Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jam i varur ndaj medias elektronike?

A jam i varur ndaj medias elektronike?

Të rinjtë pyesin

A jam i varur ndaj medias elektronike?

Çfarë kanë të përbashkët këta të tre?

«Vdes, vdes, vdes të dërgoj mesazhe. S’kam parë gjë më fantastike. Mund të thuash që jam skllav i tyre.»​—Alani. *

«Mami më bleu televizor për dhomën time dhe isha në qiellin e shtatë. Por, në vend që të flija, rrija deri natën vonë duke parë televizor. Më pëlqente më shumë të shihja televizor, sesa të rrija me familjen dhe miqtë.»​—Tereza.

«Për ca kohë, nuk bëja çap pa menduar më parë nëse më kishin dërguar ndonjë gjë në faqen time të Internetit. Nëse më dilte gjumi në mes të natës, nuk rrija dot pa hyrë në Internet. Sapo më jepej mundësia, përditësoja «blog-un» tim.»​—Ana.

Sipas teje, cili prej këtyre të treve është i fiksuar pas medias elektronike?

Alani Tereza Ana

KUR prindërit e tu ishin adoleshentë, format më të përhapura të medias elektronike ishin televizori dhe radioja. Në ato kohë, telefonat ishin thjesht telefona​—përçonin vetëm zërin dhe ndoshta vareshin në mur. A ju duket tepër e vjetër kjo skenë? Një vajzë me emrin Ana do të thoshte se po. «Prindërit e mi janë rritur në epokën e gurit për sa i përket teknologjisë,—thotë ajo.—Tani po kuptojnë se si funksionojnë disa opsione të celularëve.»

Sot mund të marrësh një telefonatë, të dëgjosh muzikë, të shohësh një shfaqje, të bësh një lojë, t’u dërgosh e-mail miqve, të bësh fotografi e të hysh në Internet​—dhe të gjitha këto vetëm me anë të një pajisjeje që mund ta mbash në xhep. Ngaqë je rritur me kompjuterë, celularë, televizorë dhe Internet, ndoshta të duket normale t’i përdorësh gjatë gjithë kohës. Por, prindërit e tu mund të jenë të mendimit se ti je bërë skllav i tyre. Nëse ata shprehen të shqetësuar për këtë, mos i shpërfill këshillat e tyre si të jenë jashtë kohe. «Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë,—tha mbreti i mençur Solomon,—kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.»​—Proverbat 18:13.

A e ke vrarë ndonjëherë mendjen se përse mund të jenë të shqetësuar prindërit e tu? Përgjigjju pyetjeve në vijim për të kuptuar nëse ke shenja që tregojnë se je i varur ndaj ndonjë forme të medias elektronike.

«A kam krijuar varësi?»

Një enciklopedi e përkufizon varësinë ndaj diçkaje si «zakoni i teprimit me një aktivitet që një person nuk është në gjendje ose nuk do që ta ndërpresë, pavarësisht nga pasojat e tij të dëmshme». Sipas këtij përkufizimi, të tre të rinjtë e cituar në fillim të këtij artikulli janë ose kanë qenë të varur ndaj medias elektronike. Po ti? Kushtoji vëmendje analizimit që i bëhet më poshtë këtij përkufizimi. Lexo citimet dhe mendo nëse ke thënë ose ke bërë diçka të ngjashme. Pastaj shkruaj përgjigjet e tua.

Teprimi. «Kaloja orë të tëra me lojërat elektronike. Më linin pa gjumë dhe s’flisja për gjë tjetër me të tjerët. Veçohesha nga familja dhe përhumbesha në botën imagjinare të lojërave.»​—Endrju.

Sipas teje, sa kohë është e arsyeshme të kalohet çdo ditë me median elektronike? ․․․․․

Po prindërit, sa kohë mendojnë se duhet të kalosh me të? ․․․․․

Gjithsej sa kohë kalon në të vërtetë çdo ditë duke dërguar mesazhe, duke parë televizor, duke futur fotografi dhe komente në një sit Interneti, duke u marrë me lojëra elektronike e kështu me radhë? ․․․․․

Hidhi një sy përgjigjeve që dhe më sipër. A mendon se po e tepron me përdorimin e medias elektronike?

□ Po □ Jo

Nuk je në gjendje ose nuk do që ta ndërpresësh. «Prindërit më shohin duke shkruar mesazhe gjatë gjithë kohës dhe më thonë se po e teproj. Por në krahasim me moshatarët e mi, unë nuk shkruaj pothuajse fare. Kurse, në krahasim me prindërit, sigurisht që dërgoj më shumë mesazhe se ata. Por kjo është si të krahasosh mollët me portokallet​—ata janë 40, kurse unë 15 vjeç.»​—Alani.

A të kanë thënë prindërit ose shokët që kalon shumë kohë me ndonjë formë të medias elektronike?

□ Po □ Jo

Nuk ke dashur apo nuk ke qenë në gjendje ta përdorësh me ekuilibër?

