Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 IMITONI BESIMIN E TYRE | JOZEFI

«A nuk i përkasin Perëndisë interpretimet?»

«A nuk i përkasin Perëndisë interpretimet?»

JOZEFI ecte në korridorin e gjatë, djersitur i tëri nga puna e palodhur në të nxehtët përvëlues. Jashtë, dielli i Egjiptit e piqte burgun si të ishte furrë. Ndonjëherë i dukej sikur njihte çdo tullë të atij vendi, çdo plasaritje në çdo mur. Tani kjo ishte e tërë bota e tij. Edhe pse këtu e vlerësonin jashtë mase, Jozefi ishte i burgosur.

Kushedi sa herë duhet të ketë menduar për jetën në kodrat e larta shkëmbore të Hebronit, ku kishte kullotur kopetë e të atit. Ishte rreth 17 vjeç kur babai, Jakobi, i kishte caktuar një detyrë që e çonte shumë kilometra larg shtëpisë. Tani një liri e tillë dukej ëndërr. Vëllezërit e tij xhelozë i ishin vënë kundër gjithë urrejtje vrastare, e më pas e shitën si skllav. E zbritën në Egjipt, ku fillimisht shërbeu në shtëpinë e zyrtarit egjiptian, Potifarit. Jozefi gëzoi besimin e Potifarit derisa gruaja e këtij e akuzoi pa të drejtë për përdhunim, prandaj përfundoi në këtë burg. *​—Kapitujt 37 dhe 39 të Zanafillës.

Jozefi tani ishte 28 vjeç dhe kishte lënë pas afro një dekadë skllavërie dhe burgimi. Jeta e tij nuk doli siç kishte shpresuar. A do të lirohej ndonjëherë? A do ta shihte sërish atin e shtrenjtë e të moshuar ose vëllanë e dashur më të vogël, Beniaminin? Sa do të qëndronte në këtë birucë?

A je ndier ndonjëherë si Jozefi? Ka raste kur jeta na ofron diçka krejt ndryshe nga ajo që shpresonim në rini. Është e vërtetë se situatat e dhimbshme mund të duken sikur nuk kanë të sosur dhe mund të jetë e vështirë të gjejmë rrugëzgjidhje ose ndonjë mënyrë për të rezistuar. Le të shohim ç’na mëson besimi i Jozefit.

«JEHOVAI VAZHDOI TË ISHTE ME JOZEFIN»

Jozefi e dinte se Perëndia i tij, Jehovai, nuk e kishte lënë kurrë në harresë, dhe kjo me siguri e ndihmoi të qëndronte. Edhe këtu në një burg të huaj, Jehovai gjeti mënyra si ta bekonte. Për këtë lexojmë: «Jehovai vazhdoi të ishte me Jozefin dhe i tregonte dashamirësi. Ai bëri që Jozefi të gjente hir në sytë e kryezyrtarit të burgut.» (Zanafilla 39:21-23) Teksa Jozefi vazhdonte të punonte fort, i jepte gjithnjë Perëndisë së tij një bazë që ta bekonte. Sa zemër duhet të ketë marrë nga dijenia se Jehovai ishte gjithmonë me të!

A kishte ndër mend Jehovai të lejonte që të mbetej i kyçur përjetë në atë burg? Jozefi vetëm sa mund ta merrte me mend përgjigjen dhe me siguri ia shprehte merakun Zotit në lutje. Siç ndodh shpesh, përgjigjja erdhi në një mënyrë që nuk pritej fare. Një ditë në burg pati trazira pasi kishin ardhur dy të burgosur të rinj, oficerë nga personeli i faraonit. Njëri ishte kryebukëpjekësi i mbretit, kurse tjetri kryekupëmbajtësi.​—Zanafilla 40:1-3.

 Kreu i rojave ia besoi Jozefit kujdesin për ata dy burra që dikur kishin qenë me pozitë. * Një natë secili prej tyre pa një ëndërr të gjallë e misterioze. Kur Jozefi i takoi në mëngjes, e dalloi se diçka nuk shkonte, ndaj i pyeti: «Përse janë kaq të zymta fytyrat tuaja sot?» (Zanafilla 40:3-7) Ndoshta ngaqë iu drejtua me dashamirësi, burrat nuk kishin merak t’ia tregonin ç’i trazonte. Jozefi nuk e dinte, por ajo bisedë do të çonte në një pikë kthese në jetën e tij. Megjithatë, a do të ishte bërë kjo bisedë, nëse Jozefi nuk do të ishte merakosur sadopak për të tjerët? Iniciativa e tij na shtyn të pyesim veten: «A e tregoj besimin te Zoti duke u interesuar për të tjerët?»

