Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE | ÇFARË ËSHTË DJALLI?

A është Djalli thjesht simbol i së keqes?

A është Djalli thjesht simbol i së keqes?

Nuk është edhe aq e vështirë të thuash se Satanai për të cilin lexojmë në Bibël, është thjesht simbol i çdo gjëje të keqe. Por, a e mëson vërtet këtë Bibla? Nëse po, pse e përmend Bibla Satanain duke folur me Jezu Krishtin dhe me vetë Perëndinë e Plotfuqishëm? Shqyrto dy nga këto raste.

KUR SATANA DJALLI FOLI ME JEZUIN

Kur Jezui filloi shërbimin, Djalli u orvat ta joshte me anë të tri tundimeve. Së pari, Satanai u përpoq t’i bënte presion Jezuit që, me egoizëm, t’i përdorte fuqitë që i kishte dhënë Perëndia për të shuar urinë. Më pas, Djalli sfidoi Jezuin që të rrezikonte jetën marrëzisht dhe kështu ta tërhiqte vëmendjen te vetja. Në fund, Satanai i ofroi Jezuit pushtet mbi të gjitha mbretëritë e botës në këmbim të një akti të vogël adhurimi. Jezui u bëri ballë të tria sulmeve të zgjuara, dhe në secilin rast citoi Shkrimet.​—Mateu 4:1-11; Luka 4:1-13.

Me kë po fliste Jezui? Me ndonjë cilësi të ligë që kishte përbrenda? Shkrimet thonë se Jezui «është sprovuar në çdo aspekt si ne, por pa mëkat». (Hebrenjve 4:15) Gjithashtu, Bibla thotë: «Ai nuk kreu asnjë mëkat dhe në gojën e tij nuk u gjet asnjë mashtrim.» (1 Pjetrit 2:22) Jezui mbeti i përsosur duke mbajtur integritetin. Nuk lejoi kurrë që brenda tij të zhvillohej ndonjë cilësi e ligë. Qartë, Jezui nuk po fliste me ndonjë cilësi të ligë brenda tij; po fliste me një person real.

E njëjta bisedë jep prova të mëtejshme se Satanai është person real.

  • Siç e thamë, Djalli i ofroi Jezuit pushtet mbi tërë botën po t’i bënte atij një akt adhurimi. (Mateu 4:8, 9) Kjo ofertë do të ishte e pakuptimtë nëse Satanai nuk do të ishte person real. Për më tepër, Jezui nuk e vuri në dyshim nëse Satanai kishte gjithë atë autoritet apo jo.

  • Pasi Jezui i hodhi poshtë tundimet, «Djalli u largua nga ai, duke pritur një kohë tjetër të volitshme». (Luka 4:13) Në këtë rast, Satanai duket si cilësi e ligë apo si kundërshtar ngulmues dhe i vendosur?

  • Vër re se «erdhën engjëj dhe nisën t’i shërbenin» Jezuit. (Mateu 4:11) A ishin këta engjëj persona të padukshëm realë që i dhanë Jezuit inkurajim dhe ndihmë praktike? Duket qartë se po. Atëherë, pse duhet të mendojmë se Satanai ishte diçka tjetër dhe jo një qenie e padukshme që ekzistonte vërtet?

 KUR SATANA DJALLI FOLI ME PERËNDINË

Rasti i dytë lidhet me historinë e Jobit, një adhurues i Perëndisë. Ky dokumentim përmban dy biseda mes Djallit dhe Perëndisë. Në të dyja, Zoti e lavdëroi Jobin për besnikërinë e tij. Satanai thoshte se Jobi i shërbente Perëndisë vetëm për arsye egoiste, duke nënkuptuar se Ai po e blinte besnikërinë e Jobit. Me fjalë të tjera, Djalli pretendonte se e njihte Jobin më mirë se Perëndia. Jehovai e lejoi Satanain t’ia merrte të gjitha zotërimet, fëmijët, madje edhe shëndetin. * Me kalimin e kohës u bë e dukshme se Jehovai kishte të drejtë për Jobin, dhe Satanai doli gënjeshtar. Perëndia e bekoi Jobin për besnikërinë e tij.—Jobi 1:6-12; 2:1-7.

