Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

GJEORGJIA | 1924-1990

Mbledhjet i ndihmojnë të gjithë të forcojnë besimin

Mbledhjet i ndihmojnë të gjithë të forcojnë besimin

Mbledhjet e krishtere luajtën rol të rëndësishëm për të ndihmuar të rinjtë në të vërtetën që të forconin besimin. Në fakt, të sapopagëzuarit u treguan po aq të gatshëm të hapnin shtëpitë për mbledhjet sa ata që kishin kohë në të vërtetën. Edhe mikpritja e ngrohtë ua forcoi tej mase lidhjen të pranishmëve.

Kur disa studentë ishin gati të pagëzoheshin, organizoheshin mbledhje të veçanta pa rënë në sy. Në gusht të 1973-shit, vëllezërit morën masa që një mbledhje e tillë të mbahej jashtë Sokumit, pranë bregut të Detit të Zi. Por, të 35 kandidatët s’patën kohë për t’u zhytur në ujë. Para se mbledhja të mbaronte, policia i ndërpreu dhe arrestoi disa vëllezër e motra, mes të cilëve edhe Vladimir Gladiukun.

Me t’u liruar, Vladimiri dhe vëllezërit e tjerë i kontaktuan prapë të gjithë kandidatët për pagëzim. Më në fund, dy ditë pas përpjekjes së parë, të gjithë u pagëzuan. Vladimiri kujton: «E ndienim se Jehovai ishte në krahun tonë. Pas pagëzimit u lutëm të gjithë së bashku duke i shprehur mirënjohjen Jehovait.»

Kundërshtimi i jep hov përhapjes së lajmit të mirë

Dy ditë pas pagëzimit, Vladimir Gladiukun e arrestuan përsëri. Më vonë, atë, Ita Sudarenkon dhe Natela Çargeishvilin i dënuan me disa vjet burg. Ndonëse të mërzitur nga arrestimi, lajmëtarët e tjerë vendosën të vazhdonin predikimin, por me shumë kujdes.

Që të mos binin në sy të autoriteteve, lajmëtarët udhëtonin jashtë qytetit a fshatit të tyre për të predikuar. Si rrjedhojë, kundërshtimi i dha hov përhapjes së lajmit të mirë edhe në zona të tjera.

Gjatë regjimit komunist lajmëtarët që jetonin në qytete të mëdha jepnin dëshmi në rrugë dhe në parqe pa shumë njerëz. Shpesh ndeshnin kalimtarë që vinin nga qytete e fshatra të tjera për të takuar të afërmit ose për pazar. Nëse dikush tregonte interes, lajmëtarët i kërkonin adresën dhe merrnin masa të takoheshin sërish.

Babutsa Jejelava ishte ndër ata që udhëtonin anekënd Gjeorgjisë Perëndimore. Ajo kujton: «Meqenëse kisha të afërm në vende të ndryshme, askush nuk dyshonte në udhëtimet e mia të shpeshta. Pasi kaluan afro dy vjet, po studioja Biblën me më shumë se 20 veta në Zugdid dhe me 5 të tjerë në Çkorotsk. Që të gjithë u pagëzuan.»

Nevojë urgjente për botime në gjeorgjisht

Shpejt u bë e dukshme se kishte nevojë urgjente për botime në gjeorgjisht. Qoftë kur bënin rivizita, qoftë kur drejtonin studime biblike, lajmëtarët ndienin nevojën për Bibla dhe për botime biblike në gjuhën që kuptonin më mirë studentët e tyre. *

Babutsa kujton sa e vështirë ishte të drejtoje një studim biblik pa asnjë botim në gjeorgjisht. Ajo thotë: «Kisha vetëm Biblën dhe disa botime në rusisht, kështu që shpesh më duhej ta përktheja materialin për studentët e mi.» Vetëm me ndihmën e një fjalori, ajo përktheu në gjeorgjisht artikuj nga revistat tona. Gjithashtu arriti të përkthente të gjithë Ungjillin e Mateut.

Dëshmitarë të guximshëm përdorën shaptilografë të vegjël për të kopjuar botimet në shtëpitë e tyre

Të interesuarit i vlerësonin aq shumë artikujt e përkthyer në gjuhën amtare, saqë ishin gati të bënin kopje të shkruara me dorë të botimeve që t’i studionin për vete. Ishte e vështirë të gjeje Bibla në gjuhën gjeorgjiane, ndaj disa studentë të Biblës arritën deri aty sa u bënë «kopistët» e sotëm të Fjalës së Perëndisë.

«Kopjoja gjithë ditën»

Botimet e përkthyera në gjeorgjisht qarkullonin dorë më dorë mes vëllezërve e të interesuarve me qëllim që të gjithë t’i lexonin. Secilit i jepeshin vetëm ca ditë a javë kohë për të lexuar një botim. Prandaj, kur vëllezërve u ra në dorë një kopje e Shkrimeve Greke në gjuhën e sotme gjeorgjiane, një familje shfrytëzoi rastin që ta kopjonte.

