Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 ARTIKULLI I STUDIMIT 2

Mësime nga ‘dishepulli që Jezui e kishte veçanërisht për zemër’

Mësime nga ‘dishepulli që Jezui e kishte veçanërisht për zemër’

«Le të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin, sepse dashuria buron nga Perëndia.»—1 GJON. 4:7.

KËNGA 105 «Perëndia është dashuri»

PËRMBLEDHJE *

1. Si të bën të ndihesh dashuria e Perëndisë?

«PERËNDIA është dashuri»,—shkroi apostulli Gjon. (1 Gjon. 4:8) Ky pohim i thjeshtë na kujton një të vërtetë themelore: Perëndia, Burimi i jetës, është edhe Burimi i dashurisë. Jehovai na do! Falë dashurisë së tij ndihemi të sigurt, të përkëdhelur e të lumtur.

2. Sipas Mateut 22:37-40, cilat janë dy urdhërimet më të mëdha, dhe pse ndonjëherë është e vështirë t’i bindemi të dytit?

2 Për shërbëtorët e Perëndisë, nuk është një zgjedhje të tregojnë dashuri. Është një urdhërim. (Lexo Mateun 22:37-40.) Pasi e njohim mirë Jehovain, mund ta kemi të lehtë t’i bindemi urdhërimit të parë. Fundja Jehovai është i përsosur dhe na trajton me dhembshuri e mirësi. Por kur bëhet fjalë për urdhërimin e dytë, mund ta kemi ca të vështirë t’i bindemi. Pse? Sepse vëllezërit e motrat—që janë ndër të afërmit tanë më të ngushtë—janë të papërsosur. Ndonjëherë fjalët dhe veprimet e tyre mund të jenë mospërfillëse dhe lënduese. Jehovai e dinte se do ta hasnim këtë sfidë, prandaj i frymëzoi disa shkrimtarë të Biblës të hidhnin me shkrim këshilla specifike se përse dhe si duhet të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin. Një nga ata shkrimtarë ishte Gjoni.—1 Gjon. 3:11, 12.

3. Çfarë theksoi Gjoni?

3 Në shkrimet e tij, Gjoni theksoi se shërbëtorët e Jehovait duhet të tregojnë dashuri. Në fakt, në tregimin për jetën e Jezuit, ai i përdori fjalët «dashuri» dhe «të duash» më shpesh se të tre shkrimtarët e tjerë të ungjijve të marrë së bashku. Gjoni ishte afro njëqind vjeç kur shkroi Ungjillin dhe tri letrat e tij. Ato shkrime të frymëzuara  na mësojnë se çdo gjë që bëjmë, duhet të motivohet nga dashuria. (1 Gjon. 4:10, 11) Gjithsesi, Gjonit vetë iu desh kohë ta mësonte këtë.

4. A tregonte gjithmonë Gjoni dashuri për të tjerët?

4 Në moshë të re, Gjoni nuk tregonte gjithnjë dashuri. Për shembull, në një rast, Jezui dhe dishepujt e tij po shkonin në Jerusalem duke udhëtuar përmes Samarisë. Një fshat samaritan nuk donte t’i mirëpriste. Si reagoi Gjoni? Sugjeroi të zbriste zjarr nga qielli që t’i shfaroste të gjithë banorët e fshatit! (Luka 9:52-56) Në një rast tjetër, Gjoni nuk tregoi dashuri për apostujt e tjerë. Ai dhe i vëllai, Jakovi, me sa duket e shtynë mamanë e tyre t’i kërkonte Jezuit t’u jepte pozita të rëndësishme përkrah tij në Mbretëri. Apostujt e tjerë u nxehën kur morën vesh çfarë kishin bërë Jakovi dhe Gjoni. (Mat. 20:20, 21, 24) Prapëseprapë, me gjithë gabimet e të metat, Jezui e kishte veçanërisht për zemër Gjonin.—Gjoni 21:7.

5. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

5 Në këtë artikull do të shqyrtojmë shembullin e Gjonit dhe disa nga gjërat që shkroi për dashurinë. Ndërsa e bëjmë këtë, do të mësojmë si mund të tregojmë dashuri për vëllezërit e motrat. Do të shohim edhe një mënyrë të rëndësishme si mund të tregojë një kryefamiljar se e do familjen e tij.

DASHURIA SHPREHET ME VEPRA

Jehovai tregoi sa na do duke dërguar në tokë Birin e tij që të vdiste për ne (Shih paragrafët 6-7)

6. Si e ka treguar Jehovai se na do?

6 Shpesh dashurinë e mendojmë si një ndjenjë të ngrohtë që shprehet me fjalë të përzemërta. Por kush i do vërtet të tjerët, e tregon këtë edhe me vepra. (Krahaso Jakovin 2:17, 26.) Për shembull, e dimë se Jehovai na do. (1 Gjon. 4:19) Ai na e shpreh dashurinë nëpërmjet fjalëve të ngrohta që ka shkruar në Bibël. (Psal. 25:10; Rom. 8:38, 39) Megjithatë, jemi të bindur se Perëndia na do jo vetëm nga ajo që thotë, por edhe nga ajo që bën. Gjoni shkroi: «Perëndia e tregoi dashurinë ndaj nesh duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij.» (1 Gjon. 4:9) Jehovai lejoi që Biri i tij i shtrenjtë të vuante dhe të vdiste për ne. (Gjoni 3:16) A mund të kemi ndonjë fije dyshimi se Jehovai na do vërtet?!

7. Çfarë bëri Jezui për të treguar se na do?

7 Jezui i siguroi dishepujt e tij se i kishte në zemër. (Gjoni 13:1; 15:15) Ai  tregoi sa e thellë është dashuria e tij për ta dhe për ne jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. «Askush nuk ka dashuri më të madhe se ai që jep jetën për miqtë e vet»,—tha Jezui. (Gjoni 15:13) Kur mendojmë si kanë treguar dashuri për ne Jehovai dhe Jezui, çfarë duhet të na shtyjë zemra të bëjmë?

8. Çfarë duhet të bëjmë sipas 1 Gjonit 3:18?

8 E tregojmë dashurinë për Jehovain dhe Jezuin duke iu bindur. (Gjoni 14:15; 1 Gjon. 5:3) E një urdhër specifik që dha Jezui, është të duam njëri-tjetrin. (Gjoni 13:34, 35) Dashurinë për vëllezërit e motrat duhet ta shprehim jo vetëm me fjalë, por edhe me atë që bëjmë. (Lexo 1 Gjonit 3:18.) Po çfarë mund të bëjmë konkretisht për të treguar se i duam?

DUAJI VËLLEZËRIT DHE MOTRAT

9. Çfarë bëri Gjoni i motivuar nga dashuria?

Gjoni mund të kishte ndenjur me të atin e të fitonte pará nga biznesi i peshkimit që kishte familja. Por ai zgjodhi ta përdorte pjesën tjetër të jetës së tij të gjatë që t’i ndihmonte njerëzit të mësonin të vërtetën për Jehovain dhe Jezuin. Jeta që zgjodhi Gjoni, nuk ishte aspak e lehtë. Ai hoqi përndjekje, dhe nga fundi i shekullit të parë, kur ishte në moshë të thyer, e internuan. (Vep. 3:1; 4:1-3; 5:18; Zbul. 1:9) Edhe kur ishte i burgosur ngaqë predikonte për Jezuin, Gjoni tregoi se merakosej për të tjerët. Për shembull, në ishullin e Patmosit, ai shkroi librin e Zbulesës dhe ua dërgoi kongregacioneve, me qëllim që të dinin ‘çfarë do të ndodhte së shpejti’. (Zbul. 1:1) Pastaj, me sa duket pasi u lirua nga Patmosi, Gjoni shkroi tregimin e Ungjillit për jetën dhe shërbimin e Jezuit. Shkroi edhe tri letra që t’u jepte zemër e forcë vëllezërve e motrave. Si mund ta imitosh Gjonin që bëri një jetë vetëmohuese?

