jak. 4:4; 1 Gjon. 2:15, 16) Dhe nëse kjo taktikë nuk bën punë, përdor presionet për të na shtyrë të bëjmë diçka që bie ndesh me standardet e Jehovait.

Parzmorja: Standardet e drejta të Jehovait

7. Si e veshim parzmoren e drejtësisë?

7 E veshim parzmoren e drejtësisë kur i pranojmë standardet e Jehovait për të drejtën dhe të gabuarën dhe kur jetojmë sipas tyre. (Psal. 97:10) Disave mund t’u duken kufizuese standardet e Jehovait. Por po të mos jetojmë më sipas parimeve të Biblës, do të ishim si një ushtar që e heq parzmoren në zjarrin e betejës thjesht ngaqë i duket tepër e rëndë. Do të ishte vërtet një marrëzi! Ama, për ata që e duan Jehovain, urdhërimet e tij «nuk janë të rënda», por jetëshpëtuese.—1 Gjon. 5:3.

8. Çfarë do të thotë t’i kemi këmbët të mbathura me gatishmërinë për të shpallur lajmin e mirë?

8 Pavli na nxit edhe t’i kemi këmbët të mbathura me gatishmërinë për të shpallur lajmin e mirë të paqes. Me fjalë të tjera, duhet të jemi gjithnjë gati të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë. Kur u japim të tjerëve mesazhin e Biblës, besimi ynë forcohet. Na gëzon zemra kur shohim se si shërbëtorët e Jehovait anekënd botës shfrytëzojnë çdo mundësi për të predikuar lajmin e mirë—në punë, në shkollë, në territor tregtar dhe ndërsa predikojnë shtëpi më shtëpi, dalin për pazar, shkojnë për vizitë te të afërmit, bëjnë muhabet me të njohurit, e madje edhe kur janë të detyruar të mos dalin nga shtëpia për njëfarë kohe. Po të na paralizojë frika e të mos predikojmë më, do të ishim si një ushtar që i heq sandalet gjatë betejës. Ai mund të plagoset fare kollaj në këmbë. Si pasojë nuk i ndjek dot urdhrat e komandantit dhe ka më shumë rrezik të bëhet viktimë e luftës.

Sandalet: Gatishmëria për të predikuar lajmin e mirë

9. Pse duhet ta mbajmë fort mburojën e madhe të besimit?

9 Mburoja e madhe e besimit paraqet  besimin tonë te Jehovai. Kemi besim se ai do t’i plotësojë të gjitha premtimet. Ky besim do të na ndihmojë ‘të shuajmë të gjitha shigjetat e zjarrta të të Ligut’. Pse duhet ta mbajmë fort këtë mburojë të madhe? Sepse na mbron që të mos gënjehemi nga mësimet e apostatëve ose të mos shkurajohemi nga komentet therëse të njerëzve cinikë. Pa besim, nuk do të kemi forcë të rezistojmë kur të tjerët të përpiqen të na mbushin mendjen që t’i shpërfillim standardet e Jehovait. Nga ana tjetër, sa herë që veprojmë me guxim sipas bindjeve tona kur jemi në punë a në shkollë, po e mbajmë fort mburojën. (1 Pjet. 3:15) Sa herë që refuzojmë një punë me pagë më të lartë që do të na pengonte të jepnim më të mirën në adhurimin e Jehovait, po e mbajmë fort mburojën. (Hebr. 13:5, 6) Dhe sa herë që i shërbejmë Jehovait përballë kundërshtimit, po na mbron mburoja jonë e besimit.—1 Sel. 2:2.

Mburoja: Besimi që kemi te Jehovai dhe te premtimet e tij

10. Çfarë është helmeta e shpëtimit, dhe pse duhet ta mbajmë veshur?