Jozefi i trajtoi të burgosurit e tjerë me mirëdashje e dinjitet

Dy burrat shpjeguan se ishin trazuar nga ëndrrat e gjalla dhe misterioze, si dhe ngaqë nuk kishin dikë që t’ua interpretonte. Egjiptianët u jepnin shumë peshë ëndrrave dhe kishin jashtë mase besim te burrat që pretendonin se mund t’i interpretonin ato. Ata dy burra nuk e dinin se ëndrrat i kishin nga Perëndia i Jozefit, Jehovai. Kurse Jozefi e dinte. Ai i siguroi: «A nuk i përkasin Perëndisë interpretimet? M’i tregoni mua [ëndrrat], ju lutem.» (Zanafilla 40:8) Fjalët e Jozefit janë ende të rëndësishme për të gjithë studentët e sinqertë të Biblës. Ah sikur çdo njeri fetar të ishte po aq i përulur! Duhet të jemi gati ta heqim qëndrimin krenar dhe të mbështetemi te Zoti ndërsa gjejmë interpretimet e duhura në fjalën e tij.​—1 Selanikasve 2:13; Jakovi 4:6.

I pari filloi kupëmbajtësi. Ai i tregoi Jozefit një ëndërr për një hardhi me tri degë që çelnin bisqe. Rrushi u poq dhe kupëmbajtësi e shtrydhi në kupën e faraonit. Falë Jehovait, Jozefi e kuptoi në çast domethënien e ëndrrës. Ai i tha kupëmbajtësit se tri degët nënkuptonin tri ditë; brenda kësaj kohe faraoni do ta rivendoste në detyrën e mëparshme. Teksa kupëmbajtësi lehtësohej gjithnjë e më shumë, Jozefi i bëri këtë kërkesë: «Të lutem, tregohu dashamirës me mua, foli faraonit për mua.» Jozefi i shpjegoi se e kishin rrëmbyer nga vendi i tij dhe e kishin burgosur pa ndonjë arsye të vlefshme.​—Zanafilla 40:9-15.

I forcuar nga lajmi i mirë që mori kupëmbajtësi, bukëpjekësi pyeti Jozefin për domethënien e ëndrrës së vet me tri shporta buke dhe me zogj që hanin nga shportat sipër kokës së tij. Jozefit iu dha shpjegimi edhe për këtë ëndërr. Por, për bukëpjekësin nuk kishte lajm të mirë. Jozefi i tha: «Ky është interpretimi: tri shportat janë tri ditë. Pas tri ditësh, faraoni do të ta heqë kokën dhe do  të ta varë trupin në shtyllë. Shpendët kanë për të ta ngrënë mishin.» (Zanafilla 40:16-19) Ashtu si gjithë shërbëtorët besnikë të Zotit, Jozefi i shpjegoi me guxim mesazhet e Tij, qoftë lajmin e mirë, qoftë lajmin për gjykimin e ardhshëm.​—Isaia 61:2.

Tri ditë më vonë, fjalët e Jozefit dolën të vërteta. Faraoni mbajti një gosti për ditëlindjen, zakon që populli i Perëndisë në kohët biblike nuk e praktikonte, dhe shpalli gjykimin për dy shërbëtorët e vet. Ashtu siç kishte parathënë Jozefi, bukëpjekësi u ekzekutua, kurse kupëmbajtësi u rikthye në detyrën e mëparshme. Por, mjerisht, ky njeri mospërfillës e harroi fare Jozefin.​—Zanafilla 40:20-23.

