Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E vërteta për të ardhmen

E vërteta për të ardhmen

A ke pyetur ndonjëherë veten si do të jetë e ardhmja? Bibla thotë se jemi në prag të disa ngjarjeve të rëndësishme që do të ndikojnë te gjithë njerëzimi.

Jezui shpjegoi si do ta dinim «se Mbretëria e Perëndisë është afër». (Luka 21:31) Ai paratha se, ndër të tjera, do të kishte luftëra të mëdha, tërmete të forta, mungesa ushqimi dhe sëmundje që do të përhapeshin si epidemi—pikërisht gjëra që i shohim me sytë tanë.—Luka 21:10-17.

Për më tepër, Bibla tregon se «ditët e fundit» të sundimit njerëzor do të karakterizoheshin nga sjellja e mbrapshtë e njerëzve. Mund ta lexosh vetë këtë te 2 Timoteut 3:1-5. Kur vëren këto qëndrime dhe veprime sot, me siguri je dakord se profecia e Biblës përshkruan tamam atë që po ndodh në kohën tonë.

Çfarë do të thotë kjo për ne? Po afron koha kur Mbretëria e Perëndisë do të sjellë ndryshime rrënjësore që do ta bëjnë jetën në tokë ku e ku më të mirë. (Luka 21:36) Në Bibël, Perëndia premton gjëra të shkëlqyera për tokën dhe për njerëzit që do të jetojnë aty. Ja disa prej tyre.

QEVERISJE TË MIRË

«[Jezuit] iu dha autoritet për të mbretëruar, nderim dhe një mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët. Mbretërimi i tij është i përjetshëm e nuk do të marrë fund, dhe mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet.»DANIELI 7:14, nwt.

Ç’do të thotë kjo: Mund të shijosh jetën nën një qeveri globale që s’ka të krahasuar, të cilën e ka themeluar Perëndia dhe ka vendosur Birin e tij si Mbret.

 SHËNDET TË MIRË

«Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»ISAIA 33:24.

Ç’do të thotë kjo: Nuk do të vuash kurrë nga sëmundje ose kufizime fizike a mendore; do të jetosh pa vdekur kurrë.

PAQE ABSOLUTE

«Luftërat anembanë tokës ai i shuan.» PSALMI 46:9, nwt.

Ç’do të thotë kjo: Nuk do të ketë më rrezik, as për luftë dhe as për gjithë vuajtjet që shkakton ajo.

NË TOKË DO TË KETË VETËM NJERËZ TË MIRË

«Të ligjtë nuk do të jenë më. . . . Zemërbutët do të trashëgojnë tokën.»PSALMI 37:10, 11, nwt.

Ç’do të thotë kjo: Njerëzit e ligj nuk do të ekzistojnë më, do të ketë vetëm njerëz që duan me gjithë zemër t’i binden Perëndisë.

TOKA DO TË JETË NJË PARAJSË GLOBALE

«Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të jetojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre.»ISAIA 65:21, 22, nwt.

Ç’do të thotë kjo: Gjithë toka do të bëhet e bukur. Perëndia do t’i përgjigjet lutjes sonë që vullneti i tij të bëhet «në tokë». —Mateu 6:10.