Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Me anë të shembullit, prindërit u mësojnë fëmijëve t’i duan të tjerët

 NJË HAP DREJT NDRYSHIMIT

Të mësojmë ç’është e drejtë dhe e gabuar

Të mësojmë ç’është e drejtë dhe e gabuar

Gjatë një ekskursioni me shkollën, disa djem adoleshentë u akuzuan se kishin abuzuar seksualisht me një nxënës tjetër. Të gjithë ndiqnin një shkollë private prestigjoze në Kanada. Pas incidentit, Leonard Sterni shkroi në gazetën Ottawa Citizen: «Të qenët inteligjent, arsimimi i mirë dhe pasuria nuk i ndalojnë të rinjtë të bëjnë gjëra të këqija.»

Sterni vazhdoi: «Normalisht, pritet që prindërit të kenë si synim kryesor t’u mësojnë fëmijëve ç’është e mirë dhe e keqe. Por, e vërteta është se shumë prindër shqetësohen më tepër që fëmijët të mbarojnë një shkollë të mirë e të zënë një punë e cila paguhet goxha.»

Pa diskutim, shkollimi është i rëndësishëm. Ama, edhe shkollat më të mira në botë nuk i ndihmojnë dot njerëzit të luftojnë dëshirat e gabuara ose prirjet e këqija. Atëherë, a ekziston ndonjë lloj arsimimi që na mëson ç’është e drejtë dhe e gabuar?

ARSIMIM QË NA BËN NJERËZ MË TË MIRË

Bibla është si pasqyrë. Kur shihemi në të, i dallojmë më qartë kufizimet dhe dobësitë tona. (Jakovi 1:23-25) Madje, ajo shkon përtej kësaj. Na ndihmon të bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe të zhvillojmë cilësi që nxitin paqe e harmoni të vërtetë të tilla, si mirësinë, mirëdashjen, durimin, vetëkontrollin dhe dashurinë. Madje, dashuria quhet «një lidhje e përsosur bashkimi». (Kolosianëve 3:14) Pse dashuria është kaq unike? Vër re si e përshkruan Bibla këtë cilësi.

  • «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset [me krenari], nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk provokohet. Ajo nuk e mban llogari të keqen. Nuk gëzon për padrejtësinë [për të keqen], por gëzon me të vërtetën. Mban çdo gjë, . . . i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.»​—1 Korintasve 13:4-8.

  • «Dashuria nuk i bën keq të afërmit.»​—Romakëve 13:10.

  • «Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.»​—1 Pjetrit 4:8.

Si ndihesh kur ke pranë njerëz që të duan? I sigurt? I mbrojtur? Rehat? Ti e di se ata të duan të mirën dhe nuk do t’u shkonte kurrë ndër mend të të lëndonin.

Gjithashtu, dashuria mund t’i nxitë njerëzit të bëjnë sakrifica, e madje të ndryshojnë zakone të rrënjosura thellë për të mirën e të tjerëve. Për shembull, kur Xhorxhi u bë gjysh, kishte shumë dëshirë  të kalonte kohë me nipin. Mirëpo kishte një problem. Xhorxhi pinte shumë duhan dhe dhëndri nuk donte që ai të pinte në prani të foshnjës. Atëherë çfarë bëri Xhorxhi? Ndonëse kishte pirë duhan për 50 vjet, për hir të nipit hoqi dorë nga ky ves. Ç’fuqi të jashtëzakonshme ka dashuria!

Falë Biblës mund të zhvillojmë mjaft cilësi të shkëlqyera, si mirësinë, mirëdashjen e mbi të gjitha, dashurinë

Dashuria është një cilësi që e mësojmë. Prindërit luajnë rol kyç për t’u mësuar fëmijëve këtë cilësi. Ata i ushqejnë, i mbrojnë dhe i ndihmojnë kur vriten ose kur sëmuren. Prindërit e mirë komunikojnë me fëmijët dhe i mësojnë. Por edhe i disiplinojnë, dhe kjo përfshin t’u ngulitin parime të mira të së drejtës dhe të së gabuarës. Gjithashtu, prindërit e mirë lënë një shembull të shkëlqyer, duke u bërë model për fëmijët.

Gjithsesi, është për të ardhur keq që disa prindër nuk i përmbushin siç duhet përgjegjësitë. A do të thotë kjo se fëmijët e tyre do të dështojnë patjetër? Aspak! Shumë veta, madje edhe disa që janë rritur në familje me probleme, kanë bërë ndryshime të jashtëzakonshme në jetë, duke u bërë të dhembshur e të besueshëm. Siç do ta shohim në artikullin vijues, disa prej tyre konsideroheshin si të pandreqshëm.