ARTIKULLI I STUDIMIT 12
Kur është koha e duhur për të folur?
«Ka një kohë . . . për të heshtur dhe një kohë për të folur.»—EKL. 3:1, 7.
KËNGA 124 Të rrimë besnikë
PËRMBLEDHJE *
1. Çfarë mësojmë nga Eklisiastiu 3:1, 7?
DISAVE prej nesh u pëlqen shumë të flasin. Të tjerë janë fjalëpakë. Siç e tregon edhe shkrimi kryesor i këtij artikulli, ka një kohë si për të folur, edhe për të heshtur. (Lexo Eklisiastiun 3:1, 7.) Prapëseprapë, do të donim që disa nga vëllezërit e motrat të flisnin pak më shumë, e të tjerë më pak.
2. Kush e ka të drejtën të përcaktojë standardin kur dhe si të flasim?
2 Të folurit është dhuratë nga Jehovai. (Eks. 4:10, 11; Zbul. 4:11) Me anë të Fjalës së tij, ai na ndihmon të kuptojmë si ta përdorim këtë dhuratë siç duhet. Në këtë artikull do të shqyrtojmë shembuj nga Bibla që do të na ndihmojnë të dallojmë kur të flasim e kur të heshtim. Do të shohim edhe si ndihet Jehovai për atë që u themi të tjerëve. Së pari, le të shikojmë kur duhet të flasim.
KUR DUHET TË FLASIM?
3. Sipas Romakëve 10:14, kur duhet të flasim?
3 Duhet të jemi gjithnjë gati të flasim për Jehovain dhe për Mbretërinë. (Mat. 24:14; lexo Romakëve 10:14.) Kështu imitojmë Jezuin, pasi një nga arsyet kryesore pse Jezui erdhi në tokë, ishte që t’u tregonte të tjerëve të vërtetën për Atin e tij. (Gjoni 18:37) Por nuk duhet të harrojmë se mënyra si flasim është po ashtu e rëndësishme. Prandaj, kur u flasim të tjerëve për Jehovain, duhet ta bëjmë këtë «me butësi dhe respekt të thellë» dhe të tregojmë konsideratë për ndjenjat dhe bindjet e tjetrit. (1 Pjet. 3:15) Atëherë nga goja nuk do të na dalin vetëm fjalë, por mësime që mund të prekin zemrën.
4. Sipas Proverbave 9:9, si mund t’i ndihmojnë pleqtë të tjerët me të folurin e tyre?
4 Pleqtë nuk duhet të hezitojnë të flasin nëse shohin që një vëlla a motër ka nevojë për këshilla. Sigurisht që duan të zgjedhin kohën e duhur për të folur, që të mos e vënë tjetrin më kot në siklet. Mbase është më mirë të presin derisa të mos ketë njerëz përreth. Pleqtë përpiqen gjithnjë të flasin në një mënyrë që ruan dinjitetin e tjetrit. Gjithsesi, nuk hezitojnë të tregojnë parime nga Bibla që mund t’i ndihmojnë të tjerët të veprojnë me mençuri. (Lexo Proverbat 9:9.) Pse ka kaq shumë rëndësi të marrim guximin për të folur kur është e nevojshme? Shiko dy shembuj të kundërt: në njërin rast, një njeri duhej të korrigjonte djemtë e vet dhe në tjetrin, një gruaje iu desh të përballej me një mbret të ardhshëm.
5. Kur duhej të kishte folur kryeprifti Eli?
5 Kryeprifti Eli kishte dy djem që i donte si drita e syve. Ama djemtë e tij nuk kishin respekt për Jehovain. Ndonëse kishin përgjegjësi të rëndësishme si priftërinj në tabernakull, ata abuzonin me autoritetin, tregonin mungesë të thellë respekti për blatimet që i ofroheshin Jehovait dhe pa pikë turpi kryenin imoralitet seksual. (1 Sam. 2:12-17, 22) Sipas Ligjit të Moisiut, djemtë e Elit meritonin të vdisnin, por Eli tolerant thjesht u dha një qortim të lehtë dhe i lejoi të vazhdonin shërbimin në tabernakull. (Ligj. 21:18-21) Ç’mendonte Jehovai për mënyrën si e trajtoi Eli këtë situatë? Ai i tha Elit: «Pse vazhdon t’i nderosh djemtë e tu më shumë se mua?» Jehovai vendosi t’i ndëshkonte me vdekje ata burra të ligj.—1 Sam. 2:29, 34.