«S’KA RËNDËSI ÇFARË THEM UNË»

Kaluan plot dy vjet. (Zanafilla 41:1) Përfytyro sa i zhgënjyer duhet të jetë ndier Jozefi gjatë asaj kohe. Mbase iu ngjallën shpresa të mëdha kur Jehovai i dha kuptueshmëri për ëndrrat misterioze të kupëmbajtësit dhe të bukëpjekësit. Pastaj, ndërsa ditët kalonin njëra pas tjetrës, Jozefit i ripërtërihej shpresa se ndoshta të nesërmen do të lirohej, por sërish e priste rutina e zymtë e burgut, pa asnjë dritë në fund të tunelit. Ato dy vite fare mirë mund të kenë qenë më të vështirat në jetën e Jozefit. E prapëseprapë, ai nuk hoqi dorë kurrë nga besimi te Perëndia i tij, Jehovai. Në vend që të zhytej në dëshpërim, ishte i vendosur të qëndronte i patundur dhe, falë asaj kohe sprovuese, u bë edhe më i fortë.​—Jakovi 1:4.

Kush nga ne nuk ka nevojë të zhvillojë qëndrueshmërinë në këto kohë të vështira? Për të përballuar sprovat e pareshtura të jetës, duhet të kemi atë lloj vendosmërie, durimi dhe paqeje të brendshme që vetëm Zoti mund të na i japë. Si në rastin e Jozefit, Ai do të na ndihmojë edhe ne të luftojmë dëshpërimin dhe të kapemi fort pas shpresës.​—Romakëve 12:12; 15:13.

Vërtet, kupëmbajtësi e harroi Jozefin, por Jehovai kurrsesi. Një natë ai bëri që faraoni të shihte dy ëndrra të paharrueshme. Tek e para mbreti pa shtatë lopë të bukura e të majme që po dilnin nga lumi Nil, e pas tyre shtatë lopë të shëmtuara dhe kockë e lëkurë. Lopët kockë e lëkurë përpinë të majmet. Më pas faraoni pa në ëndërr shtatë kallinj gruri që dilnin nga një kërcell i vetëm. Pas tyre shtatë kallinj të tjerë, të hollë e të zhuritur nga era, dolën dhe përlanë kallinjtë e mirë. Në mëngjes faraoni u zgjua tejet i trazuar nga ëndrrat, ndaj thirri burrat e mençur dhe priftërinjtë që praktikonin magjinë për t’ia interpretuar ëndrrat. Të gjithë dështuan. (Zanafilla 41:1-8) Nuk e dimë nëse ngelën të shtangur apo shpikën një sërë shpjegimesh kontradiktore. Edhe pse faraoni mbeti i zhgënjyer, donte me ngulm të gjente përgjigjet për këtë mister.

Më në fund kupëmbajtësi u kujtua për Jozefin. E breu ndërgjegjja dhe i tregoi faraonit për të riun e jashtëzakonshëm në burg që dy vjet më parë ua kishte interpretuar saktë ëndrrat atij dhe bukëpjekësit. Pa humbur kohë faraoni dha urdhër ta nxirrnin Jozefin nga burgu.​—Zanafilla 41:9-13.

Imagjino si është ndier Jozefi kur të dërguarit e faraonit erdhën me urdhër të mbretit. U ndërrua e u rruajt menjëherë dhe ka të ngjarë të jetë qethur zero sipas zakonit egjiptian. Pa dyshim u lut me zjarr që Jehovai ta bekonte në këtë takim. Shpejt u gjend në oborrin pompoz të mbretit, përpara monarkut. Lexojmë: «Atëherë faraoni i tha: ‘Kam parë një ëndërr, por s’ka njeri që ta interpretojë. Kam dëgjuar që ti, kur e dëgjon një ëndërr, mund ta interpretosh’.» Edhe këtë herë përgjigjja e Jozefit tregoi përulësinë dhe besimin e tij te Perëndia: «S’ka rëndësi çfarë them unë. Perëndia do t’i njoftojë mbarësi faraonit.»​—Zanafilla 41:14-16.

Jozefi i tha me përulësi faraonit: «S’ka rëndësi çfarë them unë.»

Jehovai i do njerëzit e përulur e besnikë, prandaj s’habitemi që i dha Jozefit përgjigjen që burrat e mençur dhe priftërinjtë nuk arritën ta gjenin. Jozefi shpjegoi se dy ëndrrat e faraonit kishin të njëjtin kuptim. Duke ia përsëritur mesazhin, Jehovai la të kuptohej se ‘e kishte vendosur çështjen një herë e mirë’, pra se do të përmbushej patjetër. Lopët e majme dhe shtatë kallinjtë e mirë përfaqësonin shtatë vite bollëku në Egjipt, kurse shtatë lopët kockë e lëkurë dhe shtatë kallinjtë  e hollë simbolizonin shtatë vite zie menjëherë pas viteve të bollëkut. Zia do t’ia përlante vendit bollëkun.​—Zanafilla 41:25-32.

