Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 ARTIKULLI I STUDIMIT 4

Vazhdo të ushqesh përzemërsi të ngrohtë

Vazhdo të ushqesh përzemërsi të ngrohtë

«Kini dashuri vëllazërore dhe përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin.»—ROM. 12:10.

KËNGA 109 Kini dashuri të zjarrtë nga zemra

PËRMBLEDHJE *

1. Ç’gjë tregon se në shumë familje mungon përzemërsia e natyrshme?

BIBLA paratha se në ditët e fundit njerëzit nuk do të kishin «përzemërsi të natyrshme». (2 Tim. 3:1, 3) Sot shohim se kjo profeci po plotësohet. Për shembull, miliona familje janë bërë copë-copë nga divorci, e pasojat janë prindër të zemëruar me njëri-tjetrin dhe fëmijë që ndihen sikur nuk i do njeri. Edhe kur jetojnë në të njëjtën shtëpi, pjesëtarët e familjes mund të jenë thuajse të huaj për njëri-tjetrin. Një këshillues për jetën familjare thotë: «Mamaja, babai dhe fëmijët janë të shkëputur nga njëri-tjetri dhe të lidhur pas ekranit të kompjuterit, tabletës, celularit ose pultit të videolojërave. Ndonëse jetojnë nën të njëjtën çati, pjesëtarët e familjes gati nuk e njohin fare njëri-tjetrin.»

2-3. (a) Sipas Romakëve 12:10, për cilët duhet të ndiejmë përzemërsi të ngrohtë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Nuk duam të brumosemi nga qëndrimi i kësaj bote të ftohtë, pa dashuri. (Rom. 12:2) Përkundrazi, kemi nevojë të ushqejmë përzemërsi të ngrohtë jo vetëm për pjesëtarët e familjes, por edhe për ata që janë të lidhur me ne në besim. (Lexo Romakëve 12:10.) Çfarë është përzemërsia e ngrohtë? Është lidhja e përzemërt dhe miqësia e ngrohtë që ekziston mes pjesëtarëve të afërt të familjes. Tamam këtë lloj dashurie duhet të kultivojmë për familjen e Jehovait, për vëllezërit e motrat tona. Kur tregojmë përzemërsi të ngrohtë, ndihmojmë që të gjithë ta adhurojnë Jehovain të lumtur e në unitet.—Mik. 2:12.

 3 Le të shohim disa shembuj nga Bibla që na ndihmojnë ta ushqejmë përzemërsinë e ngrohtë e ta shprehim.

JEHOVAI «KA SHUMË PËRZEMËRSI TË NGROHTË»

4. Si e thekson Jakovi 5:11 se Jehovai ndien dashuri të thellë për ne?

4 Bibla hedh dritë mbi cilësitë e bukura të Jehovait. Për shembull, ajo thotë se «Perëndia është dashuri». (1 Gjon. 4:8) Mjaftojnë këto pak fjalë, dhe ndiejmë dëshirën të afrohemi me Jehovain. Por Bibla thotë edhe se Jehovai «ka shumë përzemërsi të ngrohtë». (Lexo Jakovin 5:11 dhe shënimin.) Ky varg thekson sa e thellë është dashuria që ndien Jehovai për ne. Pa dyshim që kjo na prek në zemër!

5. Si tregon mëshirë Jehovai, dhe si mund ta imitojmë?

5 Te Jakovi 5:11, përzemërsia e ngrohtë e Jehovait përmendet bashkë me një cilësi tjetër që na bën për vete—mëshira e tij. (Eks. 34:6) Një mënyrë si na tregon mëshirë Jehovai, është duke na i falur gabimet. (Psal. 51:1) Por fjala «mëshirë» në Bibël përfshin shumë më tepër se faljen. Mëshira është një ndjenjë që buron nga thellësia e shpirtit kur sheh dikë që vuan dhe ndihesh i nxitur t’i vesh në ndihmë. Jehovai thotë se dëshira që ndien thellë në shpirt për të na ardhur në ndihmë, është akoma më e fortë se ndjenjat e një nëne për fëmijën e saj. (Isa. 49:15) Kur vuajmë, mëshira e shtyn Jehovain të na vijë në ndihmë. (Psal. 37:39; 1 Kor. 10:13) Ne mund të tregojmë mëshirë për vëllezërit e motrat duke i falur dhe duke mos u mbajtur mëri kur na zhgënjejnë. (Efes. 4:32) Një mënyrë tjetër e rëndësishme si tregojmë mëshirë për ta, është duke iu bërë krah në vuajtje e sprova. Sa herë që dashuria na shtyn të jemi të mëshirshëm, po imitojmë Jehovain, që shfaq përzemërsi të ngrohtë si askush tjetër.—Efes. 5:1.

