Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të pagëzohem?

A duhet të pagëzohem?

KAPITULLI 37

A duhet të pagëzohem?

Shëno e vërtetë ose e rreme për pohimet e mëposhtme:

Pagëzimi është një kërkesë për të krishterët.

□ E vërtetë

□ E rreme

Qëllimi kryesor i pagëzimit është të të mbrojë të mos biesh në mëkat.

□ E vërtetë

□ E rreme

Pagëzimi të jep mundësi të shpëtosh.

□ E vërtetë

□ E rreme

Nëse nuk je i pagëzuar, nuk mban përgjegjësi para Perëndisë për veprimet e tua.

□ E vërtetë

□ E rreme

Nëse shokët e tu po pagëzohen, do të thotë se edhe ti je gati të pagëzohesh.

□ E vërtetë

□ E rreme

NËSE po jeton sipas normave të Perëndisë, po forcon miqësinë me Perëndinë dhe po u flet të tjerëve për besimin tënd, është më se normale që të mendosh për pagëzimin. Por, si mund ta dish nëse je gati për këtë hap? Për të marrë përgjigje le të ndalemi te pohimet e mësipërme.

Pagëzimi është një kërkesë për të krishterët.

E vërtetë. Jezui u kërkoi dishepujve të tij të pagëzoheshin. (Mateu 28:19, 20) Në fakt, edhe vetë Jezui u tregua i gatshëm të pagëzohej. Për të ndjekur Krishtin, duhet të pagëzohesh atëherë kur je mjaft i pjekur për ta marrë këtë vendim dhe ke vërtet dëshirë për ta bërë.

Qëllimi kryesor i pagëzimit është të të mbrojë që të mos biesh në mëkat.

E rreme. Pagëzimi është diçka simbolike që u tregon të tjerëve se i je kushtuar Jehovait. Kushtimi nuk është një kontratë e ftohtë që të ndalon të bësh ato gjëra që përbrenda do të doje t’i bëje. Përkundrazi, ia kushton jetën Jehovait, sepse dëshiron të jetosh sipas normave të tij.

Pagëzimi të jep mundësi të shpëtosh.

E vërtetë. Bibla thotë se pagëzimi është një hap i rëndësishëm drejt shpëtimit. (1 Pjetrit 3:21) Megjithatë, kjo s’do të thotë se është si një siguracion që paguan për raste dëmtimi. Ti pagëzohesh sepse e do Jehovain dhe dëshiron t’i shërbesh me gjithë zemër përgjithmonë.​—Marku 12:29, 30.

Nëse nuk je i pagëzuar, nuk mban përgjegjësi para Perëndisë për veprimet e tua.

E rreme. Jakovi 4:17 thotë: «Nëse dikush di ta bëjë atë që është e drejtë, por nuk e bën, bën mëkat», qofsh i pagëzuar ose jo. Prandaj, nëse e di se çfarë është e drejtë dhe je aq i pjekur sa të analizosh seriozisht jetën tënde, ndoshta është koha të flasësh me njërin nga prindërit ose me një të krishterë tjetër të pjekur. Kështu, do të dish si të përparosh drejt pagëzimit.

Nëse shokët e tu po pagëzohen, do të thotë se edhe ti je gati të pagëzohesh.

E rreme. Vendimi për t’u pagëzuar duhet të vijë ngaqë e dëshiron me zemër. (Psalmi 110:3) Pagëzimi duhet bërë vetëm atëherë kur je plotësisht i vetëdijshëm se çfarë kërkohet që të jesh Dëshmitar i Jehovait, dhe kur je i sigurt se je gati për ta marrë këtë përgjegjësi.​—Eklisiastiu 5:4, 5.

Një hap që të ndryshon jetën

Pagëzimi është një hap që të ndryshon jetën e të sjell shumë bekime. Në të njëjtën kohë, ai përfshin edhe një përgjegjësi serioze: të jetosh në lartësinë e kushtimit që i ke bërë Jehovait.

A je gati për këtë hap? Nëse po, lum ti! Të pret privilegji më i madh që mund të kesh: t’i shërbesh Jehovait me gjithë zemër dhe të jetosh në një mënyrë që tregon se i je kushtuar vërtet atij.​—Mateu 22:36, 37.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Mëso si të vësh synime që të bësh një jetë sa më domethënëse.

SHKRIMI KYÇ

«T’i paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, që të bëni një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar.»​—Romakëve 12:1.

KËSHILLË

Me ndihmën e prindërve, gjej dikë në kongregacion që mund të të ndihmojë të përparosh drejt pagëzimit.​—Veprat 16:1-3.

A E DIJE . . . ?

Pagëzimi është një pjesë e domosdoshme e ‘shenjës’ që duhet të kesh për të shpëtuar.​—Ezekieli 9:4-6.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Që të përparoj drejt pagëzimit, do të përpiqem të kuptoj më mirë këto mësime biblike: ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse pagëzimi është një hap serioz?

