Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 ARTIKULLI I STUDIMIT 12

Dashuria na ndihmon t’i bëjmë ballë urrejtjes

Dashuria na ndihmon t’i bëjmë ballë urrejtjes

«Këto gjëra po ju urdhëroj, që ta doni njëri-tjetrin. Nëse bota ju urren, ju e dini se para se t’ju urrente ju, më urreu mua.»—GJONI 15:17, 18.

KËNGA 129 Qëndrojmë të palëkundur

PËRMBLEDHJE *

1. Sipas Mateut 24:9, pse nuk duhet të çuditemi nëse bota na urren?

JEHOVAI na ka krijuar në mënyrë të tillë që të duam dhe të na duan. Prandaj kur dikush na urren, ndihemi të lënduar e ndoshta edhe të frikësuar. Për shembull, një motër që quhet Xhorxhina dhe jeton në Evropë, thotë: «Kur isha 14 vjeçe, mamaja filloi të më urrente ngaqë i shërbeja Jehovait. Ndihesha e përbuzur dhe e vetmuar e nisa të dyshoja se mos isha njeri i keq.» * Një vëlla që quhet Danilo, shkruan: «Ndërsa ushtarët më rrihnin, më ofendonin dhe më kërcënonin ngaqë isha Dëshmitar i Jehovait, ndihesha i frikësuar dhe i poshtëruar.» Një urrejtje e tillë na lëndon, por nuk na çudit. Jezui e paratha se bota do të na urrente.—Lexo Mateun 24:9.

2-3. Pse i urren bota dishepujt e Jezuit?

2 Pse i urren bota dishepujt e Jezuit? Sepse, ashtu si Jezui, ne ‘nuk jemi pjesë’ e saj. (Gjoni 15:17-19) Prandaj, ndërkohë që i respektojmë qeveritë njerëzore, nuk i adhurojmë kurrsesi as ato, as simbolet që i përfaqësojnë. Ne adhurojmë vetëm Jehovain. Mbështetim të drejtën e Perëndisë për të qeverisur mbi njerëzimin—një e drejtë që Satanai dhe ‘pasardhësi’ i tij e mohojnë me forcë. (Zan. 3:1-5, 15) Ne predikojmë se Mbretëria e Perëndisë është shpresa e vetme për problemet e njerëzimit dhe se së shpejti do të asgjësojë të gjithë ata që i kundërvihen. (Dan. 2:44; Zbul. 19:19-21) Për zemërbutët, ky mesazh është lajm i mirë, kurse për të ligjtë është lajm i keq.—Psal. 37:10, 11.

3 Bota na urren edhe ngaqë jetojmë sipas normave të drejta të Perëndisë. Normat e tij ndryshojnë si dita  me natën nga morali i degraduar i botës. Për shembull, sot shumë veta miratojnë haptas sjellje imorale të rënda si ato për të cilat Perëndia shkatërroi Sodomën dhe Gomorrën. (Jud. 7) Ngaqë u bindemi normave të Biblës për sjellje të tilla, shumë veta na tallin dhe na quajnë jotolerantë.—1 Pjet. 4:3, 4.

4. Cilat cilësi na japin forcë kur njerëzit na urrejnë?

4 Çfarë mund të na japë forcë kur njerëzit na urrejnë e na ofendojnë? Na nevojitet besim i patundur se Jehovai do të na ndihmojë. Si një mburojë, besimi ynë mund ‘të shuajë të gjitha shigjetat e zjarrta të të Ligut’. (Efes. 6:16) Por besimi nuk mjafton. Kemi nevojë edhe për dashuri. Pse? Sepse dashuria «nuk provokohet». Ajo mban dhe i bën ballë çdo gjëje që na hap plagë. (1 Kor. 13:4-7, 13) Le të shohim se si dashuria për Jehovain, dashuria për vëllezërit e motrat, e madje edhe dashuria për armiqtë na ndihmojnë t’i bëjmë ballë urrejtjes.