 JONATANI DHE DAVIDI «U BËNË MIQ TË NGUSHTË»

6. Si treguan përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin Jonatani dhe Davidi?

6 Në Shkrime kemi edhe shembuj të njerëzve të papërsosur që treguan përzemërsi të ngrohtë. Të ndalemi te Jonatani dhe Davidi. Bibla thotë: «Jonatani dhe Davidi u bënë miq të ngushtë, dhe Jonatani filloi ta donte si shpirtin e vet.» (1 Sam. 18:1) Davidi ishte mirosur të bëhej mbret në vend të Saulit. Pas njëfarë kohe, Saulin nisi ta brente xhelozia për Davidin dhe u përpoq ta vriste. Por biri i Saulit, Jonatani, nuk u bashkua me të atin në «gjuetinë» për t’i marrë jetën Davidit. Jonatani dhe Davidi lidhën besën që të ishin miq përherë e t’i bëheshin gjithmonë krah njëri-tjetrit.—1 Sam. 20:42.

Diferenca e moshës nuk i pengoi Jonatanin dhe Davidin të bëheshin miq të ngushtë e të kishin përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin (Shih paragrafët 6-9)

7. Çfarë mund t’i kishte penguar Jonatanin dhe Davidin të bëheshin miq?

7 Përzemërsia e ngrohtë mes Jonatanit dhe Davidit duket akoma më mbresëlënëse kur mendojmë për disa gjëra që mund t’i kishin penguar të bëheshin miq. Për shembull, Jonatani ishte nja 30 vjet më i madh se Davidi. Ai mund të kishte nxjerrë përfundimin se s’kishte asgjë të përbashkët me atë djalosh shumë më të ri dhe të parrahur me jetën. Por Jonatani as e pa dhe as e trajtoi Davidin si inferior.

8. Cilat cilësi e bënë Jonatanin një mik të mirë për Davidin?

8 Veç kësaj, Jonatani mund të ishte bërë xheloz për Davidin. Si biri i mbretit Saul, mund të kishte këmbëngulur se froni i takonte atij, trashëgimtarit të ligjshëm. (1 Sam. 20:31) Por Jonatani ishte i përulur, e njëkohësisht besnik ndaj Jehovait. Prandaj e mbështeti pa rezerva zgjedhjen e Jehovait që mbreti i ardhshëm të ishte Davidi. Jonatani ishte besnik edhe ndaj Davidit, paçka se kjo e tërbonte Saulin.—1 Sam. 20:32-34.

9. Nga e dimë se Jonatani nuk e shihte Davidin si rival?

9 Jonatani ndiente përzemërsi të ngrohtë për Davidin, ndaj nuk e shihte si rival. Në betejë, Jonatani ishte mjeshtër i harkut dhe luftëtar sypatrembur. Ai dhe i ati, Sauli, kishin marrë famë si «më të shpejtë se shqiponjat» dhe «më të fuqishëm se luanët». (2 Sam. 1:22, 23) Pra Jonatani mund të ishte mburrur me bëmat e tij heroike. Por ai nuk vuante nga fryma e konkurrencës e nga smira. Përkundrazi, e admironte Davidin ngaqë shihte se ishte i guximshëm dhe mbështetej te Jehovai. Në fakt, Jonatani filloi ta donte Davidin si shpirtin e vet pasi ai vrau Goliadin. Si mund të shfaqim edhe ne përzemërsi të ngrohtë si Jonatani për vëllezërit e motrat?

SI MUND TË TREGOJMË SOT PËRZEMËRSI TË NGROHTË?

10. Çfarë do të thotë ‘të kemi për njëri-tjetrin dashuri të zjarrtë nga zemra’?