□ Po □ Jo

Pasoja të dëmshme. «Shokët e mi dërgojnë mesazhe gjatë gjithë kohës, edhe kur janë duke ngarë makinën. Sa e rrezikshme është kjo!»​—Xhuli.

«Kur mora celularin tim të parë, isha gjithë kohën ose duke telefonuar ose duke shkruar mesazhe. S’bëja gjë tjetër. Kjo ndikoi për keq në marrëdhënien time me familjen dhe me disa shokë. Tani vë re që, kur dal me shokët e shoqet dhe jam duke biseduar me ta, një e dy ndërpresin bisedën e thonë: ‘Oh, prit pak. Duhet t’i përgjigjem një mesazhi.’ Kjo është një arsye pse nuk jam shumë e lidhur me këta shokë.»​—Shërli.

A lexon ose shkruan ndonjëherë mesazhe ndërsa nget makinën ose gjatë orëve të mësimit?

□ Po □ Jo

Kur je duke biseduar me familjen ose shokët, a e ndërpret vazhdimisht bisedën për t’iu përgjigjur ndonjë e-mail-i, telefonate ose mesazhi?

□ Po □ Jo

A po të bëhet media elektronike pengesë për të fjetur sa duhet dhe për të bërë mësimet?

□ Po □ Jo

Si të gjesh ekuilibër?

Nëse përdor ndonjë formë të medias elektronike​—qoftë kompjuter, celular a ndonjë pajisje tjetër​—bëji vetes katër pyetjet e mëposhtme. Zbatimi i këshillave biblike dhe ndjekja e disa gjërave të thjeshta që duhet dhe nuk duhet të bësh, do të të ndihmojnë të mos rrezikosh dhe të jesh i ekuilibruar.

1. Cila është përmbajtja? «Mbusheni mendjen me gjëra të mira dhe që meritojnë lëvdim: gjëra që janë të vërteta, fisnike, të drejta, të dëlira, të dashura dhe të nderuara.»​—Filipianëve 4:8, Today’s English Version.

Duhet të rrish me shokët e familjen dhe të bisedosh për lajme dhe mendime ndërtuese.​—Proverbat 25:25; Efesianëve 4:29.

Nuk duhet të përhapësh thashetheme të dëmshme, të përfshihesh në shkëmbime mesazhesh e fotografish imorale ose të shohësh videoklipe e programe degraduese nga ana morale.​—Kolosianëve 3:5; 1 Pjetrit 4:15.

2. Kur e përdor? «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.»​—Eklisiastiu 3:1.

Duhet të kufizosh kohën që do të kalosh me telefonatat dhe mesazhet, me programet televizive ose me lojërat. Trego respekt dhe fike pajisjen gjatë ngjarjeve të rëndësishme, siç janë mbledhjet ku adhurohet Perëndia. Mund t’u përgjigjesh më vonë mesazheve.

Nuk duhet të lejosh që media elektronike të të marrë nga koha që ke programuar për të kaluar me shokët e familjen, për të studiuar ose për të bërë aktivitete frymore.​—Efesianëve 5:15-17; Filipianëve 2:4.

3. Në shoqërinë e kujt jam? «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»​—1 Korintasve 15:33.

Duhet ta përdorësh median elektronike për të forcuar lidhjet me njerëz që ju nxitin të zhvilloni zakone të mira.​—Proverbat 22:17.

Nuk duhet të gënjesh veten; do të përvetësosh edhe ti parimet, gjuhën dhe mënyrën e të menduarit të atyre me të cilët zgjedh të shoqërohesh me anë të e-mail-eve, mesazheve, televizionit, videove ose Internetit.​—Proverbat 13:20.

4. Sa kohë po kaloj? ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’​—Filipianëve 1:10.

Duhet të mbash shënim se sa kohë kalon me median elektronike.

Nuk duhet t’i shpërfillësh vërejtjet e shokëve ose drejtimin e prindërve nëse të thonë se po kalon tepër kohë me ndonjë pajisje elektronike.​—Proverbat 26:12.

Duke folur për përdorimin e mediave elektronike me ekuilibër, Endrju që cituam më parë, e përmbledh mirë këtë çështje: «Pajisjet elektronike të argëtojnë, por vetëm për një kohë të shkurtër. Kam mësuar që të mos e lë teknologjinë të kthehet në një hendek që më largon nga familja dhe shokët.»

[Shënimi]

^ par. 4 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.

[Kutia dhe figurat në faqen 25]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«Prindërit më thoshin: ‘Kaq shumë sa e përdor ti, do të t’i ngjitim duart te telefoni.’ Në fillim mendoja se bënin shaka, por më vonë e kuptova se e kishin seriozisht. Tani i kam vënë kufi vetes me mesazhet dhe jam mjaft i kënaqur për këtë.»

«Mendoja se duhej ta kontrolloja Internetin për mesazhe sa herë më jepej mundësia. Lija pas dore detyrat e shtëpisë dhe mësimet. Tani që e përdor më pak, më duket sikur kam hequr një barrë të madhe nga shpatullat. Çelësi është ta përdorësh me masë.»

