Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI NJËZET E DY

Ai qëndroi besnik në sprova

Ai qëndroi besnik në sprova

1, 2. Çfarë mund të ketë shpresuar Pjetri ndërsa Jezui fliste në Kapernaum, por çfarë ndodhi?

PJETRI ua nguli sytë me ankth fytyrave përqark të drejtuara nga Jezui. Ishin në sinagogë, në Kapernaum. Familja e Pjetrit banonte në këtë qytet; aktiviteti i tij i peshkimit zhvillohej këtu në bregun verior të detit të Galilesë; shumë prej miqve, të afërmve dhe njerëzve me të cilët e kish lidhur puna, jetonin këtu. Natyrisht, Pjetri shpresonte që bashkëqytetarët ta kuptonin kush ishte Jezui, siç e kishte kuptuar ai, dhe të provonin po atë entuziazëm që provoi ai kur mësoi për Mbretërinë e Perëndisë nga mësuesi më i madh që ka ekzistuar në tokë. Siç dukej, nuk do të ndodhte kështu.

2 Shumë veta nuk po ia vinin më veshin. Disa dëgjoheshin tek murmuritnin duke hedhur poshtë fjalët e Jezuit. Por diçka tjetër e merakoste më shumë Pjetrin: reagimi i disa prej dishepujve të vetë Jezuit. Fytyrat e tyre nuk rrezatonin më lumturinë që provon kur të hapen sytë, entuziazmin që ndien kur zbulon diçka të re, dhe gëzimin që provon kur mëson të vërtetën. Tani dukeshin të mërzitur, madje të zemëruar. Disa folën kundër, duke i quajtur tronditëse fjalët e Jezuit. Nuk donin të dëgjonin më, u larguan nga sinagoga dhe nuk e ndoqën më Jezuin.​—Lexo Gjonin 6:60, 66.

3. Për çfarë e ndihmoi disa herë besimi Pjetrin?

3 Ishte kohë e vështirë për Pjetrin dhe apostujt e tjerë. Ai nuk e kuptoi plotësisht çka tha Jezui atë ditë. Sigurisht, e kuptonte pse fjalët e Jezuit mund të dukeshin të rënda po të mos shpjegoheshin. Si do të reagonte Pjetri? Nuk ishte as hera e parë dhe as e fundit që i vihej në provë besnikëria ndaj Zotërisë së tij. Le të shohim si e ndihmoi besimi t’u bënte ballë sprovave dhe të qëndronte besnik.

Besnik kur të tjerët nuk u treguan besnikë

4, 5. Si kishte vepruar Jezui ndryshe nga ç’pritnin njerëzit prej tij?

4 Shpesh edhe vetë Pjetri habitej me Jezuin. Sa e sa herë Zotëria vepronte dhe fliste në një mënyrë që ishte krejt ndryshe  nga ç’pritnin njerëzit prej tij. Vetëm një ditë më parë, Jezui kishte ushqyer një turmë me mijëra njerëz me anë të një mrekullie. Pas kësaj, ata ishin orvatur ta bënin mbret. Por, shumë veta u habitën ngaqë ai iku dhe i udhëzoi dishepujt të hipnin në barkë e të niseshin për në Kapernaum. Teksa dishepujt lundronin natën, Jezui i habiti prapë kur eci mbi detin e stuhishëm të Galilesë dhe i dha Pjetrit një mësim të rëndësishëm për besimin.

5 Në mëngjes, vunë re sakaq se turmat u kishin hipur barkave dhe i kishin ndjekur. Megjithatë, siç duket, njerëzit ishin shtyrë nga dëshira që Jezui t’u jepte më shumë ushqim me anë të ndonjë mrekullie, jo ngaqë kishin etje për të vërtetat frymore. Jezui i qortoi për qëndrimin e tyre materialist. (Gjoni 6:25-27) Ky diskutim vazhdoi në sinagogën e Kapernaumit, ku Jezui u përpoq t’u mësonte një të vërtetë jetësore, por të vështirë. Edhe kësaj here veproi ndryshe nga ç’pritnin njerëzit prej tij.

