Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE | MUND TË JESH MIK I ZOTIT

A i mban hapur linjat e komunikimit me Zotin?

A i mban hapur linjat e komunikimit me Zotin?

Miqtë e ngushtë komunikojnë mes tyre, sy më sy, me telefon, email, video ose me letra, sa herë që ua lejojnë rrethanat. Kështu, që të lidhemi ngushtë me Zotin duhet të komunikojmë me të rregullisht. Por si bëhet kjo?

Mund të flasim me Jehovain përmes lutjes. Megjithatë, lutjet drejtuar Zotit nuk janë si bisedat e zakonshme me një bashkëmoshatar. Duhet të kuptojmë se kur lutemi, po i drejtohemi Krijuesit, Më të Lartit në univers. Kjo duhet të na nxitë t’i lutemi me një ndjenjë të thellë respekti dhe nderimi. Që lutjet tona të jenë të pranueshme për Perëndinë, duhet të përmbushim edhe disa kërkesa. Ja tri prej tyre.

Së pari, lutjet duhet t’ia drejtojmë vetëm Jehovait—as Jezuit, as «shenjtorëve», as ndonjë shëmbëlltyre. (Dalja 20:4, 5) Bibla e shpreh qartë këtë: «Për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.» (FIlipianëve 4:6) Së dyti, lutjet duhet t’i ofrojmë në emër të Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit. Vetë Jezui shpjegoi: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Së treti, lutjet tona duhet të jenë në përputhje me vullnetin e Zotit. Bibla thotë: «Çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.» *1 Gjonit 5:14.

Miqtë e ngushtë gëzojnë komunikim të dyanshëm sa më shpesh të jetë e mundur

Normalisht, një miqësi nuk zgjat nëse komunikon vetëm njëra palë. Ashtu si miqtë gëzojnë komunikim të dyanshëm, edhe ne duhet ta lejojmë Perëndinë të na flasë e pastaj ta dëgjojmë. A e di si na flet Zoti?

Sot Perëndia Jehova «na flet» me anë të Fjalës së tij të shkruar, Biblës. (2 Timoteut 3:16, 17) Pse themi kështu? Ta ilustrojmë: imagjino sikur merr një letër nga një mik i ngushtë. Pasi e lexon, u thua të tjerëve me entuziazëm: «Sapo ma tha shoku im këtë.» Ama, komunikimi nuk ishte me fjalë, ishte në formë të shkruar. Po njësoj, kur lexojmë Biblën, i japim mundësi Jehovait të na flasë. Xhina, e përmendur në artikullin e parë thotë: «Mendoj se, nëse dua që Zoti të më konsiderojë mike, duhet ta shqyrtoj ‘letrën’ që na ka siguruar—Biblën.» Ajo shton: «Leximi i përditshëm i Biblës më ka afruar më shumë me të.» A e lejon Jehovain të të flasë vazhdimisht duke e lexuar përditë Fjalën e tij, Biblën? Kjo do të të ndihmojë të lidhesh më ngushtë me të.

^ par. 5 Për më shumë informacion si t’i lutemi Zotit, shih kapitullin 17 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.