10 Bibla na nxit ‘të kemi për njëri-tjetrin dashuri të zjarrtë nga zemra’. (1 Pjet. 1:22) E Jehovai na lë një shembull të shkëlqyer. Kur jemi besnikë ndaj tij, dashuria e Jehovait për ne është aq e zjarrtë, sa nuk ka gjë në botë që ta shuajë. (Rom. 8:38, 39) Fjala greke që është përkthyer «të zjarrtë», përcjell idenë të përpiqesh fort, e madje të stërmundohesh. Hera-herës mund të na duhet «të përpiqemi fort» e «të stërmundohemi» që të kemi përzemërsi të ngrohtë për një vëlla  a motër. Kur dikush na mërzit, kemi nevojë të vazhdojmë ‘ta tolerojmë njëri-tjetrin me dashuri dhe të bëjmë çmos të ruajmë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’. (Efes. 4:1-3) Kur mundohemi të ruajmë «lidhjen e paqes», shohim përtej të metave a gabimeve të vëllezërve. Bëjmë çmos t’i shohim ashtu siç i sheh Jehovai.—1 Sam. 16:7; Psal. 130:3.

Pavli i këshilloi Evodinë dhe Sintikinë të ishin në një mendje. Mbase edhe ne na duhet të përpiqemi fort që të shkojmë mirë me një vëlla a motër (Shih paragrafin 11)

11. Pse ndonjëherë mund të jetë e vështirë të kemi përzemërsi të ngrohtë?

11 Nuk është gjithnjë kollaj të tregojmë përzemërsi të ngrohtë për vëllezërit dhe motrat, sidomos kur i njohim të metat a gabimet e tyre. Siç duket, këtë sfidë e hasën edhe disa të krishterë të shekullit të parë. Për shembull, Evodia dhe Sintikia shërbyen pa problem «krah për krah me [Pavlin] për lajmin e mirë». Mirëpo, kushedi për ç’arsye, e kishin të vështirë të shkonin mirë me njëra-tjetrën. Prandaj Pavli i nxiti ‘të ishin në një mendje në Zotërinë’.—Filip. 4:2, 3.

Pleqtë e moshuar dhe ata më të rinj mund të lidhin miqësi të forta me njëri-tjetrin (Shih paragrafin 12)

12. Si mund të ushqejmë përzemërsi të ngrohtë për vëllezërit e motrat?

12 Si mund të ushqejmë përzemërsi të ngrohtë për vëllezërit e motrat tona? Dora-dorës që i njohim më mirë, mund ta kemi më të lehtë t’i kuptojmë dhe të ndiejmë përzemërsi të ngrohtë për ta. Mosha, prejardhja e formimi s’ka pse të jenë një hendek mes nesh. Të kujtojmë se Jonatani ishte rreth 30 vjet më i madh se Davidi, por prapë lidhi miqësi të ngushtë me të. A mund të përpiqesh të miqësohesh me dikë që është më i madh, ose më i vogël, se ti? Kur e bën këtë, tregon se ke «dashuri për gjithë vëllezërit në besim».—1 Pjet. 2:17.

Shih paragrafin 12 *

13. Pse mund të ndihemi më të afërt me disa në kongregacion?

13 Të ndiejmë përzemërsi të ngrohtë për motrat e vëllezërit nuk do të thotë të kemi miqësi të ngushtë me secilin në kongregacion. Kjo nuk do të ishte realiste. Është normale të ndihemi më të afërt me disa ngaqë na interesojnë të njëjtat  gjëra. Jezui i quajti të gjithë apostujt e tij «miq», por Gjonin e kishte veçanërisht për zemër. (Gjoni 13:23; 15:15; 20:2) Megjithatë, nuk e mbante me hatër. Për shembull, kur Gjoni dhe vëllai i tij, Jakovi, kërkuan pozita të rëndësishme në Mbretërinë e Perëndisë, Jezui u tha: «Nuk më takon mua t’ju ul në të djathtën a në të majtën time.» (Mar. 10:35-40) Ashtu si Jezui, nuk duhet t’i mbajmë me hatër miqtë tanë të ngushtë. (Jak. 2:3, 4) Po të vepronim kështu, do të mbillnim përçarje, e një frymë e tillë nuk ka vend kurrsesi në kongregacionin e krishterë.—Jud. 17-19.