6. Cilin ilustrim përdori Jezui dhe si reaguan dëgjuesit?

6 Jezui nuk donte që njerëzit ta shihnin si burim ushqimi, por si një masë që kishte marrë Perëndia për mirëqenien e tyre frymore. Donte ta kuptonin se ishte i vetmi që me jetën dhe vdekjen e tij si njeri, do të bënte të mundur që të tjerët të kishin jetën e përhershme. Prandaj u bëri një ilustrim ku e krahasoi veten me manën, bukën që erdhi nga qielli në ditët e Moisiut. Kur disa kundërshtuan, përdori një ilustrim të gjallë dhe u shpjegoi se duhej të hanin mishin dhe të pinin gjakun e tij që të fitonin jetën. Pikërisht në këtë moment kundërshtimet morën zjarr. Disa thanë: «Ky i folur është tronditës! Kush mund ta dëgjojë?» Shumë nga dishepujt vendosën të mos e ndiqnin më. *​—Gjoni 6:48-60, 66.

7, 8. (a) Çfarë nuk kuptonte ende Pjetri për rolin e Jezuit? (b) Si iu përgjigj Pjetri pyetjes që i bëri Jezui dishepujve?

7 Ç’do të bënte Pjetri? Me siguri, edhe atë e befasoi fjalimi i Jezuit. Ai ende nuk e kishte kuptuar se Jezui duhej të vdiste që të përmbushte vullnetin e Perëndisë. A u tundua Pjetri të largohej si dishepujt e lëkundur që e braktisën Jezuin atë ditë? Jo; diçka e rëndësishme e dallonte Pjetrin nga ata burra. Çfarë?

8 Jezui u kthye nga apostujt dhe tha: «Mos doni të shkoni edhe ju?» (Gjoni 6:67) Ai iu drejtua të 12-ve, por ishte Pjetri që u përgjigj. Kjo ndodhte shpesh. Mbase Pjetri ishte më i madhi në moshë. Sidoqoftë, ai fliste më troç nga të gjithë; siç duket, rrallë  ndodhte që Pjetri të mos e thoshte ç’kishte në mendje. E kësaj here, ajo çka mendonte ishte ky pohim i bukur dhe i paharrueshëm: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme.»​—Gjoni 6:68.

9. Si tregoi Pjetri besnikëri ndaj Jezuit?

9 A nuk të prekin zemrën këto fjalë? Besimi që kishte Pjetri te Jezui e kishte ndihmuar të kultivonte një cilësi të vyer: besnikërinë. Pjetri e kuptonte qartë se Jezui ishte i vetmi Shpëtimtar që kishte siguruar Jehovai dhe se Jezui sillte shpëtimin me fjalët e tij, me mësimet për Mbretërinë e Perëndisë. Pjetri e dinte se edhe po të kishte gjëra që e pështjellonin ngaqë s’i kuptonte, s’kishte ku të shkonte tjetër nëse donte miratimin e Perëndisë dhe bekimin e jetës së përhershme.

Duhet t’i qëndrojmë besnikë mësimeve të Jezuit edhe atëherë kur bien ndesh me atë çka pritnim a me preferencat tona

10. Si mund ta imitojmë ne sot besnikërinë e Pjetrit?

10 A mendon edhe ti kështu? Mjerisht, shumë veta në botën e sotme thonë se e duan Jezuin, por dështojnë kur u vihet në provë besnikëria. Besnikëria e sinqertë ndaj Krishtit kërkon që të kemi pikëpamjen e Pjetrit për mësimet e Jezuit. Duhet t’i njohim ato, të kuptojmë domethënien dhe të jetojmë sipas tyre, edhe atëherë kur na befasojnë sepse bien ndesh me atë çka pritnim a me preferencat tona. Vetëm duke provuar se jemi besnikë mund të shpresojmë të fitojmë jetën e përhershme që dëshiron Jezui për ne.​Lexo  Psalmin 97:10.