Në këto biseda mes Perëndisë dhe Satanait, a po fliste Jehovai me një cilësi të ligë brenda tij? Bibla thotë: «E përsosur është udha e Perëndisë së vërtetë.» (2 Samuelit 22:31) Gjithashtu, Fjala e Perëndisë thotë: «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Perëndia Jehova, i Plotfuqishmi.» (Zbulesa 4:8) Të jesh i shenjtë do të thotë të jesh i pastër, pa mëkat. Jehovai është i përsosur dhe i patëmetë. Është e pamundur që ai të ketë ndonjë karakteristikë të ligë.

Pas bisedës së Djallit me Perëndinë, Jobi pati pasoja reale

Prapëseprapë, disa mund të thonë se as Jobi nuk ishte person i vërtetë, prandaj e gjithë biseda ishte alegorike. Por, a ka kuptim ky arsyetim? Pjesë të tjera të Biblës tregojnë se Jobi ishte person real. Te Jakovi 5:7-11, Jobi përdoret si shembull për të nxitur të krishterët që të tregojnë qëndrueshmëri në kohë të vështira dhe si përkujtues ngushëllues se Jehovai e shpërblen një qëndrueshmëri të tillë. Si do të na nxiste ky shembull nëse Jobi nuk do të ishte real dhe nëse sulmet e Satanait do të ishin thjesht trillime? Për më tepër, Ezekieli 14:14, 20 përmend tre burra të drejtë; bashkë me Noenë e Danielin renditet edhe Jobi. Ashtu si Noeja dhe Danieli, Jobi ishte real, burrë me besim të jashtëzakonshëm. Nëse Jobi ka ekzistuar vërtet, a nuk duhet të mendojmë se burimi i përndjekjes së tij ishte real?

Qartë, Bibla e paraqet Satanain si person të padukshëm që ekziston vërtet. Megjithatë, mbase pyet veten: «A nënkupton ai rrezik për mua dhe familjen time sot?»

PO SOT?

Imagjino një grup kriminelësh që sulmojnë papritur qytetin tënd. Është e qartë se siguria dhe morali do të pësonin rënie. Tani shqyrto një situatë të ngjashme: Satanai dhe demonët e tij—qenie të padukshme që u rebeluan kundër Perëndisë ashtu si Satanai—papritur kufizohen në tokë. Cili do të ishte rezultati? Mendo pak se çfarë sheh në lajmet nga vendi dhe nga bota.

  • A vëren një shtim të veprimeve të pakuptimta e të dhunshme, pavarësisht nga përpjekjet mbarëbotërore për t’i ndalur?

  • A vëren se spiritizmi po përfshihet gjithnjë e më tepër në zbavitje, ndonëse shumë prindër merakosen për këtë?

  • A vëren se mjedisi po shkatërrohet pareshtur, pavarësisht nga përpjekjet qëllimmira për ta shpëtuar?

  • A nuk të duket se ka një problem serioz me shoqërinë e sotme, se një lloj force po e shtyn njerëzimin drejt katastrofës?

Të lutemi, vër re çfarë thotë Bibla për atë që fshihet pas trazirave të sotme: «U hodh poshtë dragoi i madh, gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar. U hodh poshtë në tokë ai bashkë me engjëjt e tij. . . . Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!» (Zbulesa 12:9, 12) Pasi kanë shqyrtuar dëshmitë, shumë njerëz kanë nxjerrë përfundimin se Satanai është person i padukshëm dhe i rrezikshëm, që po ndikon fuqimisht në botën përreth nesh.

Mbase pyet veten si mund të mbrohesh. Kjo është pyetje me vend. Artikulli tjetër ofron ndihmë praktike.

^ par. 12 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.