● Çfarë mund ta shtyjë një të ri të pagëzohet tepër shpejt?

● Për ç’arsye një i ri mund ta shtyjë kushtimin dhe pagëzimin pa qenë nevoja?

[Diçitura në faqen 306]

«Duke mos harruar se isha e pagëzuar, e kisha më të lehtë të merrja vendime të mençura dhe të mos merrja një rrugë që mund të më sillte pasoja të dëmshme.»​—Olta

[Kutia dhe figura në faqen 307]

Pyetjet që bëhen shpesh për pagëzimin

Çfarë simbolizon pagëzimi? Zhytja dhe dalja nga uji do të thotë të vdesësh për sa i përket jetës së mëparshme kur jetoje vetëm për vete dhe të kthehesh në jetë për të bërë vullnetin e Jehovait.

Çfarë do të thotë t’ia kushtosh jetën Jehovait? Do të thotë të heqësh dorë nga vetja, duke premtuar se do të vësh mbi gjithçka kryerjen e vullnetit të Perëndisë. (Mateu 16:24) Është e përshtatshme që, kohë para pagëzimit, të bësh kushtimin në mënyrë formale me një lutje drejtuar Jehovait.

Si duhet të jetë jeta jote para pagëzimit? Duhet të jetosh në përputhje me Fjalën e Perëndisë dhe t’u flasësh të tjerëve për besimin. Duhet të krijosh miqësi me Perëndinë nëpërmjet lutjes dhe studimit të Fjalës së tij. Duhet t’i shërbesh Jehovait sepse ke vendosur vetë, dhe jo sepse të shtyjnë të tjerët.

A ka një moshë të caktuar kur duhet të pagëzohesh? Mosha nuk është gjëja kryesore. Megjithatë, duhet të jesh aq i rritur dhe i pjekur, sa të kuptosh domethënien e kushtimit.

Po nëse dëshiron të pagëzohesh, por prindërit thonë se duhet të presësh akoma? Ndoshta duan që të fitosh edhe ca përvojë në jetën si i krishterë. Çmoje këshillën e tyre dhe shfrytëzoje këtë kohë për të forcuar miqësinë me Jehovain.​—1 Samuelit 2:26.

[Kutia në faqet 308, 309]

Fletë pune

A po mendon të pagëzohesh?

Shih sa ke përparuar duke shqyrtuar pyetjet dhe pohimet e mëposhtme. Lexoji të gjitha shkrimet e përmendura para se të përgjigjesh.

Si po tregon tashmë se gjen siguri te Jehovai?​—Psalmi 71:5. ․․․․․

Si ke treguar se i ke stërvitur aftësitë perceptuese për të shquar të drejtën dhe të gabuarën?​—Hebrenjve 5:14. ․․․․․

Sa shpesh lutesh? ․․․․․

Sa specifike janë lutjet e tua dhe çfarë tregojnë për dashurinë tënde për Jehovain?​—Psalmi 17:6. ․․․․․

Shkruaj më poshtë synimet që dëshiron të vëshnë lidhje me lutjet. ․․․․․

Sa i rregullt është studimi yt i Biblës?​—Josiu 1:8. ․․․․․

Çfarë përfshin në studimin personal? ․․․․․

Shkruaj më poshtë synimet që dëshiron të vësh në lidhje me studimin personal. ․․․․․

A bën një shërbim domethënës? (Për shembull: A mund t’u shpjegosh të tjerëve mësimet bazë të Biblës? A i riviziton të interesuarit? A po përpiqesh të arrish synimin për të filluar një studim biblik?)

□ Po □ Jo

A del në shërbim edhe kur nuk janë prindërit?​—Veprat 5:42.

□ Po □ Jo

Shkruaj më poshtë synimet që dëshiron të vësh në lidhje me shërbimin.​—2 Timoteut 2:15. ․․․․․

A shkon rregullisht në mbledhjet e kongregacionit apo me hope?​—Hebrenjve 10:25. ․․․․․

Në cilat mënyra aktivizohesh në mbledhje? ․․․․․

A shkon në mbledhje edhe pa prindërit (nëse ata të lejojnë)?

□ Po □ Jo

A mund të thuash se të pëlqen vërtet të bësh vullnetin e Perëndisë?​—Psalmi 40:8.

□ Po □ Jo

A mund të shënosh raste kur i ke rezistuar presionit të shokëve?​—Romakëve 12:2. ․․․․․

Si mendon ta mbash të fortë dashurinë për Jehovain?​—Juda 20, 21. ․․․․․

A do t’i shërbeje Jehovait edhe nëse prindërit dhe miqtë do ta braktisnin?​—Mateu 10:36, 37.

□ Po □ Jo

[Figura në faqen 310]

Njësoj si martesa, pagëzimi është një hap që të ndryshon jetën dhe s’duhet marrë lehtë