Besnik kur duhej ndrequr

11. Në cilin udhëtim i mori Jezui dishepujt? (Shih edhe shënimin.)

11 S’kaloi shumë nga ato ditë plot aktivitete kur Jezui mori apostujt e disa dishepuj dhe u nisën për një udhëtim të gjatë drejt veriut. Maja kësulëbardhë e malit Hermon në skajin më verior të Tokës së Premtuar, nganjëherë dukej që nga ujërat e kaltra të detit të Galilesë. Silueta e malit sa vinte e lartohej, teksa grupi afrohej duke ndjekur të përpjetën drejt fshatrave afër Cezaresë së Filipit. * Në këtë sfond të këndshëm, ku syri të rrokte një pjesë të mirë të viseve jugore të Tokës së Premtuar, Jezui u bëri një pyetje të rëndësishme ithtarëve të tij.

12, 13. (a) Pse donte të dinte Jezui se ç’mendonin njerëzit për identitetin e tij? (b) Si tregoi Pjetri besim të sinqertë me fjalët që i tha Jezuit?

12 «Çfarë thonë turmat: kush jam unë?»—donte të dinte ai. Të përfytyrojmë Pjetrin teksa sheh sytë depërtues të Jezuit dhe  ndien sërish sa i mirë është Zotëria dhe sa qartë duket zgjuarsia e tij e jashtëzakonshme. Jezui interesohej se çfarë përfundimi po nxirrnin njerëzit nga ajo që shihnin e dëgjonin. Dishepujt e Jezuit iu përgjigjën pyetjes duke përsëritur disa nga idetë e gabuara që qarkullonin për identitetin e tij. Por Jezui donte të dinte më shumë. A po bënin të njëjtin gabim edhe ithtarët e tij më të ngushtë? «Po ju ç’thoni: kush jam unë?»—i pyeti.​—Luka 9:18-20.

13 Edhe kësaj here Pjetri u përgjigj pa e bërë të gjatë. Me fjalë të qarta e të guximshme, ai shprehu atë përfundim që shumë nga dishepujt kishin nxjerrë në zemrën e vet. «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë»,—tha ai. Mund ta imagjinojmë Jezuin tek i buzëqesh me miratim Pjetrit kur e lavdëron me ngrohtësi. Jezui i kujtoi Pjetrit se ishte Perëndia Jehova, jo ndonjë njeri, që ua kishte bërë kaq të qartë këtë të vërtetë jetësore njerëzve me besim të sinqertë. Pjetrit i ishte dhënë aftësia të shquante një nga të vërtetat më madhështore që Jehovai ka zbuluar: identitetin e Mesisë ose Krishtit, të premtuar qysh nga kohët e hershme.​—Lexo Mateun 16:16, 17.

14. Ç’privilegje të rëndësishme i dha Jezui Pjetrit?

14 Ky Krisht ishte pikërisht ai që në profecinë e lashtë quhej guri që ndërtuesit do ta hidhnin poshtë. (Psal. 118:22; Luka 20:17) Me këto profeci në mendje, Jezui zbuloi se Jehovai do të themelonte një kongregacion mbi atë gur ose shkëmb që Pjetri sapo kishte identifikuar. Më tej, ai i dha Pjetrit disa privilegje mjaft të rëndësishme në atë kongregacion. Nuk i dha epërsi mbi apostujt e tjerë, siç kanë menduar disa, por përgjegjësi. Jezui i dha «çelësat e mbretërisë». (Mat. 16:19) Do të ishte privilegji i Pjetrit t’u jepte mundësinë për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë tri grupeve: së pari judenjve, pastaj samaritanëve dhe në fund jojudenjve.

15. Pse dhe me çfarë fjalësh e qortoi Pjetri Jezuin?

15 Megjithatë, më vonë Jezui tha se atyre që iu dha shumë, do t’u kërkohej shumë. Këtë e tregon edhe rasti i Pjetrit. (Luka 12:48) Jezui vazhdoi të zbulonte të vërteta jetësore për Mesinë, përfshirë edhe faktin e sigurt që së shpejti do të vuante dhe do të vdiste në Jerusalem. Pjetri u shqetësua kur dëgjoi këtë. E mori  Jezuin veçmas dhe e qortoi me fjalët: «Ji i mirë me veten, Zotëri. Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.»​—Mat. 16:21, 22.