6. Çfarë mësojmë nga Eli?
6 Nxjerrim një mësim të rëndësishëm nga kryeprifti Eli. Nëse marrim vesh se një shok ose i afërmi ynë ka shkelur ligjin e Perëndisë, duhet t’i flasim e t’i kujtojmë standardet e Jehovait. Pastaj duhet të sigurohemi që të marrë ndihmën e nevojshme nga përfaqësuesit e Jehovait. (Jak. 5:14) Nuk do të donim kurrë të ishim si Eli e të nderonim një shok a të afërm më shumë se Jehovain. Duhet guxim për t’u përballur me dikë që ka nevojë për ndreqje, ama ia vlen. Vër re kontrastin mes shembullit të Elit dhe të një izraeliteje me emrin Abigaila.
7. Pse i foli Abigaila Davidit?
7 Abigaila ishte gruaja e një pronari të pasur tokash që quhej Nabal. Kur po ia mbathnin nga mbreti Saul, Davidi dhe njerëzit e tij kaluan ca kohë me barinjtë e Nabalit dhe i mbrojtën kopetë e tij nga bandat kusare. A ishte mirënjohës Nabali për ndihmën? Aspak. Kur Davidi i kërkoi t’u jepte njerëzve të tij pak ushqim dhe ujë, Nabali u inatos dhe iu hakërrua atyre. (1 Sam. 25:5-8, 10-12, 14) Si pasojë, Davidi e ndau mendjen të vriste çdo burrë në shtëpinë e Nabalit. (1 Sam. 25:13, 22) Si mund të shmangej një katastrofë e tillë? Abigaila e kuptoi se ishte koha për të folur, prandaj me guxim u doli para 400 burrave të uritur, të inatosur e të armatosur dhe i foli Davidit.
8. Çfarë mësojmë nga shembulli i Abigailës?
8 Kur takoi Davidin, Abigaila i foli me guxim, me respekt e në mënyrë bindëse. Edhe pse nuk kishte asnjë faj, Abigaila i kërkoi falje Davidit. Ajo e nxiti të shfaqte cilësitë e tij të mira dhe u mbështet te Jehovai për ndihmë. (1 Sam. 25:24, 26, 28, 33, 34) Si Abigaila, kemi nevojë për guxim që të flasim nëse shohim dikë që po merr një rrugë të gabuar. (Psal. 141:5) Duhet të flasim me respekt e në të njëjtën kohë me guxim. Kur i japim dikujt me dashuri këshillat e nevojshme, tregojmë se jemi miq të vërtetë.—Prov. 27:17.
9-10. Çfarë duhet të mbajnë parasysh pleqtë kur japin këshilla?
9 Pleqtë në veçanti duhet të kenë guximin t’u flasin atyre në kongregacion që hedhin ndonjë hap të gabuar. (Gal. 6:1) Me përulësi pleqtë e kuptojnë se edhe ata janë të papërsosur e një ditë mund të kenë nevojë për këshilla. Ama nuk lejojnë që kjo t’i pengojë të korrigjojnë ata që kanë nevojë për disiplinë. (2 Tim. 4:2; Titit 1:9) Kur e këshillojnë dikë, përpiqen të përdorin dhuratën e të folurit për ta mësuar me mjeshtëri e durim. Ata e duan vëllanë, e kjo dashuri i nxit të veprojnë. (Prov. 13:24) Ama meraku kryesor që kanë, është të nderojnë Jehovain duke mbështetur standardet e tij dhe duke mbrojtur kongregacionin nga problemet.—Vep. 20:28.
10 Deri më tani kemi parë kur të flasim. Gjithsesi ka raste kur është më mirë të mos flasim fare. Çfarë sfidash mund të hasim në ato raste?
KUR DUHET TË HESHTIM?