DASHURIA PËR JEHOVAIN NA JEP FORCË PËRBALLË URREJTJES

5. Për çfarë i dha forcë Jezuit dashuria për Atin e tij?

5 Natën para se ta vritnin armiqtë, Jezui u tha dishepujve besnikë: «Unë e dua Atin, [prandaj] po bëj ashtu si Ati më ka urdhëruar.» (Gjoni 14:31) Dashuria për Jehovain i dha forcë Jezuit përballë sprovave që e pritnin. Dashuria për Jehovain mund të na japë edhe neve forcë që t’u bëjmë ballë sprovave.

6. Sipas Romakëve 5:3-5, si ndihen shërbëtorët e Jehovait kur përballen me urrejtjen e botës?

6 Dashuria për Jehovain i ka ndihmuar gjithnjë shërbëtorët e tij të qëndrojnë të fortë përballë përndjekjes. Për shembull, kur gjykata e lartë judaike i urdhëroi apostujt të mos predikonin më, dashuria për Perëndinë i shtyu ‘t’i bindeshin Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve’. (Vep. 5:29; 1 Gjon. 5:3) Edhe sot, kjo dashuri e pathyeshme u jep forcë vëllezërve tanë, shumë prej të cilëve po qëndrojnë të patundur para përndjekjes nga qeveri të fuqishme e mizore. Në vend që të shkurajohemi, e shohim si një privilegj të përballojmë urrejtjen e botës.—Vep. 5:41; lexo Romakëve 5:3-5.

7. Si duhet të reagojmë kur njerëzit e shtëpisë na kundërvihen?

7 Ndoshta një nga sprovat më të vështira që hasim, është kundërshtimi nga njerëzit e shtëpisë. Kur fillojmë të interesohemi për të vërtetën, disa pjesëtarë të familjes mund të mendojnë se po na mashtrojnë. Të tjerë mund të mendojnë se kemi luajtur mendsh. (Krahaso Markun 3:21.) Madje mund të na kundërshtojnë me egërsi. Kjo nuk ka pse të na çuditë. Jezui tha: «Armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet.» (Mat. 10:36) Patjetër, sido që të na shohin të afërmit, nuk i trajtojmë kurrsesi si armiqtë tanë. Përkundrazi, sa më shumë na shtohet dashuria për Jehovain, aq më shumë na shtohet edhe dashuria për njerëzit. (Mat. 22:37-39) Ama nuk do të bëjmë kurrë kompromis me ligjet dhe parimet e Biblës vetëm për t’i bërë qejfin ndonjë njeriu.

Edhe pse mund të vuajmë për njëfarë kohe, Jehovain do ta kemi gjithnjë përkrah duke na ngushëlluar e duke na dhënë forcë (Shih paragrafët 8-10)

8-9. Çfarë e ndihmoi një motër të qëndronte e palëkundur me gjithë kundërshtimin e ashpër?

8 Xhorxhina, e përmendur më sipër, ia doli të qëndronte e palëkundur me gjithë kundërshtimin e ashpër nga mamaja. Ajo tregon: «Unë dhe mamaja nisëm të studionim Biblën me Dëshmitarët. Por gjashtë muaj më vonë, kur doja të ndiqja  mbledhjet, qëndrimi i mamasë ndryshoi kokë e këmbë. Zbulova se ajo lexonte informacione nga apostatët dhe i përdorte akuzat e tyre të rreme kur fliste me mua. Gjithashtu shpesh më fyente, më shkulte flokët, më kapte për fyti dhe më flakte literaturën. Kur mbusha 15 vjeç, u pagëzova. Që të më pengonte t’i shërbeja Jehovait, mamaja më futi në një institucion për adoleshente rebele, disa nga të cilat merrnin drogë dhe bënin krime. Është tepër e vështirë ta përballosh kundërshtimin kur vjen nga dikush që duhet të të dojë e të kujdeset për ty.»

