Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Makao blu-e-verdhë. Gjatësia: 85 cm

I mahnitshmi makao!

I mahnitshmi makao!

NGA kurora e pyllit del një tufë zogjsh dhe qielli shpërthen në ngjyra brilante. Kjo pamje i la gojëhapur eksploruesit evropianë kur arritën në Amerikën Qendrore dhe Jugore aty nga fundi i shekullit të 15-të. Ishin papagajtë makao bishtgjatë që jetojnë në tropikun e kontinenteve amerikane. Pa kaluar shumë, këto krijesa spektakolare i gjeje në hartat e këtyre vendeve si simbol të parajsës së sapozbuluar.

Si mashkulli, edhe femra kanë ngjyra të flakta, gjë e rrallë për zogjtë me ngjyra të ndezura. Janë mjaft inteligjentë, të afrueshëm dhe lëshojnë klithma të çjerra e piskama therëse. Herët në mëngjes largohen nga foletë në tufa prej rreth 30 syresh dhe kërkojnë ushqim, si fara, fruta tropikale etj. Një gjë e veçantë e papagajve është se e mbajnë ushqimin në kthetra dhe e çukitin me sqepat e mëdhenj e të harkuar. Madje arrijnë të thyejnë edhe lëvozhgën e fortë të arrës. Pasi ushqehen, zakonisht shkojnë në shkëmbinj ose në skarpatet e lumenjve për të cimbisur argjilë, që ndoshta i ndihmon të neutralizojnë toksinat e ushqimit, si edhe të marrin substancat kimike të nevojshme.

«[Perëndia] e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet.»Eklisiastiu 3:11

Papagalli makao zakonisht lidhet përjetë me partnerin dhe bashkëpunojnë tek kujdesen për të vegjlit. Llojet e ndryshme të  papagajve makao bëjnë fole në zgavrat e pemëve, në vrimat anës lumenjve, në foletë e termiteve dhe në zgavrat e të çarat shkëmbore, ku mashkull e femër i sheh teksa pastrojnë me sqep puplat e njëri-tjetrit. Edhe pse rriten plotësisht që gjashtë muajsh, të vegjlit qëndrojnë me prindërit rreth tre vjet. Në habitatin e vet mund të jetojnë deri 30 a 40 vjet, por në kafaz disa kanë jetuar më tepër se 60 vjet. Ka rreth 18 lloje prej tyre, ku përfshihen edhe këto lloje.

Makao krahëgjelbër, që quhet edhe makao kuq-e-gjelbër. Gjatësia: deri 95 cm

Makao i kuq flakë. Gjatësia: 85 cm

Makao blu hiacinti. Gjatësia: deri 100 cm. Është më trupmadhi ndër papagajtë dhe mund të peshojë më tepër se 1.3 kg