16. Si e ndreqi Jezui Pjetrin dhe cilën këshillë praktike gjejmë të gjithë ne në fjalët e Jezuit?

16 Natyrisht, Pjetri nisej nga e mira dhe me siguri nuk e priste përgjigjen e Jezuit. Jezui i ktheu shpinën, pa nga dishepujt e tjerë, që ka shumë gjasa të mendonin si Pjetri, dhe tha: «Largohu nga unë, Satana! Ti je pengesë për mua, sepse nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.» (Mat. 16:23; Mar. 8:32, 33) Në fjalët e Jezuit gjejmë një këshillë të vlefshme për të gjithë ne. Është fare e lehtë të lejojmë që mënyra e të menduarit sipas njerëzve të mbizotërojë mbi mënyrën e të menduarit sipas Perëndisë. Po të veprojmë kështu, edhe kur nisemi me mendimin për t’i ndihmuar të tjerët, pa dashje, mund të bëhemi përkrahës të qëllimit të Satanait dhe jo të Jehovait. Si reagoi Pjetri?

17. Ç’kishte në mendje Jezui kur i tha Pjetrit «largohu nga unë»?

17 Pjetri duhet ta ketë kuptuar se Jezui nuk po e quante Satana Djall në kuptimin e mirëfilltë. Në fund të fundit, Jezui nuk i foli Pjetrit siç i kishte folur Satanait. Jezui i kishte thënë atij «ik tutje, Satana», kurse me Pjetrin përdori fjalë që në gjuhën origjinale mund të përkthehen «dil prapa meje». (Mat. 4:10) Jezui nuk e hodhi poshtë këtë apostull, tek i cili pa shumë gjëra të mira, por thjesht ia ndreqi pikëpamjen e gabuar për këtë çështje. Kuptohet qartë se Pjetri nuk duhej t’i dilte më para Zotërisë si një gur pengese, por t’i shkonte pas si një ithtar që e mbështeste.

Vetëm po ta pranojmë me përulësi disiplinën dhe të mësojmë prej saj, mund të lidhemi më ngushtë me Jezu Krishtin dhe Atin e tij, Perëndinë Jehova

18. Si shfaqi besnikëri Pjetri dhe si mund ta imitojmë?

18 A debatoi Pjetri, a u zemërua ose a i mbajti inat? Jo; me përulësi e pranoi korrigjimin. Pra, u tregua sërish besnik. Të gjithë ne që ndjekim Krishtin nganjëherë do të kemi nevojë për ndreqje. Vetëm po ta pranojmë me përulësi disiplinën dhe të mësojmë prej saj, mund të lidhemi më ngushtë me Jezu Krishtin dhe Atin e tij, Perëndinë Jehova.​—Lexo Proverbat 4:13.

Pjetri u tregua besnik edhe kur duhej ndrequr

Besnikëria shpërblehet

19. Cilin pohim befasues bëri Jezui dhe ç’mund të ketë menduar Pjetri?

19 S’kaloi shumë dhe Jezui bëri një pohim tjetër befasues: «Vërtet po ju them se disa nga këta që po qëndrojnë këtu, nuk  do ta shijojnë fare vdekjen pa e parë më parë Birin e njeriut të vijë si mbret.» (Mat. 16:28) Pa dyshim që këto fjalë zgjuan kureshtje të madhe te Pjetri. Ç’donte të thoshte Jezui? Mbase Pjetri vriste mendjen nëse korrigjimi i fortë që sapo kishte marrë nënkuptonte se ai nuk do të merrte privilegje të tilla të veçanta.

20, 21. (a) Përshkruaj vegimin që pa Pjetri. (b) Si e ndreqi Pjetrin biseda mes burrave në vegim?

20 Megjithatë, pas nja një jave, Jezui mori Jakovin, Gjonin e Pjetrin dhe i çoi «në një mal të lartë», ndoshta në malin Hermon, vetëm ca kilometra larg. Ka të ngjarë të ishte natë, pasi tre burrat mundoheshin të mos i zinte gjumi. Por, ndërsa Jezui lutej, ndodhi diçka që ua nxori fare gjumin.​—Mat. 17:1; Luka 9:28, 29, 32.