10. Si mund të tregosh se i do të tjerët?

10 Mund të tregosh dashuri për të tjerët me mënyrën si zgjedh ta përdorësh jetën. Sistemi i Satanait do që ta harxhosh gjithë kohën dhe energjitë për vete, duke u përpjekur të fitosh para a të bësh emër. Por anembanë botës, lajmëtarët vetëmohues të Mbretërisë kalojnë sa më shumë kohë të munden në shërbim, që t’u japin njerëzve lajmin e mirë e t’i ndihmojnë të afrohen me Jehovain. Disa madje kanë mundësi të predikojnë e të mësojnë në kohë të plotë.

Dashurinë për vëllezërit e motrat dhe për familjen tonë e tregojmë me atë që bëjmë për ta (Shih paragrafët 11, 17) *

11. Si e tregojnë shumë lajmëtarë besnikë dashurinë për Jehovain e për vëllezërit?

11 Shumë shërbëtorëve të Jehovait u duhet të punojnë me orar të plotë që të mbajnë veten dhe familjen. Prapëseprapë, këta lajmëtarë besnikë e mbështetin organizatën e Perëndisë në çdo mënyrë që munden. Për shembull, disa kanë mundësi të ndihmojnë në rast katastrofash, të tjerë punojnë në projekte ndërtimi, dhe gjithsecili ka mundësi të dhurojë para për veprën mbarëbotërore. Të gjitha këto i bëjnë nga dashuria për Perëndinë dhe për të tjerët. Çdo javë, tregojmë dashuri për vëllezërit e motrat duke ndjekur mbledhjet dhe duke marrë pjesë në to. Ndonëse mund të ndihemi të lodhur, jemi në mbledhje. Ndonëse mund të kemi siklet, bëjmë komente. E ndonëse të gjithë kemi probleme, u japim zemër të tjerëve para ose pas mbledhjes. (Hebr. 10:24, 25) Sa mirënjohës jemi për gjithë sa bëjnë vëllezërit e motrat tona!

12. Cila është një mënyrë tjetër si tregoi dashuri Gjoni për vëllezërit dhe motrat?

 12 Gjoni e tregoi dashurinë për vëllezërit e motrat jo vetëm me lavdërimet, por edhe me këshillat që u jepte. Për shembull, në letrat e tij, Gjoni i lavdëroi për besimin dhe veprat e mira, por edhe i këshilloi haptas në lidhje me mëkatin. (1 Gjon. 1:8–2:1, 13, 14) Edhe ne duhet t’i lavdërojmë vëllezërit e motrat për gjërat e mira që bëjnë. Por nëse dikush po zhvillon një qëndrim a zakon që ka gjasa t’i dëmtojë miqësinë me Jehovain, mund të tregojmë dashuri duke ia thënë me takt atë që ka nevojë të dëgjojë. Duhet guxim për të këshilluar një mik, ama Bibla thotë se miqtë e vërtetë e ‘mprehin’, ose e ndreqin, njëri-tjetrin.—Prov. 27:17.

13. Çfarë nuk duhet të bëjmë?