9 Çfarë e ndihmoi Xhorxhinën të mos dorëzohej? Ajo thotë: «Ditën që mamaja nisi të më përndiqte, sapo kisha mbaruar leximin e gjithë Biblës. Tani isha plotësisht e bindur se kisha gjetur të vërtetën dhe ndihesha shumë afër Jehovait. I lutesha shpesh dhe ai më dëgjonte. Kur jetoja në institucion, një motër më ftoi në shtëpinë e saj dhe bëmë kërkime e studiuam Biblën bashkë. Gjatë asaj periudhe, merrja forcë edhe nga vëllezërit e motrat. Ata më trajtonin si pjesë e familjes së tyre. E provova vetë se Jehovai është më i fortë se kundërshtarët tanë, kushdo qofshin ata.»

10. Çfarë jemi të bindur se do të bëjë Perëndia ynë sa herë që vuajmë?

10 Apostulli Pavël shkroi se asgjë ‘nuk na ndan dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë’. (Rom. 8:38, 39) Edhe pse mund të vuajmë për njëfarë kohe, Jehovain do ta kemi gjithnjë përkrah duke na ngushëlluar e duke na dhënë forcë. E siç tregon rasti i Xhorxhinës, Jehovai na ndihmon edhe me anë të bashkëbesimtarëve të dashur që janë familja jonë.

DASHURIA PËR VËLLEZËRIT E MOTRAT NA JEP FORCË PËRBALLË URREJTJES

11. Si do t’i ndihmonte dishepujt dashuria për të cilën foli Jezui te Gjoni 15:12, 13? Jepni një shembull.

11 Natën para se të vdiste, Jezui u kujtoi dishepujve ta donin njëri-tjetrin. (Lexo Gjonin 15:12, 13.) E dinte se ajo dashuri vetëmohuese do t’i ndihmonte të qëndronin të bashkuar dhe t’i bënin ballë urrejtjes së botës. Të marrim rastin e kongregacionit në Selanik. Që nga koha kur u formua, pjesëtarët e tij u përballën  me përndjekje. Megjithatë, vëllezërit dhe motrat e Selanikut u bënë shembull integriteti e dashurie. (1 Sel. 1:3, 6, 7) Pavli i nxiti të vazhdonin të tregonin dashuri «në masë edhe më të plotë». (1 Sel. 4:9, 10) Dashuria do t’i motivonte të ngushëllonin të dëshpëruarit dhe të mbështetnin ata që po kalonin vështirësi. (1 Sel. 5:14) E selanikasit ia vunë veshin nxitjes së Pavlit, sepse në letrën e dytë, që e shkroi rreth një vit më vonë, Pavli u tha: «Dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po shtohet.» (2 Sel. 1:3-5) Dashuria i ndihmoi të përballonin peripecitë dhe përndjekjen.

Dashuria për njëri-tjetrin mund të na japë forcë të përballojmë urrejtjen e botës (Shih paragrafin 12) *

12. Si treguan dashuri për njëri-tjetrin vëllezërit e motrat në një vend në kohë lufte?

12 Të mendojmë për rastin e Danilos, që u përmend më sipër, dhe të gruas së tij. Kur qyteti i tyre u bë shesh lufte, ata vazhduan të ndiqnin mbledhjet, bënin çmos të predikonin dhe e ndanin me vëllezërit e motrat ushqimin që kishin. Një ditë, në shtëpinë e Danilos shkuan disa ushtarë të armatosur. Ai tregon: «Më kërkuan të hiqja dorë nga feja ime. Kur refuzova, më rrahën dhe bënë sikur do të më vritnin duke hapur zjarr mbi kokën time. Para se të iknin, më kërcënuan se do të ktheheshin e do të më përdhunonin gruan. Mirëpo vëllezërit vepruan me shpejtësi dhe na nisën me tren për në një qytet tjetër. S’kam për ta harruar kurrë dashurinë që treguan ata vëllezër të shtrenjtë. E kur arritëm në qytetin tjetër, vëllezërit atje na dhanë ushqime dhe na ndihmuan të gjenim punë e shtëpi. Si rezultat, patëm mundësi të strehonim Dëshmitarë të tjerë që largoheshin nga zona e luftës.» Histori si kjo tregojnë se dashuria për njëri-tjetrin mund të na japë forcë të përballojmë urrejtjen e botës.