11. Cilin ilustrim përdori Jakovi, dhe pse është i përshtatshëm?
11 Mund të jetë e vështirë ta mbash nën kontroll gjuhën. Shkrimtari i Biblës, Jakovi, përdori një ilustrim të përshtatshëm për ta përshkruar këtë sfidë. Ai tha: «Nëse dikush nuk gabon kur flet, është njeri i përsosur, i zoti t’i vërë fre edhe gjithë trupit.» (Jak. 3:2, 3) Freri i vihet në kokë e në gojë kalit e duke ia shtrënguar litarët, kalorësi mund ta drejtojë a ta ndalojë. Nëse kalorësi humb kontrollin e frerit, kali vrapon si i harbuar dhe dëmton veten bashkë me kalorësin. Po njësoj, nëse nuk mbajmë nën kontroll gjuhën, mund të hapim një mal me probleme. Le të shohim disa raste kur na duhet «t’ia shtrëngojmë frerin gjuhës» e të mos flasim.
12. Kur duhet «t’ia shtrëngojmë frerin gjuhës» dhe të mos flasim?
12 Si reagon kur një vëlla a motër di informacione që konsiderohen konfidenciale? Për shembull, nëse takon dikë që jeton
në një vend ku vepra është e ndaluar, a të tundon ideja ta pyesësh për detaje si kryhet vepra atje? Pa dyshim që ke motive të mira. Ne i duam vëllezërit tanë dhe kemi merak çfarë po u ndodh. E po ashtu duam të jemi specifikë kur lutemi për ta. Gjithsesi, ky është një rast kur duhet «t’ia shtrëngojmë frerin gjuhës» dhe të mos flasim. Nëse e vëmë nën presion dikë që di informacione konfidenciale, tregojmë mungesë dashurie, si ndaj tij, edhe ndaj vëllezërve e motrave që kanë besim se ai nuk do të thotë as gjysmë fjale për veprën atje. Sigurisht, askush prej nesh nuk do të donte t’ua shtonte vështirësitë vëllezërve e motrave që jetojnë në vendet ku vepra është e ndaluar. Nga ana tjetër, nëse ne vetë shërbejmë në këto vende, nuk do të donim të tregonim detaje si kryhet shërbimi dhe aktivitetet e krishtere atje.13. Siç thuhet te Proverbat 11:13, çfarë duhet të bëjnë pleqtë, dhe pse?
13 Pleqtë në veçanti duhet të zbatojnë parimin e Biblës te Proverbat 11:13 duke i mbajtur çështjet konfidenciale. (Lexoje.) Kjo mund të jetë sfidë, sidomos nëse një plak është i martuar. Një çift i martuar mban një lidhje të fortë duke folur shpesh me njëri-tjetrin për mendimet, ndjenjat dhe shqetësimet më të thella. Por një plak e kupton se nuk duhet të tregojë «bisedat e bëra në mirëbesim» të lajmëtarëve në kongregacion. Po ta bënte këtë, do të humbte besimin e tyre e do të prishte reputacionin e vet. Ata që kanë përgjegjësi në kongregacion, nuk duhet të jenë me «dy fytyra» ose të mashtrojnë me fjalë. (1 Tim. 3:8; shën.) Kjo do të thotë që nuk duhet të jenë intrigantë a të kenë prirjen të merren me thashetheme. Nëse një plak e do të shoqen, nuk do ta rëndojë me informacione që s’ka nevojë t’i dijë.
14. Si mund ta ndihmojë gruaja bashkëshortin që është plak, të ruajë reputacionin e mirë?
14 Gruaja mund ta ndihmojë të shoqin të ruajë reputacionin e mirë, duke mos e vënë nën presion të flasë për çështje që duhen mbajtur konfidenciale. Kur një grua e zbaton këtë këshillë, jo vetëm që mbështet të shoqin, por edhe tregon nderim për ata që i janë hapur atij në mirëbesim. E mbi të gjitha e bën Jehovain të lumtur, sepse po i kontribuon paqes dhe unitetit të kongregacionit.—Rom. 14:19.
SI NDIHET JEHOVAI PËR ATË QË THEMI?