13 Ndonjëherë e tregojmë dashurinë për vëllezërit e motrat me atë që nuk bëjmë. Për shembull, nuk ofendohemi shpejt nga ndonjë fjalë që thonë. Të mendojmë për diçka që ndodhi nga fundi i jetës së Jezuit në tokë. Ai u tha dishepujve se, që të jetonin përgjithmonë, duhej të ushqeheshin me mishin e tij dhe të pinin gjakun e tij. (Gjoni 6:53-57) Shumë dishepujve iu dukën aq skandaloze fjalët e Jezuit, sa e braktisën—ama miqtë e vërtetë, mes të cilëve edhe Gjoni, nuk vepruan ashtu. Me besnikëri ata qëndruan me Jezuin. Vërtet nuk e kuptuan atë që tha dhe ka shumë gjasa që i çuditën ato fjalë. Megjithatë, miqtë besnikë të Jezuit nuk menduan se tha diçka të gabuar dhe nuk u ofenduan nga fjalët e tij. Përkundrazi, patën besim te Jezui, se ishin të sigurt që tha të vërtetën. (Gjoni 6:60, 66-69) Sa e rëndësishme është që të mos ofendohemi kollaj nga ajo që thonë miqtë tanë! Në vend të kësaj, nëse i kemi keqkuptuar, duam t’u krijojmë mundësi të sqarohen ku e kishin fjalën.—Prov. 18:13; Ekl. 7:9.

14. Pse nuk duhet të lejojmë që urrejtja të na infektojë zemrën?

14 Gjithashtu, Gjoni na nxit të bëjmë kujdes që të mos i urrejmë vëllezërit e motrat. Po të mos ia vëmë veshin kësaj këshille, do të bëhemi pre e lehtë e manipulimeve të Satanait. (1 Gjon. 2:11; 3:15) Kështu ndodhi me disa në fund të shekullit të parë të e.s. Satanai po bënte  të pamundurën që të mbillte urrejtje dhe përçarje mes popullit të Perëndisë. Në kohën kur Gjoni shkroi letrat e tij, në kongregacion kishin hyrë tinëz disa që shfaqnin frymën e Satanait. Për shembull, Diotrefi po shkaktonte përçarje të rrezikshme në një kongregacion. (3 Gjon. 9, 10) Ai i trajtonte pa respekt përfaqësuesit udhëtues të trupit udhëheqës. Madje mundohej të flakte jashtë kongregacionit ata që mirëpritnin personat që i kishte zët. Çfarë arrogance! Sot Satanai po përdor në gjithfarë mënyrash taktikën «përça e sundo» kundër popullit të Perëndisë. Mos e lejofshim kurrë të mbjellë urrejtje e përçarje mes nesh!

DUAJE FAMILJEN TËNDE

Jezui i kërkoi Gjonit të kujdesej për nënën e tij që të kishte çfarë i nevojitej nga ana materiale dhe për të adhuruar Jehovain. Kryefamiljarët sot duhet të kujdesen që familja të ketë çka i nevojitet (Shih paragrafët 15-16)

15. Çfarë duhet të mbajë parasysh një kryefamiljar?

15 Një mënyrë e rëndësishme si e tregon dashurinë për familjen një kryefamiljar, është duke u siguruar gjërat e nevojshme materiale. (1 Tim. 5:8) Sidoqoftë, ai duhet të mbajë parasysh se gjërat materiale nuk ia plotësojnë dot familjes nevojën për t’u afruar me Perëndinë. (Mat. 5:3) Të mendojmë për shembullin e mirë që u la Jezui kryefamiljarëve. Siç tregon Ungjilli i Gjonit, edhe kur po vdiste në shtyllën e torturës, Jezui prapë mendoi për familjen e tij. Gjoni ishte pranë nënës së Jezuit, Marisë, në vendin ku po ekzekutohej Jezui. Me gjithë dhimbjet agonike, Jezui mori masa që Gjoni të kujdesej për Marinë. (Gjoni 19:26, 27) Jezui kishte vëllezër e motra që pa dyshim do t’i siguronin gjërat e nevojshme nga ana fizike Marisë. Mirëpo duket se në atë kohë asnjë prej tyre nuk ishte bërë dishepull i tij. Prandaj Jezui donte të sigurohej se Maria do të kishte jo vetëm kujdesin e nevojshëm nga ana fizike, por edhe inkurajimin e nevojshëm që të vazhdonte t’i shërbente Jehovait.

