Libri i parë i Mbretërve 22:1-53

  • Jehozafati lidh aleancë me Akabin (1-12)

  • Profecia e Mikajahut për humbjen e Akabit (13-28)

    • Një engjëll ia prish mendjen Akabit (21, 22)

  • Akabin e vrasin në Ramot-Galad (29-40)

  • Jehozafati mbretëron në Judë (41-50)

  • Ahaziahu, mbret i Izraelit (51-53)

22  Mes Sirisë dhe Izraelit nuk pati luftë për tre vjet.  Në vitin e tretë Jehozafati,+ mbreti i Judës, shkoi te mbreti i Izraelit.+  Atëherë mbreti i Izraelit u tha shërbëtorëve të tij: «A nuk e dini se Ramot-Galadi+ na përket neve? E ne ngurrojmë t’ia marrim mbretit të Sirisë?!»  Pastaj i tha Jehozafatit: «A do të vish me mua për të luftuar në Ramot-Galad?» Jehozafati iu përgjigj: «Unë e ti jemi një. Populli im është populli yt. Kuajt e mi janë kuajt e tu.»+  Mirëpo, Jehozafati i tha mbretit të Izraelit: «Të lutem, kërko më parë+ drejtimin e Jehovait.»+  Kështu, mbreti i Izraelit mblodhi profetët, rreth 400 burra, dhe i pyeti: «Të shkoj në luftë kundër Ramot-Galadit, apo të mos shkoj?» Ata i thanë: «Shko, dhe Jehovai do ta japë atë në dorë të mbretit.»  Atëherë Jehozafati tha: «Mos ka ndonjë tjetër profet të Jehovait këtu? Të kërkojmë drejtimin e Perëndisë edhe nëpërmjet tij.»+  Me të dëgjuar këtë, mbreti i Izraelit i tha Jehozafatit: «Ka edhe një burrë nëpërmjet të cilit mund të kërkojmë drejtimin e Jehovait,+ po unë e urrej,+ sepse nuk profetizon kurrë gjëra të mira për mua, por vetëm të këqija.+ Ai është Mikajahu, biri i Imlahut.» Por Jehozafati i tha: «S’është mirë që mbreti të thotë një gjë të tillë.»  Kështu mbreti i Izraelit thirri një zyrtar oborri dhe i tha: «Sill shpejt Mikajahun, birin e Imlahut.»+ 10  Mbreti i Izraelit dhe Jehozafati, mbreti i Judës, të veshur me rrobat e tyre mbretërore, ishin ulur secili në fronin e vet te lëmi* në hyrjen e portës së Samarisë dhe gjithë profetët profetizonin para tyre.+ 11  Atëherë Zedekia, biri i Kenanahut, bëri brirë prej hekuri dhe tha: «Kështu thotë Jehovai: ‘Me këta brirë do t’i godasësh* sirianët derisa t’i shfarosësh.’» 12  Gjithë profetët e tjerë profetizonin njëlloj: «Ngjitu në Ramot-Galad e do të kesh sukses, se Jehovai do ta japë atë në dorë të mbretit.» 13  Kështu lajmëtari që shkoi për të thirrur Mikajahun i tha: «Të gjitha fjalët e profetëve janë në favor të mbretit. Qofshin edhe fjalët e tua si fjalët e tyre dhe, të lutem, fol në favor të mbretit.»+ 14  Por Mikajahu tha: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, unë do të them çfarëdo që të më thotë Jehovai.» 15  Pastaj vajti te mbreti, i cili e pyeti: «Mikajah, të shkojmë në Ramot-Galad për luftë, apo të mos shkojmë?» Menjëherë ai iu përgjigj: «Shkoni e do të keni sukses, se Jehovai do ta japë atë në dorë të mbretit.» 16  Atëherë mbreti i tha: «Sa herë duhet të të vë në be që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Jehovait?» 