Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE | PËR ÇFARË FLET BIBLA?

Nga kemi ardhur?

Nga kemi ardhur?

Zanafilla, libri i parë i Biblës, e shpjegon thjesht dhe me pak fjalë origjinën e universit: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Pasi Perëndia krijoi bimët dhe kafshët, krijoi edhe njerëzit e parë, Adamin dhe Evën. Ata ishin ndryshe nga kafshët, sepse njerëzit deri në njëfarë mase i kanë cilësitë e Perëndisë, ku përfshihet edhe vullneti i lirë. Prandaj, ishin përgjegjës për veprimet e tyre. Nëse do t’u bindeshin udhëzimeve të Perëndisë, mund të ishin pjesë e qëllimit të Tij si prindërit e parë të një familjeje njerëzore globale, e cila do të gëzonte përgjithmonë një jetë paqësore e të përsosur në tokë.

Gjithsesi, një engjëll, një krijesë e padukshme, shfrytëzoi rastin që të përdorte njerëzit për qëllimet e tij egoiste. Kështu, ai u bë Satana, që do të thotë «Kundërshtar». Satanai foli nëpërmjet një gjarpri dhe e mashtroi Evën duke i thënë se ajo do të ishte më mirë pa udhëheqjen e Perëndisë. Adami dhe Eva ndoqën Satanain dhe e prishën marrëdhënien me Krijuesin e tyre. Ngaqë bënë zgjedhje të gabuar, prindërit tanë të parë e humbën jetën e pafundme dhe na kaluan të gjithëve mëkatin, papërsosmërinë dhe vdekjen e pashmangshme.

Menjëherë, Perëndia e tregoi si kishte ndër mend ta ndreqte këtë situatë të trishtë dhe t’u jepte pasardhësve të Adamit një mundësi për të fituar jetën e pafundme. Perëndia paratha se një ‘farë’—një individ i veçantë—në fund do ta shkatërronte Satanain dhe do të çrrënjoste tërë vuajtjet që shkaktoi Satanai, Adami dhe Eva. (Zanafilla 3:15) Kush do të ishte kjo ‘farë’? Koha do ta tregonte.

Ndërkohë, Satanai përpiqej vazhdimisht ta pengonte qëllimin e mirë të Perëndisë. Mëkati dhe ligësia u përhapën me të shpejtë. Perëndia vendosi t’i shkatërronte të ligjtë me një përmbytje. Ai e udhëzoi Noenë e drejtë të ndërtonte një arkë, një kuti të stërmadhe lundruese, që të shpëtonte veten dhe familjen e tij, bashkë me kafshët që u udhëzua t’i merrte në arkë.

Një vit pasi filloi Përmbytja, Noeja dhe familja e tij dolën nga arka në një tokë të pastruar. Por ‘fara’ nuk ishte shfaqur ende.

Bazuar te Zanafilla, kapitujt 1-11; Juda 6, 14, 15; Zbulesa 12:9.