15. Si u ndie Jehovai për tre shokët e Jobit, dhe pse?
15 Mund të mësojmë shumë nga libri i Jobit për mënyrën dhe kohën kur të flasim. Pasi Jobi kaloi një sërë vështirësish që të këputin shpirtin, katër burra shkuan ta ngushëllonin e ta këshillonin. Ata ndenjën goxha kohë pa folur, por nga ato që thanë më vonë tre prej tyre, Elifazi, Beldadi dhe Zofari, duket qartë që nuk e përdorën kohën për të menduar si ta ndihmonin Jobin. Përkundrazi, e kishin mendjen si e si të vërtetonin që Jobi kishte bërë ndonjë gabim. Ca të vërteta i thanë, ama në shumicën e rasteve thanë fjalë të hidhura e të rreme për Jobin dhe për Jehovain. (Jobi 32:1-3) Sa ashpër e gjykuan Jobin! Si reagoi Jehovai? Ai vlonte nga zemërimi kundër tre burrave, i quajti të marrë dhe i udhëzoi që t’i kërkonin Jobit të lutej për ta.—Jobi 42:7-9.
16. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i keq i Elifazit, Beldadit dhe Zofarit?
16 Nxjerrim disa mësime nga shembulli Mat. 7:1-5) Përkundrazi, duhet t’i dëgjojmë me vëmendje para se të flasim. Vetëm atëherë do të jemi në gjendje të kuptojmë ç’po kalojnë vërtet. (1 Pjet. 3:8) Së dyti, kur të flasim, duhet të sigurohemi që të themi fjalë të dashura dhe të vërteta. (Efes. 4:25) E së treti, Jehovai ka shumë merak çfarë u themi të tjerëve.
i keq i Elifazit, Beldadit dhe Zofarit. Së pari, nuk duhet t’i gjykojmë vëllezërit tanë. (17. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Elihut?
17 I katërti që shkoi të takonte Jobin, ishte Elihu, një i afërm i Abrahamit. Ai i dëgjoi me vëmendje Jobin dhe tre burrat tek flisnin. E me sa duket mbajti mirë vesh ç’po thuhej, sepse pastaj ishte në gjendje ta këshillonte Jobin me dhembshuri, por haptas, e kështu e ndihmoi të ndreqte mënyrën si mendonte. (Jobi 33:1, 6, 17) Meraku kryesor i Elihut ishte të lartësonte Jehovain, jo veten a dikë tjetër. (Jobi 32:21, 22; 37:23, 24) Nga shembulli i Elihut mësojmë se ka një kohë për të heshtur e për të dëgjuar. (Jak. 1:19) Mësojmë edhe që kur japim këshilla, meraku kryesor duhet të jetë t’i sjellim lavdi Jehovait e jo vetes.
18. Si mund të tregojmë se e vlerësojmë dhuratën e të folurit?
18 Tregojmë se e vlerësojmë dhuratën e të folurit kur zbatojmë këshillën e Biblës për kohën dhe mënyrën si flasim. Mbreti i mençur Solomon u frymëzua të shkruante: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur, është si mollë të arta në enë argjendi.» (Prov. 25:11) Kur dëgjojmë me vëmendje dhe mendohemi para se të flasim, fjalët tona do të jenë si ato mollë të arta—të vlefshme dhe të bukura. Atëherë, edhe po të flasim pak, edhe po të flasim shumë, do t’u japim zemër të tjerëve me të folurin tonë dhe Jehovai do të jetë krenar për ne. (Prov. 23:15; Efes. 4:29) Ç’mënyrë fantastike për ta shprehur mirënjohjen për këtë dhuratë nga Perëndia!
KËNGA 82 «Le të ndriçojë drita juaj»
^ par. 5 Fjala e Perëndisë ka parime që mund të na ndihmojnë të dallojmë kur të flasim e kur të heshtim. Kur e dimë dhe e zbatojmë atë që thotë Bibla, mënyra si flasim do t’i sjellë kënaqësi Jehovait.
^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër vë re se është e nevojshme të japë me maturi disa këshilla.
^ par. 64 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla jep sugjerime për pastërtinë.
^ par. 66 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Abigaila i foli Davidit në momentin e duhur, e si pasojë pati rezultate të mira.
^ par. 68 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift «ia shtrëngojnë frerin gjuhës» e nuk tregojnë detaje për veprën tonë në një vend ku është e ndaluar.
^ par. 70 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një plak sigurohet që askush të mos e dëgjojë ndërsa flet për një çështje konfidenciale të kongregacionit.