17  Mikajahu ia ktheu: «I shoh tërë izraelitët të shpërndarë nëpër male,+ si dele pa bari. Jehovai tha: ‘Këta janë pa zot. Të kthehet secili në shtëpinë e vet në paqe.’» 18  Atëherë mbreti i Izraelit i tha Jehozafatit: «A nuk të thashë: ‘Ai nuk do të profetizojë për mua gjëra të mira, por vetëm të këqija.’»+ 19  Mikajahu vazhdoi: «Dëgjoje, pra, fjalën e Jehovait. E pashë Jehovain të ulur në fronin e tij+ dhe gjithë ushtrinë e qiejve që i qëndronte pranë, në të djathtë e në të majtë.+ 20  Jehovai tha: ‘Kush do t’ia prishë mendjen Akabit, që të shkojë dhe të vritet në Ramot-Galad?’ Njëri filloi të thoshte kështu e tjetri ashtu. 21  Pastaj u afrua një engjëll,*+ qëndroi para Jehovait dhe tha: ‘Do t’ia prish unë mendjen.’ Jehovai e pyeti: ‘Në ç’mënyrë?’ 22  Ai u përgjigj: ‘Do të shkoj dhe do t’i bëj të gjithë profetët e tij t’i thonë gënjeshtra.’*+ Atëherë Perëndia ia ktheu: ‘Ti do t’ia prishësh mendjen dhe do t’ia dalësh mbanë. Shko e bëj siç the.’ 23  Ja pra, Jehovai ka lejuar që një engjëll* t’i bëjë të gjithë profetët e tu të thonë gënjeshtra,+ ama dije se Jehovai ka shpallur se ty do të të bien të këqija.»+ 24  Atëherë Zedekia, biri i Kenanahut, u afrua, i dha një shpullë Mikajahut e tha: «Po thua se fryma e Jehovait iku prej meje* për të folur me ty?!»+ 25  Mikajahu ia ktheu: «Do ta kuptosh këtë ditën kur të shkosh për t’u fshehur në dhomën më të futur.» 26  Pastaj mbreti i Izraelit tha: «Merreni Mikajahun e dorëzojani Amonit, kreut të qytetit, dhe Joashit, birit të mbretit, 27  e thuajuni: “Mbreti ka thënë: ‘Futeni këtë njeri në burg+ dhe jepini racione të vogla buke dhe uji derisa të kthehem me fitore.’”» 28  Por Mikajahu tha: «Në u kthefsh me fitore, Jehovai nuk ka folur me mua.»+ Pastaj shtoi: «Mbajeni mend këtë, të gjithë ju njerëz!» 29  Kështu, mbreti i Izraelit dhe Jehozafati, mbreti i Judës, shkuan në Ramot-Galad.+ 30  Mbreti i Izraelit i tha Jehozafatit: «Unë do të maskohem e do të hyj në betejë, kurse ti vish rrobat e tua mbretërore.» Atëherë mbreti i Izraelit u maskua+ dhe hyri në betejë. 31  Tani mbreti i Sirisë i kishte urdhëruar 32 komandantët e karrocave:+ «Mos luftoni kundër askujt,* por vetëm kundër mbretit të Izraelit.» 32  Sa e panë Jehozafatin, komandantët e karrocave thanë me vete: «Me siguri që është mbreti i Izraelit.» Kështu shkuan drejt tij për ta sulmuar dhe Jehozafati filloi të thërriste për ndihmë. 33  Sapo e kuptuan që nuk ishte mbreti i Izraelit, komandantët e karrocave nuk e ndoqën më. 34  Por një burrë qëlloi me hark dhe rastësisht* e goditi mbretin e Izraelit mes thurjeve të thurakut.* Kështu mbreti i tha karrocierit: «Kthehu dhe më nxirr nga beteja,* sepse jam plagosur rëndë.»+ 35  Atë ditë beteja ishte e ashpër, dhe mbretin e Izraelit u desh ta mbanin në këmbë brenda karrocës, përballë sirianëve. Gjaku i plagës i rridhte dhe i përhapej në karrocë, e në mbrëmje vdiq.+ 36  Aty nga perëndimi i diellit, nëpër kamp u dëgjua një thirrje: «Secili të kthehet në qytetin e vet! Secili të kthehet në vendin e vet!»