14. Sipas Filipianëve 2:3, çfarë do të na ndihmojë të mos kemi frymën e konkurrencës?

14 Kur tregojmë përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin, mbrojmë kongregacionin nga fryma e konkurrencës. Kujto se Jonatani nuk u përpoq të konkurronte me Davidin duke e parë si rival për fronin. Secili nga ne mund ta imitojë shembullin e Jonatanit. Mos i shih si rivalë bashkadhuruesit për shkak të aftësive të tyre, ‘por me përulësi konsideroji të tjerët më të lartë se veten’. (Lexo Filipianëve 2:3.) Mos harro se gjithsecili jep një ndihmë të çmuar në kongregacion. Kur mbajmë një pikëpamje të përulur për veten, arrijmë të shohim cilësitë e bukura te vëllezërit e motrat dhe të imitojmë besnikërinë e shembullin e tyre.—1 Kor. 12:21-25.

15. Çfarë të mëson ajo që i ndodhi Tanias dhe familjes së saj?

15 Kur hasim sprova të papritura, Jehovai na inkurajon nëpërmjet përzemërsisë  së ngrohtë dhe ndihmës praktike që na japin vëllezërit e motrat. Të shohim çfarë i ndodhi një familjeje me tre fëmijë pasi ndoqën programin e së shtunës në një Kongres Ndërkombëtar «Dashuria nuk shuhet kurrë!» që u mbajt në Shtetet e Bashkuara në 2019-n. Mamaja, Tania, tregon: «Po ktheheshim në hotel me makinë, kur një shofer humbi kontrollin, dhe makina përfundoi në korsinë tonë e u përplas me ne. Nuk u plagos asnjëri, por gjithsesi dolëm nga makina dhe po rrinim në autostradë të shokuar. Dikush kishte parkuar anash rrugës dhe po na e bënte me shenjë të shkonim te makina e tij që të ishim të sigurt. Ishte një vëlla që, ashtu si ne, po kthehej nga kongresi. E nuk ishte i vetmi që ndaloi. Ndaluan edhe pesë delegatë nga Suedia. Motrat na u afruan mua dhe vajzës e na mbuluan me përqafime të ngrohta, që na e sollën zemrën në vend! I siguruam se do të ishim mirë, por nuk pranuan të na linin vetëm. Qëndruan me ne edhe pasi erdhi ambulanca. Ata u siguruan të kishim gjithçka që na nevojitej. Gjatë asaj peripecie ndiem në çdo hap dashurinë e Jehovait. Ajo që kaluam, na forcoi dashurinë për vëllezërit e motrat dhe na thelloi dashurinë e mirënjohjen për Jehovain.» Po ty, a të vjen ndër mend ndonjë rast ku kishe nevojë për ndihmë dhe një bashkëbesimtar të tregoi përzemërsi të ngrohtë?

16. Pse duhet të tregojmë përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin?

16 Çfarë të mirash vijnë kur tregojmë përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin? U japim zemër vëllezërve e motrave në kohë të vështira. Forcojmë unitetin mes popullit të Perëndisë. Tregojmë se jemi dishepuj të Jezuit, e kjo i tërheq njerëzit me zemër të sinqertë drejt adhurimit të vërtetë. Mbi të gjitha, kënaqim ‘Atin e mëshirshëm e zemërdhembshur dhe Perëndinë e çdo ngushëllimi’, Jehovain. (2 Kor. 1:3) Secili nga ne vazhdoftë të kultivojë e të shfaqë përzemërsi të ngrohtë!

KËNGA 130 Le ta falim njëri-tjetrin

^ par. 5 Jezui tha se dishepujt e tij do të dalloheshin nga dashuria për njëri-tjetrin. Prandaj të gjithë përpiqemi ta shfaqim këtë dashuri. Dashurinë për vëllezërit tanë mund ta forcojmë duke ushqyer përzemërsinë e ngrohtë—pra atë lloj dashurie që tregojnë për njëri-tjetrin pjesëtarët e afërt të familjes. Ky artikull do të na ndihmojë ta zhvillojmë e ta ruajmë përzemërsinë e ngrohtë për ata që janë të lidhur me ne në besim.

^ par. 55 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një plak më i ri ka nxjerrë dobi nga përvoja e një plaku të moshuar. Vëllai i moshuar mirëpret me ngrohtësi në shtëpi plakun më të ri me të shoqen. Ata dhe gratë e tyre tregojnë përzemërsi dhe e mikpresin njëri-tjetrin.