Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

INTERVISTË | ANTONIO DELA GATA

Pse një prift hoqi dorë nga kisha e tij

Pse një prift hoqi dorë nga kisha e tij

PASI studioi në Romë për nëntë vjet, Antonio dela Gata u shugurua prift në vitin 1969. Më vonë shërbeu si pastori, ose kreu, i një seminari afër Napolit, Itali. Ndërsa ishte atje, pas shumë studimesh e meditimesh, arriti në përfundimin se feja katolike nuk bazohet në Bibël. Ai i tregoi revistës Zgjohuni! si u përpoq të gjente Zotin.

Të lutemi, na trego pak për fëmijërinë.

Linda në Itali më 1943. U rrita bashkë me vëllezërit e motrat në një fshat të vogël. Babai ishte fermer e zdrukthëtar. Prindërit na rritën si katolikë të mirë.

Pse doje të bëheshe prift?

Kur isha djalosh, më pëlqente shumë t’i dëgjoja priftërinjtë në kishë. Mahnitesha nga zëri i tyre, si edhe nga ritet mbresëlënëse. Kështu, zemra më thoshte se duhej të bëhesha prift. Në moshën 13-vjeçare mamaja më çoi në një shkollë me konvikt që i përgatiste djemtë për studime të mëtejshme për priftërinë në të ardhmen.

A përfshihej Bibla në stërvitjen që more?

Faktikisht jo. Kur isha 15 vjeç, mësuesit më dhanë një kopje të ungjijve, tregimet historike të jetës e të shërbimit të Jezuit, që e lexova disa herë. Në moshën 18-vjeçare shkova në Romë që të studioja në universitete papnore, të cilat janë direkt nën autoritetin e papës. Studiova latinisht, greqisht, histori, filozofi, psikologji e teologji. Ndonëse thoshim përmendsh vargje nga Bibla dhe dëgjonim leximin e saj në ligjëratat e të dielave, ç’është e vërteta s’e studionim Biblën.

A jepje mësim kur u bëre pastor?

Puna ime ishte kryesisht administrative. Por jepja mësim për urdhrat e Këshillit të Dytë të Vatikanit.

Pse nise të dyshoje te kisha?

Më trazonin tri gjëra. Përzierja e kishës me politikën. Tolerimi i sjelljes së keqe mes klerikëve e besimtarëve. Dhe, disa mësime katolike më dukeshin pa kuptim. Për shembull, si mund t’i ndëshkojë njerëzit përgjithmonë pas vdekjes një Perëndi i dashurisë? Po ashtu, a do vërtet Zoti t’ia përsëritim lutjet qindra herë me rruzare? *

Çfarë bëre për këtë?

U luta për drejtim me lot në sy. Gjithashtu bleva një kopje të Biblës katolike Jerusalem Bible, e cila ishte botuar kohët e fundit në italisht, dhe fillova ta lexoja. Pastaj, një të diel paradite, po ndërroja rrobat pas meshës kur në seminar erdhën dy burra. U prezantuan si Dëshmitarë të Jehovait. Folëm për më se një orë për Biblën dhe se ç’thotë ajo për shenjat identifikuese të fesë së vërtetë.

Ç’përshtypje të lanë vizitorët?

I admiroja bindjet e tyre dhe lehtësinë me të cilën i gjenin vargjet në botimin katolik të Biblës. Më vonë më vizitoi një Dëshmitar tjetër me emrin Mario. Ishte i duruar e besnik, pasi çdo të shtunë paradite në orën 9 i binte ziles së seminarit, në diell a në shi.

Ç’mendonin priftërinjtë e tjerë për këto vizita?

I ftoja në diskutimet tona, por asnjë nuk e mori seriozisht studimin e Biblës. Kurse unë kënaqesha. Po mësoja gjëra të mrekullueshme, si përse i toleron Zoti vuajtjet dhe të ligën, gjëra që më pështjellonin prej kohësh.

A u përpoqën drejtuesit të të bindnin ta ndërpritje studimin e Biblës?

Në vitin 1975 shkova disa herë në Romë që të shpjegoja pikëpamjet e mia. Drejtuesit u përpoqën të ma ndryshonin mendjen, por asnjë nuk e përdori Biblën. Më në fund, më 9 janar 1976 i shkrova Romës për të sqaruar se nuk e konsideroja më veten katolik. Dy ditë më vonë lashë seminarin dhe mora një tren për në mbledhjen time të parë të Dëshmitarëve të Jehovait, një asamble ku ishin disa kongregacione bashkë. Gjithçka ndryshonte kryekëput nga gjërat me të cilat isha mësuar. Secili Dëshmitar kishte një Bibël dhe ndiqte oratorin teksa trajtonte tema të ndryshme.

Ç’mendonte familja jote për gjithë këtë?

Shumica e familjarëve më kundërshtuan me forcë. Por mora vesh se njëri nga vëllezërit po studionte me Dëshmitarët në Lombardi, rajon në veri të Italisë. Shkova ta takoja dhe Dëshmitarët atje më ndihmuan të gjeja punë e një vend për të jetuar. Më vonë atë vit u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.

Më në fund kam vërtet një lidhje të ngushtë me Zotin

A ndien ndonjë keqardhje?

Jo, fare. Më në fund kam vërtet një lidhje të ngushtë me Zotin, sepse ajo që di për të bazohet në Bibël, jo në filozofi a tradita fetare. Gjithashtu, mund t’i mësoj të tjerët me bindje e sinqeritet të plotë.

^ par. 13 Bibla jep përgjigje të qarta për këto e shumë pyetje të tjera. Shih te MËSIME BIBLIKE > PËRGJIGJE PËR PYETJE BIBLIKE.