Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E vërteta për Zotin dhe për Krishtin

E vërteta për Zotin dhe për Krishtin

Ndonëse njerëzit adhurojnë shumë perëndi, ka vetëm një Perëndi të vërtetë. (Gjoni 17:3) Ai është ‘Tejet i Larti’, Krijuesi i gjithçkaje dhe Burimi i jetës. Vetëm ai meriton adhurimin tonë.—Danieli 7:18; Zbulesa 4:11.

Kush është Zoti?

Emri i Zotit del në tekstin origjinal RRETH 7.000 HERË

JEHOVA është emri i Zotit

ZOTËRI, PERËNDI, ATË​—Disa nga titujt e Jehovait

Si e ka emrin Zoti? Vetë ai thotë: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im.» (Isaia 42:8) Emri personal i Zotit del rreth 7.000 herë në Bibël. Prapëseprapë, shumë përkthyes të Biblës e kanë zëvendësuar në mënyrë të pavend emrin e tij me një titull, si për shembull «Zotëri». Zoti dëshiron që të jesh mik me të, ndaj të nxit ‘të lutesh në emër të tij’.—1 Kronikave 16:8, nwt.

Titujt e Jehovait. Bibla përdor për Jehovain tituj të tillë si: «Perëndi», «I Plotfuqishëm», «Krijues», «Atë», «Zotëri» dhe «Sovran». Aty janë dokumentuar shumë lutje ku shërbëtorët e tij i janë drejtuar Jehovait edhe me një titull përnderues, edhe me emrin e tij personal, Jehova.—Danieli 9:4.

 Si është Zoti? Ai është frymë e padukshme. (Gjoni 4:24) Bibla konfirmon se «askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë». (Gjoni 1:18) Megjithatë Bibla na tregon se Ai ka ndjenja. Njerëzit mund ta lëndojnë ose ‘t’i sjellin kënaqësi’.—Proverbat 11:20, nwt; Psalmi 78:40, 41.

Cilësitë e mrekullueshme të Zotit. Perëndia është i paanshëm ndaj njerëzve të të gjitha kombeve e prejardhjeve. (Veprat 10:34, 35) Ai është edhe ‘i mëshirshëm dhe i dhembshur, nuk zemërohet shpejt, plot dashuri besnike e të vërtetë’. (Eksodi 34:6, 7, nwt) Ama, veçanërisht katër cilësi të tij të bëjnë për vete.

Fuqia. Meqë është «Perëndia i Plotfuqishëm», ai ka fuqi të pakufishme për të plotësuar çdo gjë që premton.—Zanafilla 17:1.

Mençuria. Mençuria e Zotit tejkalon mençurinë e kujtdo tjetër. Ja pse Bibla thotë se ai është ‘i vetmi i mençur’.—Romakëve 16:27.

Drejtësia. Zoti bën gjithmonë atë që është e drejtë. Veprimet e tij janë ‘të përsosura’ dhe «nuk është kurrë i padrejtë».—Ligji i përtërirë 32:4, nwt.

Dashuria. Bibla thotë se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Ai jo vetëm tregon dashuri, por është personifikimi i saj. Dashuria e tij tejet e lartë dikton çdo gjë që bën ai dhe na sjell dobi në shumë mënyra.

Miqësia e Zotit me njerëzit. Zoti është Ati ynë i dashur në qiell. (Mateu 6:9) Nëse tregojmë besim tek ai, mund të bëhemi miqtë e tij. (Psalmi 25:14) Ç’është e vërteta, Zoti të fton t’i afrohesh me anë të lutjeve dhe ‘të hedhësh gjithë ankthin tënd mbi të, sepse ai merakoset për ty’.—1 Pjetrit 5:7, nwt; Jakovi 4:8.

Si ndryshon Zoti nga Krishti?

Jezui nuk është Zoti. Jezui është unik—i vetmi person që është krijuar drejtpërdrejt nga Zoti. Kjo është arsyeja pse Bibla e quan Biri i Perëndisë. (Gjoni 20:31) * Pasi krijoi Jezuin, Jehovai përdori birin e tij të parë «si një kryemjeshtër» për të krijuar çdo gjë dhe çdo  person tjetër.—Proverbat 8:30, 31; Kolosianëve 1:15, 16.

Jezu Krishti nuk tha asnjëherë se ishte Zoti. Përkundrazi, ai shpjegoi: «Jam përfaqësues i [Perëndisë] dhe pikërisht Ai më dërgoi.» (Gjoni 7:29, nwt) Kur po fliste me një nga dishepujt e tij, Jezui e quajti Jehovain «Ati im dhe Ati juaj» dhe «Perëndia im dhe Perëndia juaj». (Gjoni 20:17) Pas vdekjes së Jezuit, Jehovai e ringjalli për të jetuar në qiell dhe i dha autoritet të madh në të djathtën e Tij.—Mateu 28:18; Veprat 2:32, 33.

Falë Jezu Krishtit mund të afrohesh me Perëndinë

Jezui erdhi në tokë që të na mësonte për të Atin. Vetë Jehovai tha për Jezuin: «Ky është Biri im, Biri im i dashur. Dëgjojeni.» (Marku 9:7, nwt) Jezui e njeh Perëndinë më mirë se kushdo tjetër. Ai tha: «Askush s’e njeh Atin përveç Birit dhe kujtdo që Biri dëshiron t’ia bëjë të njohur.»—Luka 10:22, nwt.

Jezui i shfaq në mënyrë të përsosur cilësitë e Perëndisë. Jezui i pasqyroi kaq mirë cilësitë e Atit të tij, sa mund të thoshte: «Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9, nwt) Jezui i afroi njerëzit me Zotin duke treguar me fjalë e me vepra dashurinë që ka Ati i tij. Ai tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Gjithashtu, Jezui tha: «Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë, sepse Ati po kërkon adhurues të tillë.» (Gjoni 4:23) Mendo pak: Jehovai po kërkon njerëz si ti që duan të njohin të vërtetën për të.

^ par. 14 Për më shumë informacion, shih artikullin «Pse Jezui quhet Biri i Perëndisë?» në sitin jw.org. Shko te MËSIME NGA BIBLA > PËRGJIGJE PËR PYETJE RRETH BIBLËS.