Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Së shpejti Perëndia do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve

Së shpejti Perëndia do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve

«Deri kur, o Jehova, do të thërras për ndihmë dhe ti nuk do të më dëgjosh? Deri kur do të thërras për ndihmën tënde kundër dhunës e ti nuk do të më shpëtosh?» (Habakuku 1:2, 3) Këto janë fjalët e Habakukut, një njeriu të mirë që gëzonte miratimin e Perëndisë. A tregoi mungesë besimi përgjërimi i tij? Aspak. Perëndia e siguroi Habakukun se kishte caktuar një kohë kur do t’u jepte fund vuajtjeve.​—Habakuku 2:2, 3.

Nëse ti apo dikush që ke për zemër po vuani, është kollaj të arrish në përfundimin se Perëndia po vonon e se duhej të kishte ndërhyrë tashmë. E megjithatë, Bibla na siguron: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin.»​—2 Pjetrit 3:9.

KUR DO TË NDËRHYJË PERËNDIA?

Shumë shpejt! Jezui tregoi se një brez i veçantë do të ishte dëshmitar i disa kushteve unike, të cilat do të shënonin ditët e fundit të «përfundimit të sistemit». (Mateu 24:3-42) Përmbushja e profecisë së Jezuit në ditët tona tregon se është në prag koha kur Perëndia do të ndërhyjë në çështjet njerëzore. *

Por, si do t’u japë fund Perëndia të gjitha vuajtjeve? Kur ishte në tokë, Jezui tregoi fuqinë që ka Perëndia për t’ua lehtësuar vuajtjet njerëzve. Shqyrto disa shembuj.

Katastrofat natyrore: Ndërsa Jezui dhe apostujt e tij po lundronin në detin e Galilesë, barka e tyre rrezikoi të mbytej nga një stuhi e egër. Por, Jezui tregoi se ai dhe i Ati mund t’i mbajnë nën kontroll forcat e natyrës. (Kolosianëve 1:15, 16) Jezui tha thjesht: «Pusho! Hesht!» Çfarë ndodhi si rezultat? «Era ra dhe u bë një qetësi e madhe.»​—Marku 4:35-39.

Sëmundjet: Jezui ishte goxha i njohur për aftësinë për të shëruar të verbrit, të çalët, si edhe ata që vuanin nga epilepsia, lebra ose sëmundje të tjera. «[Ai] shëroi të gjithë ata që kishin keq.»​—Mateu 4:23, 24; 8:16; 11:2-5.

Mungesa e ushqimit: Jezui përdori fuqitë që i dha i Ati për të shumëfishuar ushqimin e paktë. Bibla thotë se dy herë gjatë shërbimit të tij, ai ushqeu mijëra njerëz.​—Mateu 14:14-21; 15:32-38.

Vdekja: Fakti që Jehovai ka fuqi të zhdukë vdekjen, tregohet qartë nga tri ringjalljet që bëri Jezui, të dokumentuara në Bibël. Një prej njerëzve që risolli në jetë, kishte vdekur prej katër ditësh.​—Marku 5:35-42; Luka 7:11-16; Gjoni 11:3-44.

^ par. 5 Për më shumë informacion rreth ditëve të fundit, shih mësimin 32 të librit Gëzoje jetën përgjithmonë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Mund ta shkarkosh falas në www.jw.org.