Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla: Burim i besueshëm i së vërtetës

Bibla: Burim i besueshëm i së vërtetës

Gjatë gjithë historisë, njerëz me prejardhje nga më të ndryshmet e kanë konsideruar Biblën burim të besueshëm të së vërtetës. Edhe në kohën tonë, miliona veta zbatojnë mësimet e saj. Kurse të tjerë mendojnë që Bibla s’ka lidhje fare me jetën sot ose që është veçse përrallë. Po ti, si mendon? A mund ta gjesh të vërtetën në Bibël?

PSE MUND T’I BESOSH BIBLËS

Nga ta dish nëse Bibla është e denjë për besimin tënd? Ta zëmë se një mik, përgjatë viteve, të ka thënë gjithnjë të vërtetën. A nuk do ta quaje mik të besueshëm? Po Bibla, a ka thënë gjithmonë të vërtetën, si ky mik i besuar? Ja disa shembuj.

Shkrimtarë të çiltër e të vërtetë

Shkrimtarët e Biblës ishin shumë transparentë, duke treguar shpesh edhe gabimet e dështimet e tyre. Për shembull, profeti Jonai shkroi për mosbindjen e vet. (Jonai 1:1-3) Në fakt, në fund të librit të tij që gjendet në Bibël, tregoi si e qortoi Perëndia, ama nuk përmendi se e ndreqi pikëpamjen e tij. (Jonai 4:1, 4, 10, 11) Çiltërsia e gjithë shkrimtarëve të Biblës dëshmon se e kishin sinqerisht merak të vërtetën.

Të vërteta praktike

A të jep Bibla gjithmonë këshilla të vlefshme e praktike? Pa dyshim që po. Për shembull, shiko çfarë këshillash ka ajo që të ruajmë marrëdhënie të mira: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) «Përgjigjja e butë e largon tërbimin, por një fjalë therëse ngjall zemërim.» (Proverbat 15:1, Përkthimi Bota e Re, botimi 2013, anglisht [nwt]) Po, të vërtetat e Biblës janë po aq praktike sot, sa në kohën kur u shkruan.

 Të vërteta historike

Përgjatë viteve, shumë zbulime arkeologjike kanë konfirmuar ekzistencën e njerëzve, të vendeve të ndryshme, si dhe saktësinë e ngjarjeve që përmenden në Bibël. Mendo për këto prova që vërtetojnë një hollësi të vogël. Nehemia, një shkrimtar i Biblës që jetoi në shekullin e pestë p.e.s., tha se tirasit (fenikas nga Tiri) që jetonin në Jerusalem «sillnin peshq e lloj-lloj mallrash në qytet».—Nehemia 13:16, nwt.

A ka ndonjë provë që mbështet këtë varg të Biblës? Po, ka. Arkeologët kanë zbuluar prodhime fenikase në Izrael, çka dëshmon për tregtinë mes këtyre dy kombeve të lashta. Gjithashtu, në Jerusalem, janë gjetur mbetje të peshqve mesdhetarë. Arkeologët mendojnë se këta peshq i sillnin tregtarë nga brigje të largëta. Pasi shqyrtoi provat, një studiues arriti në këtë përfundim: «Pohimi te Neh[emia] 13:16, se tirasit shitnin peshq në Jerusalem, është më se i saktë.»

Të vërteta shkencore

Bibla është kryesisht një libër fetar dhe historik. Por, kur prek argumente shkencore, përputhet me shkencën e vërtetuar. Ja një shembull.

Rreth 3.500 vjet më parë, Bibla thoshte se toka qëndron «varur në asgjë». (Jobi 26:7) Ky pohim ndryshonte kryekëput nga mitet, sipas së cilave toka pluskonte në ujë ose qëndronte mbi një breshkë gjigante. Afro 1.100 vjet pasi u shkrua libri i Jobit, njerëzit vazhdonin të besonin se toka s’mund të rrinte në ajër, duhej të mbështetej diku. Vetëm 300 vjet më parë, më 1687, Isak Njutoni botoi kërkimet e tij mbi gravitetin dhe shpjegoi se një forcë e padukshme e mban tokën në orbitën e saj. Ky zbulim historik vërtetoi atë që Bibla e kishte thënë mbi 3.000 vjet më parë!

 Të vërteta profetike

Sa të sakta janë profecitë e shumta të Biblës? Të marrim si shembull profecinë e Isaisë për rënien e Babilonisë.

Profecia: Në shekullin e tetë p.e.s., shkrimtari i Biblës Isaia shpalli se Babilonia—që vetëm më vonë do të bëhej kryeqyteti i një perandorie të fuqishme—do të mposhtej dhe me kalimin e kohës nuk do të banohej më. (Isaia 13:17-20) Madje Isaia tregoi edhe emrin e atij që do ta plotësonte këtë profeci—Kiri. Jo vetëm kaq, por përshkroi edhe strategjinë e Kirit, duke thënë se lumenjtë ‘do të thaheshin’. Ai paratha edhe se portat e qytetit do të liheshin hapur.—Isaia 44:27–45:1.

Përmbushja: Rreth 200 vjet pasi Isaia shkroi këto fjalë, një mbret pers sulmoi Babiloninë. Si quhej? Kir. Meqë Babilonia rrethohej nga mure të pamposhtshme, Kiri e ktheu vëmendjen nga lumi Eufrat, i cili kalonte përmes dhe përreth qytetit. Ushtarët e tij gërmuan një kanal për ta devijuar lumin që të rridhte drejt një kënete. Kjo e uli nivelin e ujit deri aty sa ushtria e Kirit mund të marshonte në shtratin e lumit që rrethonte muret e qytetit, me ujin që u vinte deri mbi gju. Çuditërisht babilonasit i kishin lënë hapur portat pranë lumit! Ushtria e Kirit hyri në Babiloni përmes portave të hapura dhe e mposhti qytetin.

Mirëpo, mbetej një detaj i profecisë: a do të bëhej e pabanuar Babilonia? Për disa shekuj, njerëzit vazhduan të banonin atje. Por sot, rrënojat e Babilonisë, pranë Bagdadit në Irak, dëshmojnë se profecia u përmbush fije e për pe. Po, Bibla është e besueshme edhe kur flet për ngjarje të së ardhmes.