Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sistemi nervor enterik (SNE, me ngjyrë blu) përshkon gjithë sistemin tretës

Sistemi nervor enterik​—Truri ynë i dytë?

Sistemi nervor enterik​—Truri ynë i dytë?

A KEMI më shumë se një tru? Nëse përgjigjesh «jo», ke të drejtë. Megjithatë, në trupin tonë ka edhe sisteme të tjera nervore. Ekziston një rrjet neuronesh me shtrirje aq të madhe, sa disa shkencëtarë e konsiderojnë si një «tru të dytë». Bëhet fjalë për sistemin nervor enterik (SNE), që ndodhet kryesisht në pjesën e barkut, jo në kokë.

Duhet punë dhe koordinim i jashtëzakonshëm që trupi ynë ta kthejë ushqimin në energji. Prandaj është më se logjike që truri është projektuar në atë mënyrë që ia delegon SNE-së thuajse gjithë drejtimin e procesit të tretjes.

Ndonëse më e thjeshtë se truri, SNE-ja është mjaft komplekse. Te njeriu përbëhet nga rreth 200-600 milionë neurone. Ky rrjet kompleks neuronesh është pjesë e sistemit tretës. Shkencëtarët mendojnë se, nëse puna e SNE-së do të zhvillohej në tru, fijet nervore do të duhej të ishin tepër të trasha. Sipas një libri, «është më e sigurt dhe më praktike që [sistemi tretës] të kujdeset vetë për veten».​—The Second Brain.

«NJË LABORATOR KIMIK»

Për tretjen e ushqimit duhen një sërë përzierjesh kimike tepër të sakta që prodhohen në kohën e duhur dhe që shpërndahen në vendet e duhura. Profesor Geri Mo e quan me të drejtë sistemin tretës «një laborator kimik». Ky proces kimik është kaq i sofistikuar, sa të lë gojëhapur. Për shembull, muret e zorrëve janë të veshura me qeliza të specializuara që veprojnë si receptorë shijeje dhe identifikojnë substancat kimike në ushqimin që hamë. Këto të dhëna e ndihmojnë SNE-në të renditë enzimat e duhura tretëse për të shpërbërë ushqimin në grimca, që trupi të mund t’i asimilojë. Gjithashtu, ky sistem luan një rol të rëndësishëm për kontrollin e aciditetit e të vetive të tjera kimike të këtyre grimcave dhe për rregullimin e enzimave të duhura tretëse sipas nevojës.

Mendoje sistemin tretës si një linjë prodhimi në fabrikë që mbikëqyret kryesisht nga SNE-ja. Ky «tru i dytë» e kalon ushqimin nëpër sistemin tretës, duke i urdhëruar muskujt e këtij sistemi të tkurren. SNE-ja ndryshon forcën dhe shpeshtësinë e tkurrjeve të këtyre muskujve sipas nevojës, që sistemi të funksionojë si rripat e transmisionit në fabrikë.

SNE-ja mbikëqyr edhe sigurinë tonë. Ushqimi që gëlltitim, mund të ketë baktere të dëmshme. S’është çudi që 70-80 për qind e limfociteve​—elemente jetësore të sistemit imunitar mbrojtës—​ndodhen në bark. Nëse ushqimi përmban shumë organizma të dëmshëm, SNE-ja e mbron trupin duke shkaktuar tkurrje të forta që përzënë shumicën e toksinave me anë të të vjellave ose të diarresë.

 NJË KOMUNIKIM I MIRË

Edhe pse SNE-ja duket se funksionon e pavarur nga truri, këto dy sisteme nervore qendrore komunikojnë vazhdimisht me njëri-tjetrin. Për shembull, SNE-ja ndihmon për rregullimin e hormoneve që sinjalizojnë trurin se kur dhe sa duhet të hamë. Qelizat nervore të SNE-së i japin sinjal trurit kur ngopemi dhe, nëse hamë tepër, mund të shkaktojnë edhe të përziera.

Edhe para se të lexoje këtë artikull, mund të kesh vënë re njëfarë linje komunikimi midis trurit dhe sistemit tretës. Për shembull, a ke vënë re se disa ushqime të yndyrshme na ngrenë humorin? Studiuesit mendojnë se kjo ndodh kur SNE-ja i dërgon trurit «sinjale kënaqësie», duke nisur një reaksion zinxhir që na bën të ndihemi më mirë. Ndoshta prandaj kur jemi nën stres, na pëlqen të hamë ushqime «ngushëlluese». Madje, shkencëtarët po shqyrtojnë simulimin artificial të SNE-së si kurë të mundshme për depresionin.

Një dëshmi e komunikimit midis trurit dhe sistemit tretës është edhe ajo që e quajmë «flutura në stomak». Kjo ndjesi krijohet sepse SNE-ja largon gjakun nga stomaku kur truri është nën tension e stres. Një dëshmi tjetër janë të përzierat, pasi në stres e sipër truri i komunikon SNE-së ndryshime në tkurrjen e sistemit tretës.

Edhe pse SNE-ja quhet «tru i dytë», nuk mund të mendojmë apo të marrim vendime me anë të saj. Me fjalë të tjera, nuk është tru i mirëfilltë. Nuk na ndihmon të kompozojmë këngë, të bëjmë bilancin e llogarisë sonë bankare ose të bëjmë detyrat e shtëpisë. Prapëseprapë, shkencëtarët vazhdojnë të mahniten nga kompleksiteti i këtij sistemi të mrekullueshëm, pjesa më e madhe e të cilit mbetet ndoshta akoma për t’u zbuluar. Prandaj, herën tjetër, para se të hash, ndalu e mendo për gjithë monitorimin, përpunimin e të dhënave, koordinimin dhe komunikimin që do të ndodhin pas pak në sistemin tënd tretës.