10 Helmeta e shpëtimit është shpresa që  na jep Jehovai—shpresa se ai do të na çlirojë nga vdekja dhe do të shpërblejë këdo që bën vullnetin e tij. (1 Sel. 5:8; 1 Tim. 4:10; Titit 1:1, 2) Ashtu si një helmetë që i mbron kokën një ushtari, shpresa e shpëtimit na mbron aftësinë për të menduar. Në ç’mënyrë? Kjo shpresë na e mban mendjen të përqendruar te premtimet e Perëndisë dhe na ndihmon të mos mbytemi nga problemet, por t’i shohim nga këndvështrimi i duhur. Si e veshim këtë helmetë? Duke vazhduar t’i përputhim mendimet dhe ndjenjat tona me ato të Perëndisë. Për shembull, ne nuk i varim shpresat te pasuria e pasigurt, por te Perëndia.—Psal. 26:2; 104:34; 1 Tim. 6:17.

Helmeta: Shpresa e jetës së përhershme

11. Çfarë është shpata e frymës, dhe pse duhet ta përdorim?

11 Shpata e frymës është Fjala e Perëndisë, Bibla. Kjo shpatë ka fuqinë të nxjerrë në shesh çdo gënjeshtër e t’i çlirojë njerëzit nga skllavëria e mësimeve të rreme dhe e veseve të dëmshme. (2 Kor. 10:4, 5; 2 Tim. 3:16, 17; Hebr. 4:12) Mësojmë ta përdorim siç duhet këtë shpatë falë studimit personal dhe stërvitjes që na jep organizata e Perëndisë. (2 Tim. 2:15) Përveç kësaj armature, Jehovai na siguron edhe një mbrojtje tjetër të fuqishme. Cila është ajo?

Shpata: Fjala e Perëndisë, Bibla

TI NUK PO LUFTON I VETËM

12. Për çfarë tjetër kemi nevojë, dhe pse?

12 Një ushtar me përvojë e di se nuk mund t’ia dalë i vetëm kundër një ushtrie të madhe; ka nevojë për ndihmën e ushtarëve të tjerë. Po njësoj, ne nuk mund ta fitojmë të vetëm luftën kundër Satanait dhe pasuesve të tij; kemi nevojë për mbështetjen e vëllezërve dhe motrave. Jehovai na ka dhënë një ‘vëllazëri’ mbarëbotërore që është gati të na bëhet krah.—1 Pjet. 2:17, shën.

13. Sipas Hebrenjve 10:24, 25, si nxjerrim dobi kur ndjekim mbledhjet?

13 Një mënyrë si e provojmë këtë mbështetje është duke ndjekur mbledhjet. (Lexo Hebrenjve 10:24, 25.) Kur ndihemi të shkurajuar, siç na ndodh të gjithëve hera-herës, mbledhjet mund të na e ngrohin shpirtin. Na inkurajojnë komentet nga zemra të vëllezërve e motrave. Fjalimet dhe demonstrimet e tyre të bazuara te Bibla na e forcojnë vendosmërinë për t’i shërbyer Jehovait. Edhe bisedat e bukura me ta para dhe pas mbledhjes na japin zemër. (1 Sel. 5:14) Veç kësaj, mbledhjet na japin mundësi të provojmë gëzimin që vjen kur ndihmojmë të tjerët. (Vep. 20:35; Rom. 1:11, 12) Mbledhjet na ndihmojnë edhe në mënyra të tjera. Ato, si të thuash, na bëjnë më të zotë për të luftuar duke na armatosur mirë për shërbimin. Për shembull, mësojmë të përdorim me mjeshtëri Çantën e mjeteve mësimore. Prandaj përgatitu mirë për mbledhjet e kongregacionit. Gjatë mbledhjes, dëgjo me vëmendje. Pas mbledhjes, zbatoje stërvitjen që more. Kështu do të bëhesh «ushtar i shkëlqyer i Krishtit Jezu».—2 Tim. 2:3.

