Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në kërkim të së vërtetës

Në kërkim të së vërtetës

Të dish të vërtetën mund të jetë një çështje jete a vdekjeje. Mendo pak si ka ndikuar në jetën tonë përgjigjja e kësaj pyetjeje: si përhapen sëmundjet infektive?

Për mijëra vjet, askush nuk e dinte përgjigjen e kësaj pyetjeje. Ndërkohë murtajat dhe epidemitë u merrnin jetën miliona njerëzve. Me kalimin e kohës, shkencëtarët mësuan të vërtetën. Ata zbuluan se shpesh sëmundjet shkaktohen nga mikrobet, që janë mikroorganizma të tillë, si bakteret ose viruset. Imagjino, vetëm zbulimi i kësaj së vërtete i ka ndihmuar njerëzit të parandalojnë dhe të kurojnë shumë sëmundje, e si rezultat, miliarda njerëz tani jetojnë më gjatë dhe gëzojnë shëndet më të mirë.

Po ç’të themi për pyetje të tjera të rëndësishme? Si mendon, si mund të ndikojë te ti kërkimi për të vërtetat e këtyre çështjeve?

  • Kush është Zoti?

  • Kush është Jezu Krishti?

  • Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

  • Si do të jetë e ardhmja?

Miliona veta i kanë gjetur përgjigjet e këtyre pyetjeve, dhe kjo u ka përmirësuar jetën. Edhe ti mund të nxjerrësh dobi nga përgjigjet e tyre.

 A MUND TA GJESH TË VËRTETËN?

Mbase vret mendjen: «Por a është realisht e mundur të gjesh të vërtetën?!» Tekefundit, duket gjithnjë e më e vështirë të gjendet e vërteta e shumë çështjeve. Pse?

Mjaft njerëz nuk besojnë se qeveritë, bizneset ose media u thonë të vërtetën. E kanë të vështirë të dallojnë faktet nga opinionet, gjysmë të vërtetat dhe nga gënjeshtrat sheshit që paraqiten si informacione të besueshme. Në këtë atmosferë mosbesimi dhe keqinformimi, njerëzit s’bien dakord jo vetëm si t’i interpretojnë faktet, por edhe cilat janë të vërteta.

Pavarësisht nga këto vështirësi, mund të gjejmë përgjigjet e pyetjeve më të rëndësishme të jetës. Si? Njësoj siç veprojmë kur kërkojmë përgjigjet e pyetjeve që hasim ditë për ditë.

SI E KËRKON TË VËRTETËN?

Në njëfarë kuptimi, ti e kërkon të vërtetën çdo ditë. Mendo për rastin e Xhesikës. Ajo thotë: «Vajza ime i ka aq shumë alergji kikirikët, sa edhe gjurmë të proteinës së kikirikut mund të jenë fatale.» Xhesikës i duhet të sigurohet se ushqimi që blen nuk përbën rrezik për vajzën. Ajo shpjegon: «Në fillim lexoj me kujdes përbërësit e ushqimeve. Pastaj bëj kërkime të mëtejshme e madje kontaktoj prodhuesit për t’u siguruar që, në fabrikë, nuk është bashkuar gabimisht asnjë proteinë e kikirikut me ushqimin. Veç kësaj, shqyrtoj edhe burime të besueshme që mund të garantojnë se reputacioni i kompanisë për praktika të sigurta ushqimore, është i vërtetë.»

Ndoshta ty nuk të duhen informacione për një situatë kaq kritike, ama, njësoj si Xhesika, mund të përdorësh këtë metodë për të gjetur përgjigjet e pyetjeve që ke:

  • Mëso faktet.

  • Bëj kërkime të mëtejshme.

  • Sigurohu që burimet e informacionit të jenë të besueshme.

E njëjta metodë mund të të ndihmojë të gjesh përgjigjet e vërteta për pyetje të rëndësishme të jetës. Si?

 NJË LIBËR UNIK QË THOTË VETËM TË VËRTETËN

Kur kërkoi përgjigjet e pyetjeve të rëndësishme të jetës, Xhesika përdori të njëjtën metodë kërkimesh që përdor kur gjen ushqime të sigurta për vajzën. Ajo thotë: «Leximi i vëmendshëm i Biblës dhe kërkimet e kujdesshme më ndihmuan të gjeja përgjigje të vërteta.» Ashtu si Xhesika, miliona veta kanë mësuar përgjigjet e Biblës për këto pyetje:

  • Pse ekzistojmë?

  • Çfarë ndodh kur vdesim?

  • Pse vuajmë?

  • Çfarë po bën Zoti për t’u dhënë fund vuajtjeve?

  • Si mund të jetë e lumtur familja ime?

Mund të gjesh përgjigje të besueshme për këto dhe pyetje të tjera duke lexuar Biblën dhe duke bërë kërkime të mëtejshme online në sitin www.jw.org.