DASHURIA PËR ARMIQTË NA JEP FORCË PËRBALLË URREJTJES

13. Si na ndihmon fryma e shenjtë të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait edhe kur njerëzit na urrejnë?

13 Jezui u tha dishepujve të tij t’i donin armiqtë. (Mat. 5:44, 45) A është e lehtë kjo? Aspak! Ama është e mundur me ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë. Fryti i frymës së Perëndisë përfshin dashurinë, si edhe durimin, zemërmirësinë, butësinë e vetëkontrollin. (Gal. 5:22, 23) Këto cilësi na ndihmojnë t’i bëjmë ballë  urrejtjes. Shumë kundërshtarë kanë ndryshuar qëndrim pasi burri, gruaja, fëmija ose një komshi Dëshmitar shfaqën cilësi të tilla. Madje shumë prej tyre janë bërë vëllezërit e motrat tona të dashura. Prandaj, nëse e ke të vështirë t’i duash ata që të urrejnë thjesht ngaqë i shërben Jehovait, lutu për frymë të shenjtë. (Luka 11:13) E mos ki fije dyshimi se po t’i bindesh Jehovait, do të kesh gjithmonë rezultatet më të mira.—Prov. 3:5-7.

14-15. Si e ndihmoi Jasminën Romakëve 12:17-21 të tregonte dashuri për të shoqin, ndonëse ai e kundërshtonte ashpër?

14 Të mendojmë për shembullin e Jasminës, që jeton në Lindjen e Mesme. Kur u bë Dëshmitare e Jehovait, i shoqi mendoi se Jasminën po e mashtronin dhe u përpoq ta pengonte që të mos i shërbente më Perëndisë. E fyente, si edhe nxiti të afërmit dhe një klerik e një magjistar që ta kërcënonin e ta akuzonin se po shkatërronte familjen. Madje shkoi në një mbledhje kongregacioni e filloi të shante vëllezërit. Jasmina qante shpesh për shkak të keqtrajtimeve.

15 Në Sallën e Mbretërisë, vëllezërit dhe motrat i jepnin zemër e forcë Jasminës. Pleqtë e nxitën të zbatonte atë që thuhet te Romakëve 12:17-21. (Lexoje.) Jasmina thotë: «E kisha të vështirë. Por i kërkova Jehovait të më ndihmonte dhe bëra çmos ta zbatoja atë që thotë Bibla. Kështu, kur im shoq e bënte pis kuzhinën tërë inat, unë e pastroja. Kur më fyente, përgjigjesha me butësi. E kur ishte sëmurë, kujdesesha për të.»

Kur tregojmë dashuri për ata që na përndjekin, mund t’u zbutim zemrën (Shih paragrafët 16-17) *

16-17. Çfarë të mëson shembulli i Jasminës?

16 Jasmina u shpërblye për dashurinë që tregonte ndaj të shoqit. Ajo thotë: «Burri filloi të kishte më shumë besim tek unë, se e dinte që do të thosha gjithnjë të vërtetën. Nisi të më dëgjonte me respekt kur bisedonim për fenë dhe pranoi të bënim paqe në familje. Tani ai më nxit të shkoj në mbledhje. Jeta jonë familjare është përmirësuar sa s’thuhet dhe mbizotëron një atmosferë paqësore. Shpresa ime është që im shoq ta hapë zemrën për të pranuar të vërtetën dhe një ditë t’i shërbejmë Jehovait së bashku.»