14. Ndihmën e kujt tjetër kemi?

14 Kemi edhe mbështetjen e miliona engjëjve të fuqishëm. Kujto çfarë mund të bëjë një engjëll i vetëm. (Isa. 37:36) Imagjino, pra, çfarë mund të arrijë një ushtri e tërë engjëjsh! Nuk ka njeri a demon që mund të matet me ushtrinë e fuqishme të Jehovait! Një Dëshmitar besnik me Jehovain përkrah është shumica në çdo betejë. (Gjyk. 6:16) Mos ki pikë  dyshimi për këtë! Mbaji në mendje këto të vërteta kur ndihesh i frikësuar nga diçka që thotë a që bën ndonjë shok i punës, i shkollës ose një i afërm jobesimtar. Mos harro se nuk je vetëm në këtë luftë. Ti po ndjek udhëheqjen e Jehovait.

JEHOVAI DO TË VAZHDOJË TË TË MBROJË

15. Sipas Isaisë 54:15, 17, pse nuk na e mbyll dot gojën askush që të lëvdojmë Jehovain?

15 Kjo botë nën sundimin e Satanait ka plot arsye të na urrejë. Ne qëndrojmë krejtësisht asnjanës në politikë dhe nuk marrim armët. Bëjmë të njohur emrin e Perëndisë, predikojmë se Mbretëria e tij është e vetmja shpresë për paqen dhe jetojmë sipas normave të tij të drejta. Ne e demaskojmë sundimtarin e kësaj bote si një gënjeshtar dhe vrasës shpirtlig. (Gjoni 8:44) Gjithashtu njoftojmë se së shpejti bota e Satanait do të shkatërrohet. Sado urrejtje të shfrejnë Satanai dhe pasuesit e tij, nuk do të na e mbyllin dot kurrë gojën. Përkundrazi, ne do të vazhdojmë ta lëvdojmë Jehovain në çdo mënyrë të mundemi! Edhe pse është shumë i fuqishëm, Satanai nuk e ka penguar dot mesazhin për Mbretërinë të përhapet anekënd globit. Kjo është arritur vetëm falë mbrojtjes së Jehovait!—Lexo Isainë 54:15, 17.

16. Si do ta shpëtojë Jehovai popullin e tij gjatë shtrëngimit të madh?

16 Çfarë na pret së shpejti? Gjatë shtrëngimit të madh, Jehovai do të na shpëtojë në dy mënyra të mahnitshme. Së pari, do t’i shpëtojë shërbëtorët e tij besnikë gjatë periudhës kur do të shtyjë mbretërit e tokës të shkatërrojnë Babiloninë e Madhe, perandorinë e fesë së rreme. (Zbul. 17:16-18; 18:2, 4) Pastaj do ta shpëtojë popullin e tij kur të asgjësojë në Armagedon elementët e tjerë të botës së Satanait.—Zbul. 7:9, 10; 16:14, 16.

17. Si nxjerrim dobi kur qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain?

17 Kur qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain, Satanai nuk na shkakton dot asnjë dëm të përhershëm. Në fakt, ai që do të shkatërrohet një herë e përgjithmonë është Satanai. (Rom. 16:20) Prandaj vish armaturën e plotë nga Perëndia—dhe mbaje veshur! Mos u përpiq të luftosh i vetëm kundër Satanait dhe botës së tij. Mbështetu te vëllezërit e motrat. Gjithashtu ndiq udhëheqjen e Jehovait. Po t’i bësh këto, mund të jesh i sigurt se Ati yt i dashur do të të forcojë dhe do të të mbrojë.—Isa. 41:10.

KËNGA 149 Kënga e ngadhënjimit

^ par. 5 Bibla premton se Jehovai do të na forcojë e do të na mbrojë nga çdo gjë që mund të na dëmtojë miqësinë me të dhe nga çdo gjë tjetër që mund të na shkaktojë dëm të përhershëm. Në këtë artikull do t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve: Pse kemi nevojë për mbrojtje? Si na mbron Jehovai? Dhe çfarë duhet të bëjmë që ta provojmë dorën e tij në jetë?