Faraoni e dinte se Jozefi i kishte të sakta përgjigjet. Por, ç’mund të bënte tani? Jozefi i sugjeroi një plan veprimi: faraonit i duhej një njeri ‘i matur e i mençur’ që të mbikëqyrte grumbullimin e prodhimit rezervë në depo gjatë shtatë viteve të bollëkut, e t’ua shpërndante nevojtarëve gjatë zisë që do të pasonte. (Zanafilla 41:33-36) Përvoja dhe aftësitë e Jozefit e kualifikonin më së miri për këtë punë, por ai nuk e lartësoi veten. Falë përulësisë, as që e çoi ndër mend këtë mendim arrogant; falë besimit, as që e pa të nevojshme. Nëse kemi vërtet besim te Jehovai, nuk ka pse të jemi ambiciozë ose të lartësojmë veten. Mund të jemi të qetë duke i lënë gjërat në duart e tij të sigurta.

«A MUND TË GJENDET NJË NJERI TJETËR SI KY?»

Faraoni dhe gjithë shërbëtorët e tij e kuptuan sa i mençur ishte plani i Jozefit. Mbreti pranoi edhe se forca e vërtetë pas fjalëve të mençura të Jozefit ishte Perëndia i tij. Ai iu drejtua shërbëtorëve në oborrin mbretëror: «A mund të gjendet një njeri tjetër si ky, që ka frymën e Perëndisë?» Ndërsa Jozefit i tha: «Meqë Perëndia ta ka treguar gjithë këtë, s’ka asnjë tjetër kaq të matur e të mençur sa ti. Ti personalisht do të jesh mbi shtëpinë time, dhe gjithë populli im do të të bindet pa diskutim. Vetëm për fronin unë do të jem më i madh se ti.»​—Zanafilla 41:38-41.

Faraoni e mbajti fjalën. Shpejt Jozefin e veshën me rroba liri të hollë. Faraoni i dha një varëse floriri, një unazë me nënshkrim, një karrocë mbretërore dhe autoritet të plotë që të udhëtonte në mbarë vendin e të zbatonte planin. (Zanafilla 41:42-44) Kështu brenda ditës Jozefi doli nga burgu e hyri në pallatin mbretëror. U zgjua si një i dënuar pa vlerë dhe fjeti si sundimtari i dytë pas faraonit. Sa dukshëm u shpërblye besimi i Jozefit te Perëndia Jehova! Ai pa të gjitha padrejtësitë që kaloi shërbëtori i vet gjatë viteve. Jehovai ia zgjidhi problemet fiks në kohën dhe në mënyrën e duhur. Kishte ndër mend që jo vetëm të ndreqte të këqijat ndaj Jozefit, por edhe të ruante kombin e ardhshëm të Izraelit. Në një artikull tjetër të kësaj serie do të shohim si e bëri këtë.

Nëse has ndonjë situatë sprovuese, ndoshta një padrejtësi që duket se zgjat e zgjat për vite, mos u dëshpëro! Sill ndër mend Jozefin. Ai i dha Jehovait çdo arsye që ta shpërblente, ngaqë u tregua gjithmonë mirëdashës, i përulur, i palëkundur e besimplotë.

^ par. 4 Shih artikujt «Imitoni besimin e tyre» në revistat Kulla e Rojës 1 gushtit dhe të 1 nëntorit 2014.

^ par. 10 Egjiptianët e lashtë shijonin mbi 90 varietete bukësh dhe ëmbëlsirash. Ja pse kryebukëpjekësi i personelit të faraonit ishte njeri me pozitë. Ndërsa kryekupëmbajtësi drejtonte një grup shërbëtorësh të cilët siguroheshin që vera e ndoshta edhe birra e faraonit të ishin të cilësisë së lartë e të mbaheshin në vend të sigurt, larg çdo përpjekjeje për të helmuar monarkun, një rrezik real, sepse intrigat dhe vrasjet në oborrin mbretëror ndodhnin shpesh. Nuk ishte e pazakontë që kryekupëmbajtësi të bëhej këshilltar i besuar i mbretit.