Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut»

«Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut»

Një trajner basketbolli në një universitet e pushojnë nga puna për shkak të zemërimit të pakontrolluar.

Një fëmijë shpërthen me të qara sepse nuk i del e vetja.

Mamaja bën sherr me të birin ngaqë ai e ka dhomën rrëmujë.

TË GJITHË kemi parë njerëz të nevrikosur e pa dyshim edhe ne vetë jemi acaruar ndonjëherë. Ndonëse mund të mendojmë se zemërimi është një ndjenjë negative që duhet shtypur, shpesh ndiejmë se kemi arsye të forta për t’u mërzitur, sidomos kur duket se dikush ka shkelur standardet tona të drejtësisë. Madje, një artikull i Shoqatës së Psikologëve Amerikanë sugjeron se «zemërimi është një ndjenjë njerëzore plotësisht normale dhe zakonisht e shëndetshme».

Kjo pikëpamje mund të duket logjike kur mendojmë për fjalët që shkroi nën frymëzim apostulli i krishterë Pavël. Duke pranuar se mund të ketë momente kur njerëzit zemërohen, ai tha: «Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar.» (Efesianëve 4:26) Atëherë, duhet ta shfryjmë zemërimin apo duhet të bëjmë diçka që ta mbajmë nën kontroll?

A DUHET TË ZEMËROHEMI?

Kur Pavli dha këtë këshillë për zemërimin, me sa duket kishte në mendje fjalët e psalmistit: «Kur të jeni të trazuar, mos mëkatoni.» (Psalmi 4:4) Por cili ishte qëllimi i këshillës së frymëzuar të Pavlit? Ai shpjegon më tej: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje, bashkë me çdo të keqe.» (Efesianëve 4:31) Pavli po i inkurajonte të krishterët të mos e shfrynin zemërimin. Është interesante se artikulli i Shoqatës së Psikologëve Amerikanë vazhdon: «Studimet kanë zbuluar se ‘ta shfrysh’ zemërimin faktikisht e shton zemërimin e acarimin dhe nuk të ndihmon fare . . . të zgjidhësh situatën.»

Por si ta ‘heqim’ zemërimin dhe gjithë pasojat e dëmshme që shkakton? Mbreti i mençur Solomon i Izraelit të lashtë shkroi: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut, dhe është gjë e bukur nga ana e tij të kapërcejë shkeljen.» (Proverbat 19:11) Si e ndihmon dikë «gjykimi i thellë» kur zien përbrenda nga zemërimi?

 SI E NGADALËSON ZEMËRIMIN GJYKIMI I THELLË?

Gjykimi i thellë është aftësia për ta parë më nga afër një situatë. Të kesh gjykim të thellë do të thotë të shohësh përtej asaj që duket. Si na ndihmon ai kur na fyejnë ose na provokojnë?

Fare lehtë mund të indinjohemi kur shohim padrejtësi. Megjithatë, nëse ndjekim emocionet dhe reagojmë dhunshëm, në fund mund të dëmtojmë veten ose dikë tjetër. Ashtu si zjarri që del jashtë kontrollit mund ta shkrumbojë një shtëpi, edhe flakët e zemërimit mund të shkatërrojnë reputacionin tonë dhe marrëdhënien me të tjerët, madje edhe me Perëndinë. Ndaj, kur e ndiejmë se po vlojmë nga inati, është momenti ta shohim situatën më në brendësi. Po ta kuptojmë më plotësisht, me siguri do ta kemi të lehtë të kontrollojmë ndjenjat.

I ati i Solomonit, mbreti David, gati sa nuk u bë fajtor gjaku për shkak të një burri që quhej Nabal. Mirëpo, kjo nuk ndodhi sepse Davidin e ndihmuan ta shihte më thellë situatën. Ai dhe njerëzit e tij mbrojtën kopetë e Nabalit në shkretëtirën e Judës. Kur erdhi koha për të qethur dhentë, Davidi i kërkoi Nabalit ushqim. Por ky iu përgjigj: «Mos duhet ta marr bukën, ujin dhe mishin që e kam therur për qethësit e mi e t’ua jap njerëzve që as nuk e di nga janë?!» Çfarë ofendimi! Me të dëgjuar këto fjalë, Davidi u nis bashkë me rreth 400 njerëz për të shfarosur Nabalin dhe burrat e shtëpisë së tij.1 Samuelit 25:4-13.

Gruaja e Nabalit, Abigaila, mori vesh ç’kishte ndodhur dhe doli të takonte Davidin. Sapo pa Davidin dhe burrat që ishin me të, i ra te këmbët dhe i tha: «Të lutem, lëre skllaven tënde të të flasë dhe dëgjoji fjalët e skllaves sate.» Pastaj i shpjegoi sa i pamend ishte Nabali dhe se Davidi do të pendohej po të hakmerrej e të derdhte gjak.1 Samuelit 25:24-31.

Ç’gjykim të thellë fitoi Davidi nga fjalët e Abigailës që e ndihmuan të shtendoste situatën e nderë? Së pari, kuptoi se Nabali ishte i pamend nga natyra, dhe së dyti, pa se mund të bëhej me faj gjaku nëse hakmerrej. Ashtu si Davidi, edhe ty mund të të acarojë në kulm diçka. Ç’duhet të bësh? Një artikull i klinikës «Mejo» për kontrollin e zemërimit sugjeronte: «Ndalo, merr frymë thellë dhe numëro deri në 10.» Po, prit dhe mendo për shkakun e problemit dhe për pasojat e mundshme të veprimit që ke ndër mend të bësh. Lejo që gjykimi i thellë të ta ngadalësojë, madje të ta fashitë zemërimin.1 Samuelit 25:32-35.

Edhe sot shumë veta kanë pranuar ndihmë për të kontrolluar zemërimin. Sebastiani shpjegon se kur ishte 23 vjeç, i dënuar në një burg në Poloni, mësoi të mbante nën kontroll temperamentin dhe ndjenjat e forta falë studimit të Biblës. Ai thotë: «Në fillim mendoj për problemin. Pastaj përpiqem të zbatoj këshillat e Biblës. Kam parë se Bibla është libri me këshillat më të mira.»

Po të zbatosh këshillat e Biblës, mund t’i kontrollosh ndjenjat e forta

Setsuo ndoqi pak a shumë të njëjtën metodë. Ai tha: «Më përpara u bërtisja të tjerëve në punë kur më acaronin. Tani që kam studiuar Biblën, në vend që të gërthas, mendoj: ‘Kush e ka vërtet fajin? A nuk po e hap unë këtë problem?’» Kur mendonte për këto pyetje, i binin nervat dhe arrinte të kontrollonte ndjenjat e forta që i vlonin përbrenda.

Ndjenjat e zemërimit mund të jenë jashtë mase të forta, ama këshillat e Fjalës së Perëndisë janë edhe më të fuqishme. Nëse zbaton këshillat e mençura të Biblës dhe nëse i lutesh Zotit për ndihmë, edhe ti mund të lejosh që gjykimi i thellë të ta ngadalësojë zemërimin ose të të ndihmojë ta mbash nën kontroll.