Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pikëpamja e Biblës

A do Perëndia që t’u lutemi «shenjtorëve»?

A do Perëndia që t’u lutemi «shenjtorëve»?

Maria dhe Tereza e konsideronin veten «katolike të devotshme». Të dyja besonin te «shenjtorët». Maria besonte se mund t’u lutej për ndihmë. Tereza i lutej rregullisht «shenjtorit» mbrojtës të fshatit të saj të lindjes. Gjithashtu, i lutej edhe «shenjtores» emrin e së cilës kishte marrë.

ASHTU si Maria dhe Tereza, miliona njerëz në mbarë botën u luten shenjtorëve të tyre për bekime. Sipas një enciklopedie, «shenjtorët ndërmjetësojnë për njerëzit» dhe «është ‘mirë dhe e dobishme’ t’u lutemi që të marrim . . . bekime nga Perëndia».​—New Catholic Encyclopedia.

Po çfarë mendon Perëndia për këtë? A do ai t’u lutemi «shenjtorëve» që ata të ndërmjetësojnë për ne? Le të shohim çfarë na thotë Bibla.

A duhet t’u lutemi «shenjtorëve»?

Fjala në greqisht që në disa përkthime të Biblës është lënë «shenjtor», do të thotë «i shenjtë». Megjithatë, në Bibël nuk thuhet në asnjë vend që ndonjë adhurues besnik i Perëndisë i lutet një «shenjtori». Pse? Enciklopedia e mësipërme thotë se «vlera e lutjeve drejtuar shenjtorëve u pranua hapur aty nga shekulli i 3-të». Kjo ishte rreth 200 vjet pas vdekjes së Krishtit. Pra, ky mësim nuk e ka origjinën nga Jezui dhe shkrimtarët e frymëzuar të Biblës që dokumentuan shërbimin e tij. Po përse ata nuk thanë që duhet t’u luteshim «shenjtorëve»?

Shumë herë Bibla mëson se duhet t’i lutemi vetëm Perëndisë dhe këtë duhet ta bëjmë në emër të Jezu Krishtit. «Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta,—tha Jezui.—Askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua.» (Gjoni 14:6, sipas përkthimit katolik Simon Filipaj) Këto fjalë të qarta janë në përputhje me mësimin e Jezuit te Mateu 6:9-13. Ndërsa shpjegonte çështjen e lutjes, Jezui u tha dishepujve: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.’» (Mateu 6:9) Është e qartë se duhet t’i lutemi vetëm Atit tonë qiellor. Kjo e vërtetë bazohet në një parim themelor të Biblës.

Lutja​—Një akt adhurimi

«Lutjet,—thotë një enciklopedi,—janë fjalë dhe mendime përnderuese që i drejtohen Perëndisë, perëndive, perëndeshave ose objekteve të tjera të adhurimit. . . . Lutjet janë një formë adhurimi me rëndësi pothuajse në të gjitha fetë e botës.» (Kursivi është yni.) Pyetni veten: «A është e përshtatshme të gjunjëzohemi dhe t’i drejtojmë lutje adhurimi dikujt tjetër dhe jo Krijuesit e Jetëdhënësit tonë?» (Psalmi 36:9) «Adhuruesit e vërtetë,—tha Jezui,—do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë, sepse Ati po kërkon adhurues të tillë.» (Gjoni 4:23) Bibla gjithashtu thotë se Krijuesi ynë kërkon që ‘t’i përkushtohemi vetëm atij’.​—Ligji i përtërirë 4:24; 6:15.

Le të shohim shembullin e apostullit të krishterë Gjon. Pasi pa vegimet madhështore të dokumentuara në librin biblik të Zbulesës, apostulli i mahnitur ‘u përkul që të adhuronte para këmbëve të engjëllit’ që i kishte treguar ato vegime. Si reagoi engjëlli? Ai i tha: «Kujdes! Mos e bëj! Unë s’jam tjetër, veçse shoku yt i skllavërisë dhe i vëllezërve të tu. . . . Perëndinë adhuro!» (Zbulesa 22:8, 9) Po, edhe në këtë rast Bibla thekson se duhet të adhurojmë vetëm Perëndinë Jehova.

Në harmoni me çka thamë më lart, vetëm Perëndia quhet «Dëgjues i lutjes». (Psalmi 65:2) Për më tepër, si i Plotfuqishmi, vetëm ai ka autoritetin, njohurinë dhe fuqinë për t’iu përgjigjur kërkesave të përshtatshme të bëra nëpërmjet lutjeve. (Jobi 33:4) Madje, edhe Jezu Krishti vetë pranoi kufizimet e tij. (Mateu 20:23; 24:36) Pavarësisht nga kjo, Jezu Krishtit i është dhënë mjaft autoritet, përfshirë përgjegjësinë për të shërbyer si Ndërmjetësi i njerëzimit.

Një Ndërmjetës i dhembshur

Bibla thotë për Jezuin: «Ai është në gjendje t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse është gjithmonë gjallë për të ndërmjetësuar për ta.» (Hebrenjve 7:25) Me fjalë të tjera, Jezui shërben si Ndërmjetës i dhembshur në emër të atyre që «i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij». Kjo nuk do të thotë që duhet t’i lutemi Jezuit se pastaj është ai që, si të thuash, do t’ia transmetojë lutjen tonë Perëndisë. Përkundrazi, kjo do të thotë se i lutemi Perëndisë në emër të Jezuit, duke pranuar kështu autoritetin e tij. Pse Jezui është Ndërmjetësi i përsosur?

Së pari, Jezui jetoi si njeri, dhe kjo e ndihmoi t’i kuptojë më mirë vuajtjet e të tjerëve. (Gjoni 11:32-35) Përveç kësaj, ai e tregoi dashurinë e tij për njerëzit duke shëruar të sëmurët, duke ringjallur të vdekurit dhe duke i ndihmuar të gjithë ata që shkonin tek ai për të mësuar për Perëndinë. (Mateu 15:29, 30; Luka 9:11-17) Ai madje fali mëkatet. (Luka 5:24) Kjo na siguron që, nëse mëkatojmë, «ne kemi një ndihmës pranë Atit, që është i drejtë, Jezu Krishtin».​—1 Gjonit 2:1.

Dashuria dhe dhembshuria e Jezuit janë cilësi që duhet të përpiqemi t’i imitojmë. Vërtet nuk kemi autoritetin të shërbejmë si ndërmjetës, por mund të lutemi për të tjerët. Në fakt, dashuria duhet të na shtyjë ta bëjmë këtë. «Lutuni për njëri-tjetrin,—shkroi Jakovi.—Përgjërimi i të drejtit vepron me shumë forcë.»​—Jakovi 5:16.

Maria dhe Tereza i mësuan këto të vërteta të çmuara duke e shqyrtuar vetë Biblën. Dëshmitarët e Jehovait ju ftojnë të bëni të njëjtën gjë edhe ju. Siç tha Jezui, «ata që e adhurojnë [Perëndinë], duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë».​—Gjoni 4:24.