21 Jezui nisi të ndryshonte para syve të tyre. Fytyra e tij filloi të shkëlqente, të rrëzëllente derisa u bë e ndritshme si dielli.  Edhe rrobat e tij u bënë të bardha e vezulluese. Pastaj u shfaqën dy burra me Jezuin, njëri përfaqësonte Moisiun, tjetri Elijan. Ata folën me të «për ikjen e tij, që do të ndodhte në Jerusalem», me sa duket për vdekjen dhe ringjalljen. Sa e qartë ishte tani që Pjetri kishte gabuar kur nuk pranoi që Jezui të kalonte një përvojë kaq të dhembshme!​—Luka 9:30, 31.

22, 23. (a) Si shfaqi Pjetri entuziazëm dhe ngrohtësi? (b) Cilin shpërblim tjetër morën atë natë Pjetri, Jakovi dhe Gjoni?

22 Pjetrit s’i rrihej pa marrë pjesë disi në këtë vegim të jashtëzakonshëm, me shpresën se do e zgjaste atë. Dukej sikur Moisiu dhe Elija po largoheshin nga Jezui. Prandaj Pjetri foli: «Mësues, është gjë e mirë që jemi këtu. Na lër të ngremë tri tenda: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elijan.» Natyrisht, këto ishin vetëm vegime që përfaqësonin dy shërbëtorë të dashur të Jehovait, të cilët kishin vdekur nga shumë kohë, ndaj nuk kishin nevojë për tenda. Pjetri nuk e kuptonte ç’po thoshte. Gjithsesi, a nuk të bën për vete ky njeri për entuziazmin dhe ngrohtësinë e tij?​—Luka 9:33.

Pjetri bashkë me Jakovin dhe Gjonin u shpërblye me një vegim drithërues

23 Pjetri, Jakovi dhe Gjoni morën një shpërblim tjetër atë natë. Një re u formua dhe nisi t’i mbulonte në mal. Një zë u dëgjua nga reja, vetë zëri i Perëndisë Jehova! Ai tha: «Ky është Biri im, që e kam zgjedhur. Dëgjojeni.» Pastaj vegimi përfundoi dhe ata ishin vetëm me Jezuin në mal.​—Luka 9:34-36.

24. (a) Si nxori dobi Pjetri nga vegimi i shpërfytyrimit? (b) Si nxjerrim edhe ne sot dobi nga vegimi i shpërfytyrimit?

24 Ç’dhuratë ishte vegimi i shpërfytyrimit për Pjetrin, por edhe për ne! Dekada më vonë, ai shkroi për privilegjin që pati atë natë kur pa një pamje paraprake të Jezuit si Mbret i lavdishëm qiellor dhe që ishte një nga ‘dëshmitarët okularë të madhështisë’ së Jezuit. Ky vegim vërtetoi shumë profeci të Fjalës së Perëndisë dhe ia forcoi besimin Pjetrit për sprovat që e prisnin. (Lexo 2 Pjetrit 1:16-19.) Ai mund të ndikojë njësoj edhe te ne, nëse, ashtu si Pjetri, i qëndrojmë besnikë Zotërisë që Jehovai na ka caktuar duke mësuar prej tij, duke pranuar disiplinën e ndreqjen prej tij dhe duke e ndjekur ditë për ditë me përulësi.

^ par. 6 Kur krahasojmë reagimin e turmës ndaj fjalëve të Jezuit në sinagogë me shprehjet e tyre vetëm një ditë më parë, kur me entuziazëm e shpallën Jezuin profet të Perëndisë, duket qartë sa shpejt ndryshonin mendim.​—Gjoni 6:14.

^ par. 11 Që nga brigjet e detit të Galilesë, ai udhëtim prej 50 kilometrash e çoi grupin nga afro 210 metra nën nivelin e detit deri në një lartësi prej 350 metrash mbi nivelin e detit, teksa përshkonte vise plot bukuri.