NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR
«Ju jeni fqinjët më të mirë»
NË DATAT 7 dhe 8 maj 2016, selia botërore në adresën 25 Columbia Heights në Bruklin, Nju-Jork, gëlonte nga vizitorët që prisnin me padurim çdo të ndodhte. Zakonisht nuk bëheshin vizita në fundjavë, por në këtë rast të veçantë u organizua një pritje për ata që jetonin afër Bethelit që të shihnin ekspozitën historike të Biblës.
Fushata me ftesa dha dëshmi të shkëlqyer në zonë dhe ishte përtëritëse për ata që morën pjesë në të. Morëm zemër nga komentet e bukura të fqinjëve tanë të vjetër.
Një burrë tha: «Kam jetuar në shtëpi të ndryshme [në zonën përreth Bethelit] që nga vitet 60 dhe s’kam pasur
fqinjë më të mirë se ju. Do të na marrë malli. Sa do të donim të mos iknit!»Një grua u shpreh: «Na keni zbukuruar lagjen me punën që keni bërë. Sa mirë që ju kemi pasur fqinjë tërë këto vite!»
Shumë nga pionierët që morën pjesë në fushatë u kënaqën kur panë sa të përzemërt e mikpritës u treguan fqinjët. Një zotëri, anëtar i një organizate për mbarëvajtjen e lagjes, u shpreh se i vinte vërtet keq që do të ishte jashtë qytetit e nuk vinte dot.
Rezultatet e fushatës ishin shumë inkurajuese. Në ato dy ditë, 48 persona panë ekspozitën e Biblës. Gjatë pritjes për publikun, disa bethelitë ishin caktuar në holl për të mikpritur vizitorët dhe për të biseduar me ta.
Selli, një e re në fund të të 20-ve, qëndroi rreth gjysmë ore në ekspozitë. Pionierët që i kishin dhënë ftesën rastisën në holl kur erdhi ajo. Selli u shpreh se nuk e kishte menduar kurrë se do të shihte një ekspozitë Biblash. Ata i thanë se ishin të kënaqur që po takonin një të re të arsimuar, e cila e vlerësonte Biblën. Selli iu përgjigj: «Bibla është shumë e rëndësishme. Vetëm përmes saj mund të dimë mesazhin e Zotit. Është dokument i gjallë që na tregon si të jetojmë.»
Selli përmendi se respekti për Biblën e kishte shtyrë të studionte latinisht e greqisht dhe pranoi se i interesonte shumë përkthimi. Ajo mendonte se përkthimi i saktë është i rëndësishëm, me qëllim që mesazhi të mos shtrembërohet sipas preferencave të dikujt. Kur
pionierët i thanë Sellit se në sitin tonë jw.org gjenden materiale të bazuara në Bibël të përkthyera në më se 800 gjuhë, e mrekulluar ajo s’u besonte dot veshëve. Pasi motrat i shpjeguan se ç’kishin bërë përkthyesit me emrin Jehova, Selli u trondit dhe i pyeti: «Pse e kanë hequr nga Bibla emrin Jehova?» Teksa largohej, tha: «Kjo është e vetmja lagje në të cilën kam jetuar, e mund ta them me plot gojën që ju jeni fqinjët më të mirë.»Të hënën, pas pritjes për publikun, një klerik iu afrua Xhonit, një betheliti që po jepte dëshmi me stenda pranë Bethelit. Ai i tha Xhonit sa shumë ishte kënaqur nga vizita dhe na lavdëroi që i përmbahemi Biblës. Por, pasi biseduan pak, ai papritur u shpreh: «Jam i inatosur me Dëshmitarët.» Xhoni s’po kuptonte dhe e pyeti pse. «Se ju po ikni që këtu! QËNDRONI! Blini godina më të mëdha a ndërtoni çfarë të doni, por qëndroni! Falë jush ka qetësi në këtë lagje. Sa keq më vjen që po ikni nga këtu!»
Fushata me ftesat dhe pritja për publikun u dha dëshmi të shkëlqyer fqinjëve dhe u nguliti në mendje emrin e Zotit si kurrë më parë.