[Figurat]

Xhovarni

Mëraja

[Kutia në faqen 26]

«ISHA E VARUR PAS SITIT TË NJË RRJETI SHOQËROR»

«Para disa vjetësh ndërruam shtëpi. Nuk doja t’i shkëputja lidhjet me shokët e shoqet e mia dhe ata më ftuan të futesha në një sit ku mund të shkëmbenim fotografi. Kjo dukej një mënyrë fantastike për t’i mbajtur lidhjet. Do të flisja vetëm me njerëz që njihja, jo me të panjohur, kështu që ndoshta s’do të kishte asnjë problem.

Në fillim gjithçka shkonte mirë. Hyja në sit një herë në javë që të shihja fotografitë e shokëve, të shkruaja komente dhe të lexoja komentet e tyre për fotografitë e mia. Por shumë shpejt m’u kthye në varësi. Pa e kuptuar, arrita deri aty sa qëndroja në rrjet gjithë kohën. Ngaqë kaloja shumë kohë në Internet, shokët e shokëve të mi e vunë re dhe më ftonin t’i pranoja edhe ata në listën e miqve të mi. Pastaj dihet si vazhdon​—ndonjë shok thotë që ai është gallatë, kështu që ti e pranon. Pa e kuptuar, numri i miqve me të cilët lidhesh në sit arrin në 50.

Shumë shpejt e kuptova se më rrinte mendja vetëm aty. Madje, edhe kur isha tashmë në sitin e Internetit, mendjen e kisha se kur do të mund të hyja përsëri për ta kontrolluar dhe se duhej të futja fotografi të tjera. Diku lexoja një koment, diku futja një video dhe pa e kuptuar, orët fluturonin.

M’u desh rreth një vit e gjysmë që më në fund të kuptoja se më ishte kthyer në varësi. Kurse tani, tregoj shumë kujdes me kohën që kaloj në Internet dhe synoj të zë miqësi me ata që takoj ballë për ballë dhe që e di se kanë të njëjtat norma morale si unë. Disa nga shokët e mi nuk e kuptojnë pse veproj kështu, por kam nxjerrë mësim nga kjo përvojë.»​—Elena, 18 vjeçe.

[Kutia në faqen 26]

PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?

Ndonjëherë mund të habitesh po të bisedosh me prindërit për argëtimin. «Një herë babi më tha se një nga CD-të e mia me muzikë nuk ishte e përshtatshme,—tha një vajzë me emrin Sheril.—I thashë që të uleshim bashkë e ta dëgjonim të gjithë CD-në. Ai pranoi. Pastaj më tha se nuk kishte asgjë të papërshtatshme në të.»

Më poshtë shkruaj një pyetje që ti do të doje t’ia bëje prindërve për median elektronike.

[Kutia në faqen 27]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

A ke një fëmijë adoleshent që kalon shumë kohë në Internet, dërgon e merr shumë mesazhe ose shkon më mirë me MP3-shin e tij sesa me ju? Nëse po, çfarë mund të bësh?

Një zgjidhje mund të jetë thjesht t’ia heqësh pajisjen elektronike fare. Por mos i konsidero të gjitha mediat elektronike si të dëmshme. Në fund të fundit, edhe ti ndoshta përdor ndonjë formë të mediave elektronike që prindërit e tu nuk e kishin. Prandaj, në vend që t’ia konfiskosh çdo pajisje​—për aq sa nuk ka ndonjë arsye të fortë për ta bërë këtë​—pse të mos përfitosh nga rasti për ta ndihmuar djalin ose vajzën ta përdorë median elektronike me mençuri dhe me ekuilibër? Po si mund ta bësh këtë?

Ulu dhe diskuto për këtë me fëmijën. Së pari, bëji të ditur shqetësimin tënd. Së dyti, dëgjoje kur shprehet. (Proverbat 18:13) Së treti, gjej zgjidhje praktike. Mos ki frikë të vësh kufij të përcaktuar mirë, por me arsyetueshmëri. (Filipianëve 4:5) «Kur kisha probleme me mesazhet,—thotë Elena, që përmendëm më parë,—prindërit nuk më hoqën telefonin, por më vendosën disa rregulla. Mënyra si e trajtuan ata problemin, më ndihmoi të jem më e ekuilibruar me mesazhet, edhe kur nuk jam nën vëzhgimin e prindërve.»

Po nëse djali ose vajza hidhet në mbrojtje? Mos nxirr përfundimin se këshillat e tua kanë rënë në vesh të shurdhër. Por, ki durim dhe jepi fëmijës kohë për ta menduar këtë çështje. Ka shumë të ngjarë që, ai ose ajo e kupton që ti ke të drejtë dhe do të bëjë ndryshimet e duhura. Shumë të rinj janë si një adoleshente me emrin Hejli, e cila thotë: «Në fillim më vinte hidhur kur prindërit më thoshin se isha skllave e kompjuterit. Por më vonë, sa më shumë e mendoja, aq më shumë e kuptoja se ata kishin të drejtë.»

[Figura në faqen 27]

A i ke ti nën kontroll pajisjet elektronike apo të kanë ato nën kontroll?