NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR
JW Broadcasting ‘na forcon e na gjallëron’
QË ME transmetimin e parë në vitin 2014, stacioni televiziv në Internet i quajtur JW Broadcasting, u ka dhënë gjithnjë e më shumë zemër dhe u ka forcuar besimin shikuesve të panumërt përreth botës. Ky stacion tani disponohet në mbi 90 gjuhë. Për shembull, tani programet përkthehen në gjuhët eve, ga dhe tui (siç tregohet), për kënaqësinë e mbi 130.000 lajmëtarëve në Benin, në Bregun e Fildishtë dhe në Togo. *
Agata, gruaja e një mbikëqyrësi qarkor në Ganë, thotë: «Më duket sikur Jehovai më flet drejtpërdrejt në dhomën time, kur dëgjoj anëtarët e Trupit Udhëheqës dhe ndihmësit
e tyre. Pa këtë mjet si do të mundesha unë, një vajzë e thjeshtë diku në një cep të tokës, të kisha këtë privilegj kaq të madh? Na ka afruar më shumë me motrat e vëllezërit tanë të shtrenjtë nëpër botë.»Nga Zambie vjen ky raport: «Edhe pse janë me të ardhura të pakta, lajmëtarët në shumë kongregacione bëjnë përpjekje që të nxjerrin dobi nga JW Broadcasting. Për shembull, kongregacioni i Misakos, rreth 32 kilometra nga qyteti më i afërt, ndodhet në një zonë bujqësore që përshkohet nga përrenj të rrëmbyeshëm gjatë stinës së shirave.» Simoni, një shërbëtor ndihmës, i cili erdhi në kongregacion për të shërbyer ku ka më shumë nevojë, shpjegon: «Çdo muaj dikush nga kongregacioni ecën rreth dy orë për të dalë në rrugën kryesore dhe që aty, me një mjet të transportit publik, shkon në një qytet ku vëllezërit mund t’i shkarkojnë programet. Një burrë 70-vjeçar dhe dy djemtë e tij nuk i kishin ndjekur më parë mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, por ai ngeli i befasuar kur pa se shfaqeshin video në to, edhe në këtë zonë kaq të thellë. Ai tha: ‘Kështu mësohet për Zotin’.»
Në një letër vlerësimi nga Rusia thuhet: «U bë një vit që e ndjekim JW Broadcasting dhe jemi të lumtur që kemi këtë mundësi. Pas transmetimit të parë, u ndiemë menjëherë pjesë e vëllazërisë së bashkuar. Sa ndjenjë e mrekullueshme! Jemi një familje e madhe. U kënaqëm kur pamë vëllezërit tanë të dashur nga Trupi Udhëheqës. Ata përpiqen me gjithë shpirt të na sigurojnë ushqim në kohën e duhur dhe na duket sikur i takojmë nga afër. Mezi presim programin e çdo muaji. Ndihemi edhe më krenarë që mbajmë emrin Dëshmitarë të Jehovait. Faleminderit vëllezër të dashur! Falënderojmë Jehovain dhe
Krishtin për të gjitha veprat e tyre të mrekullueshme. JW Broadcasting na forcon e na gjallëron.»Horsti dhe Helga, një çift i moshuar me kufizime shëndetësore në Gjermani, shkruajnë: «JW Broadcasting është i jashtëzakonshëm. Marrim forcë, sidomos kur shohim shembujt e motrave dhe vëllezërve me nevoja të veçanta. Shembulli i tyre na nxit të japim më të mirën, edhe pse kemi probleme me shëndetin. Kur pamë se një vëlla i paralizuar nga mesi e poshtë shërben si plak, mësuam se çdokush mund t’i japë Jehovait diçka me vlerë. Teksa shohim motra e vëllezër të tillë të shkëlqyer, nuk na ngelet veçse të falënderojmë Jehovain e t’i përgjërohemi t’i bekojë pamasë.»
Kodi nga Anglia thotë: «Faleminderit për kohën që kaloni e përpjekjet që bëni për të na siguruar jw.org, JW Broadcasting dhe videot me Danielin e Sarën. Faleminderit që e bëni Biblën më të lehtë për t’u kuptuar. U pagëzova kur isha tetë vjeçe. Kur të rritem edhe pak do të dal vullnetare për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Më pëlqen të punoj edhe në Bethel. Tani jam nëntë vjeçe, ndaj nuk më duhet edhe shumë kohë.»
Arabela 8 vjeçe, e cila jeton në Angli, shkroi: «Faleminderit për videot dhe aktivitetet për fëmijë! Ato më ndihmojnë ta njoh më mirë Jehovain. Aktivitetet për fëmijë në jw.org më ndihmojnë që të mësoj për Jehovain duke u zbavitur. Ju bëni këngë të bukura që mund të mbahen mend nga të gjithë. Edhe videot me Danielin dhe Sarën më ndihmojnë. Faleminderit për punën tuaj të palodhur!»