16. Cilat përgjegjësi kishte mbi supe Gjoni?

16 Gjoni kishte mbi supe shumë përgjegjësi. Ai ishte apostull, prandaj merrte drejtimin në veprën e predikimit. Gjithashtu, ka të ngjarë të ishte i martuar, prandaj duhej të mbante ekuilibrin që nga njëra anë t’i siguronte familjes gjërat e nevojshme materiale, e nga ana tjetër  t’i ndihmonte ta forconin miqësinë me Perëndinë. (1 Kor. 9:5) Ç’mund të mësojnë kryefamiljarët sot nga shembulli i tij?

17. Pse është e rëndësishme që kryefamiljari të kujdeset që familja të ketë miqësi të fortë me Jehovain?

17 Një vëlla që është kryefamiljar, mund të ketë shumë përgjegjësi me peshë. Për shembull, duhet të përpiqet me të gjitha forcat në punë që sjellja e tij të nderojë Jehovain. (Efes. 6:5, 6; Titit 2:9, 10) Veç kësaj, mund të ketë përgjegjësi në kongregacion, ku shërben si bari dhe merr drejtimin në veprën e predikimit. Ndërkohë është e rëndësishme edhe të studiojë rregullisht Biblën me gruan dhe fëmijët. Ata do t’i çmojnë tej mase përpjekjet e tij për t’i ndihmuar të kenë shëndet të mirë, zemër të gëzuar dhe marrëdhënie të fortë me Jehovain.—Efes. 5:28, 29; 6:4.

‘QËNDRO NË DASHURINË TIME’

18. Për çfarë ishte i sigurt Gjoni?

18 Gjoni pati një jetë të gjatë e të larmishme. Veç kësaj, hasi lloj-lloj sprovash që mund t’ia kishin dobësuar besimin. Por përherë përpiqej me gjithë shpirt t’u bindej urdhërimeve të Jezuit, siç ishte urdhri që të donte vëllezërit e motrat. Si rezultat, Gjoni ishte i sigurt se Jehovai dhe Jezui e donin dhe se do t’i jepnin forcën për të përballuar çdo sprovë. (Gjoni 14:15-17; 15:10; 1 Gjon. 4:16) Asgjë që bëri Satanai dhe sistemi i tij, nuk e pengoi dot Gjonin t’i donte vëllezërit e motrat e ta shprehte atë dashuri me fjalë e me vepra.

19. Çfarë na nxit të bëjmë 1 Gjonit 4:7, dhe pse?

19 Ashtu si Gjoni, ne jetojmë në një botë ku sundon Satanai, i cili vlon nga urrejtja. (1 Gjon. 3:1, 10) Synimi i tij është të na e shuajë dashurinë për vëllezërit e motrat, por s’ka për t’ia dalë dot kurrë në rast se nuk e lejojmë ne vetë. Qofshim të vendosur t’i duam vëllezërit e motrat dhe ta tregojmë dashurinë për ta me fjalë e me vepra! Kështu do të gëzojmë një jetë të bukur e të pasur si pjesë e familjes së Jehovait!—Lexo 1 Gjonit 4:7.

KËNGA 88 Më bëj të njoh udhët e tua

^ par. 5 Ka shumë të ngjarë që apostulli Gjon të jetë ‘dishepulli që Jezui e kishte veçanërisht për zemër’. (Gjoni 21:7) Pra, edhe në moshë të re, Gjoni duhet të ketë pasur shumë cilësi që të bënin për vete. Vite më vonë, Jehovai e përdori që të shkruante gjerë e gjatë për dashurinë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa nga gjërat që shkroi Gjoni dhe do të shohim çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tij.

^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një kryefamiljar që është goxha i ngarkuar, ndihmon në rast katastrofash, dhuron për veprën mbarëbotërore dhe fton të tjerë të marrin pjesë në adhurimin familjar që mban me gruan dhe fëmijët.