Raul Karçava ishte vetëm 13 vjeç kur i ati i kërkoi të kopjonte Shkrimet Greke. Ai thotë: «Babai solli një kuti plot me blloqe shënimesh e lloj-lloj lapsash e stilolapsash me shpresën që kjo të më jepte zemër. Edhe pse më dukej një punë kolosale, e pranova sfidën. Kopjoja gjithë ditën dhe ndaloja vetëm për të çmpirë pakëz duart.»

Kopje të shkruara me dorë të Kullës së Rojës dhe të broshurës Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë në gjeorgjisht

Të afërmit e Raulit fluturuan nga gëzimi kur morën vesh se vëllezërit pranuan t’ua linin edhe disa javë shtesë këtë libër aq të dëshiruar, që Rauli i vogël të mbaronte punën e tij të lodhshme. Vetëm brenda dy muajsh, arriti të kopjonte të 27-të librat e Shkrimeve të Krishtere Greke!

Me gjithë përpjekjet e këtyre kopistëve të palodhur, ishte e pamundur të shuhej plotësisht uria frymore e studentëve të Biblës që sa vinte e shtoheshin. Që të plotësohej kjo nevojë urgjente, motra e vëllezër të guximshëm morën përsipër punën e rrezikshme që të kopjonin e të shpërndanin botime biblike nga shtëpitë e tyre.

Vepra e predikimit në Gjeorgjinë Perëndimore po merrte hov. Por, ç’ndodhi në pjesën lindore të vendit? A ndodhej ndokush në kryeqytet, në Tbilis, që të ndihmonte të eturit për të vërtetën siç ishte Vaso Kveniashvili i përmendur më herët?

E vërteta arrin në kryeqytet

Gjatë viteve 70, autoritetet sovjetike u përpoqën t’i shkurajonin Dëshmitarët duke i dëbuar nga njëri vend në tjetrin. Kjo i ndodhi Oleks dhe Lidia Kurdasit, një çifti ukrainas që u transferuan në Tbilis. Ata kishin kaluar shumë vjet në kampet sovjetike të burgimit për shkak të besimit.

Larisa Kesaeva (Gudadze) në vitet 70

Kjo familje foli për të vërtetën me Zaur dhe Eteri Kesaevin, të cilët ishin njerëz shumë fetarë. Vajza e tyre, Larisa, që në atë kohë ishte 15 vjeçe, tregon si u takuan për herë të parë me Oleksin dhe Lidian: «U përpoqëm t’u provonim se Kisha Ortodokse ishte e vetmja fe e vërtetë. Pas disa diskutimesh, ne na mbaruan argumentet, kurse ata vazhdonin të arsyetonin nga Shkrimet.»

Larisa vazhdon: «Kur shkonim në kishë, lexoja gjithnjë Dhjetë Urdhërimet, të cilat ishin shkruar në murin mes dy ikonave. Por, kur atë mbrëmje Oleksi na lexoi Daljen 20:4, 5, shtanga. Atë natë s’vura gjumë në sy ngaqë mendoja: ‘Mos po thyejmë vërtet urdhrin e Zotit duke adhuruar ikonat?’»

E vendosur për ta sqaruar këtë çështje, Larisa u turr në kishë që pa gdhirë dhe e lexoi prapë urdhërimin: «Mos bëj asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur . . . Mos u përkul para tyre.» Për herë të parë në jetë, ajo e kapi kuptimin e këtij urdhri hyjnor. Me kalimin e kohës, Larisa dhe prindërit e saj u pagëzuan dhe u bënë ndër Dëshmitarët e parë në Tbilis.

Shpërblehet etja e tij për drejtësi

Afro 20 vjet pas kontaktit të parë me të vërtetën, Vaso Kveniashvili takoi dikë që ndiqte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait në Tbilis. Vasoja u gëzua që po i takonte sërish Dëshmitarët. Sa gjatë kishte pritur!

Vaso Kveniashvili u bë Dëshmitar rreth 24 vjet pas kontaktit të parë me të vërtetën

Megjithatë, fillimisht Dëshmitarët vendës ngurronin ta përfshinin në aktivitetet e tyre, pasi Vasoja ishte famëkeq për të shkuarën e tij kriminale. Disa madje kishin frikë se mos u spiunonte autoriteteve sovjetike. Si rrjedhojë, Vason nuk e lejuan të ndiqte mbledhjet e krishtere për katër vjet.

Kur u duk qartë se Vasoja kishte motive të pastra, e lejuan të bëhej pjesë e kongregacionit vendës dhe të pagëzohej. Më në fund, Vasoja u lidh ngushtë me ‘Perëndinë që gjykon me drejtësi’, të cilin e kishte kërkuar që në rini! (Isa. 30:18) Ai i shërbeu Jehovait me të njëjtin qëndrim të palëkundur derisa vdiq në vitin 2014.

Aty nga viti 1990, vepra e predikimit zuri rrënjë si në Gjeorgjinë Perëndimore, edhe në atë Lindore. Rreth 900 lajmëtarë drejtonin 942 studime biblike. Ishte hedhur themeli për rritjen e jashtëzakonshme që do të pasonte.

^ par. 12 Gjatë regjimit komunist ishte e rrallë të gjeje Bibël, ndonëse disa pjesë të saj ishin përkthyer në gjeorgjisht që në shekullin e pestë të erës sonë.​—Shih kutinë «Bibla në gjeorgjisht».