+ 37  Kështu mbreti vdiq, dhe e çuan ta varrosnin në Samari. 38  Kur po e lanin karrocën e luftës te rezervuari i Samarisë, qentë lëpinë gjakun e tij dhe prostitutat po laheshin atje,* siç kishte thënë Jehovai.+ 39  Pjesa tjetër e historisë së Akabit, gjithçka bëri, shtëpia* prej fildishi+ që ndërtoi dhe tërë qytetet që ndërtoi, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 40  Në fund Akabi u preh me paraardhësit e vet+ dhe në vend të tij u bë mbret i biri, Ahaziahu.+ 41  Jehozafati,+ biri i Asës, ishte bërë mbret në Judë në vitin e katërt të mbretërimit të Akabit, mbretit të Izraelit. 42  Jehozafati ishte 35 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 25 vjet në Jerusalem. Nëna e tij quhej Azubaja dhe ishte vajza e Shilhit. 43  Ai eci plotësisht në udhën e të atit, Asës+ dhe nuk u largua prej saj, por bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait.+ Mirëpo vendet e larta nuk u hoqën, e populli ende flijonte në këto vende dhe paraqiste në to tym blatimesh.+ 44  Jehozafati ruajti marrëdhënie paqësore me mbretin e Izraelit.+ 45  Pjesa tjetër e historisë së Jehozafatit, bëmat e tij dhe si luftoi, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Judës? 46  Ai hoqi nga vendi edhe burrat që e shitnin veten si prostitutë në tempull,+ të cilët kishin mbetur nga ditët e Asës, babait të tij.+ 47  Në atë kohë në Edom nuk kishte asnjë mbret;+ në vend të mbretit ishte një mëkëmbës.+ 48  Jehozafati bëri edhe anije si ato të Tarshishit,* që të shkonin në Ofir për ar,+ por nuk shkuan, sepse anijet u shkatërruan në Ezion-Geber.+ 49  Pikërisht atëherë Ahaziahu, biri i Akabit, i tha Jehozafatit: «Le të hipin bashkë në anije shërbëtorët e mi me shërbëtorët e tu.» Por Jehozafati nuk pranoi. 50  Në fund Jehozafati u preh me paraardhësit e tij+ dhe e varrosën me ta në Qytetin e Davidit, paraardhësit të vet; në vend të tij u bë mbret i biri, Jehorami.+ 51  Ahaziahu,+ biri i Akabit, u bë mbret i Izraelit në Samari në vitin e 17-të të mbretërimit të Jehozafatit, mbretit të Judës, dhe mbretëroi dy vjet në Izrael. 52  Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait dhe vazhdoi në gjurmët e babait+ e të nënës së vet,+ si dhe në gjurmët e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte shtyrë Izraelin të mëkatonte.+ 53  Ai i shërbeu Baalit+ e u përkul para tij, duke e fyer kështu Jehovain, Perëndinë e Izraelit,+ ashtu si kishte bërë babai i tij.

Shënimet

Ose «do t’i shtysh».
Fjalë për fjalë «një frymë».
Fjalë për fjalë «do të bëhem një frymë mashtruese në gojën e gjithë profetëve të tij».
Fjalë për fjalë «një frymë».
Fjalë për fjalë «Nga kaloi fryma e Jehovait prej meje».
Fjalë për fjalë «kundër të voglit a të madhit».
Ose «pa dashje».
Ose «parzmores së thurur».
Fjalë për fjalë «kampi».
Një mundësi tjetër «aty ku laheshin prostitutat, qentë lëpinë gjakun e tij».
Ose «pallati mbretëror».