17 Shembulli i Jasminës tregon se dashuria «mban çdo gjë, . . . shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje». (1 Kor. 13:4, 7) Urrejtja  mund të ketë fuqi e mund të hapë plagë, por dashuria është shumë më e fuqishme. Ajo u fiton zemrën njerëzve dhe i gëzon zemrën Jehovait. Por edhe nëse kundërshtarët vazhdojnë të na urrejnë, prapë mund të jemi të lumtur. Pse?

TË LUMTUR EDHE KUR NA URREJNË

18. Pse mund të jemi të lumtur kur na urrejnë?

18 Jezui tha: «Lum ju kur njerëzit t’ju urrejnë.» (Luka 6:22) Ne nuk kemi qejf që të tjerët të na urrejnë. As nuk duam të bëhemi martirë. Atëherë, pse mund të jemi të lumtur kur na urrejnë? Ja tri arsye: së pari, kur nuk dorëzohemi përballë urrejtjes, fitojmë miratimin e Perëndisë. (1 Pjet. 4:13, 14) Së dyti, besimi ynë sprovohet, pasurohet dhe bëhet më i fortë. (1 Pjet. 1:7) E së treti, do të marrim një shpërblim që s’ka të çmuar—jetën e përhershme.—Rom. 2:6, 7.

19. Pse ishin të lumtur apostujt pasi i rrahën?

19 Pak pas ringjalljes së Jezuit, apostujt provuan atë lumturi për të cilën u kishte folur ai. Pasi i rrahën dhe i urdhëruan të mos predikonin më, ata u larguan nga Sinedri të gëzuar. Pse? «Sepse ishin quajtur të denjë të çnderoheshin për emrin [e Jezuit].» (Vep 5:40-42) Dashuria për Zotërinë e tyre ishte më e fortë se frika nga armiqtë që shfrenin urrejtje. Dhe e treguan atë dashuri duke predikuar «pareshtur» lajmin e mirë. Sot shumë nga vëllezërit tanë vazhdojnë t’i shërbejnë me besnikëri Jehovait mes vështirësive. Ata janë të sigurt se Jehovai nuk do t’i harrojë veprat e tyre dhe dashurinë që tregojnë për emrin e tij.—Hebr. 6:10.

20. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

20 Bota do të na urrejë për sa kohë të ekzistojë ky sistem. (Gjoni 15:19) Por s’ka pse të kemi frikë. Siç do ta shohim në artikullin tjetër, Jehovai ‘do t’i forcojë e do t’i mbrojë’ shërbëtorët e tij besnikë. (2 Sel. 3:3) Prandaj le të vazhdojmë ta duam Jehovain, të duam vëllezërit e motrat, e të duam madje edhe armiqtë tanë. Kështu do ta mbajmë të fortë unitetin mes nesh dhe miqësinë me Perëndinë, do t’i japim lavdi Jehovait dhe do të tregojmë se dashuria është shumë më e fuqishme se urrejtja.

KËNGA 106 Kultivo dashurinë

^ par. 5 Në këtë artikull do të shohim se si dashuria për Jehovain, dashuria për vëllezërit e motrat, e madje edhe dashuria për armiqtë na ndihmojnë të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait përballë urrejtjes së botës. Gjithashtu do të shohim pse Jezui tha se mund të jemi të lumtur kur bota na urren.

^ par. 1 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 58 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pasi ushtarët e kërcënuan Danilon, vëllezërit e ndihmuan atë dhe të shoqen të transferoheshin në një qytet tjetër, ku bashkëbesimtarët i mirëpritën dhe i ndihmuan.

^ par. 60 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jasmina haste kundërshtime nga i shoqi. Por pleqtë i dhanë këshilla të mençura. Ajo tregoi me vepra se ishte bashkëshorte e mirë dhe kujdesej për burrin e saj kur ishte sëmurë.